Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,978
    Postimet në Bllog
    22

    Atentati ndaj ish-oficerit të ShISh-it, kërkohet ish-agjent i Shërbimit Sekret

    Atentati ndaj ish-oficerit të ShISh-it, kërkohet ish-agjent i Shërbimit Sekret

    TIRANE- Atentati ndaj ish-oficerit të ShISh-it, Eduart Dako, policia identifikon dhe shpall në kërkim ish-vartësin e tij tashmë jashtë shërbimit, Genti Roshi 40 vjeç banues në Tiranë. Ky i fundit dyshohet se është autori i atentatit të dy netëve më parë në kryeqytet, në rrugën “Stavri Themeli”, kur një person i maskuar me një kapuç të zi në kokë dhe me një pistoletë në dorë qëlloi katër herë ndaj Eduart Dakos, 36 vjeç, banues në Tiranë, duke e lënë këtë të fundit të plagosur rëndë në këmbë dhe në pjesën e legenit. Dako fillimisht mësohet se u përlesh me atentatorin, por më vonë humbi ndjenjat për shkak të goditjes së marrë në kokë nga qyta e pistoletës dhe plagët e shkaktuara nga plumbat e pistoletës të marra në këmbë dhe në trup.

    Motivet

    Shkak për atentatin, sipas burimeve të policisë, referuar deklarimeve të të plagosurit në spitalin ushtarak, ka qenë pikërisht një sasi borxhi prej rreth 30 mijë eurosh që Dako i kishte dhënë të dashurës së Roshit, hebrejes me shtetësi zvicerane Anjezë Fure (Agense Foure).

    Kjo e fundit rezulton të jetë pronare dhe aksionerja kryesore e qendrës multimediale të argëtimit “IXY World Prelude Evolution”, në një qendër të madhe tregtare në fshatin Lundër në juglindje të kryeqytetit. Madje jo vetëm kaq, por falë njohjes me ish-vartësin e tij dhe njëkohësisht edhe ish-shok i tij Genti Roshin, i plagosuri Dako mësohet se kishte dalë edhe ndërhyrë te miq apo të njohur të tjerë për të investuar, apo për t’i dhënë para borxh zviceranes. Këta të fundit i kanë dhënë zviceranes shuma të konsiderueshme parash, në formë borxhi dhe me interes, në mënyrë që ajo të përballonte punimet që do të bëheshin për ndërtimin e qendrës multimediale të argëtimit. Ndërkaq nga denoncimet e mëparshme të personave të ndryshëm, që kishin punuar për llogari të Furesë, si bashkëpunëtorë apo si nënkontraktorë, kjo e fundit nuk ka mundur të shlyejë pjesën më të madhe të punimeve të kryera. Pikërisht fakti se Dako është bërë një nga personat kryesorë duke denoncuar në media, bashkë me persona të tjerë të dëmtuar dhe të mashtruar, dyshohet të jetë shkaku që mund të ketë çuar Roshin drejt atentatit të dy netëve më parë në kryeqytet, kur Dako mbeti i plagosur rëndë.

    Atentati

    Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 22:30, Dako, ka qenë duke udhëtuar në drejtim të banesës së tij në rrugën “Stavri Themeli”, në Rrugën e Kavajës, pranë ish- parkut të autobusëve. Dako parkoi veturën e tij dhe më pas u drejtua për në banesë. Kur po ngjiste shkallët dëgjoi një krismë të thatë dhe më pas tri të tjera me radhë. Sipas rrëfimit të tij për hetuesit, fillimisht nuk e kishte kuptuar çfarë kishte ndodhur, ndërsa u tregoi oficerëve të krimeve se menjëherë ishte kthyer për të kuptuar se ç’po ndodhte. Në këtë moment Dako ka vënë re se kishte përballë një person të armatosur, me një kapuç të zi në kokë, që kishte edhe tri vrima të hapura. “E godita menjëherë dhe nisa të përleshem me të. E godita një herë me të majtën dhe me të djathtën. Ai ra në tokë, ndërsa u ngrit sërish në këmbë. Unë tentova t’i heq kapuçin dhe arrita t’ia heq pak dhe pashë fytyrën e një njeriu që dukej si bjond. Ishte më i gjatë se unë, me një trup të madh. Në kohën që po e godisja në trup dhe në kokë, më goditi disa herë me qytën e pistoletës në kokë”. Sipas Dakos, ai ka arritur t’i kapë edhe armën agresorit, menjëherë pasi ishte qëlluar ndaj tij. Në këtë kohë, sipas tij, arma ishte shkrehur dhe kishte qëlluar disa herë në ajër në shkrepje të pavullnetshme. Dhe në këtë kohë plumbat që kishte pistoleta ishin mbaruar. Në kohën kur personi i maskuar kishte tentuar ta mbushte sërish, ai kishte goditur një herë në mjekër personin që kishte humbur ekuilibrin. Kur dështoi të mbushte armën, agresori, sipas Dakos, goditi disa herë atë me qytë në kokë, duke e lënë të plagosur rëndë. “Tentova të ndeshesha me të prapë dhe arrita t’i heq edhe maskën, por kur pashë që më kishte dalë gjak, nuk arrita të rezistoj më, ndërsa ai u largua”,- mësohet të ketë thënë ish-oficeri i lartë i Shërbimit Sekret, para hetuesve. Më pas ai ka telefonuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur disa autopatrulla të policisë së komisariatit nr.2. Nga deklarimi i marrë dhe nga hetimet e para të kryera në vendin e ngjarjes, policia ka ngritur dyshime se autori i mundshëm i krimit mund të ishte ish-miku i Dakos, Genti Roshi, si dhe ish-vartësi i tij. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi disa gëzhoja që mendohet se i përkasin një arme 7.62 mm, ndërsa hetuesit nisën mbledhjen e dëshmive. I plagosuri u rrëfeu historinë e tij dhe dyshimet e mundshme për krimin. Menjëherë pas marrjes së informacionit dhe të dhënave, policia nisi kërkimet për gjetjen e të dyshuarit të krimit. Nga kontrolli i kryer në banesën e këtij të fundit, policia nuk e ka gjetur aty. Po kështu në kontrollet e kryera në banesat e disa të njohurve të tij nuk është gjetur. Pas këtij konstatimi, policia ka bërë shpalljen ish-agjentit të Shërbimit Sekret në kërkim policor në cilësinë e të dyshuarit.

    MAPO

  2. #2
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Loje spiunesh !!!
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •