Përkundër vullnetit dhe dëshirës sime të mirë që përfaqësuesit e Ambasadës së shtetit Tuaj në Shkup të më jepnin sqarime lidhur me një incident që ndodhi në kufirin e shtetit Tuaj, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi". Kështu fillon letra e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi drejtuar kryeministrit të Greqisë, Andonis Samaras, të cilit, kryetari i opozitës shqiptare i sqaron se javë më parë, kur po kthehej nga një udhëtim zyrtar nga Turqia, autoritetet doganore greke i kanë mohuar kalimin e kufirit me pretekstin se shoferi nuk posedon patentë ndërkombëtare për drejtim automjeti.
“Gjatë kthimit tim nga një udhëtim zyrtar në Ankara, ku kisha nderin të jem mysafir në Kongresin e partisë së Kryeministrit të Republikës së Turqisë, z.Rexhep Tajjip Erdogan, nëpunësit e pikës kufitare të shtetit Tuaj më mohuan të drejtën për të hyrë në Greqi me pretekstin se shoferi im nuk posedon ‘leje internacionale për vozitje’. T’Ju përkujtoj z.Kryeministër se unë jam kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, partisë më të madhe opozitare të shqiptarëve në Maqedoni dhe njëherazi deputet në Parlament. Mbase mund të kem mirëkuptim për frustracionet dhe vështirësitë që kalon qeveria dhe shteti Juaj në këtë krizë që ju ka kapluar, megjithatë incidente të këtilla nuk kontribuojnë në imazhin e shtetit Tuaj”, shkruan Thaçi në letër, kopje të së cilës i ka dërguar edhe ministrit të Jashtëm grek, si dhe ambasadës greke në Shkup.
“Duke patur parasysh se qeveria Juaj shpall persona ‘non grata’ gazetar të një mediumi të fuqishëm shqiptar, nuk i lejon çamët që të vizitojnë vatrat e tyre që sot gjenden nën shtetin Tuaj dhe shumë provokime tjera ndaj shqiptarëve, rasti im nuk është rast “i izoluar dhe i rastësishëm” por thjesht e lustron qasjen armiqësore të qeverisë së Juaj karshi shqiptarëve. S’do mend se kjo qasje e qeverisë së Juaj, është në kundërshtim me parimet themelore të njerëzimit dhe demokracisë së mirëfilltë. Në fund, z.Kryeministër pa asnjë respekt për Ju dhe Qeverinë Tuaj, fatkeqësisht jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët Greqia do të vazhdojë të ngele në mbamendjen tonë si një shtet që vazhdon të mbaje armiqësi jo vetëm me kombin tim por edhe me kombet tjera në rajon e më gjerë”, e përfundon letër-ankesën Menduh Thaçi.
(m.a/koha/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt