-
Durimi i BE-së ka një kufi
Partosh: S’plotësuat 12 kriteret, durimi i BE-së ka një kufi
TIRANE-Gabriel Partosh, analisti i njohur çështjeve të Europës Qendrore e Lindore, shpjegon në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” koordinatat e Shqipërisë në lidhje me marrjen e statusit kandidat nga Bashkimi Europian.
Ai vë re se politikanët shqiptarë kanë filluar të nxitojnë tek shikojnë kohën e shkurtër që ka mbetur siç ndodhi edhe me miratimin e imunitetit vetëm pak ditë më parë. Por më shumë se kjo, ai thotë se ky miratim tregoi qartë se mazhoranca dhe opozita mund të bashkëpunojnë nëse e konsiderojnë këtë gjë si diçka në dobi të popullit.
Analisti anglez e vlerëson miratimin e imunitetit si një nga ato hapa të fuqishëm që Bashkimi Europian pret të shohë më shpesh nga ana e Shqipërisë me qëllim që ajo të bëhet gjithnjë e më shumë e besueshme si një kandidat për tu anëtarësuar në BE.
Sipas Partoshit, BE ka përdorur dhe duhet të vazhdojë të përdorë një gjuhë të kalibruar mirë dhe nxitëse, por ama edhe shpesh, thotë ai, duhet t’i bëhet e qartë Shqipërisë se ka një limit edhe durimi i Bashkimit Europian kur shikon se nuk po bëhet progres.
Pas një periudhë të gjatë debatesh, heqja e imunitetit u miratua të martën e kaluar me votat konsensuale të 130 deputetëve shqiptarë. Si e shikoni këtë hap?
Miratimi i ligjit për heqjen e imunitetit nga prokuroria të cilin e gëzonin politikanët dhe gjykatësit është një arritje e rëndësishme për tre arsye. E para do të jetë më e lehtë të ndjekësh penalisht individë me pushtet dhe influencë të cilët akuzohen për korrupsion. Së dyti, kjo tregoi se qeveria dhe opozita mund të punojnë së bashku nëse ato e konsiderojnë bashkëpunimin midis tyre si një përfitim për vendin. Dhe së treti, miratimi i këtij ligji e afron një hap më shumë Shqipërinë në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat nga BE sepse në këtë mënyrë është plotësuar një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Europian.
Si e shikoni Shqipërinë që nga Nëntori i 2011-ës, kohë kur mazhoranca dhe opozita arritën marrëveshjen e tyre të parë konsensuale me ndihmën e BE-së?
Mendoj se ky vit përmban të dhëna miks me disa arritje për tu shënuar. Në veçanti, padyshim, më e rëndësishmja – miratimi i ndryshimeve të kodit elektoral - ishte një arritje me shumë vlerë dhe një shenjë progresi. Patjetër emërimi i Avokatit të Popullit ishte një hap tjetër i rëndësishëm. Por ka ende shumë për të bërë. Ka çështje të tjera ku janë arritur përparime, por nuk janë çuar deri në fund. Këtu do të përmendja ndryshimet e procedurave parlamentare apo rifreskimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë — procedurat gjyqësore. Pra ka ende çështje për tu diskutuar. Në përgjithësi, ky vit mund të përshkruhet si ‘po’ progres është bërë, por ka ende për të bërë.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces i bazuar në meritë. Sipas jush, kush është pengesa kryesore që nuk po e lë këtë proces të eci më shpejt?
Mendoj se është vetë natyra e politikës në Shqipëri dhe dyshimet reciproke tek partitë kryesore. Por pengesa kryesore (megjithëse kjo nuk është diçka e re sepse ajo është parë shumë në këto vite) është polarizimi i skenës politike në vend. Vitin tjetër, ky polarizim mund të bëhet më intensiv me afrimin e zgjedhjeve parlamentare. Thënë kjo, ia vlen të thuhet se “duhen dy për të kërcyer një tango”. Kështu, mund të themi se tashmë BE ka dyshime të qarta dhe serioze sa i përket zgjerimit. Jo vetëm kur bëhet fjalë për Shqipërinë, por në përgjithësi për një numër vendesh në Ballkan. Ky qëndrim erdhi sidomos pas zgjerimit më të fundit të BE-së në vitin 2007 ku eksperienca me Bullgarinë dhe Rumaninë ka hapur një debat të gjatë rreth faktit se vendet kandidate kanë nevojë të fuqizohen para se të hyjnë në BE. Kjo eksperiencë e ka bërë BE-në më të kujdesshme se sa ka qënë 5, 6 apo 10 vite më parë. Kjo është një tjetër pengesë. Por më themelorja gjendet brenda vetë Shqipërisë.
Çfarë lloj gjuhe duhet të përdorë Bashkimi Europian në këtë moment me Shqipërinë kur duket qartë se nuk është në një pozitë edhe shumë komode?
Mendoj se gjuha që duhet të përdorë Bashkimi Europian duhet të jetë e kalibruar. Nga ana tjetër, duhet të injektojë një dozë nxitjeje. Por gjithashtu duhet ta bëjë të qartë se ka një limit edhe durimi i Bashkimit Europian kur shikon se nuk po bëhet progres. Ka nevojë ta përsërisë këtë në fund të fundit. Suksesi i Shqipërisë varet nga vetë Shqipëria ose më saktë në rendimentin e autoriteteve shqiptare në zbatimin e të gjitha ndryshimeve që kanë rëndësi.
Konsolidimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbëjnë një nga reformat bazë të kërkuara nga BE. Si i shikoni përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në këtë aspekt?
Do të thoja se ky është vargu më i dobët në zinxhirin e reformave dhe të përparimeve që ka bërë Shqipëria deri më tani. Dhe kjo nuk vlen vetëm në aspektin e sigurimit të statusit kandidat sepse lufta kundër korrupsionit është një çështje më e gjerë sesa marrja e një hapi që të afron më pranë integrimit në Europë. Thënë kjo, hapa të vërtetë dhe jo të shtirë në këtë drejtim do ta ndihmonin Shqipërinë të jetë më e besueshme si një kandidat potencial për anëtarësim në BE. Midis mangësive që vihen re në këtë fushë, ia vlen të drejtohet vëmendja tek vendimet e gjykatës që kanë vendosur se provat e videove që tregojnë qartazi shkeljet janë të papranueshme, nuk merren parasysh në proceset gjyqësore.
Në përgjithësi, të dhënat e Shqipërisë deri tani më bëjnë të mendoj se sistemi i drejtësisë dhe politikanët nuk kanë ndërmarrë akoma ndonjë hap kryesor në drejtim të trajtimit të korrupsionit në një mënyrë efikase. Në tërësi, çështja e korrupsionit mbetet një minus sesa një plus në tabelën e pikëve të shënuara nga Shqipëria.
Cila është përshtypja që ju la zëvendësimi i papritur i kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror Shqiptar (SHISH)? Ambasada Amerikane në Shqipëri reagoi duke parë që kjo lëvizje nuk u diskutua më parë me të.
Z. Berisha dhe qeveria janë përpjekur shpesh në raste të mëparshme të zëvendësojnë ish-kryetarin e shërbimit sekret, por kanë dështuar pjesërisht edhe sepse ato nuk arritën të siguronin miratimin e ish-Presidentit Topi. Duket se Z. Berisha ndihet më rehat me një person në krye të SHISH që është më pranë tij politikisht. Në aspektin e shërbimit të tij të mëparshëm ndaj administratës, Z. Ajazi Lika është parë si më shumë i shoqërueshëm me udhëheqjen aktuale se sa paraardhësi i tij. Në këtë kuptim, emërimi i tij duket se pasqyron vlerësimet politike më shumë se sa ndonjë referencë ndaj ekspertizës profesionale. Në çdo rast, pavarësisht se kush është në krye të SHISH, është e rëndësishme që komisionet e caktuara parlamentare dhe autoritetet gjyqësore të mbikëqyrin si duhet aktivitetet e këtij institucioni në mënyrë që të sigurohen se i kryen detyrat në një mënyrë relativisht të pavarur.
Cila është prognoza juaj lidhur me mundësitë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat këtë vit?
Është një parashikim i vështirë. Po të konsiderojmë anën negative, është e qartë se Shqipëria nuk ka plotësuar akoma të gjitha 12 prioritetet bazë të vendosura nga Komisioni Europian. Midis kushteve të rëndësishme që duhet të plotësohen janë reforma në sistemin e drejtësisë dhe përmirësimet e procedurave parlamentare. Ndërsa për sa i përket anës pozitive, mund të nxjerrim në pah reformimin e kodit elektoral, zgjedhjen me konsensus të Avokatit të Popullit dhe së fundmi miratimin e ligjit që kufizon imunitetin.
Shqipëria po i afrohet përmbushjes së kushteve të BE-së, por procesi nuk është përfunduar akoma. Javët vijuese do të jenë vendimtare në këtë aspekt ndërkohë që Komisioni Europian do të japë muajin tjetër rekomandimin lidhur me aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Jo çuditërisht, ne po dëshmojmë më në fund ndjenjën e ngutjes midis politikanëve shqiptarë dhe kjo u pa me miratimin e ligjit për imunitetin. Tani ata duhet të ndërmarrin disa hapa thelbësorë brenda një kohe shumë të shkurtër nëse Shqipëria do të ketë një mundësi të mirë për ta marrë statusin e vendit kandidat.
Shqipëria do të ndihmohet nga fryma e vullnetit të mirë nga ana e BE-së e cila vjen si rrjedhojë e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Pra ka një qëllim për të qenë optimist. Edhe nëse BE-ja mund të hezitojë ta bëjë Shqipërinë kandidate menjëherë, ajo mund të vendosë t’ia japë këtë status me kusht që disa nga pikat e paplotësuara të përmbushen në muajt që pasojnë.
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)
-
-
Ne zgjedhjet e 2013 te dyja partite PD-PS do ken avantazhe per tu votuar nese do bashkpunojne per te mare statusin e vendit kantidat. Do jete merit e te dyja partive nese plotesohen pikat e kerkuara nga BE dhe Shqiperia mer statusin e vendit kantidat.
Une shpresoj qe keto parti ti anashkalojne mosmarveshjet e tyre politike dhe ta tregojne veten qe kur behet fjale per ecurine drejt antarsimit ne organizata kaq te rendesishme per vendin tone te behen bashke dhe ti thone PO mirqenjes se popullit Shqiptar dhe ti thone PO BE-se, ne jemi pjese e Europes dhe si te tille do te vijme drejt jush si qytetare dhe si politikane qe japim kontributin tone ne nje Europe te qytetruar dhe me ligje, ne nje Europe ku cdo problem zgjidhet ne parlament dhe jo ne rruge
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt