Vrasjet e shqiptarëve dhe heshtja e politikës
Publikuar më 08.10.2012 | 9:28
Shekulli
Mehmet Bislimi
Poet dhe publicist
Edhe një viktimë në radhët e të dënuarve shqiptarë në qelitë e burgut të Shtipit të Maqedonisë, ku u gjet i vdekur njëri nga pjesëtarët meritorë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ibrahim Sylejmani. Këtë lajm kumti (për ne shqiptarët), e dha portali i lajmeve ‘Zhurnal’. Misteri i vdekjes së ish-luftëtarëve të lirisë, sa vjen e shtohet, kjo në vazhdimësi, që nga burgjet serbe të ish-Jugosllavisë, e deri tani tek rasti më i freskët në Maqedoni, ku shqiptarët e dënuar për qëndrimet e tyre politike, zhduken pa gjurmë e nishan! Pra thjeshtë, atyre iu merret jeta- tani më me mjete të “sofistikuara” brenda qelisë së errët, për t’i shpallur më pastaj ato si raste të vdekjeve të natyrshme, nga ndonjë “sulm kardiak”, apo “vetëvrasje në depresion e sipër” etj. Këto vrasje të ftohta- jo të pakta, deri me sot nuk janë zbardhur para ligjit dhe drejtësisë, pushteteve të atjeshme, sikur po ju mjafton mbulimi i atyre rasteve me tisin e alibisë së paqenë, që lë shumë për t’u dëshiruar. S’do mend se populli ynë është i vetëdijshëm për qëndrimet e pushtuesve tanë përballë nesh, pa dyshim, por habit fakti se si ka mundësi që bijtë tanë të vriten, masakrohen zhduken dhe privohen nga jeta kaq mizorisht e tinëzisht, të mbuluar me enigmën e mortit, në një kohëkur ne kemi (si asnjë herë më parë) shtetin shqiptar, shtetin e Kosovës, përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve në Maqedoni, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, Mal të Zi, Greqi, Turqi, Evropë, ShBA-të e deri në Australinë e largët, gjithandej faqes së globit!, deri kur do të presim, që për ne, ta ngrenë zërin të tjerët?! Në cilin rast, nëse heqim një analogji të tillë, do të heshtte shteti Serb, Maqedon, Malazias, Grek etj. Po qe se një pjesëtar i etnisë së tyre, i burgosur (për çfarëdo vepre qoftë), do të vritej në burgjet shqiptare, qoftë të Kosovës, apo të Shqipërisë?! Jo, në asnjë rast, ata të paktën, do të kërkonin llogari tek përfaqësitë diplomatike përkatës, madje edhe me demarshe e nota tjera verbale! Pushtetarët tanë, jo, as që e vënë në rend të ditës këtë rast vdekjeje të dhunshme, ndodhur brenda katër mureve që quhet burg(!). Për jetën e shqiptarit nuk jep llogari askush, madje edhe ndërkombëtarët për të zhdukurit e luftës, dhe masakrën e burgut të Dubravës, sikur e bëjnë njërin vesh të shurdhër. E vetmja shenjë kujtimi e ngritur jo me pak vështirësi, është një pllakë përkujtimore para burgut në fjalë, që do të kujtojë jetët e qindra të dënuarve shqiptarë këputur në mes, mu në lulen e rinisë së tyre, vrarë në mënyrën më mizore nga pushtit barbar serb, gjë që nuk mbahet mend në histori, madje as në kohën e fashizmit, për nga mënyra morbide e ekzekutimit. Kush i mbron shqiptarët, dhe kush duhet t’i mbrojë ata, duke e ngritur zërin e arsyes; nëse ne vet, nuk i dalim në mbrojtje bijve tanë? Në mos, ne shqiptarët gjithmonë u dashka që të kapemi për qarkut të pushkës, dhe po detyrohemi për këtë e tek pastaj bashkësia ndërkombëtare ta ngritë zërin kundër dhunës- Posi! Të vrasësh shqiptarët duarlidhur në burgje, është jo më pak se një qyqarllëk, është jo- etike, është ndër veprat më të ndyra dhe më të ulëta, është një ndër krimet më të dënueshme. Këtë vepër të ligë primitive e bëjnë, vetëm shtetet shoviniste që ushqejnë një urrejtje patologjike kundër popujve tjerënë veçanti kundër shqiptarët në këtë rast. Kjo vepër është e dënueshme me të gjitha konventat ndërkombëtare, prandaj presim që bota progresive, duhet ta ngritë zërin kundër vrasjeve që po iu bëhen shqiptarëve duarlidhur nëpër burgjet e Maqedonisë, në të kundërtën, drejtësinë ndërkombëtare, duhet ta shtrojmë në spitale për kurim! Të zotët e vendit: nëse të tillë jemi, e të tillë po hiqemi, duhet ta ngremë zërin e arsyes, për të mbrojtur bijtë tanë, të kërkojmë sqarim dhe llogari. Miqësia- miqësi, fqinjësia- fqinjësi, por kjo duhet të jetë reciproke.
Krijoni Kontakt