Bullgari: Zbulohet qyteti më i vjetër i Evropës?!
Arkeologët në Bullgari pohojnë se kanë zbuluar qytetin më të vjetër parahistorik të Evropës.
POSTUAR 17:20 / 31.10.2012
Fortesa e rrethuar me mure, që ndodhet në afërsi të qytetit modern të Provadias, mendohet të ketë qenë një qendër e rëndësishme për prodhimin e kripës.
Zbulimi i fortesës në Bullgarinë veri-perëndimore, mbase tani mund t’i jap një kuptim gjetjes në afërsi të saj, të një grumbulli të madh ari këtu e dyzet vjetë më parë.
Arkeologët besojnë se në qytet banonin rreth 350 njerëz dhe se ai duhet të jetë themeluar ndërmjet viteve 4700 e 4200 para erës sonë.
Kjo është rreth 1500 vjet përpara fillimit të civilizimit antik grek.
Sipas zbulimeve, banorët duket të kenë vluar ujin e një pusi, prej të cilit më pas kanë krijuar tulla kripe, të cilat i kanë përdorur për ruajtjen e mishit ose i kanë shitur.
Kripa atëbotë duhet të ketë qenë një luks i çmueshëm.
Gërmimet në këtë vend, të cilat kanë nisur më 2005, gjithashtu kanë zbuluar shtëpi dy-katëshe, një sërë gropash që janë përdorur për rituale të ndryshme si dhe pjesë të portave të mëdha dhe struktura fortese.
Më herët gjatë këtij viti, në këtë vend qe zbuluar edhe një nekropolis ose varrezë e vogël, e cila ende po studiohet nga arkeologët.
Sipas arkeologut Vasil Nikolov nga Instituti Kombëtar Arkeologjik i Bullgarisë, fjala është për një qytet krejt ndryshe nga qytetet mesjetare greke apo romake. ‘Arkeologët pajtohen se bëhet fjalë për një qytet të mirë-themeluar i cili është krijuar në mileniumin e pestë para erës sonë,’ thotë Nikolov.
Miniera të ngjashme kripe të gjetura në Tuzla të Bosnjës dhe në Turda të Rumanisë, vetëm sa përforcojnë mendimet për ekzistencën e një sërë civilizimesh, të cilat gjatë periudhës së njëjtë kohore, kanë pasur miniera bakri dhe ari në Karpate dhe në malet e Ballkanit.
Sipas korrespondentit të BBC-së, Nick Thorpe, zbulimet e tanishme i japin kuptim gjetjes së grumbullit më të madh të thesarit të gjetur ndonjëherë në botë, këtu e 40 vjet më parë. Ari qe gjetur në një varrezë në periferi të qytetit bullgar të Varnës, rreth 35 kilometra larg vendit të zbulimit të këtij qyteti parahistorik.
(BBC)
http://www.rtklive.com/new/index.php?cid=1&newsId=66591&mf7K*7Z*Ci#c3kcGYmx3mW$mjlpFi~di87zmJi6e857z6r/l+wrxzVx&Lief0i3LVw1dR#!85z!s2d#03*C08dx-9m0E!s7IzxAiO5
Krijoni Kontakt