-
Kujt i intereson shkatërrimi i kompanisë CEZ-it?
Thellohet kriza, menaxhimin e CEZ e marrin britanikët
3 Tetor 2012 | : Ekonomi,Kryesoret | Autor: Gazeta Shqip
Kompania në Pragë: Dështuan negociatat me qeverinë shqiptare. Jepet shansi i fundit
Kompania CEZ i jep shansin e fundit qeverisë shqiptare për zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me vendimet e ERE-s për tarifat, importin e energjisë dhe me gjobat. Kompania mëmë në Pragë ka vendosur që CEZ-in në Shqipëri ta drejtojnë provizorisht britanikët, përmes një shoqërie që merret me zgjidhjen e krizave me anë të negociatave. CEZ Shpërndarje shpërndau dje për mediat një deklaratë, ku jepte sqarimin për situatën e krijuar, por më e drejtpërdrejtë ishte deklarata e CEZ-it në Pragë, aty ku janë zyrat qendrore dhe bordi i aksionerëve.
Sipas njoftimit, Grupi CEZ vendosi t’i përgjigjet pozitivisht qeverisë shqiptare, duke plotësuar pozicionet e saj në Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin e Drejtorëve të CEZ Shpërndarje me ekspertë të pavarur nga kompania SCHINDLERS, një kompani me bazë në Britaninë e Madhe me eksperiencë afatgjatë në negociata strategjike. CEZ pret që kjo lëvizje të qetësojë klimën aktuale të tensionuar të komunikimit dhe do të bëhet e rëndësishme në ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshme për të zgjidhur situatën në Shqipëri.
“Avokatët me eksperiencë do të luajnë rolin e ndërmjetësuesit të pavarur dhe do të përpiqen të zgjidhin problemet në dorë, të cilat kanë më shumë karakter ligjor se sa biznesi”, shpjegon Tomáš Pleskač, Drejtor i Shpërndarjes dhe i Aseteve të Huaja. Për rrjedhojë, të premten, më 5 tetor 2012, në Takimin e Përgjithshëm të CEZ Shpërndarje do të prezantohet një mocion për një bord të ri mbikëqyrës në numër dhe strukturë dhe për një reduktim të numrit të anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës nga gjashtë në tre dhe reduktim të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve nga tre në një.
“Të gjithë këta ekspertë do të marrin detyra specifike dhe objektiva nga Takimi i Përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, të cilat do të lidhen me shpërblimin e tyre. Mandati i tyre do të përfaqësojë interesat e CEZ dhe do të përkufizohet në detaje”, shtoi Pleskač.
Grupi CEZ vendosi të ndërmarrë këtë hap pas një serie bisedimesh të pasuksesshme, të cilat kanë rezultuar, në një gjobë (30 milionë euro) që u vendos mbi kompaninë lokale si pasojë e impaktit në taksa nga humbjet e pësuara në sistemin e shpërndarjes. Gjoba bazohet përgjithësisht në supozimin që energjia e vjedhur nga sistemi i shpërndarjes nga nënshtetasit shqiptarë duhet të faturohet nga CEZ te klientët e saj dhe kjo sasi virtualisht e faturuar duhet të bëhet subjekt i TVSH-së dhe tatimfitimit të pagueshëm te qeveria shqiptare. CEZ absolutisht refuzon të pranojë këtë përqasje dhe sakaq ka apeluar ndaj gjobës.
Grupi CEZ vijon të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbrojtur vlerën e kompanisë së saj të shpërndarjes në Shqipëri dhe për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë. Kërkesa për garancitë e bëra nga Banka Botërore ose nisja e procedurës së Arbitrazhit kundër Shqipërisë mbetet ende masa më ekstreme. Shumë kompani janë detyruar sakaq të ndërmarrin hapa të tilla, për shkak se nuk janë më në gjendje të përballojnë klimën e paqëndrueshme të biznesit dhe moralin e ulët të pagesave në Shqipëri. Grupi CEZ disponon asete të rëndësishme energjetike në shtatë vende të tjera. “Shqipëria është vendi i vetëm ku grupi nuk i ka kapërcyer dhe as nuk i ka arritur kthimet e planifikuara mbi investimin”, thotë kompania. Situata në Shqipëri u komplikua më shumë këtë vit, kur për shkak të thatësisë drastike vendi rrezikon stakimin total të linjave, pasi KESH nuk mundet të importojë, kurse CEZ, për shkak të gjobës dhe disa vendimeve të tjera, ka vështirësi financiare.
Borxhet
Bode kërcënon CEZ-in
Qeveria paralajmëroi për herë të parë kompaninë e shpërndarjes CEZ, që të përmbushë detyrimet e saj ligjore, në të kundërt do të përballet me masa deri në më ekstremet. “Ne kemi një Ent Rregullator, që është i pavarur nga qeveria, që varet nga Parlamenti dhe ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë që ky Ent Rregullator do të marrë në një moment të caktuar. Ai funksionon në bazë të një ligji. Ne kemi një kontratë privatizimi për këtë kompani dhe plotësimi i detyrimeve reciproke është i domosdoshëm”, tha dje ministri i Financave Bode.
shqip
-
-
CEZ: Tatimorët na gjobitën padrejtësisht
Vendimet arbitrare të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vazhdojnë të penalizojnë rëndë biznesin vendas. Rasti i radhës vjen me një nga kompanitë më të mëdha në vend, që mbulon shpërndarjen e energjisë. Kompania “CEZ Shpërndarje” deklaron se, gjatë muajit Gusht është gjobitur padrejtësisht nga Drejtoria e Tatimeve në vlerën 4 miliard lekë për TVSH dhe taksë mbi të ardhurat nga energjia e pafaturuar.
Sipas kompanisë, gjate muajit Gusht u kontraktuan 350 MW energji, por per shkak se nje nga kompanite e kontraktuara nuk arriti te permbushte kontraten per 150 MW dhe siguroi vetem 50-100 MW, “CEZ” importoi vetem 250-300 MW energji. Këtu nis edhe zanafilla e gjobës së tatimorëve.
Gjithsesi, CEZ ka paguar një pjesë të shumës totale, ose 2.1 miliardë lekë, në mënyrë që të mundësohej apelimi i saj. Por, kjo pagesë brenda një periudhe më pak se një muaj, ka krijuar një barrë të rëndë financiare për kompaninë dhe korrespondon me shumën e shpenzuar gjatë një muaji për importe të larta. Në vend që të përdorej kjo shumë për të kryer importin e energjisë, CEZ Shperndarje u detyrua t’ja paguante atë drejtorisë se tatimeve duke mos qenë më në gjendje të siguronte importe për fillimin e muajit Shtator.
CEZ jep alarmin se me këtë veprim të tatimorëve situate financiare e kompanisë mbetet e komplikuar dhe mund të ndikojë drejtpërdrejtë në mungesën e importit të energjisë për ditët në vijim. Në deklaratën publike kompania CEZ Shpërndarje nënvizon se, qasja e drejtorisë së tatimeve ka impakt të mëtejshëm negativ dhe për rrjedhojë, nëse nuk ka përmirësime, do te ketë impakte negative te investimet gjithashtu. Por, sikur të mos mjaftonte gjoba e majme e tatimorëve, kompania është penalizuar së fundmi edhe nga Enti Rregullator i Energjisë me 1% të xhiros vjetore, ose 430 milionë lekë për mos importim të energjisë.
TV Scan, 17.09.2012
-
-
-
-
CEZ Invited the World Bank to Solve a Situation in Albania.
The Albanian power distribution company that is a CEZ Group member has today sent a letter of notification to the World Bank, inviting the organization to take steps to prevent the enforcement of agreed guarantees pertaining to the privatization of the only power distribution company in Albania in 2009.
http://www.cez.cz/en/investors/inside-information/1469.html
-
-
CEZ mund të humbasë 500 milionë dollarë nga vendimi i ERE
CEZ mund të përballet me një humbje prej më shumë se 523 milionë dollarë në tre vitet e ardhshme për shkak të një vendimi të rregullatorit të tarifave të energjisë elektrike (Enti Rregullator i Energjisë). Një gjë e tillë thuhet në raportin vjetor të vitit 2011 të kompanisë çeke.
“CEZ Shpërndarje Sh.A e kundërshtoi vendimin për tarifat pas publikimit në gazetën zyrtare. CEZ Shpërndarje mund të marrë një ndikimin negative prej 10.15 miliardë kroun gjatë periudhës 2012-2014 si rezultati i aplikimit të tarifave të reja”, thotë CEZ-i.
Kompania shpjegon se këtu përfshihen edhe 6.5 miliardë kroun, shumë e cila mund të mos mblidhet nga konsumatorët. CEZ shprehet se sipas marrëveshjes së privatizimit të vitit 2009, që solli këtë kompani në Shqipëri, thuhej se kjo do të reflektohej në vendimin e rregullatorit të tarifave.
CEZ ankohet se vendimi i rregullatorit e detyron atë të shesë energjinë elektrike nën kosto, pasi CEZ-i do të paguajë një çmim më të lartë për prodhuesit e energjisë dhe kjo nuk është reflektuar në çmimin me të cilin ai do t’ua shesë konsumatorëve.
Kompania i ka kërkuar Bankës Botërore që të ndërhyjë ose të tërheqi shumën prej 60 milionë euro, lënë si garanci për privatizimin.
Prej disa muajsh CEZ është në konflikt me qeverinë shqiptare pasi kompanisë çeke i është rritur çmimi i energjisë elektrike ndërsa asaj nuk i lejohet që të ndryshojë çmimin me të cilin ia ofron konsumatorëve këtë energji.
Për rritjen e taksave dhe ngrirjen e çmimit, kompania e kontrolluar nga shteti çek ka apeluar tek Banka Botërore. CEZ kërkon Banka Botërore ndërhyrjen tek pala shqiptare ose lejimin e tërheqjes së garancisë së privatizimit prej 60 milion euro.
Berisha dhe Neças në Tiranë
E përditshmja çeke “Lidové” raporton se CEZ gjithashtu mund të hapë çështje për veprime arbitrare ndaj shtetit shqiptar. “Në rrugë legale ne do të kërkojmë kompensim të dëmit të shkaktuar”, ka thënë zëdhënësi i CEZ, Eva Novakova duke shtuar se shpresohet që të gjendet një zgjidhej pa përfunduar në gjykatë.
Drejtori ekzekutiv i CEZ, Daniel Benes, shoqëroi kryeministrin e Çekisë, Petr Neças gjatë vizitës në Shqipëri, që u mbajt në prill, ku u takuan me kryeministrin Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare i garantoi ata se do të gjendet një zgjidhje e favorshme për CEZ dhe konsumatorët shqiptarë.
Gazeta Shekulli, 09.05.2012
-
-
Nuk përballon dot humbjet, CEZ i kërkon ndihmë SHBA-ve
e Premte, 20 Prill 2012 11:00
Tiranë – “CEZ Shpërndarje nuk mund të vazhdojë të operojë më tej me humbje të tilla financiare. Një zgjidhje duhet të gjendet brenda javëve të ardhshme”. Ka deklaruar kështu në kryeqytetin çek zëdhënësja e kompanisë gjigande CEZ Group, filiale e së cilës është CEZ Shpërndarje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Këtë e raporton e përditshmja e madhe e Pragës “The Prague Post”.
“CEZ nuk është e kënaqur lidhur me hapat e ndërmarra deri tani, ajo është e detyruar të mbrojë vlerën e kompanisë për invesitorët dhe aksionerët e saj”, shtoi ajo. Novakova deklaroi se, si aksioneri më i madh i Bankës Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të tregojnë interes të zgjidhin problemet midis CEZ-it dhe Shqipërisë.
Banka Botërore ka akorduar një fond garancie prej 60 milionë eurosh, që mund të merren në rast se qeveria shqiptare nuk iu përmbahet angazhimeve të marra.
Sipas së përditshmes çeke, qeveria e Pragës ka ndërhyrë pas ankesave të gjigandit të energjetikës CEZ Group lidhur me problemet që ka hasur në Shqipëri, ku ajo ka investuar fonde të konsiderueshme. CEZ thotë se ERE ka rritur 91% çmimin e blerjes për CEZ-in nga fillimi i vitit, por nuk lejon që këtë kosto të rritur ta kalojë tek konsumatorët.
Kryeministri çek Petr Necas deklaroi pak ditë më parë në Tiranë se të gjitha mosmarrëveshjet mund të zgjidhen me negociata. “Unë kam marrë siguri nga qeveria shqiptare se ajo është e interesuar që investimi nga CEZ të jetë një histori suksesi”, u tha ai gazetarëve, citon “The Prague Post” (SH.C)
http://www.lajmeshqip.com/ekonomia/nuk-perballon-dot-humbjet-cez-i-kerkon-ndihme-shba-ve
-
-
Si reagon politika shqiptare e të dy krahëve ndaj problemeve të tilla, që nuk janë të vetmet për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri?
-
-
Ish-ministri i Energjetikës, Doda: Privatizimi i CEZ, dështim total
Zoti Doda, ju për disa vite keni qenë ministër i Energjetikës, periudhë në të cilën nisën edhe reformat në energjetikë dhe privatizimi i kompanisë së shpërndarjes në atë kohë, OSSH. Si e vlerësoni eficiencën në këtë privatizim tani pas katër vitesh?
Besoj se kjo mazhorancë me privatizimin e sektorëve strategjikë ka bërë gabim që në konceptim. Qëllimi kryesor i çdo qeverie është që nëpërmjet privatizimit të zhvillojë sektorin, në kushtet kur i shterojnë mundësitë për ta zhvilluar atë. Në rastin e privatizimeve të sektorëve strategjikë mendohet të ofrohen operatorë të njohur ndërkombëtarisht, pasi ata kanë edhe kapitalet e nevojshme për blerje të tilla. Por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj shkurtimisht, unë do ta quaja të dështuar procesin e privatizimit të CEZ-it. Në këtë sektor janë bërë hapa prapa në krahasim me periudhën para privatizimit. Si në drejtim dhe në menaxhim. Kompania CEZ ka një menaxhim shumë të dobët dhe një marrëdhënie shumë të keqe me klientelën. Nuk përfillen klientët, çdo klient ka të drejtë të ankohet përderisa ai paguan një faturë. Por në CEZ mund të humbësh edhe vite për të bërë sqarimet e nevojshme ose qoftë edhe të rifitosh të drejtën që të takon. Kjo nuk ndodhte kur kompania ishte në pronësi të shtetit. Së dyti, ka defekte të mëdha në organizimin e kompanisë, i cili pas privatizimit funksionon në mënyrë të pakonceptueshme. Për shembull, si ka mundësi që një njësi që është në Shkodër duhet të menaxhojë çdo problematikë që ka Veriu i Shqipërisë, duke nisur nga Kurbini deri në Tropojë. Ka një mënyrë shumë të dobët organizimi, qoftë për të eliminuar defektet. Momenti i tretë ku CEZ ka bërë hapa mbrapa janë treguesit e humbjeve të energjisë dhe arkëtimeve. Raport zyrtar nuk ka, por mediat thonë se janë mbi 50 %, çka do të thotë se nga 100 kilovatë energji të hedhura në rrjet, vilen të ardhura vetëm për 50 kilovatë. Dhe ky është një tregues shumë i dobët, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për efektin ekonomik në shoqëri në tërësi. Para viteve 2005 kur kompania administrohej nga shteti, humbjet ishin 30-32 për qind, bëhet fjalë për vitet 2004-2005.
Ju kishit nisur të zbatonit një plan investimesh në shpërndarjen e energjisë. Çfarë u bë me këtë plan dhe si e vlerësoni ecurinë e investimeve pas privatizimit?
