Nipi i Enver Hoxhës martohet te Vila 31 me vajzën e një biznesmeni
Transmetuar më 05.10.2012 00:40
Tiranë, NOA.al - Një tjetër dasmë e bujshme në Tiranë. Nipi i ish diktatorit komunist Enver Hoxha është bashkuar në martesë me vajzën e biznesmenit të njohur Luan Bregasi.
Për më tepër dasma e çiftit është bërë pikërisht tek vila e ish diktatorit, vila nr 31 që zyrtarisht njihet se është prej 20 vjetësh rezidencë qeveritare.
Besiana Hoxha, vajza e biznesmenit Luan Bregasi, sikundër shikoni në foto, është bashkuar në martesë me Shpat Hoxhën, djali i Liliana dhe Sokol Hoxhës.
Dashuria mes çiftit u kurorëzua kështu përmes një dasme mondane në lokalin Vila nr 31 tek vila e ish-diktatorit në zemër të ish-Bllokut në Tiranë.
Vila nr 31 ka qenë për afro 45 vjet rezidenca e diktatorit Enver Hoxha. Atje ka jetuar i biri i Enverit, Sokol Hoxha i cili është martuar atëherë me Liljana Hoxhën duke sjellë në jetë Shpatin i cili në vitet e para të fëmijërisë ka jetuar pikërisht tek Vila nr 31 ku edhe këtë fundjavë bëri dasmën me të dashurën e zemrës, Besianën.
Në vilën nr 31, ceremonia ishte tejet luksoze dhe në të morën pjesë sigurisht familjarë të Shpatit dhe të Besianës. Nuk dihet nëse në këtë dasmë, fotot e te ciles i ka publikuar gazeta Mapo, ka marrë pjesë dhe gjyshja e Shpatit, Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha.
Në një orë me lëvizje në zonën e Bllokut siç është 9:00 e mbrëmjes, nuk mund të mos binte në sy dasma e veçantë, paçka se askush nga njerëzit përreth nuk e kishte idenë se kush martohej.
Organizimin e ceremonisë së dasmës çifti ia ka besuar kompanisë “Geraldina Sposa”. Ndërkohë nusja ka preferuar që për këtë ditë të veçantë të jetës së saj të zgjedhë dy fustane mjaft të veçanta. Një zgjedhje me mjaft shije po të kemi parasysh firmat e fustaneve të saj.
Dy fustanet, njëri nga Manuel Mota dhe tjetri i Pronovias, janë të koleksionit të ri të vitit 2013. Nga ceremonia private po shikoni disa foto në fillim të saj. Në kohën ku të parët që shkelën në lokal ishin nusja dhe dhëndri, ndërkohë që me kalimin e kohës miqtë të cilët uronin çiftin për gëzimin e tyre shtoheshin gjithnje e me shumë.
***
Ndërkohë, pak muaj më parë biznesi shqiptar ka krijuar një grup të ri të quajtur Biznes Albania, i cili nga përmbajtja dhe përbërja e anëtarëve duket se do të jetë një lob i fortë ndaj qeverisë.
Në krye të këtij grupi është zgjedhur biznesmeni Luan Bregasi, babai i Besianës që u martua me nipin e Enver Hoxhës.
Luan Bregasi dikur një drejtues jetëgjatë i Dhomës së Tregtisë, gjatë qeverisjes socialiste, që megjithëse ishte nën ndikimin e qeverisë, jo pak herë është shprehur kundër saj, për t’u bërë mjaft mediatik si zë. “Kjo është një shoqatë që lind nga nevoja për të rinisur në formë korrekte, për të zgjidhur me shtetin ato probleme që shqetësojnë privatët”, ka deklaruar Bregasi.
Në përbërje të kësaj organizate të re janë shoqatat më të forta të biznesit, si ato të ndërtimit, të karburanteve, eksportuesit dhe prodhuesit me material gjysmë porositës, të cilët përfaqësojnë, jo vetëm bizneset me xhiro vjetore të lartë dhe kanë numrin më të madh të të punësuarve, por shpesh këto herët e fundit janë konfliktuar haptas me qeverinë aktuale.
Në këtë lob të ri të biznesit janë përfshirë edhe disa nga dhomat e huaja të biznesit, si ajo amerikane, gjermane dhe italiane. “Duke qenë se do integrohet me shoqatat simotra në Europë, unë mendoj se komuniteti i saj do të jetë më i madh”, ka theksuar Bregasi, duke shtuar se lobi i ri do të përfaqësohet edhe në Bruksel.
Edhe pse biznesi prej kohësh është grupuar në shumë organizma formalë, për të qenë oponent ndaj institucioneve aktore në marrjen e vendimeve, shpesh zërat e tyre kanë qenë të dobët dhe të përçarë. a.b/noa.al
Krijoni Kontakt