Gjinushi: Rezultatin e zgjedhjeve më 2013 do e përcaktojë vota e blerë
Para disa muajsh keni paraqitur një platformë për reformën zgjedhore të cilën e keni miratuar në tryezën e opozitës. U realizua ajo nga opozita?
Ne që një vit më parë kemi thënë që opozita s’ka pse të bëhet palë në pseudoreforma. Nuk mund të ndërmarrësh një reformë të madhe pas një vjedhjeje publike si ajo e Tiranës, me të njëjtët individë dhe kur kapoja mbetet po i njëjti. Pra, ne kemi qenë të bindur se reformë me Sali Berishën nuk bëhet. Megjithatë, në kushtet e një presioni të madh, atëhere minimalja ishte që të garantohej pavarësi të të gjitha institucioneve që merren me zgjedhje. Pra, në pamundësi që të hiqej qeveria atëhere duheshin shkëputur institucionet e tjera nga ndikimi i saj. Por pavarësisht kësaj, KQZ mbeti njësoj, ndërsa institucionet e tjera nuk u prekën fare. E dyta, në atë platformë u theksua nevoja e futjes së teknologjisë, pra sistemet e alarmit të kontrollit, çka dhe kjo nuk u bë. Një pikë tjetër ishte sistemi, i cili gjithashtu nuk u bë.
Është përgjegjëse PS-ja në mosplotësimin e asaj platforme?
Patjetër që opozita ka përgjegjësinë e vet. PSD ka vlerësuar se minimumi duhet të ishte zbatuar platforma dhe duhet të ishte larguar qeveria. Sepse zgjidhjet fillojnë me largimin e përgjegjësve. 21 Janari, vjedhja e Tiranës janë të mjaftueshme për largimin e qeverisë. Dhe janë çështje që nuk zgjidhen dot pa largimin e shkaktarëve.
Po këmbëngulni te largimi i qeverisë, por jemi 7 muaj para zgjedhjeve, a ka më sens një kërkesë e tillë?
Vetëm në Shqipëri dëgjoj që a ka kohë për të bërë mirë. Si mund të eksperimentosh me zgjedhjet me atë që është provuar në të gjitha pozicionet dhe vetëm ka manipuluar. Si mund të provosh për të 17-ën herë që të bësh zgjedhje të lira me Sali Berishën. Si ka mundësi që qëndrimi i tij në qeveri vleka më shumë sesa standardi i demokracisë për gjithë shqiptarët. Atëhere kush e mban këtë në pushtet, kush ka interes. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: me një qeveri të paanshme që organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe BE e famshme e di shumë mirë që me një qeveri të paanshme do kesh dhe një administratë të paanshme dhe fillon dhe zbatohet ligji, vota e fshehtë. Bie presioni mbi gjykatat. Pra, zgjidhja është shumë e thjeshtë, një qeveri e paanshme. Në këto kushte lind pyetja e duan vërtet Shqipërinë me standarde, apo e duan që ajo të tërhiqet zvarrë. Unë besoj se e duan që të tërhiqet zvarrë. Pra Saliu kryen disa shërbime: së pari e mban Shqipërinë gjithnjë problematike, që Shqipëria të jetë e fundit në radhën e integrimit. Së dyti përfaqëson klane ekonomike me të cilët ndan paratë, të ardhurat. Të gjitha këto fonde që abuzohen nuk shkojnë vetëm në xhepat e pushtetarëve këtu, por shkojnë dhe tek të tjerët.
Zoti Gjinushi, po ju bëj një pyetje që duket paksa naive, pasi ju jeni në opozitë, por që gjithsesi në kushtet kur keni jo pak kontradikta me PS-në, kush mendoni se i fiton zgjedhjet e 2013-ës, opozita apo mazhoranca?
Këtu problemi është se opozita ndaj Saliut dhe kësaj qeverie është gjithmonë në mazhorancë. Por sigurisht klani i Saliut është në mazhorancë në blerje dhe në rekrutim. Ka patur gjithmonë fije brenda së majtës, dhe fije të forta, sa që edhe ish-kryeministra të PS-së dhe ish-funksionarë të tjerë kanë shërbyer në momentet më delikate në këtë drejtim.
Ka ende fije të tilla?
Me ata është në pushtet. Madje, Berishën sot e mbajnë në pushtet tre të dënuar prej tij.
Aktualisht ka fije në opozitë që mund t’i shërbejnë Berishës?
Tani avantazhi është se fijet kanë dalë në sipërfaqe. Pra që më 2007 ai u detyrua që t’i zbardhë spiunët e vet. Ashtu si më 2009 u detyrua t’i thotë Ilirit që sot më duhesh. Pra, loja me dy porta kishte kohë që luhej. E ndihmoi më 2005 të mundte Nanon dhe më 2009 e mbajti në pushtet.
Ka fije që duhen pastruar ende në opozitë?
Kanë dalë në sipërfaqe, por që duhen pastruar. Shkalla e korrupsionit politik, niveli i trafikut politik, niveli i moralit politik është i tillë që do një pastrim radikal. Pra, në Shqipëri ka humbur morali politik. Pra në këto kushte nuk mund të mendosh që me një qeveri të korruptuar të bësh zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka ardhur puna që edhe në kushtet e zgjedhjeve formalisht të rregullta përcakton numri i votave të blera. Pra, ajo pjesa korruptive e elektoratit e jep votën për para. Pra, nëse mazhoranca e ardhshme do përcaktohet nga shkalla e korrupsionit, si mund të presësh ndryshime?
Çfarë efekti do kishte në rezultatin e zgjedhjeve për koalicionin e majtë afrimi në të i LSI-së?
Natyrisht efekt negativ. Kjo pasi opozitës do t’i bashkohej pjesa më e kompromentuar dhe e korruptuar e qeverisjes aktuale. E rëndësishme është se duhet që të majtët të mos mashtrohen më. Pra, ajo që duhet të sqarohet më 2013 është që të përcaktohet cili është grupimi i majtë, cila është opozita reale. Pra, a ka më brenda kësaj opozite parti që vërtet përpiqen si pozitë, por që pasi të marrin votën mund të kalojnë në krahun tjetër. Atëhere sigurisht që nuk fitohet. Është si në futboll ku, nëse ke lojtar që të shesin ndeshjen, natyrisht që nuk fitohet, aq më tepër që e marrin golin e vet dhe ia llogarisin tjetrit. Pra, shitja nuk parashikon dot rezultat. Pra, e majta ka nevojë të jetë e grupuar si votë, pra të jetë e qartë se kush e përfaqëson.
PS ka lënë të kuptohet qartë kohët e fundit se është për një afrim të LSI-së në koalicion…
Të thuash që fitorja e opozitës varet nga qëndrimi i partisë më të kompromentuar nga pushteti aktual, është gabim. Sepse kësaj i thonë që nuk mund të fitojë dot opozita, po nuk mori një pjesë të korrupsionit qeveritar. Kur kali i betejës është pikërisht antikorrupsioni. Kështu që për PSD-në e majta fiton kështu siç është. E majta fiton me një mesazh të qartë që është për një qeverisje që lufton korrupsionin dhe jo që është pjesë dhe e pjell atë. Fiton me një aleancë mes forcave që e premtojnë dhe e garantojnë një gjë të tillë dhe që e kanë treguar dhe me veprime. Çdo implikim pastaj me LSI-në është i gabuar. Duhet kuptuar që LSI, nëse do kishte një moment reflektimi real që ka gabuar, që ka shkuar me atë qeveri dhe që tradhtoi votuesit e majtë, ky reflektim duhet të kishte ndodhur maksimumi para zgjedhjes së presidentit, dhe jo më që duhet të ndodhte që pas 21 Janarit, ku LSI ishte pjesë e skenarit të vrasjes së të majtës. Kjo sepse në bulevard atë ditë kanë qenë gjithë të majtët. Atëhere Ilir Meta dhe kushdo tjetër nuk mund t’i kërkojë votën këtyre të majtëve duke qenë në krah të atij që i vrau atë ditë.
Kur thoni që e majta i fiton zgjedhjet kështu siç është, e bëni këtë duke u nisur nga fakti sepse besoni se ka një frymë të përgjithshme kundër kësaj qeverie, apo është kjo një bindje që buron nga përllogaritja e numrave?
Tradicionalisht e majta është shumicë, e majta e vërtetë. Ajo ka humbur kur e kanë tradhtuar, por prapë jo me votë, por kur ka qenë lojë e LSI-së më 2005 apo më 2009. Kujtoj pastaj se e majta ka fituar bindshëm dhe më fort pa LSI-në zgjedhjet lokale të 2011-s, sesa me LSI-në më 2007. Pra, një tregues i qartë që kalimi i LSI-së nga e majta në të djathtë jo vetëm që s’e ka dëmtuar por e ka pastruar. Dhe nëse ne rrimë konsekuentë në këtë dallim të qartë të tërë dhe nuk hedhim mesazhe gjoja miqësore se jemi të hapur, kjo do ishte edhe më pozitive. Pra, ne si PSD do të thoshim që jemi të hapur, por jo ndaj korrupsionit, jo ndaj atyre që vranë më 21 Janar, jo ndaj atyre që e kanë çuar Shqipërinë këtu ku është.
Po të hapur ndaj kujt?
Të hapur ndaj çdo force, ndaj çdo individi, ndaj çdo votuesi, ndaj çdo individ që e kërkon Shqipërinë ndryshe.
Ndaj AK-së dhe FRD-së?
Ndaj kujtdo. Meqë i përmend, dua të them se Shqipëria ka dy probleme dhe në kushtet e zakonshme gara bëhet e majtë e djathtë. Sigurisht që ka dhe parti të vogla si PBDNJ, që mund të mos jenë shumë me ngjyrime e majtë e djathtë, por gara bëhet mes dy grupimeve të mëdha. Në kushtet e krizave të mëdha dhe të deformimeve të shtetit dhe demokracisë ka një ndarje të dytë, ajo mes forcave demokratike dhe antidemokratike. Në rivendosjen e demokracisë nuk ka të majtë dhe të djathtë, por ka forca progresive dhe antiprogresive. Prandaj në këtë aspekt opozita është e hapur ndaj të gjitha forcave që duan largimin e shkaktarit të deformimit të demokracisë, që është qeveria aktuale. Kjo duhet të jetë shumë e qartë dhe s’ka probleme të pazarit si ai i PD-së me LSI-në, se në opozitë mund të hyjë kushdo. Por koalicioni qeverisës duhet të jetë me bazë të majtë, ndërsa koalicioni për të ndryshuar situatën është përtej të majtës dhe të djathtë, pra me të gjitha ato forca që janë antiqeveri. Megjithatë, çdo forcë e di vetë se ç’bën, por natyrat duhet të jenë të qarta në tërësi. D.m.th. ndarja e majtë, e djathtë, forca politike të ndershme duhet të afishohen në mënyrë të hapur, sepse dhe votuesi do të dijë se cilat janë koalicionet.
Ju thatë se një afrim i LSI-së me opozitën do kishte efekt negativ në rezultatin e opozitës, por ka analiza si ajo e Kastriot Islamit, që një bashkim të PD-së me LSI-në e nxjerrin atë koalicion me 78 deputetë…
Ai është një analist që pasi e ka nxjerrë gjithmonë PS-në fituese, madje e këshillonte se fitonte edhe duke sulmuar edhe aleatët e vet, tani na tregon se s’mund të fitojë kurrë PS-ja. Ndaj s’po e zgjas më me këto lloj analizash. Absolutisht që PD – LSI janë të humbura dhe këtë e treguan zgjedhjet lokale. Jo vetëm që janë të humbura, por LSI i sjell shumë probleme PD-së, sepse duke qenë së bashku ata i heqin vota njëri-tjetrit, dhe aq më shumë që LSI i sfumon aleatët PD-së, të cilët i bën fare të painteresuar për të qenë në një aleancë, pasi i merr mandatet. Ndaj këshilla e Saliut dhe meraku është që LSI të shkëputet, dhe ai përpiqet që ta ndjekë dhe i thotë ik tani dhe bëj sikur je opozitë. Ndërsa ai i thotë prit të vjedh dhe pak, sepse është i pangopur për fushatë.
Ndoshta kërkon ta përzejë që LSI të dalë vetëm në zgjedhje për të marrë sa më shumë vota majtas?
Jo, jo, ai i thotë ik merri Ramës vota dhe mandate. Duke shkuar andej, i thotë i merr mandate atij, ndërsa duke ndenjur këtu më heq vota mua. Unë duke qenë se kam më pak, duke më hequr dhe ti, të dy bashkë jemi të djegur. Prandaj shko andej, sepse ti për këtë je bërë.
Meta ka lënë të kuptohet se do hyjë vetëm në zgjedhje?
Ai ka thënë të shohim, nuk ka thënë do dalë vetëm. Vetëm nuk hyn ai, me këtë sistem nuk hyn kurrë vetëm ai, se nuk është idiot.
MAPO
Krijoni Kontakt