Skema e rekrutimit, stazhi te Ura e Dajlanit dhe trafikimi drejt Italisë
Durrës- Përzgjidheshin, stërviteshin dhe më pas e nisnin zanatin në plazhin e Durrësit ku pasi merrnin eksperiencën në stazh, dërgoheshin drejt Italisë, ku dhe sistemoheshin në një shkallë më të lartë profesioni. Një rrjet i tërë trafikimi dhe shfrytëzimi me tutorë dhe prostituta, që pason ato të goditura më parë në qytetin e Durrësit, mes tyre dhe një grup pleqsh në muajin shtator. Tre pjesëtarë të rrjetit të trafikut të arrestuar, mes tyre një femër, katër vajza që shfrytëzoheshin në plazh si prostituta, të moshës 17-21 vjeç që u shoqëruan dhe hetohen në gjendje të lirë, kurse katër persona të tjerë u shpallën në kërkim dhe që janë grupi që kryente operacionet e Italisë.
Aksioni
Ky është rezultati i operacionit policor të koduar “Ura e Dajlanit”, në të cilin janë dashur më shumë se tre muaj hetime dhe agjentë të infiltruar si klientë, që paguanin 2 mijë lekë për të zbuluar prova të organizatës. Gjatë aksionit u sekuestruan edhe prezervativë, kontraceptivë, 5 celularë, karta SIM, shuma të mëdha parash të përfituara dhe sende të tjera materiale. Struktura Kundër Trafiqeve të Paligjshme Durrës, bëri me dije se goditën grupin e strukturuar kriminal, që ushtronte aktivitet në drejtim të trafikimit ndërkombëtar të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Katër prej vajzave kishin përfunduar në vendin fqinj gjatë këtij viti si prostituta, kurse katër të tjerat shfrytëzoheshin te Ura e Dajlanit me 2 mijë lekë klienti.
Në prani të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u dokumentua gjithçka për shtatë të dyshuarit. Në pranga ranë Gentjan Tahiri, 22 vjeç, Xhanfranko Kiptiu, 21 vjeç, lindur në Itali e banues në lagjen nr. 13 Plazh dhe Bajame Ibrahimi, 47 vjeçe, banuese në Peqin, e cila ishte kontrollorja e vajzave. Katër të rinj u shpallën në kërkim pasi besohet se janë arratisur dhe merreshin me dërgimin dhe shfrytëzimin e vajzave në Itali pas trafikimit. Emrat nuk u publikuan për shkaqe hetimore, por janë dokumentuar me fotografime, tabulate telefonike e përgjime. “Nga dokumentimi i kryer u vërtetua trafikimi drejt Italisë i të paktën 4 vajzave të moshës 17-21 vjeç. Në ushtrim prostitucioni u gjetën te Ura e Dajlanit dhe shoqëruan D. B., 20 vjeçe, banuese në Durrës, F. K., 21 vjeçe, banuese në Elbasan, M. B., 17 vjeçe, banuese në Berat dhe E. I., 21 vjeçe, banuese në Korçë, kryesisht vajza me ngjyrë. Vajzat dëshmuan se u ofrohej kjo punë kundrejt sigurisë së ofruar dhe pagesës, kurse për çdo klient fitonin 2 mijë lekë për akt seksual dhe më tej kjo shumë ndahej nga organizata.
Krijoni Kontakt