Prof. Dr. Nuri Avdiu
• Perfaqësues i plejades së mendimtarëve shkolluar në akademinë e formimit të personaliteteve në Moskë gjatë viteve 50-të dhe që mbajnë meritën e ringritjes së institucioneve të dijes mbas daljes së Shqipërisë nga shkatërrimi I Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë mbas kurorzimit të diplomës në lamin e psikologji-pedagogjisë deri në 1993punoi pedagog, zv.drejtor për drejtimin mësimor dhe shkencor si dhe përgjegjës katedre në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti "Luigj Gurakuqi")
• Gjatë kësaj kohe, Prof.Nuri Abdiu lektron dhe jep mësim në kursin pasuniversitar ose masterin shqiptar të Psikologji-Pedagogjisë në Universitetin e Tiranës.
• Ai është bashkautor i shtatë teksteve të psikologjisë, tre teksteve për shkollat e larta(1971-81-84) i dy teksteve për shkollat e mesme pedagogjike( 1985-86) i një përmbledhjeje mbi seminaret e psikologjisë (1973) dhe i manualit "Psikologjia e Personalitetit" për kursin pasuniversitat të UT. (1988)
• Lista e punimeve, studimeve, kumtimeve shkencore dhe artikujve të tij, arrin në mbi 160 zëra. Shumë syresh janë botuar dhe mbajtur si kumte në sesione shkencore kombtare dhe ndërkombtare si në Kongresin e VI Europian të psikologjisë në Romë.
• Nuri Abdiu është hartuesi i parë i Bibliografisë së punimeve shqiptare në rrafshin e psikologjisë.(1985)
• Vepra fondamentale e Prof. Abdiut është studimi i tij " Kontribute themelore në historinë e mendimit psikologjik shqiptar (prej 1939-ës), viti 2002 i botimit.

 Vlerësimet ndaj këtij personaliteti të kulmuar nisin me titullin Docent 1991 dhe gradën Doktor i Shkencave, më pas titullin më të lartë Profesor në vitin emblematik 1999.
• Ai është nënkryetar i shoqatës mbarëshqiptare të psikologëve, kryetar i shoqatës së intelektualëve Dibranë si dhe konsulent i botimeve në revistën europiane me logon European Psychologyst në Hamburg të Gjermanisë.
• Kolana e vlerësimeve njeh dhe dekorimin me "Medaljen e Punës" më 1968 dhe urdhrin "Naim Frashëri" i klasit të parë më 1980, krahas titujve honorifikë si Mësues i Merituar 1987 dhe Mësues i Popullit 1989.

• Aktualisht Prof. Abdiu vazhdon të lektrojë në altarin e auditoreve në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Tetovës prej vitit 1996 dhe drejtor i departamentit të Psikologjisë në Universitetin U.F.O.


Dr. Laurant Bica



Çamëria e çamët, kudo ku ndodhen ata sot, çamët muslymanë në Shqipëri apo çamët ortodoksë në Epir (Çamëri), nga Janina e Filipiadha deri në Prevezë e Artë i mbeten “borxhli” dibranit Nuri Abdiu, për këtë vepër të tij, për burrin e tyre të madh, Hoxha Tahsin Filatin...

Nuri Abdiu është një ndër themeluesit e shkollës së sotme psikologjike shqiptare dhe një nga ata që ka përgatitur kuadro dhe për këtë shkollë, një ndihmesë kjo me vlerë kombëtare dhe më gjërë. Për gati gjysëm shekulli ai ka qënë mësues, profesor i psikologjisë dhe ka ligjëruar në Universitetin e Shkodrës, Tiranës, Prishtinës, Tetovës etj. brenda e jashtë Shqipërisë dhe është bërë një autoritet i kësaj fushe krahas akademikëve e profesorëve si 1) Bedri Dedja 2)Hamit Beqja 3) Pajazit Nushi 4) Shefik Osmani 5) Musa Kraja etj.
Puna e prof. Nuri Abdiut është punë e një njeriu të përkushtuar studimit të një fushe të zhvillimit të shkencës shqiptare, relativisht të re, siç është ajo e studimeve psikologjike. Këtë fushë siç thanë vlerësuesit e veprës së tij ai e bëri “të vetën” dhe u afirmua në të në sajë të një pune sistematike. Në sajë të saj krahas të tjerave, ai mori “medaljen e punës” më 1968, urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë më 1980, titullin “Mësues i Merituar” më 1987 dhe dy vjet më pas edhe titullin më të lartë “Mësues i Popullit”. Një trajektore ngjitëse që flet më shumë nga gjithçka tjetër. Nga 1969, kur kumtoi për herë të parë në konferencën e I Kombëtare të studimeve pedagogjike edhe për H. Tahsinin e deri më sot tek monografia për një vepër të tij, kemi përsëri një tjetër trajektore ngjitëse të studimeve të Nuri Abdiut për këtë rilindës, rritje kjo si sasiore dhe cilësore. Ne kemi besimin se pas kësaj rruge ngjitëse gati 40 vjeçare profesori do të kapë kuota të tjera më të larta... Po kështu edhe shkallët e karierës pedagogjike e shkencore (edhe kjo nje trajektore tjetër lartësuese) flasin akoma më tepër: titulli shkencor “Docent” më 1973, grada “Doktor i shkencave” më 1991 (nga të parët në fushën e psikologjisë) dhe titulli shkencor “Profesor” më 1999.

Prof. Nuri Abdiu ka meritën se ka zbuluar dhe një sërë personalitetesh që vlejnë si për mendimin psikologjik ashtu edhe për atë filozofik shqiptar. I tillë është Branko Merxhani, Isuf Agjah Korça etj. Me këtë rast nuk mund të mos përmendim se puna e tij në fushën e psikologjisë është çmuar, duke e futur në redaksinë e Enciklopedisë Shqiptare për hartimin e zërave respektive...

Me dekada të tëra ky njeri u rropat nëpër ravat e jetës dhe të shkencës së psikologjisë Rezultat i kësaj pune të lodhëshme ishte studimi “Kontribute themelore në historinë e mendimit psikologjik shqiptar” Tiranë 2002. Teksa po shihja orarin më tërhoqi vëmëndjen një lëndë e posaçme në degën e Psikologjisë “Kursi Special”. E pyeta profesorin dhe u gjënda para një befasie të dytë për mua. N’atë kurs jepej një lëndë e re “Historia e Mendimit Psikologjik Shqiptar” prej vetë autorit të saj. E urova me gjithë zemër që kjo lëndë e re kish marrë “rrugë” në programet e Universitetit “UFO” dhe ta hiqte “këmbën zvarrë” duke u dhënë në Universitetin Shtetëror të Tiranës e prej andej në mbarë universitetet shqiptare, shtetërore apo private qofshin, në tërë trojet etnike shqiptare. Dhe s’janë pak. Numri i tyre po i afrohet me shpejtësi 40 universitete dhe vitin tjetër akademik, shkollor e kalon këtë shifër....


Pas rreth gjysëm shekulli kë Hasan Tahsini dinte bashkë më shqipen 11 gjuhë: tre gjuhët e lindjes, arabisht, persisht, osmanisht, greqishten e re; greqishten e vjetër e latinishten i përvehtësoi në Sorbonë; frëngjishten e italishten dhe sipas indikacioneve më të fundit që kemi, mendohet të ketë ditur dhe anglishten e gjermanishten; një poliglot i vërtetë. Midis të tjerave vepra “Shkrimet e Popujve” dhe Alfabeti origjinal i tij për gjuhën shqipe, janë dëshmia më e mirë për këtë...
rkimesh, përpjekjesh e hulumtimesh të vazhdueshme të studiuesve shqiptarë vjen i mirëseardhur në letrat shqiptare ky punim shkencor i profesor doktor Nuri Abdiut mbi veprën “Psikologjia apo Shkenca e shpirtit” të Hoxha Hasan Tahsinit, këtij rilindësit tonë, nga më të shquarit.
Ai u drejtohet të gjithëve, është një libër i hapur për cilindo, por atë mund ta përdorin në mënyrë të veçantë studentët e degëve të psikologjisë dhe të filozofisë, specialistët e fushave respektive, pedagogët e të gjitha kategorive, mësuesit e shkollave në mbarë vendin etj. Teksti i përkthimit brilant, besnik i origjinalit të veprës të shkruar nga vetë Hasan Tahsini, është sjellë tani në dorën tonë, në dispozicionin tonë. Është një përkthim i bërë nga një mjeshtër siç ishte orientalisti Vexhi Buharaja.
Me këtë vepër që i vjen e shumëpritur rrethit të lexuesve shqiptarë, kudo në trojet etnike apo në diasporë, jam i bindur se Profesor Doktor Nuri Abdiu do të zërë një vend të shquar në kohën tonë si i pari apo ndër të parët studjues shkencorë të Profesor Hoxha Hasan Tahsinit. Ai do të numurohet si një ndër Tahsinianët e parë. Kështu me këtë emër, do t’i quaja studjuesit e Hoxha Tahsinit, duke filluar nga Sami Frashëri e Naim Farshëri, për të vazhduar me një Riza Tefik e Dervish Hima e të tjerë që u përpoqën, duke filluar nga Rilindja e këtej, ta nxjerrin në dritë dhe ta vënë në vendin e merituar që i takon tek ne në Shqipëri dhe në botë...

