
Postuar më parë nga
angmokio
Shqetësim në Greqi lidhur me " qëndrimet nacionaliste", të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë. Së fundi " tentakulat" raciste të partisë " Agimi i Artë", po shtrihen edhe në sport. Pas thirrjeve nacionaliste në ndeshjen Greqi- Lituani, kundër futbollistit Sotir Nini, futbollistit të lindur në Shqipëri, me kombësi greke dhe që luan për përfaqësuesen helene, tani ekziston frika për të tilla qëndrime edhe në ndeshjen kundër Bosnjës në ndeshjen e ardhshme të futbollit me ekipin e këtij vendi. " Ndoshta pak e dëgjuan, por shumë u shqetësuan", shkruan gazeta greke " Ethnos", lidhur me incidentin në fushë, me sportistin Sotir Nini. Kundër tij gjatë ndeshjes me Lituaninë, disa persona hodhën sloganin - " Kurrë nuk do të bëhesh grek, o shqiptar!". Në një atmosferë të tillë, megjithatë sportisti shënoi një gol të bukur për skuadrën greke, duke u bërë vendimtar në fitoren e kësaj të fundit.
Janë të shumtë sportistët shqiptarë, që kanë luajtur për skuadrat greke apo kanë përfaqësuar me sukses Greqinë në Lojërat Olimpike dhe evente ndërkombëtare, por thirrje të tilla po dëgjohen vetëm tani, kur në Greqi, partia neonaziste " Agimi i Artë" është një forcë parlamentare dhe e vetmja që njeh rritje të mbështetjes edhe pas zgjedhjeve. Sipas gazetës, mbështetës të krahut të djathtë ekstremist, po krijojnë në mënyrë të përsëritur episode në ndeshjet e ekipit kombëtar grek. Thuhet se nëpër ndeshje, aktivizohet e ashtuquajtura " Ushtria e kaltër" një degë e partisë " Agimit i Artë", për sportin.
Gazeta Shqiptare
20 Shtator 2012
Krijoni Kontakt