Shqetësues mbetet sot e kësaj dite fakti se CEZ nuk ka shpallur një program zhvillimi. Pasi privatizimi në sektorët strategjikë ka të bëjë më së shumti me program zhvillimi, por edhe me çmimin e privatizimit. Por edhe në këtë aspekt CEZ ka dhënë një çmim qesharak. Me sa jam në dijeni, asetet e CEZ-Shpërndarjes janë vlerësuar te rreth 1.2 miliardë euro nga kompanitë ndërkombëtare. Ndërsa CEZ e ka blerë OSSH-në për vetëm 120 milionë euro, që duke marrë parasysh disa zbritje që janë bërë gjatë negocimit të kontratës, shuma që është arkëtuar në buxhetin e shtetit është totalisht qesharake. Edhe në momentet që flasim CEZ ende nuk ka një program zhvillimi. Ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se janë po ato nënstacione që ne kemi lënë dhe po ai rrjet shpërndarjeje; ose kanë përfunduar vetëm ato nënstacione që ne i kemi lënë në ndërtim, qoftë ato 400 kilovoltësh, qoftë 200, qoftë 110 po edhe 35. Nënstacionet 400 dhe 200 kilovolt administrohen nga OST-ja, ndërsa të tjerat i ka CEZ. Kurse në linjat e shpërndarjes, sidomos në zonat rurale situata është një katastrofë e vërtetë. Transmetimi i energjisë bëhet në gjithfarë lloj telash, zinkat, alumini, bakri etj., pa folur për cilësinë e shtyllave e të pajisjeve të tjera që janë në gjendje të mjeruar, ndërkohë që ka një standard që duhet respektuar për transmetimin e energjisë. Duke operuar në këtë mënyrë, kompania ka thelluar humbjet në rrjet dhe ka rritur pasigurinë për jetën e punonjësve të saj dhe të qytetarëve. Për të gjitha këto arsye privatizimi i OSSH-së mund të konsiderohet tërësisht i dështuar.
Pas katër vitesh që nga privatizimi, CEZ ka nisur kohët e fundit aksione për mbledhjen me forcë të detyrimeve. Pse kjo taktikë tani? Pse nuk u aplikua më parë?
Ne jemi dëshmitarë të gjithë për aksionet e fundit që po bëhen në të gjithë vendin për mbledhjen e detyrimeve të energjisë me forcë. Por edhe për këtë është fajtore vetë kompania, e cila i edukoi klientët në këtë mënyrë. Kompania duket të ketë bërë marrëveshje politike me partinë në pushtet për të mos ngacmuar abonentët gjatë fushatave politike, për të mbajtur disa persona në punë, për të transferuar investimet e një zone në një tjetër etj. Duke e përdorur në këtë mënyrë kompaninë, ata (CEZ dhe qeveria) kanë sjellë dështimin e plotë të saj dhe futjen në kolaps të të gjithë sistemit.
Për këtë situatë të krijuar kompania CEZ duhet të përballet me sanksione nëpërmjet ministrisë, Entit Rregullator të Energjisë dhe qeverisë. Dy rrugë ka: ose të përmirësojë menjëherë situatën në lidhje me investimet, shërbimet ndaj klientëve dhe uljen e humbjeve, ose të përballet me sanksione të ashpra deri në falimentim.
CEZ ka deklaruar se mund të importojë sasinë e energjisë për konsum, ndërsa KESH i shet CEZ-it energji me çmim më të ulët se të tregut. Për këtë arsye KESH ndodhet me bilanc të përkeqësuar, duke detyruar qeverinë ta financojnë. A është normale kjo marrëdhënie ndërmjet kompanive dhe atyre me qeverinë?
Nuk arrije ta konceptoj dot sesi është bërë kjo marrëveshje në momentin e privatizimit, që KESH është sh.a me kapital tërësisht shtetëror dhe CEZ është kompani me 76 për qind kapital tërësisht privat. Jam shumë dakord që KESH t’i shesë totalisht CEZ-it atë energji që e prodhon vetë,me burimet hidrike që ka. Po të jetë thjesht për të bërë biznes, KESH mund ta shesë jashtë vendit me çmime shumë më të larta, për shkak se është energji e pastër dhe e kërkuar në tregun europian. Por KESH nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë tagër që të importojë energji për llogari të CEZ-it. Kjo është detyrë ekskluzive e CEZ-it, se ja çfarë ndodh. KESH është kompani shtetërore që ka marrë financime nga buxheti i shtetit, gjë që nuk ndodhte në kohën kur qeverisnim ne; KESH kontribuonte në buxhet. Duke u financuar KESH-i nga buxheti i shtetit, qytetarët e paguajnë dy herë energjinë dhe me fatura të majme. Njëra faturë është ajo që i paguajmë CEZ-it, e cila në shumë raste është mbifaturuar dhe më shumë probleme. Fatura e dytë janë taksat që ne paguajmë në buxhetin e shtetit, të cilat në vend që të përdoreshin për të ndërtuar shkolla, rrugë dhe spitale, hapje të vendeve të punës, financojnë arkën e KESH-it për të përfituar padrejtësisht CEZ-i. Dhe ky është një gabim shumë i madh. CEZ detyrimisht duhet të importojë vetë energjinë që i duhet për furnizimin e popullatës e të klientëve të tij. Marrëveshja CEZ-KESH që ka edhe bekimin e qeverisë është jashtë çdo logjike tregu.
Pasi është absolutisht jo normale që KESH të blejë energji të shtrenjtë në tregun ndërkombëtar dhe t’ia shesë lirë CEZ-it. Me këtë logjikë, KESH është i falimentuar. Nga ana tjetër, është një gabim shumë i madh që ERE është bërë marionetë e politikës. Duke i shërbyer politikes me veprime të jashtëligjshme që normojnë veprimtarinë e këtij institucioni. ERE ul çmimin e energjisë që KESH i shet CEZ-it, madje shpesh edhe nën kosto. Kjo nuk ka ndodhur edhe kur tri kompanitë ishin shtetërore. Asnjëherë KESH nuk i shiste energji OSSH-së më pak se 2.2-2.4 lekë për kw, ndërsa pas privatizimit ka ndodhur që është shitur edhe me 1.4 lekë. Ky është dëm tjetër i madh ekonomik për arkën e shtetit e taksapaguesit, por përfiton padrejtësisht CEZ dhe përfiton kapital politik dhe jo vetëm mazhoranca qeverisëse.
Si i shihni zhvillimet e sektorit të energjisë në të ardhmen?
Të ardhmen në këtë gjendje e shoh të zymtë. Kështu sic është nisur shumë shpejt do të kemi piramidat e energjisë. Situata në energji nuk është vetëm furnizimi me drita i popullatës, por në radhë të parë qëndrueshmëria e zhvillimi i sektorit. Dhe më këtë situatë që është krijuar aktualisht në treg shumë shpejt do të kemi piramida të reja. Në vitin 1997 kishim piramidat financiare, por tani mund te kemi piramidat e energjisë.
Para disa ditësh qeveria ka zhvilluar garën për privatizimin e Albpetrolit. Në këndvështrimin tuaj si ish-ministër, sa i suksesshëm dhe sa realist është ky proces?
Unë nuk jam kundër procesit të privatizimit të kompanive, por e keqja fillon tjetërkund. Nuk ka transparencë. Në strategjinë që ne lamë për sektorët strategjikë është theksuar që ne jemi për privatizime, por ama ka dy momente. Së pari merret konsideratë zhvillimi i sektorit dhe së dyti çmimi. Të dyja këto janë të rëndësishme. Unë them se mbi të gjitha ka një moral, qeveria gjatë krizash ekonomike dhe në prag zgjedhjesh nuk mund të shesë një sektor kaq të rëndësishëm siç është Albpetroli. Pasi asnjë investitor potencial nuk mund të ndihet i sigurt në këto kushte. Në këtë këndvështrim, ky privatizimin nuk ka moral. Nga ana tjetër, Albpetrolit i janë dhënë të drejtat shtetërore. Ai do të përgjigjet për të gjitha kompanitë e tjera që kërkojnë e shfrytëzojnë naftë në Shqipëri, të drejta që duhet t’i ketë vetëm shteti. Ka të gjitha të drejtat për transmetimin e gazit e naftës dhe tregtimin me shumicë të energjisë. Ka edhe një problem tjetër në këtë proces, pasi sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë ka nxjerrë në shitje shteti. Nuk janë marrë në konsiderate pronarët, mbi tokat e të cilëve janë asetet e kompanisë, sa rezerva nafte e gazi janë në gjendje sot në vendin tonë, pasi shteti e ka nxjerrë kompaninë në shitje me 100 për qind të aksioneve.
Për çfarë asetesh bëhet fjalë?
Duhet të vlerësoheshin rezervat dhe të bëhej transparent niveli i tyre. Pasi asnjë shtet në botë nuk i shet rezervat e nëntokës. Ne sot e kësaj dite nuk dimë se cila është vlera e aseteve. Vetëm rezervat e naftës janë rreth 30 milionë ton. Me një llogari të thjeshtë, kjo rezervë kushton jo më pak se 12-15 miliardë euro. Po të drejtat ekskluzive për tranzitimin e gazit dhe naftës…? Ne vetëm nga tranzitimi i naftës nga projekti AMBO kishim llogaritur 50 milionë euro fitim në vit për shtetin, pa llogaritur përfitime të tjera që janë të mëdha.. Në rastin e transmetimit të gazit nga gazsjellësi TAP, e gjithë taksa e tranzitimit do të përfitohet nga blerësi i Albpetrolit. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë transparencë në procesin e zhvillimit të tenderit. Nuk ka të dhëna për kompanitë që kanë marrë pjesë në garë. Edhe pse jemi në kulmin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit, mungojnë të dhëna për kompanitë që ofruan vlera të larta dhe nuk dihet asgjë për planin e biznesit që ato kanë ofruar. Për pasojë jam skeptik dhe mendoj se edhe ky privatizim është njësoj si privatizimi i ARMO-s. A mund të më thoni ju se, çfarë ka ndryshuar në uzinat e përpunimit të naftës në Ballsh dhe në Fier, pasi ARMO i zotëron të dyja këto uzina…? Mediat duhet të inspektojnë këtë privatizim dhe t’u thonë shqiptarëve si ishte para privatizimit dhe si është aktualisht. Ja cilësia e naftës dje, ja cilësia e naftës sot, ja investimet dje, ja investimet sot, ja kushtet e punës dje, ja kushtet e punës sot, ja pagat dje, ja pagat sot, ja sa fitonte shteti dje, ja sa fiton sot…
Qysh nga viti 2005, çmimi i metaleve është rritur ndjeshëm në tregun ndërkombëtar. Mirëpo shfrytëzimi i minierave në vendin tonë po bëhet primitivisht. A kishit ju një plan për zhvillimin e tyre kur drejtonit Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës?
Në lamë një strategji për zhvillimin e sektorit minerar në përfundim, por që nuk u mor në konsideratë nga qeveria që erdhi në pushtet. Në kohën kur ne dhamë disa koncesione me vështirësitë dhe interesin që kishte tregu, pasi çmimi ishte shumë i ulët, vetëm 60 dollarë për ton krom… nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2005 çmimet janë rritur shumëfish. Çmimet për kromin kanë kaluar edhe mbi 500 dollarë për ton. Kështu interesi për investime është shtuar, por nuk është përmirësuar asnjë koncesion, por kemi vetëm shumë vdekje punëtorësh si në rastin e Bulqizës. Është fatkeqësi për ata njerëz, pasi aty çdo gjë është prishur. Unë kam dijeni se ka shumë investitorë të huaj të interesuar për investime për industrinë e bakrit. Ka shumë investitorë seriozë turq dhe kanadezë, të cilët janë në gjyq me ministrinë përkatëse, që ka bllokuar procesin. Të tilla makinacione me gjyqe po zhvillohen për vendburimet e bakrit, si ai i Perlatit, Spaçit, Qafë-Barit etj., të cilat po bëhen jo për të zhvilluar këtë sektor, por për përfitime të padrejta dhe të jashtëligjshme, e këtu lulëzon përsëri korrupsioni qeveritar.
Qeveria aktuale ka dhënë më shumë se 300 leje dhe licenca për ndërtimin e HEC-ve të vogla. A patët ju një strategji për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë?
Në kohën kur unë kam drejtuar Ministrinë e Energjetikës nuk janë dhënë më shumë se 10 licenca për koncesione të HEC-ve, të tilla si Gjançi, Bogova dhe disa në zonën e Librazhdit që sot janë në punë. Po të jepen 300 licenca dhe të mos dihet kur do vihen në punë, kjo është e patolerueshme. Është bërë propagandë politike dhe fushatë me këto leje. Nuk janë investime, por shpërblime që u janë dhënë njerëzve afër pushtetit për përfitime ekonomike e politike. Fatkeqësisht, unë jam shumë pesimist për zhvillimet në sektorin e energjisë, të naftës dhe për zhvillimet ekonomike në tërësi, qofsha unë i gabuar dhe të mos ndodhë kështu siç u shpreha në këtë intervistë.
Gazeta Mapo, 19.09.2012
-
-
Dritan Prifti - CEZ, privatizim i dështuar"
Si shprehej z.Prifti lidhur me CEZ, në vitin 2009?
12 Nëntor 2009
Ministri Prifti reagon ndaj tryezës së PS-së për energjinë elektrike
Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 12 nëntor NOA - Ministri i Energjetikës Dritan Prifti ka reaguar lidhur me tryezën e energjisë që organizoi partia socialiste, e cila ka konsideruar të dështuar furnizimin me energji të vendit.
Prifti vlerësoi se z. Rama nuk ka informacion apo ekspertë pranë vetes për të marrë informacionin e duhur lidhur me këtë çështje, ndërkohë që për rritjen e çmimit të energjisë apo për uljen e tij, ministri u shpreh se do të jetë ERE, institucioni i pavarur që do të vendosë nëse do të rritet dhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike.
Sipas tij në buxhetin e shtetit për vitin 2010 janë parashikuar 2 miliardë lekë për të subvencionuar familjet në nevojë nga rritja e çmimit.
Prifti u shpreh se lidhur me proçesin e privatizimit të kompanisë OSSH ka qenë edhe vetë kritik më parë për shkak të mungesës së informacionit, por tashmë që ai zotëron të gjithë informacionin e nevojshëm, Z. Prifti e vlerëson këtë privatizim si më të suksesshmin të qeverisë Shqiptare.
Kompania çeke CEZ e cila bleu OSSH-në, është një kompani prestigjioze. Këtë kontratë privatizimi e kanë mbështetur edhe institucione ndërkombëtare si BB, qeveria amerikane nëpërmjet USAID dhe IFC:- theksoi ai.
Menaxhimi i mirë i kësaj kompanie, solli si rezultat uljen e humbjeve me rreth 3 % në rrjet, ndërkohë që është rritur ndjeshëm edhe vlera e arkëtimeve - vlerësoi z.Prifti.
Ministri sqaroi se CEZ ka kryer rreth 60 milionë euro investime në të gjithë vendin, investim ky që ka një pritshmëri tre vjeçare për kthimin e investimit, ndërkohë që ky privatizim përveç se ka bërë të mundur eliminimin e një shpenzimi shtetëror rreth 60 milionë euro, ka krijuar edhe një fitim vjetor afërsisht 30-40 milionë euro.
Gjithashtu importi i energjisë elektrike sot realizohet nga kompania CEZ, e cila importon rreth 2.5 milionë kWh energji elektrike në bazë të kontratës së nënshkruar për furnizimin e konsumatoreve shqiptare, si edhe deri në fund të vitit 2010 gjithë konsumatorët shqiptarë do të pajisen me matës.
r.l/e.l/NOA
http://www.lajme.gen.al/2009-11-12/ministri-prifti-reagon-ndaj-tryezes-se-ps-se-per-energjine-elektrike.html
Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 03-10-2012 më 06:49
-
-
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt