Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Robi i All-llahut
    Anëtarësuar
    09-01-2008
    Vendndodhja
    Në Itali
    Postime
    1,774

    Biografi të Dijetarëve të Hakut

    Bismilah

    Imam Malik ibën Enesi (Allahu e mëshiroftë)


    Të flasësh për dijetarët e mëdhenj që njohu historia islame nuk është e lehtë. Sado që mundohesh ta përshkruash biografinë e njërit prej tyre, prapë ai përshkrim do të jetë i mangët në krahasim me pasurinë e madhe të saj. Biografia e dijetarëve të mëdhenj, siç ishte Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është shembulli më i mirë për djemtë dhe vajzat tona, që të japin mundin e tyre maksimal në kërkimin e diturisë dhe të thellohen në adhurimin e Allahut të Lartësuar duke e praktikuar atë që mësojnë.

    Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është njëri prej katër dijetarëve të katër medhhebve të njohura, i quajtur edhe “Imami i Medinës”.

    Malik ibën Enesi, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 93 hixhri, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Lindi në qytetin e bekuar të Medinës së Resulull-llahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, po atë vit që vdiq sahabi i njohur Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    E filloi kërkimin e diturisë që në fëmijëri, madje shquhej në mesin e moshatarëve të tij. Në moshën 21-vjeçare, arriti të bëhet mësues dhe t’u përgjigjet pyetjeve që i parashtroheshin nga të tjerët. Edhe pse nga mosha ishte i ri, dituria e tij u vlerësua nga të moshuarit. Ebu Musabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Malikun duke thënë: “Nuk i jam përgjigjur asnjë pyetjeje derisa kanë dëshmuar për mua shtatëdhjetë (dijetarë se mund të përgjigjem).”[1]

    Transmetuan hadithe nga ai një numër shumë i madh dijetarësh, që kur ishte në moshë të re. Nxënësit e dijes udhëtonin me muaj të tërë nga të gjitha vendet e botës islame për të përfituar nga ai qoftë vetëm edhe një hadith. Prezenca e tyre ishte edhe më e theksuar në kohën kur shtetin islam e udhëhiqte kalifi Harun Err-Rreshid, Allahu e mëshiroftë.

    Ebul-Abbas Es-Serraxhi ka thënë se e ka dëgjuar Buhariun duke thënë: “Zinxhiri (i transmetuesve të hadithit) më i saktë është prej Imam Malikut nga Nafiu nga ibën Umeri.”[2]

    Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, edhe pse në moshë të re arriti të dallohej nga të tjerët me zgjuarsinë dhe diturinë e tij. Ai ishte i matur dhe jo mendjelartë, sepse zemrën e tij e kishte kapluar urtësia, devotshmëria dhe frika ndaj Allahut të Lartësuar. Para se t’u përgjigjej pyetjeve që i parashtroheshin, mendohej një kohë të gjatë e shumë herë përgjigjej me fjalët “nuk e di”. Hejthem ibën Xhemili, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Malikun që është pyetur në dyzetë e tetë mesele (çështje në fe) dhe është përgjigjur ndaj tridhjetë e dy (prej tyre) me fjalët “nuk e di.”[3]

    Halid ibën Hidashi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kam shkuar te Maliku për ta pyetur për dyzetë mesele (çështje në fe), më është përgjigjur vetëm në pesë prej tyre.”[4]

    Frika për t’u përgjigjur në fenë e Allahut ishte e pranishme gjithmonë te Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë. Para se të fliste, ai gjithmonë mendonte për shpërblimin dhe dënimin e Allahut të Lartësuar. Tregon Hejthem ibën Xhemili, Allahu e mëshiroftë, se Imam Maliku thoshte: “Kush i përgjigjet ndonjë pyetjeje, është mirë që para se të përgjigjet ta paraqesë veten e tij para xhennetit dhe xhehennemit e të mendojë se si do të jetë përfundimi i tij në botën tjetër. Më pas le të përgjigjet.” Është pyetur në një mesele dhe ka thënë: “Nuk e di.” Dikush (nga të pranishmit) tha: “Kjo është pyetje e thjeshtë (e lehtë).” Ai u zemërua dhe tha: “Në dituri nuk ka gjë të lehtë. A nuk i ke dëgjuar fjalët e Allahut: “Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe).”[5] Çdo gjë në dituri është e rëndë, sidomos për atë që do të pyetesh në Ditën e Kiametit.”[6]


    Fjalët e dijetarëve për Imam Malikun



    Është transmetuar nga Ebu Amër el-Evzaij, Allahu e mëshiroftë, se kur përmendte Imam Malikun thoshte: “Dijetar i dijetarëve, myftiu i dy Haremeve (Haremit të Mekës dhe Medinës).”[7]

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai (Imam Maliku) ka qenë imam në hadith dhe në fikh.”[8]

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur përmenden dijetarët, (Imam) Maliku është si ylli (më i dituri).”[9] Gjithashtu thoshte: “Dituria gjendet në tre persona: Maliku, Lejthi dhe ibën Ujejne.”[10]

    Ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “(Imam) Maliku është njëri prej argumenteve të Allahut për krijesat e tij (njerëzit).”[11]

    Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Asnjë dijetar në Medinë, pas gjeneratës së tabiinëve, nuk krahasohej me (Imam) Malikun në dituri, në fikh, në dinjitet (në krenari) dhe në të mbajturit mend.”[12]


    Mësuesit e tij



    Numri i mësuesve të tij ishte shumë i madh. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Sijer a’lam en-Nubela” ka përmendur mbi njëqind e njëzet mësues, prej të cilëve ka transmetuar hadithe në librin e tij të njohur “El-Muvat-ta”[13], ndërsa ne do të përmendim disa prej tyre.

    1) Nafi’ Mevla Abdil-lah ibën Umer
    2) Ebu Seid, Seid ibën ebi Seid el-Makburij
    3) Ebul-Harith el-Medenij, Amir ibën AbdAll-llah ibën Zubejr ibën Av-vam el-kureshij el-Esedij
    4) Ebu Abdirr-Rrahman el-Adevij el-Umerij, Mevlahum el-Medinij
    5) Ebu Abdil-lah, Muham-med ibën el-Munkedir ibën Abdil-lah el-Kureshi et-Tejmij
    6) Ebu Abdil-lah, Safvan ibën Sulejm el-Kureshij ez-Zuhrij el-Medinij
    7) Humejd ibën ebi Humejd et-Tavil el-Basrij.


    Nxënësit e tij



    Numri i nxënësve të tij është shumë i madh. Në ligjëratat e tij ishin të pranishëm me qindra e mijëra nxënës të dijes. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Sijer a’lam en-Nubela” ka përmendur mbi 200 nxënës dijeje që kanë transmetuar hadithe nga ai. Ne këtu do të përmendim vetëm disa prej tyre:

    1) Sufjan ibën Ujejne ibën ebi Imran, Mejmun el-Hilalij
    2) Ismail ibën Xha’fer ibën ebi Kethir el-Ensarij
    3) Ma’n ibën Isa ibën Jahja ibën Dinar el-Medenij
    4) Ebu Seid, Jahja el-Kat-tan ibën Seid ibën Ferr-rrevh
    5) Ebul-Ab-bas ed-Dimeshkij, Velid ibën Muslim
    6) Abdull-llah ibën el-Mubarek ibën Vadih el-Handhalij
    7) Abdan, Abdull-llah ibën Uthman ibën Xhebelete el-Ezdij.


    Librat e tij



    Në kohën kur jetoi Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, nuk ishte i njohur shkrimi i librave, ashtu siç u bë e njohur më vonë. Për këtë arsye, librat e Imam Malikut nuk ishin të shumtë. Disa nga librat e tij ishin:

    1) “El-Muvat-ta” – që është libri më i njohur nga Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë
    2) “Risaletun fil-Kaderi”
    3) “Risaletun fil-Akdijeti”
    4) “Risaletun ila ebi Gas-san Muhammed ibën Mutarr-rrif”
    5) “Xhuz-un fit-Tefsir”
    6) “Risaletun ilel- Lejth fi ixhmai ehlil-Medine”.


    Disa fjalë të Imam Malikut


    “Kam kërkuar dituri vetëm për vete dhe jo që të tjerët të kenë nevojë për mua. Kështu ishin edhe të tjerët (dijetarët e tjerë).”[14]

    “Është fesad i madh që njeriu të flasë çdo gjë që dëgjon.”[15]”

    “Dituria nuk merret nga katër persona: Mendjelehti që e tregon mendjelehtësinë e tij, edhe nëse është prej transmetuesve më të mëdhenj. Bidatxhiut që thërret në atë që i thotë mendja e tij (në bidatin e tij). Ai që kur flet me njerëzit gënjen, edhe nëse nuk e akuzoj atë në hadith dhe nga njeriu i mirë, i devotshëm e me vlerë, që nuk mban mend atë që thotë (që transmeton).”[16]

    “Mburoja e dijetarit është fjala ‘nuk e di’. Nëse e largon nga mendja e tij, goditet për vdekje.”[17]

    “Nuk kërkohet të pendohet nga ai që e fyen Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, qoftë prej jobesimtarëve apo muslimanëve.”[18]


    Në fund, e lusim Allahun e Lartësuan me Emrat e Tij të bukur dhe me Cilësitë e Tij të larta, që ta mëshirojë Imam Malikun me Rahmetin e Tij të pafund dhe të gjithë dijetarët e Ehli Sunnetit!

    Përgatiti: Sabahudin Selimi

    Literatura:
    1) Sijer a’lam en-Nubela – Shemsud-din ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi. Mues-seseturr-rrisale. Një grup verifikuesish nën mbikëqyrjen e Shuajb Arnautit.
    2) Sifetul-Fetva vel-Mufti vel-Mustefti- Ahmed ibën Hamdan el-Harr-rrani. Me verifikim të Shejh Albanit. El-Mektebul-Islami-Bejrut, botimi i tretë.
    3) Hytbeja e xhumasë në Xhaminë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, nga ligjëruesi Abdulbari Thubejt, mbajtur më 26/6/1422h.

    ________________________________________

    [1] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/96.
    [2] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/115.
    [3] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/78.
    [4] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/78.
    [5] Surja Muz-zem-mil, ajeti 5.
    [6] “Sifetul-Fetva vel-Mufti vel-Mustefti”, fq. 8.
    [7] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
    [8] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
    [9] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/58.
    [10] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
    [11] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
    [12] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/59.
    [13] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/49-51.
    [14] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/67.
    [15] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/67.
    [16] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/68.
    [17] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/78.
    [18] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/104.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ramazan_it : 27-09-2012 më 08:58
    Kush nuk është robi i All-llahut, ai është robi i shejtanit.

  2. #2
    Robi i All-llahut
    Anëtarësuar
    09-01-2008
    Vendndodhja
    Në Itali
    Postime
    1,774
    Bismilah

    Imam Ebu Hanifetu en-Nu’man (Allahu e mëshiroftë!)



    Imam Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 80 hixhri në qytetin e Kufës. Ai rridhte nga një familje e ndershme, besnike, e ditur dhe e pasur. Babai i tij ishte një njeri i devotshëm dhe i shquar në mesin e njerëzve për besnikëri. Ai ishte nga tregtarët më të mëdhenj të mëndafshit në qytetin e Kufës. Ebu Hanifja që në fëmijërinë e tij e mësoi përmendësh Kuranin gjatë kohës që ndihmonte babanë e tij në shitjen e mëndafshit. Pas vdekjes së babait të tij, Ebu Hanifja e trashëgoi këtë tregti nga ai, pasi ishte fëmija i vetëm në familje dhe shembull për sinqeritet dhe ndershmëri. Pasi merrej me tregti, nuk i ndiqte me rregull ligjëratat e dijetarëve të Kufes. Ai vazhdoi kështu derisa deshi Allahu që të takohet me dijetarin e famshëm, Amir ibën Sherahil esh-Sha’bij, Allahu e mëshiroftë! Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kalova një ditë nga Sha’biju e ai ishte ulur. Më thirri e më tha: “Për ku je nisur?” Unë ia ktheva: “Po shkoj në treg”, dhe i përmenda mësuesin tim. Ai më tha: “Nuk pata për qëllim këtë, mirëpo pata për qëllim shkuarjen te dijetaret”. I thashë: “Unë nuk shkoj vazhdimisht tek ata.” Ai më tha: “Mos e bëj këtë, kërko dituri dhe ndiqi ligjëratat e dijetareve, se unë shoh në ty zgjuarsi dhe zotësi.” Kjo fjalë zuri vend në zemrën time dhe e lashë anash shkuarjen në treg dhe nga këtu fillova të merrem me dituri[1].


    Në kërkimin e diturisë



    Shkenca e parë që ai filloi të mësonte ishte gramatika e gjuhës arabe dhe më pas filloi të merret me teologji (Ilmul-Kelam). Ishte i njohur për debatet me ateistët dhe të humburit nga rruga e drejtë. Ai përfitoi shumë dhe u bë i njohur nga të gjithë. Ebu Hanifja shkoi në qytetin e Basras me shumë se njëzet herë për të debatuar dhe kundërshtuar disa dyshime që armiqtë e Islamit kishin shpikur. Ka debatuar me Xhehm ibn Safvanin derisa e ka mposhtur atë dhe e ka bërë të heshtë. Debatonte me mu’tezilët dhe havarixhët derisa ua bënte të qarta të gjitha argumentet. Ka debatuar edhe me ekstremistët shiitë, derisa i la pa fjalë.

    Më pas, Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, filloi të merrej me shkencën e fikhut duke shkuar te dijetari i famshëm Hammad ibën ebi Sulejmani, Allahu e mëshiroftë, shejhu i fukahave të Kufës. U thellua aq shumë në shkencën e fikut, saqë i interesonte çdo çështje në të. Ai vazhdoi t’i ndjekë mësimet te shejhu i tij derisa ai vdiq në vitin 120 hixhri. Sjellja që kishte ndaj shejhut të tij ishte e çuditshme. E priste te shtëpia derisa dilte për namaz dhe e shoqëronte rrugës për në xhami apo diku tjetër. Kur falej, lutej për të ashtu si lutej për prindërit e tij.

    Pas vdekjes së shejhut Hammad ibën ebi Sulejman, Allahu e mëshiroftë, nxënësit e tij ishin të pajtimit që Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, të bëhej shejhu i tyre, pasi ishte më i dalluari në mesin e tyre. Kështu, Ebu Hanifja me kalimin e kohës u bë shejhu kryesor i shkollës së Kufës, që më vonë u bë e njohur si shkolla e mendimit. Ai u bë imami i fukahave të Irakut. Autoriteti i tij çdo ditë sa vinte e rritej, madje u bë i njohur edhe jashtë vendit të tij. Ai është takuar me dijetarët e kohës së tij në qytetin e Basras, Mekës, Medinës e më pas edhe në Bagdad, pasi e kishte ftuar kalifi Mensur. Përfitoi prej tyre dhe ata përfituan prej tij.

    Në vendin ku ligjëronte mblidheshin dijetarë të mëdhenj të hadithit dhe të fikut, si Abdullah el-Mubarek, Hafs ibën Gijathi, Imam Ebu Jusufi, Imam Muhammedi etj.

    Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, u bë njohësi më i mirë i fikhut në vendin e tij dhe këtë e kanë dëshmuar shumë dijetarë. Alij ibën Asimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sikur të ishte peshuar dituria e Imam Ebu Hanifes me diturinë e moshatarëve të tij, do të kishte peshuar më shumë dituria e tij.”[2]

    Hafs ibën Gijathi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fjalët e Ebu Hanifes në fikh janë më të holla se qimja e flokut. I njollos ato vetëm injoranti.”[3]

    Ibën Mubareku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ebu Hanifja ka qenë njeriu më i ditur në fikh.”[4]

    Xheriri ka thënë: “Më ka thënë Mugire, i cili ulej te Ebu Hanifja: “Mëso fikhun, se sikur Ibrahim en-Nahai të ishte gjallë, do të ulej (në ligjëratat e Ebu Hanifes).”[5]

    Imam Ebu Hanifja ishte i njohur në rrethin e tij si njeriu më i devotshëm. Këtë e kanë dëshmuar shumë moshatarë të tij, që jetonin pranë tij. Ahmed ibën Jusufi tregon se e ka dëgjuar Zaiden duke thënë: “Jam falur me Ebu Hanifen në xhaminë e tij në namazin e jacisë. Të gjithë dolën nga xhamia, ndërsa ai nuk e dinte se unë isha në xhami. Dëshiroja ta pyesja për një çështje duke mos më parë askush. Mirëpo ai u ngrit (për namaz) dhe këndoi Kuran, derisa arriti te ajeti: “E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.”[6] Qëndrova në xhami duke e pritur (për ta pyetur), por ai nuk pushoi duke e përsëritur këtë ajet derisa u thirr ezani për namazin e sabahut.”[7]

    Ibën Muhtar el-Hammani tregon se babai i tij e kishte shoqëruar Ebu Hanifen për afro një vit dhe kishte thënë: “Nuk e kam parë ditën duke ngrënë (d.m.th. agjëronte), ndërsa natën vetëm duke u falur. Nuk fuste në gojën e tij asnjë kafshatë prej parave të tjetërkujt, e falte namazin e sabahut me abdestin e fillimit të natës (jacisë) dhe e përfundonte këndimin e tërë Kuranit kur paraqitej agimi i parë, ndërsa kur paraqitej agimi i dytë falte dy rekate. Tërë natën e tij e kalonte në ibadet.”[8]


    Mësuesit e tij



    Numri i tyre ishte shumë i madh. Disa historianë tregojnë se numri i tyre arrin deri në 4000. Ne po përmendim vetëm disa prej tyre:

    1) Hammad ibën ebi Sulejmani, Allahu e mëshiroftë. Ky ishte shejhu me të cilin qëndroi më shumë, përafërsisht tetëmbëdhjetë vjet. Vdiq në vitin 120h në Kufë.
    2) Ata ibën ebi Rebah ishte nga dijetarët më të mëdhenj të tabiinëve. Vdiq në vitin 114 hixhri, sipas mendimit më të saktë.
    3) Abdurr-Rrahman ibën Hurmuzi, vdiq në vitin 117 në Egjipt.
    4) Amër ibën Dinar el-Mekki. Vdiq në vitin 126 në Mekë.
    5) Adij ibën Thabit el-Ensari el-Kufi. Vdiq në vitin 116 në Kufë.


    Nxënësit e tij



    Edhe nxënësit e tij ishin të shumtë, mirëpo ne do të përmendim vetëm disa prej tyre :

    1) Zufër ibën Hudhejl ibën Kajsi
    2) El-Kadi ebu Jusuf Ja’kub ibën ibrahim el-Ensari
    3) Hammad ibën ebi Hanife, djali i Ebu Hanife
    4) Muhammed ibën Haseni
    5) Nuh ibën ebi Merrjem i njohur si Ebu Asametu el-Mervezij.


    Librat e tij


    Në kohën kur jetoi Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, nuk ishte e njohur shkruarja e librave ashtu siç u bë e njohur më vonë apo siç njihet në kohën tonë. Për këtë arsye librat e shkruar prej tij ishin të paktë. Ata janë:

    1) El-Fikhul-Ekber me transmetim të Hammad ibën ebi Hanifes
    2) El-Fikhul-Ekber me transmetim të Belhiut
    3) El-A’lim ve-lmuteal-lim me transmetim të ebi Mukatil es-Semerkandit
    4) Risaletul-Imam ebi Hanifete ila Uthman el-Betta
    5) El-Vasijje më transmetim të ebi Jusufit.


    Vdekja e tij


    Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, vdiq ashtu siç vdesin të sinqertit dhe shehidët në vitin 150 hixhri në Bagdat. Ne e lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që ta mëshirojë këtë dijetar me mëshirën e Tij të pafund, t’ia ngrejë shkallët e tij në xhennet dhe ta bashkojë me Pejgamberët, të sinqertët, me shehidët dhe të mirët, siç na ka treguar në librin e Tij, ku thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me Pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa: 69)

    Përgatiti: Sabahudin Selimi

    Literatura:
    1) Sijer A’alam en-Nubela – Shemsud-din ebu Abdall-llah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi.
    2) Imam Ebu Hanife bejne ehlul-fikhi ve ehlul-hadith – Saad Ibën Abdall-llah.
    3) Tehdhibul-Kemal - Jusuf ibën Zek-ki Abdurr-Rrahman ebul-Haxh-xhaxh el-Miz-zi.
    4) Ahbar ebi Hanife ve ashabihi Lis-Sajmerij.
    5) Et-Tabekat es-Sunnijje fi teragjumil-Hanefijje Lit-Tekijj el-Gizzi.

    ________________________________________

    [1] Ahbar Ebi Hanife ve ashabihi, fq. 2.
    [2] Sijer a’lam en-Nubela 11/488.
    [3] Sijer a’lam en-Nubela 11/488.
    [4] Sijer a’lam en-Nubela 11/489.
    [5] Sijer a’lam en-Nubela 11/489.
    [6] Tur: 27.
    [7] Et-Tabekatus-Sunnijje fi teragjumil-Hanefijje, fq. 32.
    [8] Ahbar ebi Hanife, fq. 42.
    Kush nuk është robi i All-llahut, ai është robi i shejtanit.

  3. #3
    Robi i All-llahut
    Anëtarësuar
    09-01-2008
    Vendndodhja
    Në Itali
    Postime
    1,774
    Bismilah


    Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë)



    Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili në Librin e Tij famëlartë ka thënë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?[1]” Salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin tonë sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: “Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikur vlera e hënës së plotë në krahasim me yjet e tjerë. [2]

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, është njëri prej katër dijetarëve të katër medhhebeve të njohura prej Ehli Sunnetit. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 150h, në qytetin e Gazës, në Palestinë, po atë vit që vdiq Imam Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë. Babai i tij vdiq i ri dhe kështu që imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, u rrit nën përkujdesjen e plotë të së ëmës.

    Në moshën dyvjeçare e ëma e tij vendosi të kthehej në vendlindjen e saj, në Mekë. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, në Mekë jetoi një kohë me fisin Hudhejl që të përfitonte prej tyre gramatikën e gjuhës arabe dhe poezinë, sepse ky fis ishte ndër më të njohurit për oratorinë dhe poezinë. Përfitoi prej tyre aq shumë, saqë filloi t’i përmirësojë poezitë e tyre, ashtu siç e ka dëshmuar edhe dijetari dhe poeti i gjuhës arabe në atë kohë el-Esmaij, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “I kam përmirësuar poezitë e fisit Hudhejl përmes ndihmës së një djaloshi nga kurejshët, që quhej Muhamed ibën Idris (esh-Shafii’).” Si fëmijë ishte i dalluar nga moshatarët e tij.

    E mësoi Kuranin përmendësh në moshën shtatëvjeçare dhe më pas nxuri përmendësh librin el-Muvat-ta të Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë. Filloi të marrë dituri në Mekë nga Muslim ibën Halidi, myftiu i Mekës në atë kohë, Davud ibën Abdurr-Rrahman el-At-tari, Muhamed ibën Alij ibën Shafi’, i cili ishte djali i xhaxhait të Abasit, etj.

    E ëma e tij më vonë udhëtoi me të për në Medinë, që t’ia bënte të mundur djalit të saj të merrte dituri nga Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë. Imam Shafiu e shoqëroi imam Malikun gjashtëmbëdhjetë vjet, pra derisa vdiq imam Maliku në vitin 179h, Allahu i mëshiroftë që të dy. Në të njëjtën kohë, Imam Shafiu mësonte edhe nga Muhamed ibën Sad el-Ensari, Muhamed ibën Seidi e të tjerë. Pas vdekjes së imam Malikut, Imam Shafiu vendosi të shkonte në Nexhran si guvernator i saj, ku tregoi drejtësi dhe sinqeritet në punë. Më pas shkoi në Bagdad dhe u takua me Muhamed ibën Hasen esh-Shejbanin, i cili ishte nga nxënësit më të dalluar të Ebu Hanifes.

    Lexoi librat e tij dhe mësoi prej tyre, e më pas u kthye sërish në Mekë. Aty qëndroi përafërsisht nëntë vjet duke shpërndarë diturinë që kishte mësuar përmes ligjëratave në të cilat mblidheshin me qindra kërkues të dijes, në Haremin e Mekës (në Qabe). Gjatë viteve sa qëndroi në Mekë takohej me dijetarë të ndryshëm të botës islame që vinin për haxh.

    Pas nëntë vite qëndrimi në Mekë, Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, vendosi të shkonte sërish në Bagdad, përkatësisht në vitin 195h. Në Bagdad zgjodhi një vend dhe filloi të ligjërojë. Mësimet e tij i ndiqnin edhe dijetarët, kurse kërkuesit e diturisë vinin tek ai nga të gjitha anët e botës. Imam Shafiu qëndroi në Bagdad rreth dy vjet dhe gjatë kësaj periudhe shkroi librin e tij të njohur Err-Rrisale. Në këtë periudhë dyvjeçare ishte në shoqëri të vazhdueshme me Imam Ahmedin, Ebu Thevrij, Ez-Za’feranin dhe el-Kerabisin, Allahu i mëshiroftë të gjithë.

    Më pas, imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, sërish u kthye në Mekë, qëndroi në të një kohë të shkurtër dhe më pas sërish shkoi në Bagdad, në vitin 198h. Në Bagdad këtë herë nuk qëndroi gjatë, kështu që vendosi të shkonte në Egjipt. Mbërriti në Egjipt në vitin 199h dhe në shoqërinë e tij ishin dy nxënësit e tij, Err-Rrebi’ ibën el-Muradij dhe Abdullah ibën Zubejr el-Humejdi. Së pari, në Egjipt shkoi tek Abdullah ibën abdul-Hakemi, i cili ishte nga nxënësit e imam Malikut. Imam Shafiu filloi menjëherë të ligjërojë në xhaminë Amër ibën As, në të cilën mblidheshin me qindra e mijëra njerëz për ta dëgjuar këtë dijetar të rrallë që njohu historia islame, dijetar i cili ishte trashëgimtar i diturisë së dy imamëve që ishin para tij, imam ebu Hanifja dhe imam Maliku, Allahu i mëshiroftë të gjithë.

    Në Egjipt jetoi pesë vjet, kohë në të cilën u angazhua vazhdimisht me shkrime, mësimdhënie dhe debate duke i kundërshtuar të gjithë armiqtë e Islamit dhe të Ehli Sunnetit. Në Egjipt, imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, shkroi medhhebin e tij të ri, në të cilin përfshiu qëndrimet e tij të fundit, duke u kthyer nga disa çështje në fushën e fikhut që i kishte shkruar kur ishte në Bagdad (Irak).

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, tërë jetën e tij ia kushtoi mbrojtjes së Sunnetit të të Dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem. Ishte prej atyre që i kundërshtoi më tepër ata që refuzonin hadithet ahad[3], por ndoshta ky ishte shkaku kryesor që ky imam u quajt me emrin “Nasirus-Sun-neh” (Ndihmëtar i Sunnetit).

    Fjalët e dijetarëve për Imam Shafiun



    1) Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar në krye të çdo njëqind viteve dërgon dikë (nga dijetarët) që t’ua mësojë njerëzve Sunnetin e të Dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem dhe t’i nxjerrë në shesh ato fjalë që u vishen atij. Ne shikuam në shekullin e parë (hixhri), ishte Umer ibën Abdul-Azizi, ndërsa në shekullin e dyti ishte Shafiu.[4]”

    2) Ebu Thevr el-Kelbi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam parë askënd të ngjashëm me Shafiun (në dituri), po edhe ai nuk ka parë askënd si vetja. [5]”

    3) Rrebi’ ibën Sulejmani ka thënë: “Shafiu e lexonte tërë Kuranin në muajin e Ramazanit gjashtëdhjetë herë (e bënte hatme).[6]”

    4) Kutejbe ibën Seidi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Vdiq Thevri, vdiq me të devotshmëria, vdiq Shafiu, vdiqën me të sunnetet, e kur të vdesë Ahmedi, do të shfaqen bidatet.[7]”

    5) Is’hak ibën Rahevejhi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më takoi Ahmed ibën Hambeli në Mekë dhe më tha: “Eja të të tregoj një njeri që sytë e tu nuk kanë parë si ai”, e më pas më tregoi Shafiun. Pastaj tha (ibën Rahevejhi): “Debatuan në hadith, nuk kam parë më të ditur se ai. Debatuam në fikh, nuk kam parë më të ditur se ai. Debatuam në Kuran, nuk kam parë lexues më të mirë se ai, pastaj debatuan në gjuhë, pashë se ai është më i dituri në gjuhë. Nuk kanë parë sytë e mi si ai (Imam Shafiu) asnjëherë.[8]”

    Mësuesit e tij



    Angazhimi dhe vullneti i imam Shafiut, Allahu e mëshiroftë, që të kërkonte dituri ishte shumë i madh dhe për këtë arsye numri i mësuesve të tij ishte i shumtë. Ne këtu do të përmendim vetëm disa prej tyre:

    1) Imam darul-Hixhre Malik ibën Enes, Allahu e mëshiroftë.
    2) Ebu Halid Muslim ibën Halid el-Mahzumij, Allahu e mëshiroftë.
    3) Davud ibën Abdurr-Rrahman el-At-tar, Allahu e mëshiroftë.
    4) Sufjan ibën Ujejne ibën ebi Imran, Ebu Muhamed el-Kufi, Allahu e mëshiroftë.
    5) Fudejl ibën Ijad ibën Mes-ud ibën Bishër et-Temijmij, Allahu e mëshiroftë.


    Nxënësit e tij


    Numri i saktë i nxënësve të tij nuk dihet, mirëpo askush nuk dyshon se ata ishin të shumtë dhe nga të gjitha anët e botës islame në atë kohë. Ne do të ndalemi vetëm te disa prej tyre:

    1) Ahmed ibën Muhamed ibën Hambel, ebu Abdall-llah, Allahu e mëshiroftë.
    2) Ahmed ibën Muhamed el-Ezrekij, Allahu e mëshiroftë.
    3) Ahmed ibën Seid ibën Bishër el-Hemdani, Allahu e mëshiroftë.
    4) Ishak ibën Rahevejhi, Allahu e mëshiroftë.
    5) Ibrahim ibën Muhamed esh-Shafii’j, Allahu e mëshiroftë.


    Librat e tij


    Librat e tij gjithashtu ishin të shumtë, mirëpo ne do të japim më poshtë vetëm disa prej tyre:

    1) Kitabul-Umm
    2) Ihtilaful-Hadithi
    3) Err-Rrisale
    4) Xhamiul-ilmi
    5) Ahkamul-Kur’an


    Disa fjalë të imam Shafiut


    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sikur një njeri ta takojë Allahun me të gjitha mëkatet përveç shirkut, është më mirë për të sesa ta takojë Atë me diçka nga bidatet.[9]”

    “Nëse gjeni në fjalët e mia diçka që është në kundërshtim me Sunnetin e të Dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, atëherë lëreni atë (fjalën time) dhe thoni ashtu siç ka thënë ai (i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem).[10]”

    Në një transmetim tjetër ka ardhur: “Nëse hadithi është i vërtetë, ai është medhhebi im. Nëse hadithi është i vërtetë, atëherë fjalën time hidheni për muri.[11]”

    “Dijetari pyet për atë që e di dhe për atë që nuk e di, e kujton (vërteton) atë që ka ditur dhe e mëson atë që nuk e ka ditur, ndërsa i padituri hidhërohet nga mësimi dhe refuzon të mësojë.[12]”

    “Kurani është fjala e Allahut. Ai që thotë (se Kurani) është i krijuar, vetëm se ka bërë kufër (ka mohuar).[13]”

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ndërroi jetë më 29 të muajit rexheb, në vitin 204h, përkatësisht në natën e xhuma pas jacisë.

    Në fund, e lus Allahun e Lartësuar me emrat e tij të bukur dhe me Cilësitë e Tij të Larta që ta mëshirojë Imam Shafiun me rahmetin e Tij të pafund dhe të gjithë ata që dhanë dhe japin mundin e tyre maksimal në mbrojtjen e Sunnetit të të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem deri në ditën e ringjalljes.

    Përgatiti: Sabahudin Selimi

    Literatura e konsultuar:

    1) Sijer a’lam en-Nubela – Shemsud-din ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi. Mues-seseturr-rrisale. Një grup verifikues me mbikëqyrje të Shuajb Arnautit.
    2) Sifetus-Safve – Abdurr-Rrhman ibën Alij ibën Muhamed Ebul-Ferexh. Shtëpia botuese Darul-Ma’rife – Bejrut, botimi i dytë.
    3) Mevaidhul-imam esh-Shafii’j - Përmblodhi Salih Ahmed esh-Shami.


    ________________________________________

    [1] Ez-Zumer, ajeti 9.
    [2] Sahih ve Daif sunen ebi Davud 3641 (sahih).
    [3] Ahad quhen ato hadithe që i transmeton çdo gjeneratë vetëm nga një transmetues. P.sh., siç është hadithi i parë në Sahihun e Buhariut: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit...”.
    [4] Sijer a’lam en-Nubela 10/46.
    [5] Sijer a’lam en-Nubela 10/46.
    [6] Sijer a’lam en-Nubela 10/36.
    [7] Sijer a’lam en-Nubela 10/46.
    [8] Mevaidhul-Imam esh-Shafii’j, fq. 3.
    [9] Sijer a’lam en-Nubela 10/16.
    [10] Sijer a’lam en-Nubela 10/34.
    [11] Sijer a’lam en-Nubela 10/35.
    [12] Sijer a’lam en-Nubela 10/41.
    [13] Sijer a’lam en-Nubela 10/18.
    Kush nuk është robi i All-llahut, ai është robi i shejtanit.

  4. #4
    Robi i All-llahut
    Anëtarësuar
    09-01-2008
    Vendndodhja
    Në Itali
    Postime
    1,774
    Bismilah


    Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë)



    Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili në librin e Tij Famëlartë ka thënë: “Allahu i ngre në shkallë të larta ata që besuan prej jush dhe ata që u është dhënë dije. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.”[1]

    Përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, e bën që t’i kuptojë njohuritë e fesë.”[2]

    Përshëndetjet tona qofshin edhe mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të sinqertë dhe mbi të gjithë ata që pasuan dhe pasojnë rrugën e tyre me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

    Të shkruash për një dijetar si imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, është një nder i madh, sepse ai ishte një nga shëmbëlltyrat më të rëndësishme në ummetin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem pas sahabëve. Ai e ndriçoi këtë ummet me dritën e diturisë kur atë pothuajse e kishte kapluar errësira e injorancës së atyre që pasojnë mendjet dhe epshet e tyre. Ai ishte imami i besimtarëve sa ishte gjallë dhe pas vdekjes së tij. E lusim Allahun e Lartësuar që ta mëshirojë me Mëshirën e Tij të pafund.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, është njëri prej katër imamëve të katër medhhebeve të njohura të Ehli Sunnetit. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 164h në qytetin e Bagdadit, në Irak. Që në fëmijërinë e tij u dallua dhe u shqua nga moshatarët e tij. E mësoi Kur’anin përmendësh në moshë shumë të re dhe e këndonte atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, që në moshë të re filloi të kërkonte dituri. Në fillim mori dituri nga dijetarët që ishin në vendin e tij, kurse më pas filloi të udhëtojë në kërkimin e diturisë nga dijetarët e vendeve të tjera islame, si në Mekë, Medinë, Basra, Jemen e kështu me radhë. Ai udhëtoi për në Basra më shumë se pesë herë duke kërkuar dituri nga dijetarët e hadithit, kurse drejt Hixhazit udhëtoi disa herë. Nga dijetarët më të dalluar që takoi aty ishte imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë. Nga ai i mori bazat në fushën e hadithit, fikhut dhe shumë njohuri të tjera. Ai përfitoi shumë nga ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, i cili ishte nga dijetarët më të dalluar në kohën e tij. Shkoi të kërkojë dituri edhe në Jemen, në qytetin San’a, ku dëgjoi hadithe nga dijetari i nderuar Abdurr-Rrez-zak ibën Hem-mami, Allahu e mëshiroftë.

    Udhëtimet e tij në kërkimin e diturisë ishin të shumta, por edhe të mundimshme. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, u përball me vështirësi të shumta në kërkimin e diturisë, në veçanti kur udhëtoi për në Jemen, mirëpo dashuria e tij për diturinë dhe në veçanti për kërkimin e hadithit e bëri atë të jetë gjithmonë i paluhatshëm në këtë qëllim dhe të përballojë çdo vështirësi që i paraqitej në rrugën e tij drejt diturisë. Këto vështirësi me të cilat përballej imam Ahmedi ishin si parapërgatitje për një të ardhme të afërt, kur u sprovua me një sprovë shumë të madhe. Kjo sprovë ishte dalja në shesh e mendimit të grupimit el-mu’tezile, i cili përkrahej nga kalifi i muslimanëve në atë kohë. Mendimi i tyre ishte se Kur’ani nuk është fjala e Allahut të Lartësuar, por është i krijuar. Kjo vendosmëri e paluhatshme e imam Ahmedit bëri që i gjithë ummeti i Muhamedit alejhi salatu ve sel-lam të mbështetej tek ai kur ummetin e kishte kapluar kjo fitne e madhe dhe e pabazë, e cila nuk ishte tjetër vetëm se pjellë e atyre që pasonin logjikën dhe epshet e tyre duke lanë anash Sunnetin e pastër të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

    Kërkuesit e dijes udhëtonin me kilometra të tëra për të dëgjuar nga imam Ahmedi qoftë edhe vetëm një hadith, sepse ishte nder për ta. Nga ai transmetonin hadithe edhe dijetarët me eminentë që njihte bota islame në atë kohë, si: Veki’ ibën Xherr-rrah, imam Shafiu, Alij ibën Medini, Kutejbe ibën Seidi etj.


    Fjalët e mësuesve të imam Ahmedit për të



    1) Abdurrezzak ibën Hemmami, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam parë askënd më të mençur dhe më të devotshëm se Ahmed ibën Hanbeli.”[3]

    2) Muhamed ibën Alij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Kutejbe ibën Seidin duke thënë: “Sikur të mos ishte Sufjan eth-Thevri, do të vdiste devotshmëria, por sikur të mos ishte Ahmed ibën Hanbeli, do të shpiknin në fe (bidatxhitë) çfarë të donin.” Në një transmetim tjetër ka thënë: “Kur të vdesë Ahmed ibën Hanbeli, do të shfaqen bidatet.”[4]

    3) Kutejbe ibën Seidi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse shihni dikë që e do Ahmed ibën Hanbelin, atëherë dijeni se ai njeri është pasues i Sunnetit. ”[5]

    4) Ibrahim ibën Shemmas, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam pyetur Veki’ ibën Xherr-rrahun për Harixhetu ibën Mus’abin, që të na transmetojë hadithe nga ai. Ai më tha: “Unë nuk transmetoj nga ai, më ka ndaluar Ahmed ibën Hanbeli që të transmetoj nga ai.”[6]

    5) Hisham ibën AbdulMelik et-Tajalisij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka në Basra e as në Kufe njeri që është më i dashur dhe më i respektuar prej meje sesa Ahmed ibën Hanbeli.”[7]


    Fjalët e moshatarëve të tij për diturinë e imam Ahmedit



    1) Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam parë më të mençur se dy persona: Ahmed ibën Hanbeli dhe Sulejman ibën Davud el-Hashimi.”[8]

    2) Alij ibën Medini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e ka ndihmuar këtë fe me dy persona, me Ebu Bekrin në “ditën e Rrides”[9] dhe me Ahmed ibën Hanbelin në “ditën e Mihnes” (sprovës)[10].”

    3) Ishak ibën Rahevejhi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ahmed ibën Hanbeli është argument mes Allahut dhe robërve të Tij në tokë.”[11]


    Mësuesit e tij



    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, që në moshë të re filloi të kërkojë dituri dhe për këtë arsye dijetarët nga të cilët mori dituri ishin të shumtë, mirëpo ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

    1) Ab-bad ibën Ab-bad el-Muhel-lebij
    2) Mu’temir ibën Sulejman et-Tejmij
    3) Sufjan ibën Ujejnete el-Hilalij
    4) Jahja ibën ebi Zaidete
    5) Ebu Bekër ibën Aj-jash dhe shumë të tjerë, Allahu i mëshiroftë të gjithë.


    Nxënësit e tij



    Duke pasur parasysh diturinë e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, dhe pozitën e tij te dijetarët dhe kërkuesit e dijes, është shumë e natyrshme që ky imam të ketë qenë në vëmendjen e çdo kërkuesi të dijes dhe çdokush prej tyre imagjinonte të ishte nga nxënësit e tij. Ky ishte një nder i madh për çdo kërkues të dijes. Nga kjo kuptojmë se nxënësit që mësuan nga ai ishin të shumtë, mirëpo ne do ë ndalemi vetëm disa prej tyre:

    1) Abdall-llah ibën Abdurr-Rrahman es-Semerkendij
    2) Abdall-llah ibën Ahmed ibën Hanbeli (djali i imam Ahmedit)
    3) Ebu Davud es-Sixhistanij (imam Ebu Davudi)
    4) Muhammed ibën Ismail el-Buharij (imam Buhariu)
    5) Jahja ibën Abdul-Humejd el-Himmanij, Allahu i mëshiroftë të gjithë.


    Librat e tij



    Muslimanët trashëguan një seri librash të shkruar nga imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë. Më voluminoz është “Musnedi” i tij, në të cilin përmblodhi afër tridhjetë mijë hadithe. Me këtë vepër ua lehtësoi rrugën kërkuesve të dijes për grumbullimin e haditheve. Ndër të tjera ishin edhe këta libra:

    1) Fadailus-Sahabe, i botuar në dy vëllime
    2) El-ilel ve ma’rifeturr-Rrixhali, i botuar
    3) El-esami vel-Kuna, i botuar
    4) Kitabuz-Zuhd, i botuar
    5) Err-Rred-du alaz-Zenadikah vel-Xhehmij-je, i botuar disa herë
    6) Kitabul-Vukuf vel-Vesaja, i botuar
    7) Ahkamun-Nisa, i botuar.

    Disa fjalë të imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

    1) Bazat e Sunnetit për ne janë: kapja pas asaj që kanë qenë shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe pasimi i tyre dhe lënia e bidateve (risive në fe), se çdo bidat është humbje....”[12]

    2) Abdallah et-Taresusi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Ahmed ibën Hanbelin duke thënë: “Mos i shoqëroni pasuesit e mendjeve edhe nëse e ndihmojnë Sunnetin (e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).”[13]

    3) Fadël ibën Zijadi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Ahmed ibën Hanbelin duke thënë: “Kush e refuzon hadithin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ai është në buzë të shkatërrimit.[14]”[15]

    4) Mejmuni, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më tha mua Ahmed ibën Hanbeli: “Asnjëherë mos flit për ndonjë mesele (çështje në fe), përderisa nuk ke në të një imam (dijetar që të paraprin, që ka folur për këtë çështje para teje).”[16]

    5) “Nuk kam shkruar asnjë hadith pa vepruar me të, derisa edhe kur kam shkruar (hadithin) se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem e ka bërë hixhamen[17] dhe i dha eba Tajbes një dinar, e kam bërë edhe unë hixhamen dhe i dhashë atij që ma bëri (hixhamen) një dinar.”[18]

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ndërroi jetë në ditën e xhuma të muajit Rrebiul-Ev-vel në vitin 241h. Në varrimin e tij morën pjesë mbi njëqind mijë xhematlinj. Vdekja e tij ishte një tronditje e madhe për ummetin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

    Neve nuk na mbetet tjetër vetëm se t’i lutemi Allahut të Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që ta mëshirojë këtë dijetar me Mëshirën e Tij, e cila është e pafund, dhe të na bashkojë ne dhe atë në xhennetin Firdevs me Pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët.

    Përgatiti: Sabahudin Selimi

    Literatura e konsultuar:
    1) Kur’ani i Madhëruar – Me përkthim të Sherif Ahmetit.
    2) Sahihul-Buhari.
    3) Sahihu Muslim.
    4) “Menakibul-Imam Ahmed ibën Hanbel”, Ibni Xhevzij, Mues-sesetul-Hixhër, me verifikim të Abdull-llah ibën Abdul-Muhsin et-Turkij.
    5) “Sijer a’lam en-Nubela”, Shemsud-din ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi, Mues-seseturr-rrisale. Një grup verifikues me mbikëqyrje të Shuajb Arnautit.
    6) “Usulus-Sun-neh”, Ahmed ibën Hanbeli, Darul-Menar.



    ________________________________________

    [1] El-Muxhadele: 11.
    [2] Transmeton Buhariu 71, Muslimi 1037.
    [3] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 83.
    [4] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 105.
    [5] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 103.
    [6] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 90.
    [7] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 91.
    [8] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 144.
    [9] Kjo ishte pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur disa fise arabe u kthyen në fenë e mëparshme dhe disa prej tyre nuk pranon ta jepnin zekatin.
    [10] Qëllimi është fitneja e madhe në kohën e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, kur një grupim i devijuar, el-mu’tezile, thoshte se Kur’ani ishte i krijuar.
    [11] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 156.
    [12] “Usulus-Sun-neh”, fq. 14.
    [13] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 210.
    [14] Për fat të keq, të tillë në kohën tonë ka shumë, duke filluar nga muslimanët e thjeshtë e deri tek ata që e quajnë veten hoxhallarë. Ata kanë arritur deri në atë masë saqë nëse i kundërshton bidatet e tyre, qoftë edhe me hadithe nga “Sahihu” i Buhariut dhe Muslimit, nuk i pranojnë, por vazhdojnë me bidatet që kanë trashëguar nga të parët e tyre. Përveç kësaj, edhe shpallës si njeri që po shpikë bidate (risi në fe).
    [15] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/297.
    [16] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/296.
    [17] Hixhame quhet nxjerrja e gjakut të keq nga trupi. Është pjesë e mjekësisë së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
    [18] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/296.
    Kush nuk është robi i All-llahut, ai është robi i shejtanit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •