SHEKULLI, Publikuar më 20.10.2012 | 14:03
Një kryeministër që nuk flet me Shqipërinë
Eduart Poga / Jurist
Z.kryeministër, mos mbaj ligjërata në Strasburg, duke u dhënë leksione demokracive europian se ata nuk duan dhe as nuk preferojnë të marrin shembull nga demokracia jote. Mos mbaj ligjërata demokracie kur në vendin tënd digjen në zjarr njerëzit për demokraci, kur në vendin tënd çdo ditë vdesin njerëz të pafajshëm. Mos mbaj ligjërata dhe mos fol në emër të demokracisë, kur minatorët e Bulqizës vdesin, ku të përndjekurit politikë protestojnë çdo ditë dhe vetëflijohen duke u djegur për demokraci.
Z. Kryeministër, mos mbaj ligjërata për demokracinë, kur ke vrarë 4 persona te pafajshëm mu në mes të bulevardit para Kryeministrisë. Mos mbaj ligjërata demokracie, kur vajzat shqiptare, motrat tona vriten, masakrohen, dhunohen e turpërohen, si Irena, Kozeta, Aurora dhe së fundi Aisha. Je në një marrëzi të paparë, kur na flet me dashuri për historinë, në lidhje me personazhet e kohës, kur në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë kërkon të na bësh heronj ata që populli i quan tradhtarë; besa tradhtarët e kombit, që e kanë vjedhur këtë vend dhe e kanë braktisur duke e lënë në mes të rrugës, apo këta janë të llojit tënd, si Ahmet Zogu që vodhi pasurinë e kombit dhe Esat Pashë Toptani që tradhtoi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ti nuk je në rregull dhe shenjat i tregon çdo ditë, me politikën tënde të inaugurimeve të shkollave, kur flet para nxënëseve me superlativa për partinë dhe politikën që duhet të ndjekin nxënësit e klasave të para, të dyta e të treta?!!! U thua se janë disa vendime gjykatash që duhen ekzekutuar dhe ti nuk mund të dalësh para këtyre vendimeve gjyqësore. U kërkon të marrin si shënim apo detyrë shtëpie atë që përrallis ti, u thua të tregojnë në shtëpitë e tyre se “keni një opozitë të çrregullt mendërisht, që po pengon ëndrrën tuaj shekullore për të qenë pranë Bashkimit Europian”.
Por fëmijët nuk dinë është pikërisht ai që u predikon të tilla gjëra, i cili ka shkelur në qindra herë vendimet e gjykatës dhe ligjet e Shqipërisë, si në rastin e shitjes së detit dhe shkeljen e ligjit në mos njohjen e pronarëve legjitimë, apo e fundit fare: mosnjohjen dhe shkeljen e statusit të invalidëve, si mosdhënia e dëmshpërblimit të përndjekurve politikë, aq sa sot nuk pyet as për gjykatë e as për prokurorinë. Je larg realitetit sidomos kur flet për rritjet ekonomike dhe radhit Shqipërinë në vendin me rritje të madhe ekonomike në Europë, aq sa vjen e dyta pas Gjermanisë???!!
Ti harron se në Shqipëri, qytetarët janë të zhytur në varfëri ekstreme, në papunësi ekstreme. Një shprehje apo një fjalë e të madhit Luigj Gurakuqi: Njeriu nuk mund të kënaqet vetëm me bukë, ka nevojë edhe për gjellën e shpirtit.
Krijoni Kontakt