Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ, paralajmëroi sot publikisht se përkeqësimi i situatës financiare të kompanisë nga gjobat e vendosura nga tatimet dhe entit rregullator- ERE mund të rrezikojnë furnizimin me energji. Duke iu referuar shembullit të vitit të kaluar, CEZ sqaron se situata u vështirësua pasi “në vend që këto fonde të përdoreshin për blerjen e energjisë, kompania ishte e detyruar t’i përdorte për të paguar gjobën”.
Në deklaratë thuhet: “Nga fillimi i këtij viti deri më muajin gusht, CEZ Shpërndarje ka importuar 1.6twh, më shumë se 1.3twh të aprovuara nga ERE për të gjithë vitin 2012. Pjesa më e madhe e energjisë së importuar nga CEZ Shpërndarje për periudhën shkurt-prill, gjatë një periudhe kur niveli i Fierzës ishte më afër pikës së vdekjes (më i ulët se niveli aktual), dhe çmimet e energjisë ishin të larta. Ky import i lartë mundësoi një furnizim normal dhe të pandërprere me energji për klientët tanë.
Situata u përkeqësua edhe më tej nga gjobat tashmë publike të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Enti Rregullator i Energjisë. Për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, garantimi i importeve është bërë gati i pamundur. Për më tepër, pagesa e kryer nga CEZ Shpërndarje për të mundësuar apelimin e gjobës së vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave korrespondon me shumën e nevojitur për të blerë energji në një muaj me kërkesë të lartë importi. Në vend që këto fonde të përdoreshin për blerjen e energjisë, kompania ishte e detyruar t’i përdorte për të paguar gjobën e vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave. Që nga ai moment kompania ka përdorur çdo mjet financiar të disponueshëm për të importuar energji.”
Krijoni Kontakt