-
Respekti i Edi Rames per institucionet ligjore!
Rama leter kancelarit austriak per Lotarine Kombetare
E Merkure, 01 Gusht 2012 14:36
TIRANE - Kreu i Partise Socialiste, Edi Rama i ka derguar nje leter kancelarit austriak, ku e njofton per denoncimin qe opozita i ka bere procesit te tenderit per Lotarine Kombetare.
Ne letren e derguar Rama e ben me dije kancelarin e forca qe drejton do te ndjeke rrugen ligjore per denoncimin ne fjale, nderkohe qe sipas tij kompania austriake qe fitoi lotarine kombetare duhet te terhiqet, pasi fituesi ka qene i paracaktuar.
“Arsyeja pse jua sjell kete fakt ne vemendjen tuaj eshte sepse fituesi i paracaktuar i ketij tenderi me sa duket eshte kompania austriake, Austrian Lotteries, Dua t’iu ve ne dijeni se kam denoncuar procesin per Lotarine pasi ishte nje proces i manipuluar”, shkruan Rama.
Tenderi per licencen e Lotarise Kombetare u perfshi nga skandali, pasi kriteret e percaktuara per garen skualifikonin kompani me eksperience boterore, te cilat i’u drejtuan me shkesa zyrtare qeverise. Gjithashtu, ne kete tender Ministria e Financave nuk percaktoi nje cmim per licencen, duke bere qe buxheti te humbase me miliona euro.
Skandali me dhenien e licences se lotarise kombetare u zbulua nga media, e cila kishte njoftuar se fituese e tenderit do te shpallej kompania austriake ‘Austrian Lotteries’, ashtu siç rezultoi edhe ne fakt.
http://infoalbania.org/lajme-home/lajme-vendi/40205-rama-leter-kancelarit-austriak-per-lotarine-kombetare.html
-
-
Edi Rama si do të donte të ishte
Opinione Enjte, 24 Nëntor, 2011/ 4 shikime
ARMAND SHKULLAKU
Libri i Edi Ramës është një nga ngjarjet më të rëndësishme shoqërore dhe politike të viteve të fundit në Shqipëri. I servirur si një rrëfim personal, ai përbën njëkohësisht një nga dëshmitë më tronditëse se si u deformua, humbi dhe u tjetërsua në vorbullën e politikës pa moral, shpresa që shoqëria shqiptare të prodhojë një politikan të llojit të ri, që beson në diçka dhe është në shërbim të qytetarëve. Në çdo rresht të librit lexohet drama e “intelektualit rebel” që hyri në politikë për të ndryshuar kulturën e deriatëhershme të tranzicionit, por që vetëm tranzit u kaloi ideve të tij të dikurshme. Lexohet dështimi spektakolar i Edi Ramës për t’u shndërruar të paktën në një shembull moral për shoqërinë shqiptare, duke i dhënë për pasojë asaj një shembull më shumë të degradimit të çdo vlere përballë tundimit të pushtetit, parasë, mediave dhe fuqisë që nuk buron nga mendja, por nga intrigat e vogla politike. “Kurbani” është një libër i shkruar mirë pikërisht sepse ai është shkruar si dhimbje e ndjerë për një njeri që ndahet nga ajo që ka dashur, gati një poezi për atë që Edi Rama do të kishte dashur të ishte, por që fatkeqësisht nuk ka më asnjë mundësi për të qenë sa të jetë gjallë në këtë botë. “Kurbani” i Ramës është një kurban për Edi Ramën që nuk është më.
