Misteri, kapet me armë polici i rremë në Shijak
DURRES - Policia e Shijakut ka vënë në pranga një 37-vjeçar banues në Katund Sukth, pasi ishte veshur me uniformë policie pa qenë pjesëtar i kësaj trupe. Bëhet fjalë për Idlir Dervishin, i cili akuzohet për "Kanosje për shkak të detyrës", "Mosbindje ndaj urdhrave të ligjshëm të punonjësve të Policisë së Rendit Publik", "Mbajtje pa të drejtë të uniformës" dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta". Burime nga policia lokale pohojnë, se gjatë ditës së premte kanë vazhduar kontrollet për armëmbajtje pa leje dhe se janë arrestuar 4 persona.
POLICI I RREME
Mëngjesin e së premtes, një polic i panjohur qëndronte përballë godinës së Komisariatit të Shijakut. Ai u ka tërhequr vëmendjen efektivëve të policisë, të cilët kanë konstatuar se personi me uniformë nuk ishte kolegu i tyre. Menjëherë uniformat blu i kanë bërë thirrje kolegut të rremë që të shkonte pas tyre në Komisariat. Por, 37-vjeçari jo vetëm që nuk i është bindur këtij urdhri, por ka nisur të kanosë e të fyejë efektivët e policisë.
Në këto kushte, atyre ju është dashur që të përdorin forcën dhe ta arrestojnë atë. Burimet e mësipërme pohojnë se ende nuk është sqaruar shkaku i qëndrimit të policit të rremë përpara Komisariatit të Shijakut ndërkohë që atij i është kapur edhe një armë e ftohtë që dyshohet si thikë. Arrestimi i tij vjen në një moment tensioni në Shijak, vetëm pa ditë pas vrasjes së shefit të komisariatit, Adem Tahiraj.
ARMET
Po të premten, u arrestua në flagrancë për veprën penale të "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake", 34-vjeçari Xhimi Buna, lindur dhe banues në Durrës. Në lagjen Nr.2 të qytetit Durrës, në afërsi të institucionit të Prokurorisë së Rrethit, gjatë një kontrolli personal të ushtruar nga punonjësit e Policisë, 34-vjeçarit iu gjet një pistoletë e markës "Ekol Special", 9 mm, të cilën e mbante pa leje. Arma e sekuestruar do t'i nënshtrohet ekzaminimit laboratorik. Gjithashtu, janë prangosur për mbajtje të armëve pa leje dhe 61-vjeçari Qazim Daci nga fshati Budull i Krujës; dy 19-vjeçarët Çlirim Hysa dhe Gentjan Toçi nga Kodër Rrushkull Durrës dhe 50-vjeçari Enver Balla, banues në Shënavlash të Durrësit.
Vrasja e Tahirajt, krimi që tensionoi Shijakun
Dhjetë ditë më parë u vra shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj gjatë një kontrolli të një automjeti me targa të huaja. Personi i akuzuar për vrasjen, Ilir Xhakja u dorëzua të nesërmen. Ngjarja shkaktoi mjaft tension në zonën e Shijakut ndërkohë që dy ditë më parë policia njoftoi arrestimin e shoferit të Tahirajt dhe shpalli në kërkim oficerin tjetër Kastriot Gosturani. "Në Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën", u tha në njoftimin e policisë pas vrasjes së Tahirajt. Ndërkohë, policia bëri publike edhe arsyet e ndjekjes penale të oficerëve shoqërues të Tahirajt. "Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë. Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji", - u shpreh zëdhënësi i ministrisë së Brendshme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt