Filmat shqiptarë do strehohen në tunelet e diktaturës
Janë 6 tunele në periferi të Tiranës që do të shqyrtohen si vende të mundshme. Specialisti amerikan i arkivave, Kenneth Weissman, do të vijë në Tiranë për të parë nga afër kushtet
Oliverta Lila
Fondi i Arkivit të Filmit mund të spostohet në një tunel të diktaturës. Ideja po shqyrtohet seriozisht nga arkivi, ndërkohë që po merren masat për të vlerësuar nga afër nëse ndonjë prej tuneleve që gjenden në periferi të Tiranës mund t’i përmbushte kushtet për t’u kthyer në një strehë të fondit filmik. “The Albanian Cinema Project” (Projekti për kinemanë shqiptare), njofton se pikërisht për këtë qëllim, në muajin nëntor, do të vijë në Tiranë specialisti amerikan i arkivave, Kenneth Weissman, për të vlerësuar gjendjen e disa tuneleve në rrethinat e Tiranës. “ACP po punon që të gjejë një tunel me përmasa të mjaftueshme për të vendosur aty fondin filmik, për të mësuar më shumë mbi bunkerët e kohës së komunizmit në Shqipëri dhe se çfarë po bëjnë shqiptarët për t’i ripërdorur ata”, thuhet në faqen e kësaj nisme, themeluar nga kineastët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, në të cilën janë bërë pjesë personalitetet të njohura të kinemasë botërore dhe specialistë arkivash. Frymëzuar nga format alternative që arkivistët kudo në botë janë duke kërkuar, Rexhina Longo, specialistja amerikane e arkivave që vizitoi Arkivin e Filmit në qershor të këtij viti, u vendos në kontakt me Kenneth Weissman, specialistin që arriti të shpëtojë arkivin e filmit amerikan, duke e vendosur në bunkerin e “The Packard Campus”. Weissman, i cili është shef i laboratorit të konservimit në Librarinë e Kongresit në Amerikë, ka strehuar në tunelet e nëndheshme një koleksion prej 6.3 milionë njësish audio-vizuale dhe materiale filmike.
“Duhet ta konsiderojmë fat që në Shqipëri do të vijë ai që e ka themeluar idenë e ripërdorimit të bunkerëve të Luftës së Ftohtë. Kenneth Weissman do të vijë të shohë nga afër nëse ndonjë nga 6 tunelet që gjenden në periferi të Tiranës kanë hapësirën dhe kushtet e përshtatshme. Gjatë takimit që ne, Regina Longo dhe përfaqësues të AQSH-së patëm me ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi, kjo ide u mirëprit, sepse edhe ata vetë kishin nisur projekte për rivitalizimin e këtyre objekteve. Diskutimet kanë nisur mes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes për mundësinë e përdorimit të ndonjë prej këtyre 6 tuneleve”, thekson kineastja Iris Elezi. Kjo është e dyta nismë pas projektit për restaurimin e filmave shqiptarë. Puna konkrete ka nisur me restaurimin e filmit “Nëntori i dytë”, i cili do të shfaqet gjatë Festivalit Kombëtar të Filmit që do të mbahet më 6-8 nëntor në Tiranë, ndërkohë që po në nëntor në Shqipëri mbërrijnë dhjetëra arkivistë nga e gjithë bota në kuadër të seminarit “Kujtesa e Ballkanit”. Sipas Elezit, ky projekt nuk synon vetëm magazinimin e fondit filmik, por kthimin në një qendër shumëfunksionale. Projekti parashikon ngritjen e një laboratori restaurimi, një kinemaje të vogël apo edhe një vend leximi. Elezi mendon se këto janë të domosdoshme për një projekt që duhet t’i rezistojë kohës. “Që në fillesat e arkivit, ka qenë gjithnjë problematik, sepse ka qenë vendosur pranë stacionit të autobusëve Kombinat-Kinostudio dhe më vonë u ngrit afër edhe një pike karburanti. Besoj se çdo ambient i ri do të ishte më i përshtatshëm. Ne nisëm projektin e restaurimit dhe kemi mbështetjen e njerëzve të famshëm të kinemasë dhe projekti i zhvendosjes së mundshme në një tunel ka ecur me hapa të lavdërueshëm. Ne pretendojmë që të gjejmë mbështetje të madhe edhe te publiku shqiptar dhe i referohem këtu një mbështetjeje sado të vogël financiare prej 100 apo 300 lekësh, sepse procesi i restaurimit është shumë i kushtueshëm dhe duhet të na ndihmojnë të shpëtojmë këtë pjesë të trashëgimisë shqiptare”, thotë Elezi. Gjatë vizitës së saj në qershor në Arkivin e Filmit, Regina Longo iu referua problemeve klimatike të godinës. Ndërkohë detajet e projektit, për sa i përket sigurisë dhe problematikave të tjera, mbeten për t’u diskutuar. Vizita e muajit nëntor do të sqarojë shumëçka mbi këtë pikë.
6420 - Tituj filmash gjenden në fondin e Arkivit Qendror të Filmit. Nga këta, 4327 filma janë prodhime shqiptare (artistikë, dokumentarë, të animuar) dhe 2093 filma të huaj
6 tunele - Janë 6 tunele që ndodhen në periferi të Tiranës që do të shqyrtohen si streha të mundshme të fondit filmik. Arkivisti amerikan, Kenneth Weissman, i pari që ka aplikuar një ide të tillë, do të vijë në nëntor në Tiranë
Filmi
Restaurohet “Nëntori i dytë”
I pari film që po restaurohet në “Colorlab Film Corp” është “Nëntori i dytë”. Iris Elezi thotë se restaurimi ka ecur shumë mirë dhe kopja e restauruar do të shfaqet në ditët e Festivalit të Filmit Shqiptar në Tiranë në fillim të muajit nëntor. “Nëntori i dytë” është një prodhim i vitit 1982, me regji të Viktor Gjikës, skenar të Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit, ku interpretimi i aktorit të madh, Sandër Prosi, ka bërë që të jetë ai imazhi që shqiptarët kanë për Ismail Qemalin. Pas restaurimit, ky film do të nisë një tur shfaqjeje, duke u përkthyer edhe anglisht. Filmi do të shfaqet në edicionin e parë të “Festival of the Archives”, i cili do të zhvillohet në datat 7-9 dhjetor në SIFF Cinema në Seattle dhe në një sërë festivalesh të tjera. http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/0...-e-diktatures/
Projekti unik, bunkeri që po shndërrohet në “hotel”
Në Tale, 10 studentë gjermanë dhe 10 shqiptarë po punojnë për një projekt turistik mjaft interesant. Konvertimin e bunkerëve në “hotele” që do të sigurojnë hapësirë për deri në 8 njerëz. Në seksionin e saj, INTERNATIONAL, e përditshmja gjermane DER SPIEGEL i ka kushtuar vëmendje këtij projekti, për të cilin thotë se, ish-sundimtari komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha kishte ndërtuar rreth 750.000 banesa “eskimeze”, bunkerë të ndërtuara në të gjithë vendin në vitet 1970 dhe 1980.
Ndërtimi i bunkerëve, thotë DER SPIEGEL, erdhi nga frika që kishte diktatori nga pushtuesi i huaj. Ai ndërtoi këto bunkerë për të mbrojtur popullsinë. Bunkerët, shkruan më tej, pasqyrojnë një paranojë të pashembullt të diktatorit.
Për momentin plani është për të rinovuar një bunker të vetëm, por që kjo mund të ndryshojë së shpejti. Është një studente shqiptare që studion në Gjermani, e cila me këtë projekt do të mbrojë diplomën e saj me titull “Bunkerkunft”, përshtatur për “Unterkunft” që në shqip do të përkthehej, “akomodimi”. Ajo është duke paraqitur një mënyrë mjaft interesante për të tërhequr turistë, duke i kthyer bunkerët në vende tërheqëse për vizitorët e huaj dhe shqiptarë.
Studentët e përfshirë në këtë projekt thonë se qëndrimi një natë në “bunker”nuk do të kushtojë më shumë se 8 euro për person. Ata thonë se bunkerët e kthyer në hotele duhet të jenë nën administrim lokal.http://www.panorama.com.al/2012/09/1...ohet-ne-hotel/
Krijoni Kontakt