Çdo mëngjes kur shkoj në punë, rrugës më tërheq vëmëndjen një tabelë rruge: “Profesor Bedri Dedja, Akademik, dhe jepen vitet përkatëse të jetës së tij. Ka vdekur tani së voni, para 3-4 vjetësh. Eshtë një tabelë e thjeshtë n’atë pjesë të qytetit metropol të shqiptarëve, Tiranës, rreth 1 milionëshe, që quhet Selitë. Një ditë në Universitetin “UFO” ku jap mësim duke parë orarin, ndesha ballë për ballë profesor Nuri Abdiun. Mbante në dorë librin “Nëpër ravat e jetës “ (kujtime) të Bedri Dedes. E çfletova dhe midis fletëve pashë një përkushtim: “Nuri Abdiut, kalorësit të psikologjisë ........ me respekt autori 29. 5. 2001”. Libri dalë në vitin 2001 në të gjallë të tij. Ishte një befasi e këndëshme për mua. Shihja pedagogun Nuri Abdiu të zbardhur nga pesha e viteve, gjithë vitalitet dhe ai përcaktim i profesor B. Dedes për të, më dukej më se i goditur.
Zakonisht shkrime të tilla për njerëz të shkencës ëshët e natyrshme të mbyllen me një stil akademik. Unë do të desha t’i largohesha një gjëje të tillë dhe ta përfundoj këtë pasthënie me një mënyrë krejt tjetër... Do t’i krahasoja personalitetet e fushës së psikologjisë me kalorësit e mesjetës. Ka diçka fisnike, madhështore e heroike prej tyre në ta....
Një etje e paduruar për arësim, kulturë e shkencë e popullit tonë, e shqiptarëve kudo që janë... Shpresoj dhe besoj që në një të ardhme të afërt “Historisë së Mendimit Psikologjik Shqiptar” të Prof. Dr. Nuri Abdiut t’i shtohen dhe “Historia e Filozofisë Shqiptare”, “Historia e mendimit Ekonomik Shqiptar” etj, etj. Arësimi shqiptar pret “kalorësit e rinj” të këtyre shkencave shqiptare dhe njëkohësisht lëndëve mësimore të nesërme në universitetet tona të vjetra e të reja, sikurse “kalorësi i psikologjisë” Nuri Abdiu, siç e përcakton i ndjeri akademik Prof. Bedri Dedja. Urojmë që të tillë “kalorës” të shumohen për të mirën e shkencës shqiptare, për t’i treguar botës se në këto troje të Ballkanit jeton një popull që i ka dhënë në shekuj, i jep sot dhe do t’i japë shkencës botërore në përgjithësi ndihmesën e vet të vyer. Detyra jonë është ta zbulojmë këtë kontribut në fusha të ndryshme të saj dhe të bëjmë të vetëdijshëm brezat e sotëm e të ardhshëm për vlerat tona si popull, si komb. Detyrë sa e vështirë aq dhe fisnike por dhe që të mbush me krenari. Prof. Dr. Nuri Abdiu është nga ata personalitete të shkencës sonë, që e ka përmbushur këtë detyrë qysh sot, pas dekadash të tëra pune këmbëngulëse e të suksesëshme. Lënda e re në programet e Universitetit “UFO” është një buqetë lulesh në këtë drejtim. Libri për “Psikologjinë e Hasan Tahsinit” është një gur më tepër në “murin” e kësaj shkence të re......