
Postuar më parë nga
EuroStar1
Të joshur nga ideja për një jetë më të mirë, çifti Veliçi dhe Syla, kanë braktisur barakën e tyre në Komunën Skënderaj të Prishtinës, për të filluar një jetë më të mirë në Turqi. Veçse në vendin ku mendonin të rindërtonin jetën, prindërit e dy vajzave të vogla nuk kishin asnjë njeri që t'i priste. "Shpresonim se komuniteti shqiptar atje do të na ndihmonte, por nuk rezultoi tamam kështu. Vetëm një shqiptar na pagoi hotelin për dy ditë. Më pas jemi endur rrugëve për 6 ditë", - tregoi Ajmen Veliçi në emisionin "Me zemër të hapur", e cila ndërmori këtë udhëtim në muajin e tetë të shtatzënisë. E mbingarkuar nga stresi, nënës së re i plas hemorragjia dhe për pasojë iu desh të kryente një lindje të parakohshme. Një shqiptar, që ishte me ta gjatë kësaj kohe, i ndihmoi duke njoftuar ambulancën. Kështu zonja Ajmen, lind djalin e saj të parë, - pas dy vajzave 2 dhe 5 vjeçe - në spitalin e Stambollit. Duke qenë se lindja u bë e parakohshme, gjendja e djalit nuk ishte e mirë. Në minutat e para ai nuk jepte fare shenja jete dhe më vonë mjekët mësuan se ai kish pasur mpiksje gjaku në tru. Kështu, i vogli duhej të qëndronte në inkubator. Përgjatë kësaj kohe, prindërit e tij e kanë parë atë vetëm 2 herë, sepse më vonë spitali ua ka ndaluar këtë. Arsyeja?! - Financat. "Ne
duhej të paguanim për shërbimet e kryera, për kujdesin që po i bëhej djalit, për orët që ai po qëndronte në inkubator, por financat tona ishin shumë të dobëta, kjo ishte dhe arsyeja pse ne u nisëm për në Turqi", - tha ndër të tjera, Ajmen Veliçi. Bashkëshorti i saj, Bashkim Syla shtoi se ata kanë shkuar vazhdimisht në spital për të parë djalin dhe për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij, por çdo përpjekje ka qenë e kotë, sepse personeli nuk i ka lejuar dhe nuk i ka dhënë asnjë informacion. "Komunikimi ka qenë shumë i vështirë, pasi nuk e dinim as gjuhën. Një student shqiptar na ka ndihmuar. Tarik ishte emri i tij. Ai komunikonte me personelin e spitalit. Një nga mjekët i sqaroi se, nëse ne nuk do të shlyenim detyrimet brenda 10 ditëve, djali do të çohej në jetimore, gjithmonë nëse gjendja e tij do të përmirësohej", - tha babai Bashkim Syla. Sipas nënës së të voglit, që prej datës 6 tetor, ata nuk kanë asnjë informacion mbi djalin e tyre. "Hera e fundit kur folëm me mjeken, ishte data 6 tetor. Atë ditë na tha se gjendja e djalit ishte shumë e keqe", - vijoi Ajmeni me lot në sy. "U ktheva në Shqipëri për të kërkuar ndihmë, por gjysmën e shpirtit e kam atje. Nuk është e lehtë për një nënë, të largohet nga fëmija i saj, por atje askush s'më ndihmoi. Të gjithë ishin shumë të ftohtë, ndaj u detyrova të merrja rrugën për Shqipëri", - tha më tej ajo. Prindërit e të voglit u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve për ndihmë.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt