Kurti: Thaçi e ka egërsuar Serbinë karshi shqiptarëve
22-11-2012 16:57 CET
Share on facebook Share on twitter Share on email Share on print
Programi me 13 pika të bashkërenduara duhet ta pasojë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë dhe bllokimin e mallrave të Serbisë në Kosovë. E para, e zmbraps Serbinë politikisht dhe ja ndërprenë avancimin e integrimeve evropiane kurse e dyta e dëmton ekonomikisht Serbinë që po na dëmton ne aq shumë.
Kështu është shprehur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media, ku ka shpalosur 13 pikat, të cilat, siç tha ai, paraqesin dy hapa themelorë dhe fillestarë në kuadër të strategjisë për sovranitet dhe integritet territorial janë dy llojesh: politik e të sigurisë dhe socio-ekonomik.
“Kosova ndodhet në defansivë dhe me këta dy hapa që i paraprijnë programit për bashkimin e Mitrovicës dhe integrimin e veriut, ne vijmë në ofensivë”, u shpreh Kurti.
“Thaçi duke u sjellë mirë me Serbinë po e bën atë më të egër karshi shqiptarëve. Normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë po sjell më shumë dhunë të Serbisë në Kosovë. Qeveria e Kosovës duke mos dashur ta rrezikojë aspak pushtetin e saj në Prishtinë po e rrezikon jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë në veri. Gjestet e shkapërderdhur të Qeverisë së Kosovës në veri pa strategji, pa vullnet politik dhe pa program janë dështime me paramendim dhe rezultat i dialogut me Serbinë ku Qeveria e Kosovës bisedon me Serbinë ndërkaq Serbia vepron në Kosovë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, i pranishëm në konferencë, ishte edhe Liburn Aliu, i cili, duke folur për gjendjen e krijuar në veri të Mitrovicës, ku të enjten, grupe serbësh sulmuan Policinë e Kosovës si dhe qytetarët shqiptarë të asaj pjese.
“Sot, strukturat shtetërore të Serbisë i sulmuan shqiptarët në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë. Në mesin e atyre strukturave janë parë edhe persona të armatosur. Policia e Kosovës nuk ishte aty për t’i mbrojtur, KFOR-i nuk ju doli në ndihmë, ndërsa EULEX-i ka shkuar të vëzhgojë me ç’rast ka biseduar me përfaqësues të atyre strukturave të Serbisë. Njësiti Special i Policisë së Kosovës, i njohur si ROSU, shkoi në Kroin e Vitakut por shpejt u tërhoq prej atje. Qeveria e Kosovës nuk mbajti mbledhje urgjente, kurse deputetët e saj nuk lejuan që Kuvendi i Kosovës të debatojë sot për këtë gjë”, ka thënë Aliu.
Ai tha se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bazuar në nenin 49 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, kërkoi shqyrtimin e situatës në Mitrovicë si një çështje urgjente dhe informim nga ministri i punëve të brendshme për atë që po ndodh në veri.
Mirëpo, ky propozim, siç u shpreh Aliu, u kundërshtua nga Grupet tjera parlamentare me tre arsyetime kryesore: 1. Diskutimi mund të shtyhet për ditë tjetër e që rrjedhimisht nuk është çështje urgjente, 2. Mungon informacioni i asaj që po ndodh në veri, dhe 3. Kërkesa nuk është koordinuar me grupet parlamentare.
Sipas Aliut, këto arsyetime janë të pabaza, pasi që, siç u shpreh ai, Kuvendi ka trajtuar si çështje urgjente diskutimin e Projektligjit për institucionet mikrofinanciare, Projektligjin e ndërtimit, Rezolutën për negociatat.
“Ndërsa sot për sigurinë në veri pikërisht në momentin kur ajo po cenohet propozohet diskutimi për ndonjë datë tjetër duke qenë njëkohësisht të vetëdijshëm që qeveria mund të organizojë ndërhyrje planifikuara për të dështuar por dhe me pasoja në njerëz, sikur herën që shkoi e më ç’rast, ra dëshmor polici Enver Zymberi. Rreziku i përsëritjes së një situate të tillë pikërisht do të duhej të ishte arsye për diskutim”, u shpreh Aliu.
Sipas deputetit Liburn Aliu, dialogu politik Thaçi-Daçiq e ka inkurajuar Serbinë për aktivitet të shtuar në veri të Kosovës.
“Xhandarmëria serbe atje arreston njerëz kurse mbrojtja civile e Serbisë organizon ushtrime. Thaçi në Bruksel kërkoi veçse transparencë prej Daçiqit sa i përket strukturave shtetërore të Serbisë në veri dhe Daçiqi i demonstroi publikisht dhe masivisht ato struktura duke e forcuar pozicionin e Serbisë atje”, tha Aliu.
Në vijim, po i botojmë të plota 13 pikat e propozuara nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti:
1. FSK duhet të shpallet dhe bëhet ushtri. Pastaj, menjëherë të iniciohet marrëveshja SOFA me NATO-n.
2. Në veri duhet të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje. Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës duhet të jetë e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në ish bazën e KFOR-it, përkatësisht ish remontin ushtarak. Dy baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake duhet të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31.
3. Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me shtetet e veçanta që na e kanë njohur pavarësinë, e posaçërisht me Shqipërinë, ShBA-të, shtetet kryesore të BE-së, Turqinë.
4. Duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht këto bisedime që po zhvillohen në Bruksel me Serbinë, e të cilat, siç e dimë, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Me këto bisedime nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës.
5. Duhet të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i tyre nga Serbia dhe nga krimi i organizuar e bizneset informale.
6. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi. Në përgjithësi, më shumë ka shqiptarë në Serbi sesa serbë në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova bashkërisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Kosovë lindore, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedhë farën e ndarjes dhe izolimit të asaj pjese nga Kosova.
7. Qeveritë dhe kryeministrat e pasluftës, janë munduar t’i integrojnë serbët duke iu dhënë ose premtuar mijëra euro kesh, duke iu falur traktorë apo duke ua ruajtur pagat edhe kur ata punonin për Serbinë. Zgjidhja është krejtësisht ndryshe. Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo bisedime me Serbinë e strukturat e saj, por integritet territorial për vendin e sovranitet për shtetin.
8. Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Sipas ekspertëve të VETËVENDOSJE!-s me investime në Trepçë që janë më pak se 200 milion euro, do të fitonim afër gjysmë miliardi euro nga eksporti i metaleve të përpunuara dhe gjysmë të përpunuara. Kjo do të kontribuonte në bashkimin e qytetit sepse ndarja në Ibër e ka lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan). Kështu, Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër,dhe ajo është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve.
9. Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.
10. Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.
11. Forcimi i fshatrave të shqiptarëve dhe lagjeve të Mitrovicës të banuara me shqiptarë në veri duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet.
12. Vetëm me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuar. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe t’ua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje. Qeveria duhet ta ndihmojë dhe mbështesë këtë me një program të veçantë.
13. Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës t’ua blejë ato. /Zëri/
http://www.zeri.info/artikulli/1/1/6...i-shqiptareve/
Skedarët e Bashkëngjitur 157923
Krijoni Kontakt