Basha, apel qytetarëve: Përdorni biçikletat
TIRANE- Ne kryeqytet ka nisur sot “Java e Ndërgjegjësimit”, për reduktimin e përdorimit të makinave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, së bashku me një grup të rinjsh, kanë qene te paret qe duke qarkulluar me biçikletë neper bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”, të japin mesazhin e domosdoshmërisë së rritjes së përdoruesve të biçikletave.
“Në vitin e parë të administratës sime, jam angazhuar për shtrimin e 20 km rrugë biçikletash në qytet dhe në fakt, me përfundimin e projektit multimodal i cili do të shtrihet në plot 12 rrugë kryesore të qytetit, në përfundim të këtij viti, qyteti do të ketë 24 km korsi biçikletash, korsi të dedikuara, të shënuara, të paisura me sinjalistikë dhe që garantojnë sigurinë e çiklistëve” – tha Basha.
Sipas tij, krahas korsive të dedikuara, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ruajë me fanatizëm sigurinë e çiklistëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve t’i rikthehen edhe njëherë këtij mjeti të transportit, që Tirana e ka njohur mirë për dhjetëra vite.
”Të gjithë e dimë se sa problematik është trafiku në Tiranë dhe ndonëse ne po kryejmë investime të zgjuara, strategjike siç është rehabilitimi i rrethrrotullimit të Doganës apo investime tek Brryli apo investime të mëdha siç është Unaza e Madhe e Tiranës, përsëri zgjidhja më e mirë është mospërdorimi i makinës për çdo ekzigjencë”- tha ai.
Panorama
Krijoni Kontakt