Vret tjetrin e të dashurën, sepse ajo flinte me një burrë tjetër, kur vetë kjo gruaja ishte e martuar. Pra, tre salçiçe, një pjeshkë, një kallash, dhe tre kufoma. Histori dashurie në fshatrat e Shqipërisë....
------
01 Tetor 2012 - 07:27 | Shqiperi
Vrasje 3-fishe për pasion, burri braktis trupin e bashkëshortes në morg
KORÇË - Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Podgorie në Korçë mbrëmjen e djeshme. Tre persona nga i njëjti fshat kanë mbetur të vrarë. Viktor Rrovani, 57 vjeç, ka vrarë me automatik të dashurën e tij, Elsa Çoçka, 40 vjeçe dhe personin që e shoqëronte atë, Floridon Bollguri, 40 vjeç. Mësohet se viktima Elsa Çoçka, nënë e dy fëmijëve, kishte lidhje dashurie me 2 personat njëherazi.
Telefonata
Uniformat blu të qytetit të Korçës janë njoftuar nga vetë autori i ngjarjes, 57-vjeçari Viktor Rrovani, për ngjarjen. "Jam Viktor Rrovani, hajdeni në Podgorie, kam vrarë 2 persona. Kam vrarë të dashurën time, Elsa Çoçka dhe dashnorin e saj, Floridon Bollguri, me të cilin më tradhtonte. I kam vrarë të dy, ndaj duhet të vini në vendin e ngjarjes", kanë qenë fjalët e autorit. Më pas, ai i ka shpjeguar policisë se si mund të vinin në vendin ku kishte ndodhur vrasja dhe ka mbyllur telefonin. Pas njoftimit policia ka pyetur në fshat për personat dhe ka shkuar në rrugën ku kishte ndodhur tragjedia, ku ka gjetur të vetëvrarë edhe 57-vjeçarin Viktor Rrovani.
Ngjarja
Ka qenë ora 19:30 e mbrëmjes së djeshme, kur 40-vjeçarja Çoçka ka dalë me Floridon Bollgurin, me taksinë e këtij të fundit me targa KO 514 A, në një rrugë dytësore të fshatit Podgorie, 100 metra nga aksi Podgorie-Pojan. Sipas dëshmive, Viktor Rrovani, autori i krimit, prej kohësh dyshonte se e dashura e tij e tradhtonte dhe ditën e ngjarjes ka qëndruar gjithë kohën në klubin e fshatit, ku mësohet edhe të ketë dëgjuar se e dashura e tij është larguar me Gurin. Menjëherë është nisur për në shtëpinë e tij po në fshatin Podgorie, ka marrë automatikun dhe i është drejtuar skarpateve të malit, ku kishin ndaluar 2 personat. Viktima Floridon Bollguri, në momentin e vdekjes ka qenë në timonin e automjetit, ndërsa gruaja në sediljen e pasme. Sipas rindërtimit të skenës së krimit, dyshohet që para vrasjes, 40-vjeçarja të ketë debatuar ashpër, madje edhe të ketë pasur përplasje fizike me Rrovanin, pasi në momentin e fundit ajo ka hapur derën e pasme të makinës. Më tej, Viktor Rrodhani ka shtënë me breshëri ndaj tyre dhe pastaj është vetëvrarë po me të njëjtën armë. Sipas dëshmive të marra në vendin e ngjarjes dhe burimeve nga Policia e Korçës, 2 viktimat e para, e frekuentonin rregullisht këtë vend për të kryer marrëdhënie.
Dëshmia
Në afërsi të vendit të ngjarjes, ishte një gurore; një nga punonjësit e saj, Agim Toçka, ka treguar për Gazetën se si e ka parë ngjarjen. "Pashë një burrë, ishte rreth të 50-ve, kishte një automatik dhe nxitonte në anësoren e rrugës. Dukej i rënduar emocionalisht, pasi shpeshherë këmba i shkiste në kanal, ndoshta ishte edhe i pirë, bërtiste dhe shante. E ndoqa me sy se ku do shkonte, sepse më bëri përshtypja sjellja e tij. Nga larg vura re që ai shkoi tek një "Benz" i bardhë, që ndodhej mes skarpateve të malit. Ajo që unë dëgjova ishte 'Më në fund të gjeta, tani mohoje tradhtinë' dhe më pas dëgjova një breshëri automatiku. Edhe unë njoftova policinë pak minuta më vonë, se për momentin u hutova nga të shtënat, por policia më tha se ishte njoftuar për ngjarjen", - ka thënë Toçka.
Burri nuk tërheq trupin nga morgu
Burri i Elsa Cockës nuk ka pranuar të tërheqë trupin në morg. Bashkëshorti i 40-vjecares që u vra dje me armë nga bashkëfshatari Viktor Rrovani tregon se gruaja e dhunonte sistematikisht.
Trupi i viktimës, nënë e 2 fëmijëve të mitur u tërhoq nga prindërit e saj.
(er.nu/News24/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt