Llesh Topallaj, si humbi jetën për të shpëtuar Zogun heroi i parë i gardës kombëtare
Shkruar nga Roland Qafoku, Etleva Delia
Pesëmbëdhjetë të shtëna armësh në orën 22:15, të 20 shkurtit të vitit 1931, në rrugën “Operangase”, prishën qetësinë e mbrëmjes në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Nuk ishte një ngjarje dokudo. I ishte bërë atentat mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogu. Vet Naltmadhnia i vendit të vogël ballkanik kishte shpëtuar mrekullisht, por adjutanti i tij Llesh Topallaj mbeti në vend i vrarë, ndërsa ministri i Oborrit Ekrem Libohova u plagos në këmbë. Përveç zallamahisë të krijuar në kryeqytet dhe alarmit deri në kupolën e shtetit austriak, vrasja e adjutantit Topallaj vërtetoi edhe një herë thënien e asaj kohe, se të ishte oficer shërbimi i rojës së Zogut qe njëlloj si të ishte roje nate në një uzinë baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptinin rrufe.
Këtë sentencë major Topallaj duket e dinte mjaft mirë derisa për të mbrojtur shefin e tij nga plumbat e atentatorëve, i doli përpara duke mbetur vet viktimë. Megjithatë, fiks 77 vjet më parë, Gjykata e Vjenës me një vendim të posaçëm në dhjetorin e vitit 1931, dënoi vetëm me shtatë vjet heqje lirie Ndok Gjeloshin dhe tre vjet Aziz Çamin, dy shqiptarët që organizuan atentatin më të bujshëm në Evropë të asaj kohe. Gazeta vjeneze “Neue Freie Press”, ditën tjetër deklaroi me të madhe se me këtë ngjarje ishte cënuar mikpritja austriake. Ajo dhe simotrat e saj “Wiener Tageblatt”, “Nachrichten”, por edhe shqiptarja “Vullneti i popullit”, na sjellin pas kaq kohësh kronikën e një prej ngjarjeve më të rënda. Ndërkohë, Llesh Topallaj, njeriu që mbeti i vrarë për të shpëtuar shefin e vet, është padyshim heroi i parë i Gardës së Republikës së Shqipërisë, por edhe një hero që me aktin e tij nuk ka një të dytë. Asnjë badigardi deri më sot nuk i ka ndodhur të jetë në këtë situatë dhe të pranojë eliminimin e vetes për të shpëtuar personalitetin që ka për detyrë ta ruajë.
Ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Austrinë
Duket se opera “Pagliacci” nuk duhet t’i ketë pëlqyer Ahmet Zogut sa “Aida” e Verdit, e ndjekur një ditë më parë në Teatrin e Vjenës. Vetëm 15 minuta përpara përfundimit të shfaqjes, mbreti la lozhën dhe u drejtua prej nga dalja anësore e godinës, e cila të nxirrte përpara teatrit. Por, qetësia e rrugës është këputur në mes, kur dy persona që kishin zënë pozicion pas një shtylle hapën zjarr me pistoletat që mbanin në duar në drejtim të Zogut. E vetmja mbrojtje që mund të bënte adjutanti Topallaj ishte mbrojtja e jetës së Zogut, duke vënë në përdorim trupin e tij. E duke i dalë përpara, dy plumba e marrin në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Ky ishte shërbimi i fundit që i bënte shefit të tij. Megjithatë, beteja vazhdonte. Nga tytat e mauzerëve të dy atentatorëve, vazhdonin të dilnin plumba dhe në të qind të sekondës ministri Libohova i kundërpërgjigjet. Por, ajo që ishte më kryesorja lidhjet me jetën e Zogut. Ai shpëtoi mrekullisht, por, adjutanti i tij vdiq, ndërsa Libohova mori dy plumba në këmbën e majtë. Sipas gazetës vjeneze “Neve Freie Press”, dy atentatorët ishin Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi, të arrestuar vetëm pak momente pas atentatit. Kapja e tyre u krye sa për aftësi të policisë së Vjenës, e aq të banorëve të thjeshtë të kryeqytetit. Kështu, e njëjta gazetë thekson se ka qenë Adolf Tresslet, shitësi i gazetave në fund të rrugës ku u krye atentati, njeriu që kapi Gjeloshin. Sapo pa që ai po vraponte me pistoletë në dorë shumë pranë tij, iu hodh përsipër duke e çarmatosur. Policisë nuk i mbeti shumë për të bërë pas këtij momenti. Gjeloshi është përcjellë në qeli nën shoqërinë e uniformave në pritje të shokut. Ndryshe ndodhi me kolegun Çami, i cili pati punë vetëm me policinë. Ai u kap gati në të njëjtën kohë pak metra më tutje, kur një postbllok i preu rrugën dhe duke i shtrënguar prangat pa një e pa dy në kyçet e duarve. Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje opinionit të Vjenës në ato momente, ishte fakti i dhënë nga gazeta “Neus Wiener Journal”. Sipas një shkrimi të botuar në të në 25 shkurt, thuhet se ishte tepër e habitshme qëndrimi i Zogut gjatë dhe pas atentatit. Ai as që mori mundimin të kundërsulmojë atentatorët. Madje, më pas është larguar mjaft i qetë dhe është futur sërish në godinën e Teatrit të Operas dhe pas dhjetë minutash ai ka shkuar në hotel “Imperial”. Shumë njerëz që kanë parë skenën, janë shprehur për gazetën në fjalë se sjellja e tij ishte e çuditshme. Por, çudia ishte vetëm për austriakët. Pasi shqiptarët e kishin shumë të freskët të njëjtin qëndrim të tij kur Beqir Valteri i bëri atentat në Parlament, dhe ai me plagë në trup kërkoi vazhdimin e seancës vetëm e vetëm që të mos shkaktonte bujë.
E gjithë policia e Vjenës në këmbë
Ngjarja e ndodhur në kryeqytetin austriak u cilësua si më të rëndat në Evropë. Jo vetëm policia, por edhe vetë drejtuesit e shtetit bënë të gjitha përpjekjet që të paktën pas këtij akti, drejtësia të vihej në vend. Vet zëvendëskancelari Schober, pas dy ditësh vizitoi Zogun në dhomën e tij në hotelin luksoz “Imperial”, duke i shprehur urimin që kishte shpëtuar dhe premtoi se drejtësia do të vepronte ashpër ndaj atentatorëve. Nga të dhënat e asaj kohe të botuara në të gjithë shtypin, rezulton se policia ka kryer një hetim gjeneral. Ai nuk u mjaftua vetëm me kapjen e dy atentatorëve dhe dënimin e tyre. Në sitën e policisë vjeneze kaloi gati çdo shqiptar që i kishte rënë që të jetonte në Austri qoftë edhe një ditë. Kjo solli që policia jo vetëm të kishte në dorë dy atentatorë, por të tregonte edhe qëllimin dhe organizmin e këtij atentati. Kështu, nga dita në ditë numri i të arrestuarve erdhi duke u rritur. Gazeta “Wiener Neuse Nachrihten” ka dhënë emrat e kësaj liste, ku përveç Aziz Çamit dhe Ndok Gjeloshit, në qeli kanë përfunduar edhe Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, Memnduh Angoni dhe Luigj Shkurti. Listës me nëntë emra, mund t’i shtohen edhe shumë të tjerë të cilëve pas kontrollit të dokumentacionit u dëbuan nga Shqipëria. Gjithçka lidhej me një urdhër të lëshuar ato ditë, kur qeveria urdhëroi largimin e të gjithë të arratisurve politikë nga Vjena.
Kush ishin dy atentatorët
Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi do të vazhdonin të ishin të panjohur në historinë e Shqipërisë dhe të Austrisë, nëse atë mbrëmje shkurti nuk do të kishin shkrehur armët ndaj Zogut. Emigrantë prej disa vitesh në Vjenë, të dy dikur kishin qenë oficerë xhandarmërie. Me të njëjtin vit datëlindjeje, 37-vjeçarët kanë realizuar kështu një atentat, që jo vetëm për kohën, i kalon përmasat e bujës në Shqipëri dhe në Austri. Gjeloshi vinte nga Shkodra dhe dikur kishte qenë në radhët e forcave të princ Vidit. Njihej si anëtar i Partisë Nacionaliste dhe antizogist ekstremist. Më vonë ai ishte inkuadruar edhe në strukturat e xhandarmërisë në qeverisjen e Nolit, por pas rrëzimit të saj kishte shkuar në Jugosllavi dhe ishte bërë anëtar i grupit “Bashkimi Kombëtar”. Ndryshe nga atentatori i parë, Aziz Çami kishte lindur në Filat të Greqisë dhe ishte me origjinë çame. Edhe e kaluara e tij lidhet me bindjet antizogiste duke qenë se ishte mbështetës i flaktë i Nolit. Anëtar i partisë së parë shqiptare, asaj Popullore, ai kishte arritur të merrte gradën Kapiten. Çuditërisht edhe Çami më pas kishte përfunduar në Beograd për t’u katapultuar më tej në Vjenë. Sipas gazetës “Wiener Tageblatt”, në deklarimet e tij Ndok Gjeloshi ka thënë se nuk e kishte projektuar vrasjen e Zogut, por se e kishte parë krejt rastësisht automobilin e tij dhe mendoi të kryente vrasjen. Ndërsa Aziz Çami jo vetëm që e pranoi organizimin e atentatit, por ka treguar edhe mënyrën e realizimit. “Unë e dija që Zogu do shkonte në Teatër, - ka thënë ai, - dhe kështu u përgatita. Më pas takova edhe Ndokën dhe vendosëm për ta qëlluar”. Të dy atentatorët deklaruan në sallën e gjyqit se arsyeja e atentatit ishte e madhe. “Zogu kishte tradhtuar popullin dhe kurrsesi nuk mund të qëndronte më në pushtet”, janë shprehur ata gati një zëri.
Të japësh jetën për mbretin
Të japësh jetën për të shpëtuar mbretin, duhet të ketë qenë motoja numër një në detyrën e adjutantit të Llesh Topallajt. I njohur si një nga njerëzit më besnikë të Naltmadhnisë, Topallaj kishte arritur të fitone besimin e padiskutueshëm të shefit të tij. Kjo i kishte dhënë frytet e veta në gradimin që mbreti i kishte bërë. Jo vetëm detyra e tij për ta shoqëruar atë në çdo hap, por edhe dhënia e gradës Major, ishin shpërblimet më të larta nga ana e Zogut. Besnikëria e tij u tregua më shumë se kurrë gjatë atentatit. Për të shpëtuar mbretin nga vdekja e sigurt, majori bëri të vetmin veprim: T’i shpëtonte jetën duke dalë përpara tij e duke marrë në trup plumbat që ishin drejtuar nga mbreti. Trupi i balsamosur i tij mbërriti në Durrës në 5 marsin e atij viti, i sjellë nga vapori Otranto. I gjithë shteti i bëri nderimet më të mëdha këtij njeriu, duke e cilësuar hero mbi heronjtë. Batare pushkësh e topash, flamur në gjysmë shtizë, por edhe dhënia e titullit “Dëshmor i Kombit”, ishin një mënyrë për të baraspeshuar shërbimin që ai i kishte bërë të parit të vendit. Kështu u mbyll jeta e këtij njeriu besnik, që më tepër se çdo obligim tjetër kishte ruajtjen e jetës së mbretit.
Arsyet e një atentati
Përse u krye atentati ndaj Ahmet Zogut? Përgjigjja e kësaj pyetjeje edhe sot që kanë kaluar 77 vjet, vazhdon t’i mungojë historiografisë shqiptare. Duket se më të saktat në këtë drejtim janë gazetat e asaj kohe në Austri. Kështu, gazetat austriake “Reichpost” dhe “Freihet” në shumë shkrime kanë shkruar se atentatorët ishin paguar prej Beogradit. Në disa shkrime rrjesht, theksohej se ata merrnin rrogë mujore nga një emigrant në Vjenë me emrin Angjelin Suma, i cili figuron në listën e të arrestuarve. Gjithnjë sipas këtyre dy gazetave, ata ishin parë nën shoqërinë e punonjësve të ambasadës jugosllave në Vjenë. Dhe fakti më tronditës ishte se si Çami dhe Gjeloshi dispononin pasaporta diplomatike jugosllave. Ndërkohë, gazeta “Wiener Neue Nachrichen” deklaronte me të madhe: “Këta njerëz që e quajnë veten luftëtarë të lirisë morën dënimin e merituar. Ka prova që një përfaqësues i huaj ka shpërdorur bujarinë e Austrisë. Duket e sigurt që Jugosllavia i ka mbajtur emigrantët aty dhe ishte e interesuar që atentati të shkonte mirë”.
Por, për organizimin e këtyre bandave për të krijuar destabilizim flet edhe gazeta “Reichspost”. Në një shkrim të saj informohej se alarmi për krijimin e bandave jugosllave kishte detyruar ambasadorin anglez t’ia parashtronte këtë qeverisë së Beogradit. Por, edhe gazeta shqiptare “Vullneti i popullit” në një shkrim të saj ka deklaruar se dy atentatorët janë shtyrë prej qarqeve jugosllave që kërkonin eliminimin e Naltmadhnisë. Qëllimi i tyre, sipas gazetës, ishte destabilizimi i mbretërisë shqiptare dhe në pushtet të hipnin përkrahësit e saj. Ndërsa në gazetën “Neue Freie Presse” Ahmet Zogu e shfaqi hapur mendimin e tij teksa tha se, “u kërkojmë fqinjëve të respektojnë intergritetin e popullit shqiptar. Të gjitha këtyre deklarimeve, supozimeve dhe hamendjeve të bazuara apo jo, ua vuri vulën zhvillimi i gjyqit. Kur nga hetimet e policisë kishte rezultuar se familjet e Çamit dhe Gjeloshit ishin të varfra, avokatët e tyre Pressburger dhe Frischauer ishin më të njohurit në Austri, që natyrisht ishin paguar me miliona. Atëherë nga i gjetën paratë dy shqiptarët e varfër që donin të vrisnin mbretin?
Ky shkrim është botuar për herë të parë në gazetën “Koha Jonë”, në shkurt të vitit 2001
Emri: Llesh
Mbiemri: Topallaj
Grada: Major
Detyra: Adjutant (truprojë) i mbretit Ahmet Zogu
Vrarë: Më 20 shkurt 1931
Vendi: Vjenë, Austri
Autorë të dënuar: Ndok Gjeloshi, Aziz Çami
I shpallur: Hero i parë i Gardës Mbretnore (Gardës së Republikës)
Të dhënat e atentatit
Ngjarja: 20 shkurt 1931, ora 22:15.
Vendi: Rruga “Operngase”, përpara Theatrit të Operas, Vjenë, Austri
I drejtuar ndaj: Mbretit Ahmet Zogu, ministrit të Oborrit Ekrem Libohova, adjutantit Llesh Topallaj
Pasojat: Vritet adjutanti Topallaj dhe plagoset ministri Ekrem Libohova
Atentatorët: Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi
Të arrestuar: Aziz Çami, Ndok Gjeloshi, Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, Memnduh Angoni, Luigj Shkurti
Dënimi: Dhjetor 1931, Ndok Gjeloshi 7 vjet burg dhe Aziz Çami 3 vjet burg
Gjyqi, dënime shumë të lehta
Jo vetëm gazetat shqiptare të asaj kohe, por edhe ato të huaja dhe tërë opinioni e kanë cilësuar dënimin me 7 dhe tre vjet të atentatorëve shumë të lehtë. I përfunduar në nëntor të vitit 1931, pra pas nëntë muajsh hetim, procesi i shkarkoi të gjitha bateritë vetëm tek dy atentatorët. Asnjë prej personave që u arrestua nga policia nuk u dënua. Kjo edhe për faj të provave, por edhe për aftësinë e dy avokatëve. Pas pretencës së prokurorit Walt Peither, kryetari i trupit gjykues Notha Cksberger vendosi dënim me punë të rëndë.
Personalitetet e huaja që siguroi Garda
Të pakta janë institucionet e shtetit shqiptar që i afrohen një shekulli jetë. E para është Pavarësia dhe ndër të parët themelimi i Gardës së Republikës së Shqipërisë. Pikërisht më 24 qershor të vitit 1928, u krijua Garda Mretnore e Shqipërisë, që në vitin 1945 u quajt Batalioni Special i Shtabit të Përgjithshëm dhe në shkurt të vitit 1947 mori emrin Garda e Republikës së Shqipërisë, si strukturë përbërëse e Forcave të Armatosura. Shteti i parë shqiptar ngriti një institucion aq simbolik, por aq të domosdoshëm për kushtet e kohës. Që në vitet e mbretërisë pati një konsolidim gati të pabesueshëm, në vitet e komunizmit u përforcua, por i shërbeu sistemit, dhe pas viteve '90 Garda u modernizua dhe u kthye në një shërbim model. Ka luajtur një rol vendimtar në ruajtjen e personaliteteve të huaja që kanë vizituar vendin tonë, duke siguruar jetën e tyre, që nisin që nga presidenti amerikan, Bush; presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi; sekretari i Shtetit, Colin Pavvell; presidenti kroat, Stipe Mesië; kryeministrin çek, Mikel Topolanek, të Kuvajtit, etj.
Misioni
Garda e Republikës është një strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Brendshme. Misioni i saj është ruajtja dhe mbrojtja e personaliteteve të lartë shtetërorë të vendit dhe të huaj dhe të selive e rezidencave ku personalitetet zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Misioni dhe statusi i Gardës nuk ndryshon, ai është i njëjtë në gjendje të zakonshme apo në gjendje lufte.
Detyrat e Gardës
Për realizimin e misionit Garda e Republikës, me strukturat e saj operuese dhe mbështetëse ka edhe detyrat përkatëse. Një detyrë e veçantë është ruajtja dhe mbrojtja e personaliteteve të larta të shtetit si, të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, kudo që zhvillojnë veprimtarinë dhe aktivitetin e tyre në vend, si dhe duke koordinuar me shërbimet homologe të vendeve të huaja për sigurimin e tyre jashtë vendit. Gjithashtu ka për detyrë ruajtjen dhe mbrojtjen e selive, rezidencave dhe banesave të personaliteteve të lartë shtetërore. Ruajtjen dhe mbrojtjen fizike të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokurorit të Përgjithshëm, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ministrave, Drejtorit të SHISH-it, kryetarit të partisë më të madhe opozitare të Parlamentit, si dhe të ish-presidentit të Republikës, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të Kuvendit, etj. Ka për detyrë ruajtjen dhe sigurinë fizike të personaliteteve të huaja të të njëjtit nivel me PLSH-të e vendit, kudo që zhvillojnë veprimtaritë dhe aktivitetet e tyre në vendin tonë. Sigurimin e rrugëkalimeve me qëllim, rritjen e masave të sigurisë gjatë lëvizjes së personaliteteve të lartë të shtetit. Bashkëvepron dhe koordinon me strukturat e Policisë së Shtetit, SHISH dhe institucioneve të tjera shtetërore, për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve gjatë veprimtarisë së tyre në vend. Gjithashtu ka për detyrë kryerjen e shërbimit ceremonial me Truprojë Nderi, sipas përcaktimit të Protokollit të Shtetit.
¨ Garda e Republikës është një strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Brendshme.
¨ Garda i ka rrënjët në historinë e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar që në fillimet e krijimit të tij.
¨ Më 24 qershor të vitit 1928 u krijua Garda Mbretërore e Shqipërisë.
¨ Në vitin 1945 mori emrin Batalioni Special i Shtabit të Përgjithshëm dhe në shkurt të vitit 1947 mori emrin Garda e Republikës së Shqipërisë, si strukturë përbërëse e Forcave të Armatosura.
¨ Në vitin 1951, Garda e Republikës, që deri në këtë vit ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
¨ Pas vitit 1990 Garda pësoi ndryshime në strukturë dhe organizim, u bënë përmirësime në mision dhe detyra të saj.
¨ Vitet 1992-1993, janë vite të një ndryshimi në organizimin dhe varësinë e strukturave që kryenin shërbime për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore të vendit dhe të huaj.
Gazeta TiranaObserver
Krijoni Kontakt