Ky libër duhet lexuar pikërisht kështu: Edi Rama si do të donte të ishte. Aty flitet për një njeri që ka hyrë në politikë si misionar, për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Flitet për dikë që qëndron mbi llumin e politikës ditore të Tiranës dhe ka një vizion europian. Një njeri që e shqetësojnë hallet e qytetarëve të thjeshtë, shëmtia e qytetit dhe e politikës, një njeri që po sjell erën e ndryshimit, larg pazareve të ulëta, intrigave, parave të pista dhe shantazheve politike. Flitet në libër për një kryebashkiak e kryetar partie që nuk ka një shtëpi të tijën, nuk ka lidhje me paranë dhe aferat korruptive që kanë mbërthyer politikanët e tjerë. Ai është i vetëm, i rrethuar nga dallkaukë, kryeministra rrugaçë, kundërshtarë që vinë nga malet, që e sabotojnë, masakrojnë, linçojnë e torturojnë, por ai mbetet. Ashtu i vetëm përballë të gjithëve. Në një lukuni të përdalësh ai mbetet i virgjër. Një shembull moral, pra, përballë politikës së ndyrë dhe interesave të ulëta. Shembulli i politikanit që në këto 20 vjet na ka munguar. Ky është Edi Rama që përshkruhet në libër. E, duke qenë se edhe vetë autori e di thellë brenda vetes që ky nuk është Edi Rama me të cilin shihet çdo ditë në pasqyrë, në çdo faqe, në çdo rresht e në çdo germë ka derdhur talentin e tij për të vizatuar atë tjetrin, atë që do kish dashur të ishte, duke i dhënë vetvetiu veprës dimensionin e humbjes së pakthyeshme, të një fiksioni, të një iluzioni për atë që kurrë nuk mundi të jetë në politikën shqiptare.
Edi Rama në “Kurban” ka fshehur, retushuar, manipuluar ngjarje, fakte dhe të vërteta të njohura botërisht, i fiksuar për të ndërtuar një tjetër personazh nga ai që ne patëm fatin e keq të provojmë shijen e thartë të zhgënjimit. Por, me gjithë përkushtimin e tij për këtë fiksion, Edi Rama në politikë është shembulli moral jo vetëm i munguar, por edhe dërrmues e asgjësues për një brez të tërë që besonte te fuqia e tij e ndryshimit, te rezistenca e vlerave përballë tundimit të pushtetit, te një mundësi më shumë e me përkrahje të jashtëzakonshme për të nisur një kapitull të ri të politikës shqiptare. Këtë dështim nuk e kompensojnë as kapitujt e “Kurbanit”, pavarësisht talentit të derdhur për të ndryshuar historinë. Ajo që ka ndodhur nuk zhbëhet. Edhe 100 “Kurbane” po të bëjë Edi Rama, atë që ka humbur nuk e kthen dot më.
Ai do të donte të ishte vërtet partner i barabartë me Ilir Metën kur ky ishte Kryeministër, ta kundërshtonte dhe të vepronte si një kryetar bashkie i pavarur. Por ne të gjithë e dimë se ai nuk guxoi kurrë të ngrinte zërin kundër tij, se me një dorë i shkruante fjalimet e me tjetrën vilte përfitimet, se u përdor nga Meta si çamçakëz në luftën politike në PS dhe si një furçë e gjatë për të lyer qerren e ndryshkur mediatike. Edi Rama jo vetëm që nuk u bë shembulli i hapjes së politikës, por e mbylli atë edhe më shumë, korruptoi gati të gjitha mediat, majtas e djathtas, këputi të gjitha fijet që e mbanin ende të lidhur me njerëz mendjehapur e profesionistë, për të gjetur një vend në çerdhen e këshilltarëve mediokër të Ilir Metës. Figurat e gjetura në libër për Metën nuk mund ta shlyejnë pamjen e një burri dy metra të gjatë që ndiqte pas duke u dridhur Kryeministrin nga frika e katarsisit të Fatos Nanos. E ky i fundit, a mund të mos sillej si një politikan rrugaç me “intelektualin” Edi Rama, i cili vraponte t’i çonte lule në spitalin e Athinës sapo kuptoi që Ilir Meta po e humbte luftën. Këto nuk gjenden në libër, sepse libri është shkruar për Edi Ramën se si do të donte të ishte. Nuk është shkruar për Ramën që e njohin të gjithë: politikanin tipik që bën përpara duke iu servilosur kryeministrave të radhës e që dijen e tij intelektuale është i gatshëm ta kthejë në rrogoz për të ecur përpara ambicia e sëmurë politike.
Libri është shkruar për dikë tjetër që asnjë prej nesh nuk e njeh ashtu. Është shkruar për dikë që ka fiksim të tregojë se është i varfër dhe ka frikë njëkohësisht se askush prej lexuesve nuk do të arrijë ta besojë këtë fiksion të radhës. Për një kryetar bashkie që shqetësohet nga gardhet dhe llamarinat, por që nuk la fushë, hapësirë e oborr pa betonizuar. Që habitet nga pasioni i politikanëve për të bërë miqësi me kriminelë, e që vetë i favorizoi me sa pati fuqi. Që indinjohet e revoltohet nga vjedhja e votës, por që vetë i priu masakrës së 2003-shit përballë Spartak Ngjelës. Që beson te fjala e lirë, e që nuk la tullë pa falur për t’ua mbyllur gojën atyre që e kritikonin. Pallatet shumëkatëshe në Tiranë janë bashkësia më e mirë e tullave që e vërtetojnë këtë, ani pse ai pretendon me krenari se nuk ka marrë para në këmbim, por favore politike, që duke perifrazuar Migjenin do të përkthehej se për at’shërbim nuk ka marrë do franga, por në fytyrë, çarçafë e në ndërgjegje danga. Ka shumë e shumë shembuj në çdo rresht të librit që na tregojnë Edi Ramën që do kishte dashur të ishte, por që kurrë nuk mundi të bëhej. Nuk bëhet dot, edhe pse me mjeshtërinë e piktorit ai mundohet të ngjyrosë sipas dëshirës faktet dhe personazhet. Do të kishte dashur Edi Rama të ishte modeli europian i politikanit, krijues e vizionar, protagonist i ndryshimeve, madje do kishte dashur të ishte ai që e ftoi Fatos Nanon të bëhej Kryeministër në qeverinë e tij e në vazhdim të tregonte se si triumfoi mbi të keqen duke u bërë kryetar i Partisë Socialiste. Këto mund t’i bëjë, sigurisht, në letër, ka kohën, fantazinë dhe talentin e duhur. Shumë opinionistë e krahasuan këtë retushim të Ramës me fiksimin e Enver Hoxhës për të ndryshuar historinë duke ngritur kultin e vet të individit. Ngjashmëri mund të gjendet plot, prej diabolizimit të kundërshtarëve, shmangies së tyre me statut e kushtetutë, mbajtjen e fronit pa konkurrim, eliminimin e mendimit ndryshe e deri te “gjaku i ri” që betohet për kryetarin. Por sigurisht, jetojmë në kohë të tjera.
“Kurbani” i Ramës nuk është asgjë më shumë se sa një rrëfim për Edi Ramën se si do të kishte dashur të ishte. Dhe një dëshmi e hidhur se si mund të humbë dhe të deformohet deri në palcë një njeri që i kishte të gjitha mundësitë për të qenë një shembull moral për politikën në Shqipëri, dhe jo një kopje e zbehtë e së shkuarës.
http://www.panorama.com.al/2011/11/24/edi-rama-si-do-te-donte-te-ishte/
Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 03-11-2012 më 15:33
-
-
Nje leter me vlere per aq kohe sa Rama te jete ne politike!
Nje leter e vitit 2003, qe duket si kaluar ne kohe, por me shume vlere per te sotmen e PS.
Përse nuk rivotoj për Edvin Ramën?
--------------------------------------------------------------------------------
Altin Xhaferri
I dashur idhulli im i humbur!
Unë që po të shkruaj këtë letër, jam një nga ata të shumtit, frymorët me të drejtë vote e pa të drejtë numërimi që ti, jo rrallë, me mospërfillje e pse jo dhe me pak neveri, na quan popull apo shtresë e ulët dhe për të cilët kujtohesh vetëm kur të vjen veza. Me një fjalë jam një nga ata që pi përditë ujin tënd me erë të ujëmbledhësit të Bovillës, thith atë ajër të ndotur të plehrave që s'm'i heqin prej muajsh punonjësit e tu të pastrimit, eci nëpër rrugën e ndotur "Todi Shkurti" të cilës i kish dalë fondi i asfaltimit para zgjedhjes tënde po që ti se ku ia degdise diku tjetër pa t'u skuqur hiç faqja, marr frymë aq sa më lejojnë pallatet e tua të ngritura ngjitur me timin, dëgjoj fjalimet e tua me plot fjalë të ndyra që më bëjnë të skuqem para fëmijëve, shikoj marshimin tënd brutal mbi eshtrat e kundërshtarëve, duroj kapardisjen tënde jodemokratike sa herë ti më mbush shtëpinë me ujë për një difekt teknik të portës së liqenit, jam një nga ata që lahem kur i teket Andi Xhelepit të më lëshojë ujin, që marr dritë kur t'i teket Viktor Dodës.
Kryekreje, siç thoje dhe ti nëpër letra të hapura e të mbyllura që bëje dikur kur ishe pak si popull, dëshiroj të bëj me dije se unë të gjitha këto, edhe mund të t'i kisha duruar, ashtu me dhëmbë shtrënguar siç kam duruar dhe të tjerë satrapë para teje, si njeri jo lëkurëhollë, i ardhur prej diktature, i mësuar me vuajtje, të drejta e të padrejta, mund të të kisha falur për gjithçka, mund të gjeja forca për të justifikuar dhe të gjitha sjelljet e tua konvulsive, mund t'i kisha bërë ca kompromise me ndërgjegjen time, por të gjitha mund të kishin ndodhur sikur të të kisha dashur më pak. Po ja që unë të kam dashur shumë. Më shumë se ç'meritoje. Më shumë se Nano, se Kokëdhima apo Rakipi. Unë të kam pasur idhull përpara se të bëheshe zyrtari që shkumbëzon nëpër fjalime epileptike dhe ky zhgënjim më bren më shumë se vetë vuajtjet fiz-soc-morale që më shkakton regjimi yt. Është e kotë të them se tre vjet me parë kur ti sillje një risi në fushatën tënde elektorale, unë u entuziazmova. Ja, më në fund, një njeri ndryshe. Ky i duhet Shqipërisë!... Ky do ta shpëtojë nga lëngata; iu gjet ilaçi më në fund. Dhe ato vajzat që ia bënin "uau!" pas teje, veshur të gjitha në të kuqe, gati i mistifikova. Nuk më dukeshin vajza, po flutura, gjersa takova, ca muaj pas fushatës, njërën prej tyre. E takova rastësisht e më hapi sytë duke më thënë se ato nuk brohorisnin gratis, po me 100 USD në ditë si në Amerikë. Dhe kur mendova se unë marr 100 USD në muaj për një punë goxha më të dobishme e me të fisme, pësova thyerjen e parë që m'u thellua kur ti nuk deklarove, siç premtove, pas zgjedhjes se do ta bëje publike financimin e fushatës tënde. Pastaj, kur ti s'e more mundimin të na sqaroje (siç na dhe fjalën neve që besonim në gjithçka ti thoshje e të shihnim në dritë të syrit, sa na dukej se dhe qurret që të vareshin, i kishe tru), unë s'kisha pse të mos dyshoja se ato qenë pará jo të pastra siç thoshte kampi tjetër dhe që do të të mbanin peng gjatë qeverisjes tënde e do të të shndërronin në një kukull, fijet e së cilës i lëvizin me dijen apo pa dijen tënde, të tjera duar. Takova pastaj një bisnesmen që ti i kishe dhënë ca ambjente për 90 vjet me qira e ishe kapardisur në tribunë me të. E di cili qe biznesi i tij?!... Ca vajza që punonin në Itali për llogari të tij e që paratë e fituara, ti na i prezantoje në fushatë si sipërmarrje të lirë biznesmenësh. Aty thyerja u thellua e u bë e çarë nga ato që di ti.
I dashur idhulli im i shembur!
Të bëj me dije se nuk mund të votoj më për ty. Kam vendosur të besoj atë thënien e urtë që thotë se është më mirë djepi bosh, se sa shejtani brenda. Më plasi trapi, do thuash! Thuaje. Kjo është më e vogla që mund të më thuash mbas gjithë këtyre. Po unë nuk jam vetëm. Ka dhe të tjerë si unë që mund të bëhen shumë dhe ia vlen të na marrësh në konsideratë. Grupet e debatit të ndarë pro e kundër Edvinit, nuk mund ta zgjidhin dot rikandidimin tënd. Duhet dhe ky grupi i tretë ku bëjnë pjesë ata që s'i pyet njeri, si puna ime. Halli i madh i yti është se dy grupet e para, të duan njëri më shumë se ç'duhet dhe tjetri jo vetëm që s'të do, por të urren me shpirt. Nuk është gjë e mirë kur njeriu mbjell kaq urrejtje dhe bën kaq armiq dhe ndoshta një i arsyeshëm pyet veten e ka një moment reflektimi. Ata që të duan, numërojnë sukseset e tua, ato që ul e ngre dhe zotrote në Tv-të e privatizuara: sistemimin e Lanës, rrugën e Elbasanit dhe fasadat që me thënë të drejtën, si shpejt u zbërdhylën. Ata që s'të duan, përmendin koston njëqindfish të ndërtimit, abuzimet me firmat e ndërtimit, lidhjet me biznese të dyshimta e ca gjëra të tjera që s'm'i nxë goja gjersa kam edukatën time dhe jo tënden që i thua të gjitha ç'të vijnë nëpër gojë. Pastaj dhe frikë kam. Nën këtë pushtetin tuaj, të heqin qafe kollaj dhe kjo është një tjetër arsye për të mos ta dhënë votën.
Mirëpo ja që jemi dhe ne grupi i tretë që çoku mendojmë një çikë si më shumë me kokën tonë sesa me të kryetarëve që s'dimë kë të besojmë se duket sikur të dy palët kanë nga një çikë të drejtë. Personalisht nuk bëj pjesë në grupin e atyre që mohojnë gjithçka, s'mund të mos e pranoj se ca punëra dhe i ke bërë, po për këtë të kemi vënë dhe s'ke pse mburresh se e ke detyrë siç na the kur u zgjodhe. Por ndonëse bëj pjesë tek të parët, s'mund të mos bëj pjesë dhe tek të dytët, me demek ata që duan të dinë sa iu kanë kushtuar këto punë se është detyrimi minimal i yti transparenca me taksapaguesin. Mirëpo e vërteta s'është si "Gjiganti i Rodit" me këmbët në të dy brigjet dhe kjo ka rëndësi sidomos për grupimin e tretë, atë as pro e as kundra teje, në të cilin bëj pjesë dhe unë. Pra dua të di se sa na kanë kushtuar këto punime, sepse në fund të fundit jam një taksapagues. Veçse... zelli i maxhorancës për të hermetizuar gjithçka që ka të bëjë me ju dhe vetë zelli yt për të mbytur me sarkazma çdo zë kundër, më shtie në ca dyshime të liga; ca më tepër qëndrimi yt kapricoz e inatçor më bën të mendohem gjatë përpara se sa të votoj herën tjetër.
Fanatikët e të dy palëve e kanë ndarë mendjen për votimin e ardhshëm, pasi një palë të dashurojnë më shumë se ç'duhet, ndërsa tjetra palë të urren me gjithë rrënjë. Mirëpo asnjëra prej grupimeve nuk mund t'jua japë mandatin e dytë pa atë grupimin e tretë të pavendosur ende, i cili të bëri dhe fitues herën tjetër. Vetëm me votat e militantëve ai është as mish e as peshk si i thonë fjalës. Mirëpo, unë që jam një nga ata që dikur i dhanë një votë që ndihu në fitoren e tënde, nuk mundem më të rivotoj për Edi Ramën.
I dashur idhulli im i humbur!
Me thënë të drejtën s'kam besuar kurrë se ti je një ëngjëll, po dhe djall s'të kisha ditur. E kam ndjekur me vëmendje dhe me një ndjenjë që dhemb këtë shndërrimin tënd nga idhull në djall, për këto tre vjet qeverisje. Unë nuk mund të votoj dot më sërish për ty, sepse ti nuk je më ai djali i guximshëm e pak marrok, por pa mëkate si tre vite më parë. Ti tani je një llogaritës i mirë interesash, një kalkulues i vogël mizantrop që kërkon në gjithçka përqindjen tënde. Nga këta ne kishim plot dhe më parë, madje dhe më të ekuilibruar se zotrote. Unë nuk votoj dot më për ty, sepse, nga një idhull i interesave rinore, u bëre një zëdhënës i moshës së tretë, siç u thua pensionistëve që janë një grumbull i harruar prej kohe komunistësh, zyrtarësh, sigurimsash, të cilët shohin tek ti zgjatimin e aftësive të tyre të humbura, ashtu siç sheh majmuni tek shkopi zgjatimin e aftësisë së tij për të kapur një kokërr molle që s'e arrin prej shkurtësisë së shtatit. Unë jam gati të rivotoj Edin e varfër që dilte rrugës me pantallona të shkurtra e me thonj të paprerë dhe më dukej më dinjitoz se ky i sotmi me kostume firmato apo këpucë me lëkurë krokodili. Unë nuk votoj për ty, jo pse ti përmbyte Tiranën, megjithëse dhe kaq do mjaftonte, por se ndihem i rrezikuar nga sjellja jote prej "Arturo Ui"-je, ditët kur inspektoje dëmet mbas përmbytjes, aq shumë i frustroje hallexhinjtë, saqë jo vetëm s'guxonin të deklaronin të raportonin orenditë e prishura, por qenë gati të deklaronin se ishin të lumtur e se qe një fat i madh që ti i përmbyte.
