Plani i Serbisë, regres në raportet Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejt politikës së Beogradit për të ashtuquajturën platformë për Kosovën. Ai ka thënë se ky është një mentalitet i vjetër që vazhdon të jetë edhe më tutje i fuqishëm në Beograd, por që asnjëherë nuk do të zbatohet në Kosovë.
Kreu i Qeverisë tha se ajo platformë e Serbisë për Kosovën, nuk i kontribuon stabilitetit në rajon dhe nuk është diçka e re, por është pjesë e projekteve të vazhdueshme të Serbisë, duke filluar nga Garashanini, për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe nga viset tjera shqiptare.
“
Edhe ky plan i ri sot në Beograd, nuk është diçka e re, sepse Nikolliqi ka qenë pjesë e aparatit gjenocidal të Millosheviqit. Dua të theksojmë sot se ky projekt, i Nikolliqit, është i parealizueshëm në territorin e Kosovës. Ai është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën, është një plan që kthen prapa Serbinë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është një plan që në asnjë rrethanë nuk do të mund të implementohet”, u shpreh Thaçi.
Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“
Kosova do të sillet konform standardeve evropiane, konform zotimit, qëllimit dhe vizionit tonë evropian, për Kosovën e re, evropiane. Përgjigja e Kosovës është shumë e qartë, shteti i Kosovës do ta respektojë Kushtetutën e vetë, ligjet e veta dhe dokumentin e Ahtisarit. Do të punojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës për të pasur njohje edhe më të zgjeruara për vendin, integrim në institucionet ndërkombëtare dhe në NATO dhe BE”, tha Thaçi.
Ai shprehu gatishmërinë që të vazhdohet me procesin e dialogimit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të agjendës së udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, e ashtuquajtura platforma e Serbisë për Kosovën, siç raportojnë mediat, parasheh status special për veriun e Kosovës, përkatësisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe e Bosnjës. /rtk/
Krijoni Kontakt