"They will not control us, We will be victorious"
Lehne: Me dialog, autonomi substanciale për veriun
Prishtinë, 21 tetor – Për veriun e Kosovës zgjidhja e ofruar me Pakon e Ahtisaarit nuk mjafton, andaj Qeveria në Prishtinë duhet të llogarisë që në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë një balancim do të duhej të arrihej mes dëshirës së serbëve të veriut për të ruajtur pozicionet e tanishme dhe lidhjet me Serbinë, si dhe dëshirës së Prishtinës për të shtrirë sovranitetin e vet atje. Ky balancim gjendet në një “autonomi substanciale për veriun” e Kosovës. Kështu thotë ish- i dërguari special i BE-së në negociatat për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, në një intervistë për “Kohën Ditore” thotë se dialogu i Kosovës me Serbinë është i domosdoshëm për të vazhduar rrugën drejt integrimit në BE, dhe se në tavolinën e dialogut, përveç tjerash, do të duhej të diskutohej edhe çështja e veriut të Kosovës.
PDK-së i kërkohet ta “disiplinojë” Krasniqin
Prishtinë, 21 tetor – Jakup Krasniqi mund ta ruajë postin e kryetarit të Kuvendit vetëm nëse arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me shumicën e përfaqësuesve të PDK-së dhe me kabinetin qeveritar. Diplomatë të jashtëm, sipas burimeve të “Kohës Ditore” kanë thënë haptas se nuk duan të shohin pengesa të brendshme gjatë punës së institucioneve qendrore të shtetit, veçanërisht tash kur ka filluar procesi i dialogut politik për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas burimeve të gazetës, seanca e së enjtes, e cila është ndërprerë dy herë, ka shtuar trysninë e ndërkombëtarëve ndaj lidershipit të PDK-së, për të garantuar rrjedhë normale të punës së Kuvendit.
Në PDK besojnë se kanë kapacitete për ta ruajtur Krasniqin dhe për ta tejkaluar këtë situatë.
Artikujte postuar më sipër, janë marrë nga "Koha Ditore" e ditë së sotshme....
Tri ditë pikëllimi
Publikuar: 21.10.2012 - 17:39
Se me çfarë lehtësie “luajmë shtet” në Kosovë e dëshmoi dita kur Kuvendin e okupoi policia, për ta “mbrojtur” atë, derisa pasuria e Kosovës falet, e ardhmëria e saj përcaktohet nga politikanë të komprometuar e të manipulueshëm
Para disa vjetësh, derisa kishte qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës, ishte ftuar mysafir në “Programin Fluturues të Mëngjesit” të KTV-së. Tema e bisedës kishte qenë, natyrisht, fjala më e përsëritur sa herë që flitet për Mitrovicën. E ishte përsëritur aq shumë dhe po aq i ishte ngulitur në kokë udhëheqëses së programit, Fllanzitës, saqë me t’i uruar mirëseardhje në emision, në vend se t’i thoshte “...z. Rexhepi, si janë punët në Mitrovicë”, i tha: “Zoti PROBLEM, na tregoni ju lutem...”
Duket se nuk ka pasur mbase epitet më të përshtatshëm për ministrin e Brendshëm këtë javë, sesa që ia kishte përzgjedhur moderatorja instinktivisht para ca vjetësh, ngase fare pakuptueshëm dhe befasisht në formë shumë arrogante dhe skandaloze, Rexhepi u bë njëra nga figurat e spikatura negative të javës që po e lëmë pas, fillimisht me marrjen e prerogativave të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, e menjëherë pas kësaj me shkeljen e ligjit dhe me një varg deklaratash të pamatura.
E tëra nisi me protestën e deputetëve të “Vetëvendosjes” përkrahur nga një grusht demonstruesish, të cilët nuk u lejuan të hynin në ndërtesën e Qeverisë, edhe pse kartela e identifikimit e deputetit këtë ua garanton pa kufizime. Ani se të paftuar, deputetët insistonin së paku t’u afroheshin hapësirave ku po nënshkruhej kontrata e turpshme për faljen e Distribucionit të KEK-ut. Aq ishte e turpshme, sa një njeri shumë spirituoz e kishte përpiluar këtë shpallje që e kishte vendosur në qarkullim të lirë në FB, e që nuk kam çare pa e ndarë me ju:
KOSOVA NË SHITJE
Shes tokën e një kushëriri 100 arë = 10,00 €
Shes shtëpinë e një komshiu 3 kate = 9,00 €
Shes rrugën e Malishevës 1 km = 6,00 €
Shes shkollën në Dardani 500 m² = 12,00 €
Shes statujën e Bill Clintonit = 0,02€
Shes 90 kompjuterët e Komunës = 25,00 €
Shes ndërtesën e Qeverisë 19 kate = 39,00 €
OSE
Bëj ndërrim me KEK-un apo me një iPhone 4
... e tash t’i kthehemi ditës së mërkurë. Te shkallët kishte dalë një çetë truprojash (dallohen për nga teshat e zeza që vezullojnë cakërr si të ballafaqohen me rrezet e diellit, e të cilat garant krejt i blejnë te i njëjti kushëri a komshi), që nën komandën e ministrit të Brendshëm: “për një minut me m’i hekë këta prej këtuhit”, i shtynin deputetët teposhtë.
Nuk e di truprojat e kujt ishin, por përnjëmend, çfarë lypnin te shkallët dhe pse i shtynin deputetët, jashtë zonës së veprimit të tyre. Pse kryenin një punë që nuk u përket, sepse edhe ashtu të gjithë e përsërisin se policia (e jo truprojat) kujdeset për sigurinë e objekteve institucionale. Ligjërisht shtrohet pyetja, a do të duhej të akuzohen “për sulm ndaj personit zyrtar”, ngase deputetët po përpiqeshin ta shfrytëzonin të drejtën që ua garantonte ligji për të hyrë lirshëm në objektin e institucionit ekzekutiv të Kosovës. Dhe, a do të thotë kjo se tashmë institucionet mbrohen nga trupa parapolicore, rrezikshëm të armatosur, dhe nën komandën e drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm, sepse nuk është e qartë se përse te dera u gjet bash ky e jo shefi i Policisë dhe përse po jepte komanda operacionale, kur ligji shprehimisht ia ndalon një gjë të tillë. Veprime për veprime, pse kurrë nuk e pamë tek jepte komanda që të ziheshin hajnat në polici, posaçërisht ata të dëshmive, të drogës e besa edhe ata të arit.
Sidoqoftë, pasi i nxorën nga oborri i Qeverisë, sa duke i shtyrë, sa duke i zvarritur e sa duke i shpërndarë me biberin e kuq që e kanë për me ua spërkatë sytë protestuesve, të veshur në uniforma “beteje”, me maska, shkopinj, armë, etj., etj., policët i mbyllën të gjitha portat nëpërmjet të cilave hyhet në objektin e Kuvendit. Pamja e asaj dite ishte e neveritshme – kështu na e kishin bërë policët serbë kur na i kishin futur masat e dhunshme nëpër ndërmarrje – nuk na linin të hynim në objektet që paraqisnin vendet tona të punës. Deputetët e “Vetëvendosjes”, tashmë me kostumet dhe këmishët krejt të rrudhura nga “trajtimi” që ua bënë policët, u detyruan ta kapërcenin portën metalike për t’u futur në oborrin e institucionit ku supozohet se duhet të shprehet vullneti i popullit nëpërmjet përfaqësuesve të vet. Porta ishte madje e lidhur me zinxhirë – çfarë simbolike e shëmtuar – që më pas u hoqën për ta hapur më në fund derën, sepse nuk kishte më asnjë arsye, sado absurde të ishte, që deputetët të mos lejoheshin të hynin në seancë.
Aty kërkuan sqarimin nga Rexhepi, i cili ua dha një përgjigje që na la pa mend, e që tingëlloi diçka si, “Po, unë e kam dhënë urdhrin mos me i leju deputetët e VV-së me hy në Qeveri... bile intervenimi i policisë është dashur të ishte më azhur...” (apo kështu diçka tha, që përkthyer shqip i bie, “ka pasë vytë me i rreh pak, e me ua tregu qejfin”), kurse kapakun e veprimit absolutisht të pakuptimtë që madje mund të barazohet me paranojë, ministri e vuri të enjten. Dha urdhrin që Kuvendi të rrethohej me policë, përderisa sipas kryekuvendarit, ndërtesën e kishin vërshuar përbrenda edhe policë me e pa uniforma, duke e sjellë situatën në diçka që me vite e kemi njohur si “gjendje të jashtëzakonshme me orë policore”.
Nuk e di nëse vendimi ka qenë tiji apo i urdhëruar nga shefi i tij, por sjellja e tillë skandaloze me automatizëm e ka merituar një shkarkim. Sepse tashmë kryetarja na ka mësuar, se në Kosovë dorëheqjen nuk e lejon as Kushtetuta e as ligji.
Më parë se frikë ndaj një veprimi eventual me të cilin do të parandalohej miratimi i Rezolutës për normalizimin e raporteve me Serbinë pa asnjë kusht, sjelljen e tij e shoh si manifestimin më eklatant të arrogancës dhe sigurisë se do të ketë mungesë ndëshkimi -- që e karakterizon shtetin tonë të korruptuar dhe me sundim ligji të çalë. Tashmë të sigurt se i kishin bërë për vete deputetët e AAK-së dhe të LDK-së për ta votuar këtë rezolutë që ua kanë imponuar të huajt, përfaqësuesit e pozitës kanë dashur t’i çonin porosi “Vetëvendosjes” se nuk mund t’u bënin asgjë – se përpos se nuk i kanë numrat, “VV”-ja duhet të përballet me policinë ngase telepiloti komandues i aparatit të dhunës është në duar të PDK-së. Por atë në të cilën nuk ka llogaritur PDK-ja ka qenë reagimi i zjarrtë dhe i pakontrolluar i Krasniqit, kur iu shmang etiketës parlamentare për t’i quajtur rrugaçë ministrat që rrjedhin nga Partia e tij... me atë që ishte shumë i qartë në përpjekjen për ta hequr përgjegjësinë nga vetja: “I keni sjellë rrugaçët për ministra, tash i bajshi me sh’net...”, ani që problemi është se ne po duhet me i “bajtë”, dhe jo fort me shëndet.
Kjo natyrisht kalli lexuesin e letrave të përgatitura nga të tjerët, e që kurrë nuk di t’i arsyetojë në emër të grupit parlamentar të PDK-së, i cili në dalje e sipër i tha Krasniqit se do ta shkarkonte, dhe se do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për këtë.
Dhe jo përse kam ndonjë simpati të veçantë për Krasniqin, posaçërisht marrë parasysh se edhe ai është pjesë e strukturës së vjedhësve të votave që formuan këtë parlament, por e paramendoja situatën në të cilën PDK-ja, me kush e di çfarë premtimi, do t’i fuste në lojë sërish LDK-në dhe AAK-në dhe vërtet do t’i mblidhte 80 vota për ta shkarkuar Krasniqin. Hipotetikisht do të mund të ndodhte që ai të zëvendësohej në këtë post nga, për shembull, Azem Syla, “Kamishi” apo mbase edhe Berat Buzhala. Ndërkohë do të ndodhte mrekullia, dhe znj. Jahjaga do të jepte dorëheqje, për shkak se ndërkohë janë plotësuar kushtet për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, dhe ushtrues detyre i kryetarit të Kosovës deri në zgjedhjet e reja do të mund të ishte njëri nga kandidatët e përmendur më lart. Pse jo, kur në Kosovë gjithçka është e mundur. Me këtë perspektivë para vetes, mbetem me z. Krasniqi, se bile “po jau kupë” ndonjëherë bashkëpartiakëve të tij.
E gjithë kjo dramë, ky turp, kjo nervozë e ky pikëllim përfundoi me miratimin e Rezolutës për normalizimin e raporteve me Serbinë pa ia vënë asnjë kusht të vetëm.
Thuajse jemi miq prej kohësh, thuajse asgjë nuk na kanë borxh. As të na kërkojnë falje për gjithë ata njerëz që na i vranë e zhdukën, gratë që i dhunuan, popullin që e dëbuan, të gjithë ata që i poshtëruan, për gjithë tmerrin që e përjetuam. Thuajse fajtorët për këtë jemi ne – thuajse jemi ne ata që duhet kërkuar falje atyre pse na diskriminuan dhe segreguan, që na i mbyllën shkollat, institucionet kulturore, mediumet, pse na qitën në rrugë e na lanë pa punë, e na përndoqën e na shkatërruan trurin, e na i vodhën paratë dhe pasurinë... thuajse jemi ne fajtorë se pse çdo gjysmë shekulli duhet t’ia nisim jetës për së pari, me asgjë në duar.
Dhe pa asnjë kusht është se Thaçi u nis pasi u ftua urgjentisht në Bruksel për një takim me zonjën Ashton e më pas edhe me kryeministrin serb Daçiq – në të cilin u morën vesh që bisedimet ndërmjet palëve, shtetit serb dhe Kosovës me fusnotë, të vazhdojnë, e të cilat bisedime do të përfshijnë një vistër të gjerë temash, përfshirë veriun dhe natyrisht Pakon e Ahtisaarit. I mbështetur për muri, Thaçi ka pranuar të zhytet edhe më thellë në një lojë të cilën nuk di ta luajë përderisa gjithnjë varet nga instruksionet e “miqve” dhe për të cilën lojë nuk e ka idenë se si do të përfundojë.
Po të mos ishte ngutur vjet t’i niste “bisedimet teknike” në Bruksel, sot situata kishte me qenë më ndryshe. Do të kishim pasur platformë, do të ishte formuar një ekip negociatorësh me përkrahje të fuqishme profesionistësh ndërkombëtarë që dinë se çfarë janë negociatat me serbët dhe me të tillë si ata që premtojnë por nuk i përmbushin premtimet; do të kishim pasur parime të panegociueshme dhe vija të kuqe, që do të ndalonin madje edhe qasjen e muhabetit për veriun dhe do të kishim pozicion shumë më të favorshëm negociues që do të na mundësonte shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës.
U ngut për shkak se ashtu ia kushtëzuan ata që ia mundësuan mbajtjen e pushtetit me vota të vjedhura – ata që ia legjitimuan ndërkombëtarisht fitoren në zgjedhje të fëlliqura. Ata që e dinin se i komprometuari është lehtë i manipulueshëm dhe se aktin e kryer e merr për normale. Ata të cilët, për hir të “stabilitetit”, as nuk e mbikëqyrën kur mundën e as nuk e qortuan e dënuan atëherë kur u desh. Për pasojë, na lanë me perspektive ekonomike thuajse të padukshme dhe me tjetërsimin e aseteve shtetërore sipas pikës së qejfit dhe me kurdisje për t’i akomoduar xhepat e do-dove që duan t’ua shohin hairin pozitave politike derisa të munden. Na lanë edhe me fuqinë dhe pushtetin në duart edhe të z. Problemit dhe Problemëve të tjerë që i diktojnë rregullat edhe atëherë kur e dinë se e kanë gabim.
Tri ditët e fundit do të kenë qenë nga më të pikëlluarat që kam përjetuar që nga paslufta. Nuk po mund të besoja atë që po e shihja në ekran, nuk e absorboja dot atë që po e dëgjoja, nuk po mund të pajtohesha se si në formë kaq të papërgjegjshme po e dëshmonim se nuk jemi të aftë për të udhëhequr shtet. Se përderisa unë ende besoj se shteti duhet të punojë për mua, atë që po shoh është se shtetin këtu e bëjnë pushtetarët injorantë me shenja dollari në sy, me “xhypa” të zinj dhe forca private mbrojtëse me dhe pa uniformë, për nevojat e tyre personale.
Duket se populli dhe pushtetarët tashmë i kanë ndarë rrugët dhe gjenden në kahe të kundërta. Për një jetë më të mirë, njëra palë do të duhej të lëvizte... mbase edhe në formën siç e përshkruan mikja ime Xheraldina: Ja ata neve në Shtime, ja ne ata në Dubravë!
flaka@koha.net
http://www.koha.net/?page=1,9,119972
Antiporanti
jap me qira lokalet e RTK me cmin 1 cent ne vit.
jap licenc per TV falas.
tokat e kojshive ne emer te poullit ja fali kishes.
deri kure doin me na mashtru keta zvarraniket e surroive???
Limaj: Deputetët me vota të vjedhura, jashtë Kuvendit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj tha se mjafton të ulesh përball deputetëve në Kuvendin e Kosovës, dhe aty shihet qartë se nuk është diçka në rregull.
“Edhe në demokracitë më të zhvilluara, nuk ka ndodhur që mbi 80 për qind e deputetëve të ndërrohen në një palë zgjedhje, ndërsa në Kosovë ka ndodhur pikërisht kjo. Nuk dua ta etiketojë asnjë deputet, mirëpo aty ka njerëz që në kuvendet komunale vështirë se do të merrnin ndonjë votë, ndërkaq në Kuvend të Kosovës kanë ardhur si deputetë”, ka thënë Limaj në tryezën e diskutimit “Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve” të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Fredrich Ebert Stiftung (FES).
Limaj ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetohen të gjithë ata që mund të jenë me vota të vjedhura në Kuvend.
“Dua të di sesi do të veprohet nga organet e drejtësisë që t’iu merret mandati deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës vota të vjedhura, nëse ka të atillë”, ka thënë Limaj.
Ndërkaq, Ahmet Isufi, nga AAK, tha se lufta më e ashpër në këto zgjedhje, më të diskutueshmet ndonjëherë, është zhvilluar brenda kandidatëve të partive politike.
“Janë 87 deputetë në Kuvendin e Kosovës që janë të rinj dhe që nuk kanë qenë deputetë më parë. Mund të ketë deputetë që aty janë me vota të vjedhura, por poashtu mund të ketë kandidatë që i kanë fituar votat dhe që nuk janë sot deputetë. Këtë duhet ta dëshmojnë organet e drejtësisë, prandaj duhet të hetohen organizatorët e këtyre krimeve”, theksoi Isufi.
Mirëpo Betim Musliu, nga IKD, i cili bëri prezantimin e raportit për politiken e ndjekjes së krimit të organizuar në zgjedhje, tha se është vërejtur një hezitim i prokurorëve për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Pas manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2010 është fajësuar sistemi zgjedhor. Mirëpo ne mendojmë se nuk është fajtor sistemi zgjedhor por faktori njeri. Pra kanë qenë përgjegjës ekzekutuesit e manipulimi të zgjedhjeve që kanë qenë përfaqësues të partive politike. Meqenëse në kaluarën nuk i kemi ndjekur dhe gjykuar vjedhjen e votave që ka ndodh si në vitin 2004, 2007 dhe 2009, atëherë është mbërri kulmi i manipulimeve në zgjedhjet e vitit 2010, ku u zgjuan edhe të vdekurit dhe votuan”, u shpreh Musliu.
Ndërsa hap pozitiv dhe të rëndësishëm Musliu e quan faktin se manipulimet që kanë ndodhur në këto zgjedhje po trajtohen si lëndë prioritare. Megjithatë, sipas tij, politika e ndjekjes dhe e dënimeve, deri tani bazuar në këtë analizë është joadekuate.
Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit e cila foli se si është zhvilluar ndjekja për këto raste të manipulimi të zgjedhjeve tha se prokurorisë së shtetit i kanë arritur 91 raste përmes së cilave subjektet politike, kandidatët dhe shoqëria civile dhe vëzhgues të zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullësitë që kanë shënuar zgjedhjet. Ajo tha se Prokuroria e Shtetit i ka dhënë prioritet këtyre lëndëve dhe se prej marsit e vitit 2011 e deri më tani janë akuzuar 1500 persona.
Ndërsa Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme, tha se këto vepra penale, janë duke u shqyrtuar si prioritet, për shkak se për herë të parë në Kosovë ka qenë një numër kaq i madh i lëndëve gjyqësore nga zgjedhjet.
Ajo tha se për fat të keq politika ndëshkimore s’ka qenë shumë e qartë dhe se të gjithë ata që janë ndjekur penalisht, janë gjykuar me dënime me kusht he me gjoba, mirëpo falë qëndrimit të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor, është kërkuar të bëhen ankesat nga prokurorët e qarkut dhe Prokuroria e Shtetit dhe pas ankesave të gjitha dënimet me kusht dhe me gjoba janë konvertuar ne dënime me burg efektiv.
http://www.zeri.info/artikulli/1/1/6...shte-kuvendit/
Krijoni Kontakt