Une nuk rivotoj dot më për ty, se kam vërejtur që ti e shkel pa pikë brerje ndërgjegjeje atë kufirin e padukshëm ku mbarojnë liritë e tua dhe ku nisin të drejtat tona dhe mua kjo më ngjeth mishtë. Përpara kësaj s'më hyjnë më në sy veprat e tua, aq më shumë kur kujtoj që Enver Hoxha na ndërtoi vepra më të mëdha se të tuat dhe ne prapë e bëmë lanet se e paguam shtrenjtë me çmimin e lirisë sonë.
Tre vjet më parë duke votuar për ty mendoja se jepja votën për një alternativë të re ndryshe, por që sot më rezulton po aq e vjetër, inatçore dhe atavike sa ajo që desha të lija pas. I kënaqur nga mënyra e re juaja e të bërit fushatë, unë jam si një një i prerë në besë, sepse ti kurrë nuk më the se ku i gjete milionat për të ndrequr imazhin elektoral. Dhe gjersa s'ma the kurrë këtë, unë s'kam pse të mos besoj zërat e kampit tjetër që thonë se ato pará janë të mafies. Ti thua se ndryshimet që ke bërë duken vetë, mirëpo nuk mund të rri pa konstatuar se ndryshimet e bashkisë së Tiranës janë vetëm në formë dhe aspak në përmbajtje. Vërtet pas sportelit nuk është më ai nëpunësi i regjur i regjimit të Hoxhës me syzet e varura mbi hundë që hap pambarimisht sirtare dhe dosje me cepa të zverdhur për të të thënë 'jo!', por vajza me minifund, me syze fotokromatike që ta përlas 'jo'-në me mausin e kompjuterit dhe vazhdon 'chat'-in me bashkëmoshataret e viseve të largëta! Provo të qash një hall në hollin luksoz të bashkisë, ku flitet vetëm për partneritet, komunitet, intimitet, feminitet, homoseksualitet e broçkulla të tjera, por aspak për ato nevojat e prekshme të ditës si buka, uji, plehrat.
Unë s'të votoj dot më, edhe pse ty të kanë braktisur gjithë shokët. Ku janë sot Lame, Peza, Lubonja e të tjerët, ata të cilët ishin suporti yt moral. Me kujton kështu dikë tjetër që e fillonte luftën me Qemal Stafën dhe e përfundonte me Muho Asllanin. Unë nuk votoj për një njeri që s'ka asnjë shok, asnjë mik, apo thjesht partner. Unë nuk votoj dot më për ty, edhe sepse në sajë të aleancës tënde bizare me vajzën ambicioze të një këpucari nga Tirana e Re, sot kanë marrë udhët e botës shumë talente si Gjipali, Llapi, të cilët, jo se s'kanë sukses dhe atje ku janë, por për faktin pse dikush ua ka bërë mëmëdheun njerkë! Po unë nuk mund të votoj më për ty dhe për faktin tjetër se tani s'je veç një poster ku do të vrapojë të fshihet, edhe Finua dhe Ruçi, Klosi e Meidani, duke e përdorur fitoren si të klanit të tyre. Një njeri që pranon ta përdorin si një lloj letre higjenike nëpër fushata, nuk ka ç'më duhet, edhe sikur flori të pjellë. Po unë nuk votoj dot më, se ti nuk je ai njeriu i lirë me ide antikonformiste, nuk je analisti fjalëgjetur i dikurshëm, por një socialist nga të shumtët, djali i një ish funksionari të KQP-së që shumë prej metodave të regjimit të të atit nuk i paska harruar.
Ja, për të gjitha këto e për ca të tjera që s'm'i nxë goja t'i them, unë nuk mund të të kem më një idhull, sepse e ke humbur ditë pas dite të drejtën për të qenë i tillë. Por daullet bien për ata që kanë veshë, jo për ata që kanë vetëm gojë. Dhe në fund dëshiroj të them se më vjen keq për tim atë me të cilin jam grindur për ty sa e sa herë për atë kuintesencën e përvojës së tij me atë shprehjen që dikur me dukej cinike "Ç'del prej maces, gjuan minj!", që jam grindur me shokët, të cilët të konsideronin thjesht një të lojtur që i ra daci në kos. Unë e di që diktaturat i kanë ndërtuar njerëzit entuziastë si puna jote që në emër të qëllimit dhe të ëndrrës së tyre të shkëputur nga jeta reale, nuk shohin ku shkelin aq sa kur kthejnë kokën pas, shohin se s'kthehen dot më tek bregu ku janë nisur. Edhe ata bëjnë vepra të mëdha, por çmimi që paguajnë popujt është i madh. E ndonëse fillimet mund të mos ua di të gjithë diktatorëve, të paktën fundin ua a di, sepse e kanë të gjithë njëlloj.
Gazeta Tema
-
-
Martesa e Edi Ramës si konvertim i radhës
24 Tetor 2010 12:00, Nga Andi Bushati
Konvertimi i shpeshtë nuk e ka lënë Edi Ramës të krijojë një profil social. Ashtu siç tjetërsimi i shpeshtë politik ia ka humbur fizionominë në këtë fushë. Sikurse e dinë të gjithë, Rama ka qenë edhe me Nanon, edhe antinanoist, edhe me Majkon, edhe antimajkoist, edhe me Metën, edhe antimetist.
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,91,40551
-
-
Nga 1990 deri me tani Edi Rama eshte 22 vjec apo jo?
-
-
Për Ramën, pa keqardhje
Nga Andi Bushati
...
Për Edi Ramën, bashkia nuk qe më një sfidë. Ajo qe vetëm një inerci, që i kujtonte mënyrën si qe katapultuar në politikën e lartë dhe që i jepte garancinë e së “vetmes rrugë”, përmes së cilës ai dinte si të gjallonte aty.
Ndaj largimi i tij, sot 11 vite më pas, nuk mund të ndjellë keqardhje. Në këtë fund kalvari, ndryshe nga periudha kur e nisi, ai rezultoi i vjetër, e përfundimisht i pa dobishëm për qytetin e tij. Ekoja e fasadave të çuditshme, e gjelbërimit të Lanës, apo e një rruge të shtruar te liqeni, janë tepër pak për një qytet, pa plan rregullues, pa parqe lojërash për fëmijët, për një qytet të cilit po ia marrin frymën deputetët rishtarë të PS-së dhe padronët e mediave.
Pas tre mandateve në krye të Tiranës, Rama nuk la pas metropolin e ëndrrave që pati premtuar, ai la një qytet me të mirat dhe të këqijat që kanë gjithë qytetet e mëdha të Shqipërisë, ku ndërtohet gjithnjë e më mirë, po ku hapësirat publike reduktohen gjithnjë e më keq, ku i fuqishmi favorizohet, po qytetari shkelet, ku rrugët asfaltohen, po aq shpejt edhe kandaharizohen, ku shkolla bëhen, por dhe klasa shemben.
...
http://www.ama-news.al/2011/07/per-ramen-pa-keqardhje-nga-andi-bushati/
-
-
DYDRINAS mund të më sqarosh se cili është qëllimi i hapjes së kësaj teme??
Jo për ndonjë gjë po të themi dhe ne ndonjë llaf.
