“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi). Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” Et-Talak, 2-4.
Enes ibën Maliku radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut paqja qofte mbi te, ka thënë: “Do të vijë një kohë për njerëzit, kur mbajtësi i fesë së tij do të jetë si mbajtësi i gacës.” Transmeton Tirmidhiu.
Ky hadith përmban lajmërim dhe udhëzim. Sa i përket lajmërimit, Muhamedi paqja qofte mbi te, ka paralajmëruar që nga fundi i botës (para kiametit) do të pakësohet e mira dhe shkaqet e saj dhe do të shumohet e keqja dhe shkaqet e saj. Ata që i përmbahen fesë janë të paktë dhe kjo pakicë do të jetë në gjendje të rëndë dhe vështirësi të mëdha, ngjashëm me gjendjen e mbajtësit të gacës, për shkak të fuqisë së kundërshtarëve dhe shumimit të sprovave shkatërrimtare, sprovave të dyshimeve dhe ateizmit, sprovave të epsheve dhe preokupimit të njerëzve me këtë botë dhe zhytjes së tyre në të në formën e jashtme dhe brendshme, dobësimit të imanit dhe vetmisë së tepërt për shkak të pakicës së përkrahësve dhe ndihmëtarëve.
Mirëpo i kapuri pas fesë së tij, i cili reagon për largimin dhe asgjësimin e kundërshtimeve dhe pengesave të cilave nuk u del përballë vetëm se njeriu syçelë (me dije të madhe), i cili është i bindur dhe besimtar i fortë, do të jetë nga robërit më të mirë, më i graduari tek Allahu dhe me pozitë më të lartë tek Ai.
Sa i përket udhëzimit që përmban ky hadith, ai është udhëzim për ummetin e Muhamedit paqja qofte mbi te, që të mësojnë veten e tyre në këtë gjendje, ta dinë se nuk ka rrugëdalje tjetër dhe se kush futet në këto pengesa dhe bën durim me fenë dhe besimin e tij, me gjitha këto kundërshtime, s’ka dyshim se do të ketë tek Allahu gradat më të larta dhe Allahu do ta ndihmojë të realizojëatë që do dhe e kënaq, ngase ndihma është në bazë të ngarkesës.
Sa e ngjashme është koha jonë me këtë përshkrim të të Dërguarit paqja qofte mbi te, ngase nuk ka mbetur nga Islami vetëm se emri i tij dhe nga Kur’ani vetëm se forma e tij. Po shohim iman të dobët, zemra të përçara, shtete të ndara, armiqësi dhe urrejtje që po ndajnë muslimanët, armiq të hapur dhe të fshehur, të cilët punojnë fshehtas dhe haptas për eliminimin e fesë, ateizëm dhe materializëm, të cilat kanë fundosur dhe zhdukur me ndyrësirën e erërave dhe dallgëve të përplasura të tyre pleqtë dhe të rinjtë, propagandë për prishjen e moralit dhe eliminim të pjesës së mbetur të frymëmarrjes.
Njerëzit janë orientuar drejt zbukurimeve të dynjasë, derisa ajo u bë synimi i diturisë së tyre dhe preokupimi më i madh, saqë për të pajtohen dhe për të hidhërohen. Shohim propagandë të fëlliqur për largim nga ahireti, orientimi i gjithanshëm për ndërtimin dhe rregullimin e dunjasë, shkatërrimin e fesë, përbuzjen e saj dhe tallja me pasuesit e saj dhe çdo gjë që i atribuohet asaj, lavdërim dhe fryrje, arrogancë dhe mburrje në bazë të qytetërimeve të cilat janë ndërtuar mbi ateizëm, të cilit njerëzit ia kanë parë dhe përjetuar gjurmët, shkëndijat dhe sherrin.
Me këto të këqija të njëpasnjëshme, dallgëve të përplasura të detit, pengesave të shumta dhe sprovave të zymta të sotshme dhe të ardhshme shohim vërtetësinë e këtij hadithi. Megjithatë besimtari nuk bëhet pesimist për mëshirën e Allahut, nuk i humb shpresat nga ndihma e Allahut, shikimi i tij nuk është i kufizuar në shkaqet e dukshme, por me zemrën e tij çdoherë sheh drejt shkaktarit të shkaqeve, el Kerim, el Vehhab (Bujarit, Dhuruesit).
Kështu rrugëdalja do të jetë para syve të tij sepse Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, se do t’i japë lehtësi pas vështirësisë dhe rrugëdalje së bashku me brengën, ngase çlirimi nga brengat bëhet atëherë kur brengat janë në kulmin e tyre.
Në këtë gjendje, besimtari duhet të thotë “la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah” (Askush tjetër përveç Allahut nuk ka forcë e as fuqi), “HasbunAll-llahu ve ni’mel Vekil” (Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë), AlAll-llahi tevek-kelna” (Tek Allahu jemi mbështetur), “Allahumme lekel hamd ve ilejkel mushteka” (O Allah, vetëm Ty të takon falënderimi dhe te Ti ankohemi), “Entel Muste’an, ve bikel Mustegath” (Ti je Ndihmëtari më i mirë dhe nga Ti kërkohet ndihmë), “La havle ve la kuv-vete il-la billahil Alijjil Adhim” (Askush tjetër përveç Allahut të Gjithëditurit, të Lartësuarit, nuk ka forcë e as fuqi).
Sa të ketë mundësi ai duhet të ngrihet dhe të bëjë punë nga imani, këshilla dhe davet, të kënaqet me pak nëse nuk ka mundësi të arrijë të shumtën dhe të pajtohet me mënjanimin e një pjese të sherrit nëse nuk mund ta largojë të tërin.
“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi). Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” Et-Talak, 2-4.
Këtu mbaron fjala e dijetarit të nderuar, Allahu e mëshiroftë me mëshirën e Tij të madhe!
Abdurrahman Ibën Nasir es-Sa’dij
Krijoni Kontakt