Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Kujtimet e Léon Rey: Si i zbulova skulpturat dhe objektet e tjera antike në Apoloninë

    Kujtimet e Léon Rey: Si i zbulova skulpturat dhe objektet e tjera antike në Apoloninë e Ilirisë

    Gazeta “Tirana Observer boton sot një fragment nga libri “Hyjnitë kishin të drejtë” – Botim i shtëpisë botuese “Dituria”, 2013, përkthyer nga frëngjishtja nga Luan Rama. Janë kujtimet e arkeologut francez Léon Rey, i cili gjatë 16 vjetëve rresht, nga viti 1923 e deri në vitin 1939 bëri gërmimet dhe zbuloi një mori skulpturash e objektesh të tjera antike në Apoloninë e Ilirisë.

    Një zbulim

    Kur po kalonte korridorin, sandalet e saj kërcisnin mbi mermer me një zhurmë të thatë, gjersa ajo ndaloi dhe trokiti në portën e zyrës së konsullatës së Francës në Durrës, ku po qëndroja i ulur.
    - Hyni!- thirri konsulli, miku im.
    Porta u hap ngadalë, si të ishte shtyrë nga një vizitor që hezitonte të hynte. Më së fundi u duk Tonia, një grua që dukej rreth të pesëdhjetave. Mbante një shami me ngjyra, të lidhur në kokë, një këmishë blu dhe në vend të fustanit, një palë pantallona të zeza e të fryra prej pambuku, të shtrënguara te kaviljet. Kishte një fytyrë ezmere me ca gjurmë që me sa dukej duhej t’ia kishte lënë variola. Në rini duhej të kishte qenë simpatike dhe sytë e saj të mëdhenj e të zinj ishin gjithnjë të bukur.
    - Po hyrë Tonia, hyrë! Padroni yt i ri ja ku është, mos ki frikë.
    Ajo ishte zbathur, pasi i kishte hequr sandalet dhe i kishte lënë te porta.
    - Tonia flet pak frëngjisht, gjermanisht dhe italisht,- vazhdoi miku im.- Është e ndershme dhe e sjellshme. Prej shumë kohësh e kam patur në shërbim në shtëpinë time dhe gjithnjë ka qenë e përsosur. Pse të mos jetë kështu dhe me ju? Apo jo Tonia?…
    Duke vendosur dorën në ballë e mbi gjoks, cigania mërmëriti disa fjalë në shqip që donin të thoshte: “Jam e tëra në urdhrat tuaja”, apo diçka e përafërt që ajo e përsëriti, kur unë i caktova si rrogë një “napoleon” në muaj, çka ishte një pagesë e mirë. I thashë se do duhej të vinte çdo mëngjes, ndërkohë që unë ende nuk e kisha fiksuar se kur do ta lija Durrësin për të shkuar në Apoloni.
    Pas ekspeditës së parë, dimrin e kalova në Paris, duke kërkuar në biblioteka maksimumin e dokumentacionit që kishte të bënte me historinë e Apolonisë. Por në fakt dokumentacioni ishte i pakët dhe kjo mungesë informacioni e kishte ngacmuar akoma më shumë dëshirën time për të zbuluar të fshehtat e qytezës antike. Në Francë kisha blerë tri çadra të mëdha dhe materiale të rëndësishme për të krijuar kampingun tonë si dhe pajisje të tjera që do më vinin më pas përmes rrugës detare. Këto bagazhe erdhën në fakt dy apo tri javë pasi e kisha marrë Tonian në shërbimin tonë.
    Në këtë periudhë, Shqipëria ishte një vend që nuk ishte transformuar ende nga kohët moderne dhe transportet e rënda bëheshin ende me buaj. Distanca mes Durrësit e Apolonisë, ishte afërsisht tetëdhjetë kilometra, pra do të duheshin katër ditë rrugë. Tonia më kërkoi t’i blija duhan, pasi ajo e pinte gjithë ditën, si dhe bukë e djathë, çka ishte ushqimi i saj i përditshëm. Ajo më tha se nëse do të kisha nevojë për një kryepunëtor, ajo njihte një mysliman të moshuar që quhej Ibrahim, të cilit mund t’i besoja. Dhe unë e angazhova menjëherë.
    Një mëngjes, me karvanin e tyre plot zhurmë, ata lanë Durrësin. Para buajve ecte një djalosh i ri që u printe rrugën. Bagazhet dhe materialet e tjera ishin ngjeshur mbi qerre, mbi të cilën në krye ishte ulur Ibrahimi, i mbuluar nga një çadër e madhe dielli me ngjyrë të kuqe, bashkë me Tonian, që e shtrirë pas tij pinte një cigare. Në mesditë, ata u ndalën të pushonin pranë një burimi apo lumi e po kështu dhe gjatë natës, ku Ibrahimi kërkonte të bënte lutjet e tij, ndërkohë që Tonia flinte duke ëndërruar ndoshta për kohën kur në rininë e saj, ajo kërcente në tingujt e dajres në ndonjë kafene të varfër.
    Meqë në Shqipëri s’kishte udhë treni, m’u desh të merrja linjën ajrore që sapo kishte filluar dhe kështu munda t’i arrij miqtë e mi me një avion një motorësh prej katër vendesh. Tonian e gjeta në oborrin e manastirit, pranë pusit të vjetër tek pinte cigaren e saj, ulur në gjunjë, nën hije, ndërkohë që Ibrahimi përgjumej nën harkun e gurtë të hajatit. Nën nxehtësinë mbytëse, gëmushat e fierit shpërndanin një aromë të ëmbël e të hidhur dhe veç ca gurgullima pëllumbash e prishnin qetësinë e thellë të atij vendi. Na u desh një punë e vazhdueshme dhe e lodhshme për të ngritur çadrat dhe për t’i çuar materialet deri në majë të kodrinës, pesë minuta larg manastirit. Atje lart kisha gjetur një lloj sheshi të rrethuar nga një qiparis i lartë dhe hijet e ullinjve të vjetër. Që andej, pamja shtrihej drejt veriut dhe vija që shkëlqente tutje në horizont ishte vetë deti. Nga jugu, para nesh hapej lugina e bleruar dhe idilike e Kryegjatës dhe më afër, nën majën e kodrinës, midis degëve shquhej kupola bizantine e kishës. Vendi më dukej aq i mirë për vendosjen tonë atje saqë nuk i mora parasysh fjalët e priftit të moshuar që e shikonte atë vend me rrezik, pasi ishte larg manastirit.
    Tri çadrat u ngritën: e para për mua dhe dy të tjerat, për shërbimin dhe vendosjen e materialeve, por kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse duhej ndërtuar dhe një lloj kasolle me mure balte dhe çati kashte për kuzhinën, ku do të vendoseshin Tonia e ndihmësi i saj. Për transportimin e ujit kisha blerë një gomar, i cili na furnizonte dy-tri herë në ditë, apo dhe më shumë dhe gjithçka shkonte për mrekulli. Veç të tjerave u kisha shpërndarë lopata e kazma nja njëzet punëtorëve ditorë që i kisha angazhuar shumë lehtë dhe aty-këtu, nën drejtimin e Ibrahimit ne bëmë sondazhet e para, ndërkohë që Ibrahimi, duke mbajtur gjithnjë çadrën e diellit, përkulej mbi gropat e hapura, me detyrën që të më njoftonte për çdo objekt që do të zbulohej dhe njëkohësisht të kontrollonte me imtësi dheun e hequr. Dhe këtë ai e bënte me ndërgjegje. Ditën e parë të kërkimeve tona, ndërkohë që e kisha lënë kantierin për pak çaste, e pashë atë të vinte drejt çadrave tona duke vrapuar aq shpejt sa kishte mbetur pa frymë.
    - Ç’ka ndodhur?- e pyeta.
    - Padron! Padron! Ka ar! Ka ar!- thërriste ai.
    - Si the? Ar? Vërtet keni gjetur ar?
    - Po… ar padron, por jo shumë.
    - Pa hë ma trego!
    Ai mbylli çadrën e diellit, kërkoi në xhepat e tij dhe më dha një copë metali të verdhë, i cili nga një anë ishte i sheshtë dhe nga ana tjetër në formë konvekse.
    - A je i sigurt që është ar?
    - Sigurisht që është ar, padron. Madje e gërvishta me thikën time.
    Në fakt ishte një kopsë bakri që vinte nga uniforma e ndonjë ushtari të luftës së fundit që ishte zhvilluar atje.
    E mbajta të qeshurën dhe duke e lënë në iluzionet e tij për këtë zbulim kaq të madh e dërgova sërish në vendin e tij të punës. Por sapo ai ktheu rrugën, kopsën e hodha drejt gëmushave.
    Zbulimet e mia të para ishin zhgënjyese, pasi në dy tri vende, gurët e sheshtë që dukeshin në sipërfaqe ishin veçse ajo çfarë kishte mbetur nga dyshemeja e gurtë e ndërtesave të vjetra, gurët e të cilave ishin shpërndarë dhe vetëm disa tulla të thjeshta e copëza qeramike të periudhës romake dolën në dritë. Fillova të dyshoj për shansin tim dhe të humbas shpresën për të zbuluar të fshehtat e qytezës antike, kur papritur, një ngjarje e rastit më nxori nga ajo gjendje dëshpëruese ku po bija nga dita në ditë. Pasi ndërtova vendin ku do të vendoseshim, të cilën unë e quaj “Vendi i Shenjtë” i Apolonisë, Petro, biri i priftit të moçëm, nuk vonoi të kthehej. Ndërkohë ishte bërë prift. Në pritje që ta çonin për të shërbyer në ndonjë nga fshatrat aty rrotull, ai e kalonte kohën duke bredhur nëpër manastir apo duke gjuajtur lepuj, të cilët gjenin strehë në pyjet e vegjël të kodrinës apo në fushat me misër që vazhdonin përgjatë kishës së Pojanit. Një mëngjes isha ende në shtrat duke medituar për “Magna urb et gravis”, siç e cilësonte Apoloninë Ciceroni në një nga fjalimet e tij, kur Tonia hyri papritmas në çadrën time, duke më thënë se Petro më priste jashtë sa më parë. Shpejt u vesha dhe e gjeta atë të ulur në këmbët e qiparisit, me pushkën midis këmbëve.
    - Mirëdita Petro. Ke vrarë gjë sot në mëngjes?
    - Jo zotëri, por më shpëtoi një dhelpër. Doja ta tërhiqja por m’u zhduk papritur në një vrimë. Duhet të vini me mua, pasi kam diçka për t’ju treguar.
    - Mirë Petro, shkojmë!
    Duke kaluar nga manastiri, ku ai la pushkën, Petro mori një shat dhe një lopatë. Ecëm gjatë çerek ore, kohë gjatë së cilës ai u përpoq më kot të më shpjegonte arsyet se përse po shkonim. Arritëm në këmbët e një skarpati tepër të ashpër. Shumë i vendosur dhe duke hapur rrugën, ai ecte përpara duke larguar degët dhe pasi ndaloi më tha:
    - Kjo është!
    Duke lënë shatin dhe duke marrë lopatën, ai largoi fierin që ishte shumë i lartë dhe duke u ulur në gjunjë hapi dheun me duar rrotull një vrime rreth gjashtëdhjetë centimetra, e qarkuar nga katër gurë katrorë të ruajtur mirë.
    - Është strofka e një dhelpre,- më tha ai.- Vështroje vetë!
    E vëzhgova vendin me vëmendje dhe arrita në konkluzionin se ishte streha e një kafshe dhe se duhej të ishte gjithashtu një kanal për largimin e ujërave të ndërtesave të vjetra: pra një llagëm. Në fakt, hyrja gjendej në një pjerrësi prej dy metrash, nën cepin e një platforme prej gjashtëdhjetë metrash të gjerë dhe dyqind të gjatë.
    - Petro, a ke një thikë?- e pyeta.
    Një shqiptar, edhe po qe se është prift, e ka gjithnjë një thikë në xhepin e tij. Këtë do?
    - Po Petro, kjo është shumë e mirë.
    Duke marrë atë teh të gjatë, e futa thellë në llagëm pa ndjerë as rezistencën më të vogël.