-
-
Si duhet lexuar Rama
Nga Andi Bushati
Libri i Edi Ramës i ka ndarë më dysh komentuesit e tij. Jo vetëm nga simpatitë personale. Jo vetëm nga bindjet politike. Jo vetëm nga vërtetësia e fakteve apo e kundërta e tyre. Ndarja më e dukshme që vërehet është ajo që ravijëzon dy grupime të mëdha. Nga njëra anë ata që duan ta trajtojnë si një vepër publicistike, me portrete politikanësh, me përshkrim ngjarjesh, me ide për të ardhmen. Nga ana tjetër janë ata që e shohin ashtu siç shihen libra të tillë rëndom në botën perëndimore, si një vepër e shkruar nga një politikan, i cili më shumë se gjithçkaje u shërben qëllimeve të tij politike.
http://www.shqiperia.com/shqip/opinionart/aID/1334/
-
-
Kriza e padrinos dhe krizat e mbetura ne PS
Fatos Lubonja
12 Tetor 2005
... Prandaj them se ne keto kushte me Ramen, partia duket se ka zgjidhur sot per sot vetem nje krize, ate te padrinos, por do te thelloje krizat e tjera. Do te thelloje krizen e identitetit, sepse do te forcoje identitetin negativ te partise antiberishizmin, duke thelluar edhe krizen politike ne vend sepse do te thelloje konfliktualitetin. Lidhur ngushte me krizen e identitetit do te thelloje krizen e perfaqesimit, sepse prapa Rames jane interesat e çakejve te shesheve te ndertimit e me gjere, te cilet, ne thelb, kane qene dhe jane ne kundershtim me interesat e atyre qe kane nevoje per nje te majte te vertete. per rrjedhoje, do te thelloje edhe krizen morale qe u duk sheshit se u thellua edhe me kete Kongres te turpshem...
...Edi Rama edhe atehere si tani ishte kunder katarsisit, sepse modeli i qeverisjes se tij ka qene model i bashkepunimit me krimin dhe ekonomine informale, jo i pastrimit te lidhjeve te politikes e te asaj partie me te...
korrieri
-
-
NENTOR 2005
Edi Rama kërcënon në telefon vartësin e Lulëzim Bashës
Nëpërmjet një njoftimi publik, drejtori i Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, Marin Biçoku, bëri të ditur se kryebashkiaku e ka paralajmëruar se do ta rrahë, po ta takojë ndonjëherë në pazar, ose nëpër rrugët e kryeqytetit. “Më mori në telefon dhe më tha:- Jeta është e gjatë, ndërsa Tirana është e vogël dhe do shihemi”. Duke sqaruar konfliktin e hapur midis Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës, Biçoku i sqaron të plota detajet e këtij incidenti, duke i shkruar gazetës “Sot”. Në këtë letër ai shprehet tekstualisht se: “Me iniciativë të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, pardje, më datë 23 nëntor 2005, kontaktova meDrejtorinë e Planifikimit dhe Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore të situatës së krijuar, me bllokimin e punimeve. Në vazhdim të kësaj, më datën 24 nëntor 2005, në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit u organizua një takim midis përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, kryesuar nga nënkryetarja, Vali Bizhga, dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të kryesuar nga unë. Subjekti i takimit ishte shqyrtimi i mundësive për të dalë nga situata e krijuar duke zbatuar ligjin dhe në frymën e bashkëpunimit instucional të ndërsjelltë. Pas paraqitjes së qëndrimeve nga bashkia dhe ministria dhe diskutimit fillestar për hapat që duhen hedhur, u ra dakort që të vazhdohet diskutimi pas një konsultimi të mëtejshëm. Përkundër frymës së mirëkuptimit të takimit me përfaqësuesit e bashkisë, dje pasdite jam telefonuar personalisht nga kryetari i bashkisë, i cili me tone të larta, të padenja për etikën e funksionarit publik, më kujtoi tekstualisht midis të tjerave se: “Jeta është e gjatë, ndërsa Tirana është vogël dhe do të shihemi. Dëshiroj t’i bëj thirrje instucionit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, që të kuptojnë se kanë përgjegjësi politike dhe ligjore për të gjitha veprimet e tyre. Zgjidhja e problemeve kalon vetëm nga bashkëpunimi reciprok midis institucioneve dhe ligji dhe jo nga kërcënimet dhe gjuha e ashpër”. Kështu e mbylli ankimin e tij publik, drejtori Biçoku në adresë të kryebashkiakut Rama.
Sot
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt