Ola Mitre
Quhet Fatmir dhe është baba i dy fëmijëve. Papunësia dhe pamundësia për të gjetur punë në Shqipëri e detyroi fillimisht të emigrojë në Itali. Por edhe andej i njëjti fat. Nuk mundi të gjejë punë e për këtë arsye u kthye sërish në vendin e tij. Ndërsa përballet me sfidat e njëpasnjëshme. Udhëkryqi në të cilin e ka hedhur jeta e ka detyruar të gjejë një zgjidhje për të ushqyer fëmijët e tij. Ka vendosur të shesë gjakun e trupit, të sigurojë ca thërrime për fëmijët e të mbajë frymën e tij e të familjes gjallë. Ka lënë numrin e telefonit tek roja i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në mënyrë që ky i fundit ta lajmërojë nëse ka ndonjë rast urgjent që kërkon gjak. Kështu e takojmë edhe ne. “Hajde se ke një rast”, - dëgjohet të thotë roja në celular. Fillimisht nuk kuptuam se çfarë po ndodhte, por roja na siguron se një dhurues gjaku me pagesë do të vinte shumë shpejt. Vendosëm të presim. Ishte e vërtetë. Nuk kaluan shumë minuta e ai erdhi. Mezi merrte frymë. Kishte nxituar se mos i ikte rasti. Ndërsa mes zhgënjimit të thellë që ne nuk kërkonim një dhurues gjaku vendos të na rrëfejë historinë e tij të dhimbshme.
Fatmir, sa vjeç je?
Oh, kur më ra telefoni urova Zotin për rastin që më dha (mbyll sytë dhe hesht pak). Jam 33 vjeç.
Sa kohë ke që dhuron gjak me pagesë?
Kjo është hera e parë. Më beso apo jo.
Pse ke vendosur të dhurosh gjak me pagesë?
Kam ardhur në një situatë që nuk mban më.
Ç’do të thuash me këtë? Je i varfër?
Të jem i pasur nuk vij këtu. Në qoftë se jap gjak, jap për familjen, për kalamajtë.
Sa fëmijë ke?
Kam një vajzë 12 vjeçe dhe një vajzë 9 muajshe. Vajzën 12 vjeçe e kam në Itali.
Po pse njëra vajzë jeton në Itali?
Kam qenë një herë i martuar. Erdhën ca rrethana familjare dhe u ndamë. Nuk gjeta dot as punë andej e u ktheva në Shqipëri. U martova sërish dhe linda vajzën tjetër.
Bashkëshortja punon?
Jo.
Po shtëpi ke?
Jo, jam me qira.
Po si ia bën, pa punë e me qira. Me çfarë jetoni?
Nga zori dal për kanaçe që të mbledh 2000 lekë, 3000 lekë të ushqej kalamajtë. Ja kjo është jeta ime.
Kush ta ka dhënë idenë që mund të vish të dhurosh gjak me pagesë?
Kam pyetur. Më kanë thënë të vij në këtë adresë dhe kam ardhur.
Po brenda çfarë të kanë thënë?
Më kanë thënë që nuk dhurohet më gjak me pagesë. Prandaj kam lënë numrin e telefonit te roja, se mos del ndonjë rast urgjent.
Ke ndonjë apel për të bërë?
Jo, s’kam apel.
Asnjë apel nuk ke?!
Shteti të mos më shikojë vetëm mua, por ka shumë të varfër që vuajnë, që janë në gjendjen time. Ndoshta janë edhe më keq, po shteti duhet të vërë dorën në zemër për këto situata ku ne jemi. Unë jam me qira. Nesër-pasnesër ai më nxjerr përjashta dhe nuk do të dijë ke apo s’ke lekë, fëmijët duan të hanë, s’duan të dinë ke apo s’ke dhe është një situatë shumë e vështirë si për mua, si për ata të varfrit e tjerë. I lutem Qeverisë të mendojë edhe për popullin, jo vetëm për vete.
http://www.balkanweb.com/gazetav5/ar....php?id=123788
Krijoni Kontakt