Berisha: Urime Thaçit se e mbrojti Kosovën
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sërish marrëveshjen e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke e cilësuar si një marrëveshje vërtetë historike.
Sipas tij kjo marrëveshje dëshmon konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur, ndërsa me zbatimin e saj, marrëveshja përbën bazën e normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve të pavarura dhe çel rrugën që këto dy vende, por edhe serbët dhe shqiptarët në tërësi, të nisin një epokë të re në marrëdhëniet midis tyre, në interes të së ardhmes së tyre europiane.
“Marrëveshja është një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kosova me këtë marrëveshje arrin njohjen dhe pranimin e integritetit territorial të saj nga Serbia, por dhe vendosjen e bashkëpunimit me këtë vend si dhe garantimin e perspektives së integrimit në BE. Serbia me këtë marrëveshje shkëputet nga një trashëgimi recente e pafavorshme dhe, siç do të deklaronte Kryeministri i saj, ajo do të zgjidhte dhe do të përcaktohej për BE-në dhe të ardhmen e saj europiane. Edhe një herë urimet më të mira për të gjithë ata që bënë të mundur këtë marrëveshje historike në interes të shqiptarëve, serbëve dhe të të gjithë rajonit”, ka shkruar Berisha në rrjetin social "Facebook"./Indeksonline/
----------------------------------------------------------------------------------------------
Rama: Krenar për Kosovën
Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama ka shprehur “krenarinë” e tij për Kosovën, konkretisht për kontributin e rëndësishëm të saj në bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli.
Përmes një mesazhi në Twitter për të komentuar arritjen e marrëveshjes, Rama ka vlerësuar edhe “kthesën” e Beogradit në këtë proçes dialogu.
“Krenar për Kosovën, që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh. Më në fund edhe Serbia bëri gjënë e duhur”, është shprehur Rama.
Krijoni Kontakt