Al-Kaeda kërcënon Ballkanin, Spanja parandalon një sulm terrorist
Publikuar më 04.10.2012 | 22:22
Lideri radikal islamik, Omar Bakri, ka paralajmëruar shtetet ballkanike për lëshimin e aksioneve kundër tyre, këto deklarata ai ia ka bërë në një intervistë të publikuar ditën e enjte në gazetën bullgare “24 Chasa”.

Sipas klerikut radikal, i cili për pothuajse 20 vite banoi në Londër, Ballkani është një territor që i përket islamit.
“Kur islami hyn në një territor, ai shtet shndërrohet në islamik, prandaj është detyra jonë që t’i çlirojmë popujt islamik të Europës, siç është Spanja, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja janë të gjitha vende islamike”, deklaroi Bakri.
Ai ka thënë se, edhe Bullgaria, nga ana e saj, për shkak të bashkëpunimit me Izraelin dhe dërgimin e trupave në pushtimin e Afganistanit dhe Irakut, është një shënjestër e ligjshme për t’u goditur.
Bakri, i cili jetoi në Londër për 20 vjet, i është hequr e drejta për t’u rikthyer në Britani pasi u largua nga vendi pas sulmeve terroriste të vitit 2005 në autobusët e Londrës. Besohet se ai ka lidhje të forta me eksponentë të lartë të Al-Kaedës.
Bakri ka kërcënuar Spanjën, pasi e ka cilësuar se është një vend islamik, për shekujt që ka kaluar nën rendin mysliman.
Ndërsa sot, policia spanjolle arrestoi një 21-vjeçar në Palma de Majorka, me dyshimin se po organizonte një sulm me bombë ndaj universitetit të ishullit.
I dyshuari u arrestua pasi policia arriti të zbulonte se ai kishte porositur dhe marrë mbi 140 kilogramë përbërës për ndërtimin e eksplozivëve.
Në një ditar personal, u zbuluan shkrime të tij në të cilat shprehte urrejtjen ndaj shoqërisë dhe ku e konsideronte veten të gatshëm për të vdekur në një sulm.
Besohet se plani i të riut ishte të vendoste një numër bombash artizanale në të gjithë kampusin e universitetit.
Emri i 21-vjeçarit nuk u bë publik në media për arsye hetimesh.
Nuk është e qartë nëse i riu është i lidhur me ndonjë organizatë terroriste, por sipas policisë, besohet se ai do të vepronte vetëm.
Rreth 16 400 studentë vazhdojnë arsimin e lartë në Universitetin e Majorkës.
AFP/ Shekulli Online/ Përgatiti: E.L
Krijoni Kontakt