    - Tani jam i bindur se kemi të bëjmë me një kanalizim. Thuaj Ibrahimit të vijë shpejt bashkë me punëtorët që ka.
    Mora pesë punëtorë të pajisur me kazma dhe u kërkova që të gërmonin një transhe, duke ndjekur linjën që u kisha bërë me shkop. Ata punuan gjithë pasditen dhe në fund të ditës, në thellësitë e dy metrave zbuluan një radhë gurësh të sheshtë që mbulonin kanalizimin. Në një mënyrë apo në tjetrën, duke parë rëndësinë e tij, ky kanalizim që sapo u zbulua, duhej të të çonte patjetër drejt ndonjë ndërtese. Ditët e mëpasshme gërmimet vazhduan dhe siç kisha parashikuar, ajo na çoi në një dysheme të gurtë përtej së cilës ne gjetëm në të njëjtën thellësi një kamare të madhe me një hark të lartë prej tri metrash e po aq të gjerë, duke nisur nga niveli fillestar i poshtëm.
    Një zbulim i tillë më kishte ngacmuar së tepërmi, por mjerisht buxheti që më ishte caktuar nga Institut de France ishte harxhuar tashmë dhe më duhej të prisja vitin tjetër që të vazhdoja kërkimet.
    Kur u ktheva në Paris shkova të takoj profesor Pottier, një arkeolog me famë të madhe, i cili më la të kuptoja se Instituti mund të më ndihmonte akoma për vazhdimin e kërkimeve në sitin e Apolonisë me kusht që t’u referoja atyre mbi rezultatet e kërkimeve të fundit.
    Anëtarët e Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letërsisë mblidhen çdo të premte në orën tre pasdite dhe ne fiksuam një datë për konferencën time, por unë i thashë profesorit se për momentin, zbulimet e mia ishin relativisht modeste. Ai më vështroi me një pamje të qeshur, duke thënë: “S’ka rëndësi se çdo të thoni atje. Sido që të jetë, ata do të jenë të interesuar për Shqipërinë, pasi ajo është e panjohur për shumë prej tyre, madje shumica as kanë dëgjuar për të”.
    Atëherë, me ndihmën e një specialisti, retushova dhe zmadhova disa nga fotografitë që kisha bërë. Një nga miqtë e mi arkitektë, më bëri planin e sitit të Apolonisë, sipas një plani të bërë gjatë Luftës së Parë Botërore nga një ushtarak austriak, si dhe nisur nga vizatimet e mia. Në një shkallë të zvogëluar dhe në mënyrë të veçantë ai vizatoi shtrirjen e kanalizimit dhe të kamares me hark. Sa për mua, unë i shtypa nja njëzet faqe daktilografike me konkluzione optimiste që parashikonin një të ardhme të frytshme për më vonë.
    Në prag të konferencës, ambasadori i Francës në Shqipëri, i cili ishte me leje në Paris, më ftoi në restorantin “Chez Prunier”, ku ne u gjendëm rreth një pjatance me guaska “huitres” dhe guaska të tjera. Meqë ai e njihte prej kohësh padronin e restorantit, i kërkoi një shishe të mirë vere “Macon”. Në këtë kohë qeveria shqiptare i kishte marrë një hua shumë të madhe në të holla Italisë dhe marrëdhëniet midis mbretit Zog, Musolinit dhe kontit Çiano nuk shkonin aq mirë. Miku im, që gjatë bisedës politike fliste pak si shumë, i ngacmuar dhe nga vera, dukej tepër i lënduar nga qëndrimi i vëllezërve tanë latinë ndaj Shqipërisë. Biseda vazhdonte e shtruar, kur i habitur vura re se më kishin mbetur dhe vetëm 20 minuta për të referuar për konferencën time në Institut de France, i cili gjendej në Quais Malaquais. Dola me nxitim dhe duke kapur një taksi nxitova me shpresë se do të arrija në kohë. Por meqë kisha pirë verë dhe po ëndërroja për Apoloninë, çantën me dokumentet për Apoloninë i harrova në taksi. Vrapova menjëherë që ta arrij, por pikërisht në çastin që po i afrohesha, taksisti mori një grua në makinë dhe iku. Po pyesja veten se çdo të bëja tani, kur aty pranë pashë një kafene ku ishte shkruar: “Sandviçë në çdo kohë. Verë dhe likere. Telefon”. Kjo fjalë e fundit m’u duk si një “gomë shpëtimi”. I telefonova sekretares së Institutit, të cilën pata fat ta gjeja menjëherë dhe i thashë se jam në shtrat nga një krizë e menjëhershme e malaries, nga e cila isha prekur në Shqipëri.
    - Mos u shqetësoni,- m’u përgjigj ajo.- Nuk ka problem. Referimin tuaj do ta shtyjmë për më vonë.
    Dhe konferenca u zhvillua të premten e mëpasshme, por kësaj radhe pa pirë verë “Macon”. Sëmundja ime “diplomatike” bëri që me një ndjesi simpatie, anëtarët e Akademisë të dëgjonin me vëmendje, përveç disave që filluan të flenë që në fillim, për t’u zgjuar në fund të saj. Edhe pse ishte një konferencë e hapur për vizitorët, në sallë ishin veçse anëtarët e shquar të Akademisë dhe disa gazetarë.
    Kur mbarova referimin tim, kryetari i seancës ia dha fjalën profesorit Pottier, i cili më falënderoi me ngrohtësi, duke nënvizuar se edhe pse me vështirësi, kërkimet e para dhe zbulimi i kanalizimeve dhe i kamares, në sajë të një gjykimi të mprehtë, linin të parashikoje në të ardhmen, zbulimin e monumenteve të rëndësishme.
    Në konferencë fola me modesti, duke menduar njëkohësisht dhe për historinë e dhelprës. Disa ditë më vonë, zyra e Institutit miratoi disa mijëra franga të nevojshme për vazhdimin e punimeve të mia.

    Fragment nga libri “Hyjnitë kishin të drejtë”

    Kush ishte arkeologu Léon Rey

    Figura e arkeologut Léon Rey është dhënë gjerësisht nga Luan Rama jo vetëm në shkrimet e shumta gjatë këtyre dhjetë vjetëve por dhe në librin kushtuar Léon Rey të titulluar “Léon Rey – dhe gurët filluan të flasin”, një libër biografik por dhe mbi veprimtarinë e tij si arkeolog. Po kështu në Paris është botuar dhe libri tjetër në frëngjisht, kushtuar Léon Rey me titull “Léon Rey à la découverte d’Apollonie” (Léon Rey në zbulimin e Apolonisë”, i cili ka gjetur një interes të veçantë në lexuesin francez, veçanërisht ai shkencor.

    Duke e pyetur Luan Ramën se cilat janë disa nga zbulimet interesante të Léon Rey në Shqipëri, midis të tjerash ai thotë: “Zbulimet e Rey-t janë të shumta. Por le të ndalemi në vitin 1927, ku ai relaton në revistën e tij ALBANIA: 1926-1927. Vitet 1926-1927, ishin vite të mbara për misionin arkeologjik francez. Një numër i madh skulpturash u zbuluan në kamaren pranë portikut: statuja të larta, koka në mermer të bardhë, figura grash të veshura me tunikë, etj. “Gërmimet e viteve 1926 dhe 1927, – shkruan Rey në Albania nr.3, – nxorrën në dritë statuja të tjera si Djaloshi i veshur me toge, Vajza në këmbë, statuja e një gruaje, Gruaja në këmbë veshur me pelerinë dhe tunik, Kokë burri me mjekër e mustaqe, etj.” Ishin ditët e mesit të gushtit të vitit 1926, kur në mesin e vapës së madhe, Rey ndodhej mes punëtorëve shqiptarë në kamaren nr.8, ndërkohë që dikush njoftoi për një masë të madhe mermeri. Shpejt dheu u largua dhe Rey zbuloi se ishte një statujë e një gruaje, me dorën e djathtë të gjymtuar. Por statuja nuk kishte kokë dhe ai shpresoi se ndoshta duhej të ishte diku rrotull, e shkëputur mesa dukej gjatë shembjes së saj. Nga veshja e saj, kjo skulpturë i dukej e njohur, pasi figura të këtij stili skulpturimi ai kishte parë në muzeun e Vatikanit, apo siç shkruante më pas, dhe në muzeumin e Napolit, në muzeun Kombëtar të Athinës, në muzeun e Dresde-s si dhe në Louvre. Ndërkohë Rey fotografon. Madje i pëlqen të fotografojë punëtorët, duke nxjerrë dhe tërhequr statujën. Por pak kohë më pas, një kokë tjetër u zbulua, të cilën ai e quajti Kokë gruaje me flokë të kreshpëruara. Portreti ishte punuar në mermer të bardhë: kishte sy bajame, hundë të drejtë dhe në majë të thyer, kokën të përkulur pak lehtë nga e djathta. Pas pak dhe një kokë tjetër u shfaq: koka e një burri. Sigurisht, trupi i kësaj koke duhej të ishte diku aty pranë. Por ku?… Përpiqem të imagjinoj gëzimin e veçantë të arkeologut francez, kur ndërkohë, në mbrëmje, ka perënduar. Punëtorët janë larguar dhe Rey kthehet në tendën e tij. Është i gëzuar. Shpreson të gjejë statuja të tjera në vendin e portikut. Dhe jo më kot, pasi e nesërmja do të sjellë të reja nga nëntoka e lashtë. Në 17 gusht, kërkimet vazhdojnë në të njëjtin vend. Rey është si në ethe. Ai e parandjen se të tjera statuja duhet të jenë në atë zonë. Dhe ja, pas dy orësh, shfaqet cepi i mermertë i një mase të madhe. Është pjesa e një veshje, pra një statuje. Dhe vërtet, shpejt, para tyre shfaqet statuja e madhe e një djaloshi të ri, në një gjatësi prej 2 metrash. I skalitur në mermer të bardhë, djaloshi është veshur me një “toge” dhe duket se mban në duar një volumen. Fytyra e tij është ovale, flokët i ka të shkurtra, por i mungon gjysma e krahut të djathtë dhe hunda ndërkohë i është thyer, siç duket nga shembja. Rey u tha punëtorëve ta tërhiqnin me kujdes dhe ta transportonin në oborrin e manastirit. Nuk ngopej duke e parë. Skulptura ishte vërtet e mahnitshme. Dhe ashtu u bë. Skulptura u çua në oborrin e manastirit dhe u ngrit në këmbë bashkë me bazamentin e tij të trashë. Ashtu, në mes të ullinjve, pamja ishte akoma më bukur. Ishte e epokës augustiniane. Në buzëmbrëmje, para tendës së tij, Rey shkruante në fletoret e tij të punës: Megjithë vapën e madhe, punëtorët punonin në mënyrë energjike dhe pak nga pak toka po i nxirrte sekretet e veta. Papritur, nën kazmën e një punëtori që hapte tarracat, shpejt u zbulua fragmenti i një mermeri. Presim pak dhe ja ku u duk pala e një veshje. Statuja e madhe është atje, e shtrirë në ije, në të njëjtin pozicion siç ka rënë gjatë tërmetit që ka shkatërruar ndërtesën…”. Dhe më poshtë ai vazhdon shënimet e tij të po asaj dite, të shkruajtura atë natë aq të lumtur për zbulimet e mëdha: “Një punëtor përkulet mbi të dhe e çliron nga dheu që e ka fiksuar në tokë. Statujën mezi e nxorëm nga fundi i transhesë. Peshon disa qindra kilogram. Me shumë përkujdesje ne e vendosëm atë mbi një qerre me buaj. Kur e çuam në majë të kodrinës, ajo duhej vendosur në tokë. Atje, ajo do të jetë mirë, nën ullinjtë, ku tendat tona janë fare pranë dhe ku ne mund ta gëzojmë gjer në fundin e qëndrimit tonë… E ngrejmë dhe e vendosim në bazamentin e vet. Në këmbë, statuja e këtij njeriu vështron fushat, lisat dhe pemët e të gjitha llojeve që dendësohen atje ku dikur ngriheshin ndërtesat e bardha të Apollonisë. Shumë vizitorë të dashur kanë ardhur ta shikojnë. Ai është i veshur me një petk me pala të komplikuara hedhur sipër trupit, të krijuar me aq art dhe përpikmëri. Në dorën e majtë mban një libër, ose më mirë një parshemin të rrotulluar, një «volumen»… Kush është ky i panjohur, qëndrimi i të cilit është njëherësh i paqtë dhe impozant? Meqë nuk ka një epitaf, ne s’mund t’i atribuojmë atij ndonjë emër. Pamja e flokëve, qëndrimi, veshja, na çojnë në shekullin e I-rë të erës sonë të epokës së Augustit. Edhe e parë nga shpina, statuja është e bukur. Artisti s’ka neglizhuar asgjë për t’i dhënë kësaj vepre artistike ngjashmërinë e jetës. Gjurmë të dukshme boje duken në flokët e tij, çka na provon se mermeri ka qënë i lyer. Në gjuhën e arkeologëve, pala e madhe e veshjes në shpinë quhet “la cinia”. Pikërisht tek ajo palë në shpinë, klientët e perandorit Claude, i cili ishte një njeri shumë… e pengonin atë të largohej nga “prétoire”, duke e tërhequr nga pala pas shpine, në mënyrë që të ulej përsëri në stolin e tij, kur ata kishin ende nevojë për të.” Në vitin 1938, Rey kishte përfunduar pastrimet dhe kërkimet në qendrën monumentale të qytezës antike dhe vazhdonte tashmë në zbulimin e rrugës që kalonte midis Odeonit dhe monumentit të Agonoteteve. Diku më tutje, në lindje të Odeonit, kishin filluar dhe punimet për zbulimin e murit të temenos. Nisma ishte tepër interesante dhe premtonte për zbulime të reja për të konfiguruar gjithnjë e më mirë urbanizmin e këtij qyteti antik. Rey nuk mund ta mendonte se numri 6 i revistës që ai kishte në duar, do të ishte numri i fundit. Në qëndër të këtij numri ai kishte vendosur vëzhgimet e Misionit Arkeologjik Francez dhe studimet e tij lidhur me Odeonin dhe Sanktuarin. Materiali padyshim ishte i veçantë… ”Odeoni i zbuluar në vitin 1932, – shkruante ai, – u pastrua vitin e mëpasëm. Megjithatë muri tutje, cepi verior i murit anësor dhe dy shkallët e fundit, janë pjesërisht të mbuluara nga dheu…”. Tashmë ishte shtuar dhe ndërtimi me tulla i periudhës romake, të cilën ai e quajti “Biblioteka”. Revista mbyllej në fund me një paraqitje të shkurtër të Muzeut arkeologjik të Vlorës. Tashmë në të ishin grumbulluar shumë gjetje arkeologjike si statuja, kapitele, bazorelieve apo qeramika të mrekullueshme. Siç shkruan dhe ai, “Në një të ardhme të afërt, duhet shpresuar, që koleksioneve të rëndësishme të grumbulluara tashmë (rreth njëmijë objekte), tu shtohen objekte të tjera nga kërkimet shkencore që bëhen në jug të Shqipërisë”. Kështu, më 1939, u botua në Paris numri i gjashtë i revistës Albania. Por ndërkohë, në proces të përgatitjes për botimin e saj, ngjarje të rënda po ndodhnin në Shqipëri. Në fund të revistës, ai ka shtuar: “Që nga koha që janë shkruar këto rreshta, muzeu arkeologjik është shkatërruar nga trupat italiane. Më 8 prill, një gjyle shpërtheu në sallën e katit të parë dhe ushtarët nisën plaçkitjen. Veçse disa mermerë mbetën në sallën e poshtme…”

    Tirana Observer
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Kujtimet e Léon Rey: Si i zbulova skulpturat dhe objektet e tjera antike në Apol

    Kujtimet e arkeologut francez Leon Rei: “Si më ndaluan komunistët të kthehesha në Shqipëri në ‘45”
    27


    Specialee Enjte, 21 Mars, 2013 | 13:09 pm


    Leon Rei gjatë udhëtimit

    Botohen kujtimet e arkeologut francez që zbuloi Apoloninë.

    Takimi me Mbretin Zog, rikthimi në ’45-n deri në Rinas dhe fati i gjithë të njohurve të tij.

    Pa Leon Rein, Apoloninë, një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme në Shqipëri dhe jo vetëm, do ta kishim njohur shumë më vonë. I udhëhequr nga shënime udhëtarësh që kishin shkelur më parë në fshatin buzë Adriatikut, por dhe tekste historianësh të antikitetit, arkeologu francez mbërriti në Apoloninë e fshehur nëntokë dhe gjelbërimit të harlisur. Përgjatë 16 vjetëve, Rei, nga viti 1923-1939, herë i udhëhequr nga dëshmi të mëparshme dhe herë nga fati, si atëherë kur i udhëhequr nga një dhelpër gjeti një kanalizim të hershëm, zbuloi një pjesë të mirë të një prej qendrave të antikitetit, ai zbuloi rrënojat e institucioneve të rëndësishme të qytetit të dikurshëm, varre, statuja, orendi etj. Kujtimet e tij nga kjo ekspeditë shumëvjeçare në Shqipëri, që nga gjetjet e fondeve për gërmime te zbulimet e njëpasnjëshme, miqësitë me vendësit etj., ai i tregon përmes kujtimeve të tij, që tashmë vijnë dhe në shqip. Bëhet fjalë për librin “Hyjnitë kishin të drejtë”, një botim i shtëpisë botuese “Dituria”, nën përkthimin e Luan Ramës. Ndër të tjera, Rei tregon edhe për një takim me Mbretin Zog dhe kthimin në Shqipëri pas pushtimit, ku pushtetarët komunistë nuk e lejuan të hynte. Rei mbërriti deri në Aeroportin e Rinasit, por nuk u pranua të shkonte më tej. Gjatë udhës së kthimit ai kaloi me avion mbi Apoloni, ku pas 6 vitesh mungese pa sërish rrënojat që ai vetë kishte gërmuar e që mbuloheshin sërish nga bimësia. al.mi

    Pjese nga libri


    Kopertina e librit

    Edhe pse vila ku rrija nuk ishte larg pallatit mbretëror, duke kuptuar se një njeri i rangut tim nuk mund të shkonte në këmbë, Ahmeti më tha se duhej të shkoja patjetër me veturë, pasi Mbreti mund të më shikonte nga dritarja e tij. “Njoh një shofer që ka një limuzinë të mrekullueshme. Më lini ta marr me qira për ju!”. Dhe ashtu u bë.
    Kur unë përshkova sheshin e pazarit, i ulur në krah të shoferit, maxhordomi vështronte i fryrë turmën kureshtare të njerëzve dhe ne kaluam para hyrjes së pallatit, ku ushtarët qëndronin gatitu, ai ua ktheu përshëndetjen si të ishte një gjeneral që kalonte në revistë trupat e tij.
    U prita nga një oficer i ri, i cili pas fjalëve të zakonshme të mirëseardhjes dhe pas një qëndrimi të shkurtër në sallonin e pritjes më futi në kabinetin e mbretit. Madhëria e tij nuk qëndronte mbi ndonjë fron, por në një karrige pranë një tavoline. Nuk mbante kurorë në kokë, as skeptër, apo ndonjë pallto të kuqe, por një kostum të thjeshtë ngjyrë gri. Kur më pa që hyra në dhomë, Mbreti u afrua drejt meje dhe, duke zgjatur dorën, më tha:
    “Comment allez-vous Monsieur? (Si jeni zotëri?)”
    Mbreti, i cili kishte namin se ishte i rezervuar me vizitorët dhe me diplomatët e huaj, më ftoi të ulesha dhe nisi një bisedë shumë të çlirët në frëngjisht. Ai më bëri pyetje të shumta rreth përparimit të kërkimeve të mia dhe kohëzgjatjes së tyre. Për habinë time, edhe pse nuk kishte studiuar kurrë mbi arkeologjinë, m’u duk se kishte një lloj njohurie rreth saj. Ishte tepër i ndërgjegjshëm se arkeologjia ishte një disiplinë e vërtetë shkencore dhe se kërkimi dhe zbulimi i së kaluarës ishte një aventurë pasionante. Disa nga pyetjet e tij ishin aq të vyera dhe domethënëse, saqë më lanë në mëdyshje dhe, duke përfituar nga kjo afërsi, e pyeta menjëherë nëse e kishte vizituar ndonjëherë Apoloninë.
    -Po, më tha, gjatë Luftës së parë Botërore, kur isha leitant dhe ishim vendosur në një pyll shumë afër Pojanit. Meqë s’kisha çfarë të bëja, e bëra zakon të shkoja atje rregullisht. Një ditë, kur isha shumë në qejf se herët e tjera, duke bredhur ëndërrimtar dhe duke ecur në një shteg që të çonte në fshat, syri më kapi një monedhë që shkëlqente në mes të tokës.


    Arkeologu Leon Rei në Pojan

    Duke e marrë, vura re se ishte një monedhë argjendi. Që nga ajo ditë e kam ruajtur atë jo vetëm si një kujtim, por edhe si diçka që të sjell fat.
    Ai i ra ziles së vogël që kishte në tavolinë dhe një sekretar, i cili më kishte shoqëruar, erdhi pas pak me një kuti prej lëkure të kuqe, ku brenda ishte monedha.
    -Më kanë thënë me siguri se është një monedhë e epokës së Aleksandrit të Madh. Doja të dija mendimin tuaj nëse kjo është e vërtetë.
    Ndërkohë që vëzhgoja me kujdes monedhën, Mbreti i binte tavolinës me gishtërinjtë e tij, duke pritur përgjigjen time. Ishte një dhrahmi (drahme) e vjetër, ku në faqen e parë kishte pamjen e fitores dhe nga pas atë me emrin e Aleksandrit. Meqë e konfirmova autenticitetin e saj, ai u çlirua.
    -Pra nuk është një shaka. Kjo monedhë ka më shumë vlerë sesa figurinat e zotit Vilari, tha ai dhe filloi të qeshë, duke menduar për historitë e atij burri të shkretë.
    Pastaj ne folëm për muzeun e ri që doja të krijoja në Vlorë.
    -Ndoshta do të ishte më mirë në Tiranë! Më tha ai, sepse Vlora është shumë larg dhe një vend jo plotësisht i sigurt, por nga ana tjetër për turistët do të ishte më mirë, sepse mund të shohin njëherësh koleksionet e muzeut, pasi të kenë vizituar rrënojat e vjetra të qytetit… Bëni si ta mendoni, shtoi ai me një zë të rëndë, por shpresoj të mos ju vijë keq më pas që nuk dëgjuat këshillën time.


    Çadrat e misionit arkeologjik francez

    Kur mora leje të largohesha, Mbreti më buzëqeshi me dashuri, duke më thënë se isha i mirëseardhur gjithnjë e të mos hezitoja ta kontaktoja sa herë që do të kisha nevojë.
    Pesëmbëdhjetë muaj pas vizitës sime në Pallatin Mbretëror, gjenerali Guilhardi, i cili komandonte forcat shqiptare, u vra nga rojat e tij, ndërkohë që makina me të cilën udhëtonte ishte ndaluar për t’u furnizuar me benzinë në një stacion të Fierit. Duke u mbrojtur, ky gjeneral që kishte një trup atleti, plagosi një nga rojat, por nuk arriti dot ta mbushte armën përsëri, pra dhe u vra nga fare afër. Gjenerali ishte rrugës për në Apoloni, ku e prisja për drekë dhe unë u habita kur mora vesh lajmin e vrasjes, të nesërmen në mëngjes. Pothuaj gjatë një jave qyteti dhe rrethinat e tij mbetën në duar të rebelëve. Gjithë kjo histori ishte sajuar nga vetë italianët, të cilët donin të ndërhynin me pretekstin e rremë për të vendosur rendin dhe kështu të vendoseshin në këtë vend, por ky plan dështoi dhe shumica e aktorëve të këtij konspiracioni u varën menjëherë në pazarin e Fierit dhe gjithë të dyshuarit u arrestuan…


    Nga shënimet e arkeologut

    ***
    Nën regjimin e Zogut, Shqipëria nuk shkonte dhe aq keq sa thuhej. Mbreti ishte një monark i ditur dhe të gjithë ishin të mendimit se Mbretëresha e re Geraldinë ishte një nga sovranet më të bukura e të këndshme dhe se dasma e tyre krijoi një atmosferë gëzimi në të gjithë vendin. Siç ndodhte në këto raste, çdo vend fqinj apo mik do t’u bënte atyre një dhuratë. Republika Franceze u dhuroi një servis të mrekullueshëm porcelani të Sevrës; Gjermania e Hitlerit i dërgoi një nga modelet më të fundit të mercedesit dhe konti Ciano i dhuroi një jaht të jashtëzakonshëm, “uno bellisimo nave”, siç i thoshte ai me një ton emfatik atij që donte ta dëgjonte. Ky ishte një nga njoftimet kryesore të gazetave dhe, pas një reportazhi në një revistë, fotografi të veçanta tregonin në detaje mjediset luksoze të anijes. Disa ditë më vonë, shqiptarët, duke besuar se ishte dhurata e aleatit të tyre të fuqishëm, përshëndetën me duartrokitje shfaqjen e jahtit madhështor, por që ishte në fakt ai i industrialistit të njohur francez, zotit Lebaudy. Siç dihet, Musolini e dërgoi dhuratën e tij pak kohë më vonë, një të premte të datës 7 prill, me një gjysmë duzine anijesh luftarake që bombarduan Portin e Vlorës. Një gjyle shpërtheu në sallën qendrore të muzeut dhe praktikisht të gjitha koleksionet e mia arkeologjike u thyen ose u shkatërruan plotësisht. Gjashtë vjet kishin kaluar nga ajo katastrofë dhe Lufta e Dytë Botërore po përfundonte kur më thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ku u prita nga drejtori i kabinetit të ministrit, i cili pak a shumë më tha:
    Prej shumë vitesh ju keni punuar me sukses në Shqipëri dhe jeni i njohur e i vlerësuar nga të gjithë. Këto janë vlera që ne mund të na ndihmojnë, pasi tani që ky vend ka gjetur lirinë, ne duam të zhvillojmë përsëri marrëdhënie të ngushta që dikur i bashkonin dy vendet tona. Ju ora jeni njeriu i duhur dhe dëshirojmë që të shkoni sa më shpejt të jetë e mundur për ju në Tiranë, ku sigurisht do të priteni krahëhapur, edhe pse kanë kaluar 6 vjet nga koha që vendi ishte pushtuar. Mos u shqetësoni për kushtet e udhëtimit, pasi për ju do të kujdesen shërbimet tona të fshehta dhe të kundërspiunazhit, D.G.S.E., agjentët e të cilit do t’ju dërgojnë aty ku duhet….
    Avioni ishte një “Junker” i vjetër gjerman dhe, më së fundi, me gjithë kushtet e këqija atmosferike, nga fundi i paradites ne u ngritëm në ajër pa probleme dhe, pas një ndalese që bëmë në Ajaccio, të nesërmen mbërritëm shëndoshë e mirë në Romë. Gjatë udhëtimit u miqësova me pilotin simpatik parisian, të quajtur Charlot dhe që ishte lindur në Montmartre…
    Atëherë kur ne fluturonim mbi det, kisha një lloj parandjenje se situata nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë, siç ishte lënë të kuptohej në bisedën me drejtorin e kabinetit të ministrit në Paris. Dhe kjo u konfirmua me mbërritjen tonë në Aeroportin e Tiranës. S’kishte asnjëri të na priste: asnjë nga bashkëpunëtorët e mi të vjetër, as miq, as gazetarë, as instrumentistë për të luajtur “La Marseillaise”, por vetëm një ushtarak me një veshje të çrregullt që tërhiqte këmbët. Kufijtë e pistës kryesore ishin rrethuar me tela me gjemba dhe në daljet kryesore kishte ca hunj të ngulur në tokë. Gjithçka dukej e trishtë dhe e errët. I dhashë ushtarakut “letrat kredenciale”, por në vend që të më fliste, ai më bëri shenjë që ta ndiqja drejt një ndërtese të vogël që ngrihej anash asaj që duhej të quhej “aeroport”. Ndërkohë që ne prisnim, munda të shikoja anash dhomës, andej nga ku dëgjoheshin ca zëra që bërtisnin gjatë një bisede telefonike. Orët kalonin dhe më së fundi me një letër në dorë, Charlot kërkoi prej rojave nëse mund të hanim diçka aty rrotull. Përgjigjja ishte negative dhe ai nuk mundi ta kapërcente pragun e asaj dhome ku ishim mbyllur. Më së fundi, duke ia behur papritur në një dhomë, një oficer rus më tha se “letrat e mia kredenciale” nuk pranoheshin dhe në mënyrë brutale më tregoi se duhej të ktheheshim mbrapsht menjëherë. Ai u duk aq i vendosur, saqë ishte e kotë të protestoja.
    Megjithatë, unë kisha shumë dëshirë ta shikoja edhe një herë Apoloninë. Pasi lamë pistën e aeroportit, ne morëm drejtimin e jugut në vend që të merrnim drejt perëndimit për të shkuar në Romë. Charlot e drejtonte avionin vetëm përmes shikimit të drejtpërdrejtë dhe, meqë nuk e njihte mjedisin, më tha që t’i tregoja udhën. Lumturisht koha ishte e bukur dhe qielli i pastër. Gjysmë ore pasi lamë Tiranën, unë munda të shoh “kodrinën e shenjtë”. Atëherë i kërkova mikut tim Charlot që të fluturonte sa më ulët, pothuaj 300-400 “këmbë”, duke i ardhur qark qytezës arkeologjike, si të ishte një shqiponjë që i vinte rrotull presë së vet. Munda të pikas fare mirë manastirin dhe kupolën e kishës, qiparisat e mëdhenj e të zinj, degëzat në një gri të shndritshme të ullinjve etj. Shtëpia ime ishte gjithnjë atje, por pa portë e dritare, ndërsa dritarja dukej shumë e dëmtuar. Gjelbërimi i kishte mbuluar vendet e gërmimeve. Porta e bukur e Akropolit, Teatri, Bouleteurion-i dhe ngrehinat e tjera që kisha zbuluar dergjeshin në tokë, nga oborri dy njerëz bënin shenjë nga avioni. Me siguri duhej të ishte prifti i vjetër me shërbëtorin e tij.
    Përsëri, nga dita në ditë, nga viti në vit, natyra e kishte pushtuar terrenin e saj, por në fund të fundit koha nuk bën asgjë nëse hyjnitë nuk ekzistojnë më. Tani kisha provën se dëshira e tyre përmbushej gjithnjë: qyteza antike s’do të ngrihej nga rrënojat e saj dhe, siç thuhej, ajo do të harrohej. Njëzet vjet në jetën time ishin kthyer në një hiç dhe, në krahasim me hutimin dhe trishtimin tim, prifti i vjetër Zozi dhe fshatarët e varfër të Pojanit m’u dukën më të arsyeshëm. Të paktën atyre nuk u vinte keq. Ata e jetonin të tashmen në një mënyrë të paqtë, pa u shqetësuar për të kaluarën.
    “A pe atë që doje të shikoje”, më pyeti Charlot që kishte filluar të bëhej nervoz.
    I bëra shenjë që “po” dhe disa minuta më pas ne fluturonim tashmë mbi det. Gjatë largimit, ishte një habi e madhe të zbulonim se me ne kishte ardhur dhe një pasagjer i paparashikuar. Ishte një djalosh shqiptar, i cili kur ne po prisnim në Tiranë, kishte arritur të futej në avion dhe të fshihej midis bagazheve tona. Kur e pa atë, Charlot u tërbua dhe donte ta hidhte në det.
    “Mos e prek”, i thashë, duke u përpjekur ta mbroj djaloshin. “Është një engjëll që ka gjetur rrugën jashtë parajsës komuniste”.
    Djaloshi duhej të ishte 12-vjeçar dhe, kur e pyeta për emrin, ai më tha që quhej Mustafa dhe se ishte i biri i Osmanit, intendentit të legatës britanike, të cilin e kisha takuar shumë vite më parë gjatë një udhëtimi në det, nga Durrësi në Vlorë. Babai i tij ishte vrarë nga të kuqtë, por dhe nëna i kishte vdekur. Fillova ta pyes mbi Apoloninë, por ai s’kishte asnjë informacion. Ai më tha se i biri i Tonias (shërbyeses cigane), i cili dikur kishte qenë një doker i thjeshtë në Durrës, tani kishte një punë të mirë në qeveri dhe se ajo po kalonte një jetë të lumtur dhe të begatë, pas martesës me Ibrahimin, kryepunëtorin tim të fundit. Mësova gjithashtu se Jani Vito ishte burgosur në Fier dhe ishte dënuar me vdekje, me pretekstin se ishte në shërbim të amerikanëve, ndërsa pashai i Fierit kur e kishin burgosur, kishte vrarë veten. Miku im i vjetër, peshkopi i Beratit, i pasionuar pas telekomunikacioneve, pasi e kishin mbyllur në një ishull me ca të çmendur, ishte çmendur dhe vetë…


    Tempulli i Agonotetëve, ndërtesa, simbol i Apollonisë


    panorama


    -


    tmerr..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •