Close
Faqja 9 prej 9 FillimFillim ... 789
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 82 prej 82
  1. #81
    i/e regjistruar Maska e Diella1
    Anëtarësuar
    07-03-2011
    Postime
    1,162

    Rrok Mirdita : Jam kunder shkisherimit

    Monsinjor Rrok Mirdita ka dalë kundër shkishërimit për gjakmarrje. Ai është shprehur se nuk është dakord me vendimin e Mitropolisë së Shkodrës, sepse sipas tij ndalimi i hakmarrjes nuk arrihet me një dekret e përpos kësaj, ai që vret, ai që thyen urdhrat e Zotit vetvetiu shkishërohet, për krimin që bën. Nga ana tjetër, ai ka reaguar për herë të parë edhe për akuzat qe ish-të përndjekurit politikë i bënë gjatë grevës, duke e cilësuar atë agjent të UDB-së jugosllave. Monsinjor Rrok Mirdita nuk pohoi as nuk mohoi asgjë, por pyeti se përse u ankuan që ai nuk i vizitoi kur besojnë në akuzat që bënë. Më poshtë botohet e plotë intervista që Arqipeshkvi i Mitropolisë Tiranë - Durrës ka dhënë në emisionin "Arena" të Roland Qafokut.
    Monsinjor Rrok Mirdita, si e komentoni shkishërimin e atyre që vrasin për gjakmarrje?
    Unë jam për kishërimin dhe jo shkishërimin e tyre. Nismëtare për shkishërim është Metropolia e Shkodrës së bashku me ipeshkvin e Vaut të Dejës dhe Lezhës. Shqipëria është e ndarë nga ana administrative nga dy metropoli, ajo e Shkodrës dhe ajo Tiranë-Durrës. Në dekret është e përfshirë vetëm Metropolia e Shkodrës. Unë nuk jam iniciator dhe nuk jam as mbështetës i këtij dekreti.
    Përse nuk e mbështesni?
    Filozofia ime është ajo e kishërimit të njerëzve dhe jo e shkishërimit, sepse jemi shkishëruar për 50 vjet nga diktatura komuniste. Duke pasur parasysh fenomenin e trishtueshëm të gjakmarrjes, mendoj se duhet të punohet më shumë, në mënyrë intensive duke folur me njerëzit, me ndërhyrjen e kishës dhe personaliteteve fetare e laike, që kanë peshë në vendet ku ndodhin vrasjet dhe nëpërmjet dialogut të ndikohen sa më shumë, që mentaliteti i hakmarrjes të reduktohet apo të eliminohet krejtësisht. Mendoj se me një dekret nuk arrihet kjo. Ai që vret, ai që thyen urdhrat e Zotit vetvetiu shkishërohet për krimin që bën.
    Mos ideja juaj kundër shkishërimit lidhet me faktin se gjakmarrja është pikërisht në zonën ku ka dalë dekreti për shkishërim?
    Pyetja është me vend, por kjo nuk është arsyeja. Duke pasur parasysh lëvizjet demografike që kanë ndodhur në këto vitet e fundit, ku një numër i madh janë shpërngulur nga zonat e thella dhe janë vendosur në periferitë e Tiranës, mund të them që nuk ka lidhje. Vrasjet i bëjnë njerëzit dhe jo vendi. Ky është perceptim, me të cilin unë nuk pajtohem, për faktin se Kanuni ka pasur një ndikim më të madh dhe më të vonë në këto zona, por vrasjet që kanë ndodhur nuk kanë të bëjnë aspak me Kanunin. Në Kanun nuk lejohet vrasja e grave apo fëmijëve, por fatkeqësisht kjo ka ndodhur. Unë mendoj se me një parandalim, ndërhyrje dhe punë të lodhshme, por sistematike tek familjet që përfshihen në këto vrasje, nëpërmjet personave të duhur, ky fenomen mund të zbutet dhe zhduket.
    Me këto që ju thatë, a mund të mendojmë se ju jeni kritik ndaj kishës, e cila nuk është marrë aq sa duhet me fenomenin e gjakmarrjes së Shqipëri?
    Unë jam këtu për të thënë sa punë është bërë, por mund të them që nuk është bërë aq sa duhet edhe nga kisha për këtë fenomen. Tek njerëzit që kryejnë këto krime sigurisht që duhet rritur përgjegjësia morale fetare, por nga ana tjetër shteti duhet të marrë masat adekuate, pra që ata që vrasin duhet të paguajnë. Unë jam për gjykimin me vdekje, ndaj përveç kësaj ka dënime të tjera më të rrepta që ligji ofron.
    Po në Metropolinë që ju drejtoni, kur një besimtar i fesë katolike kryen një vrasje, ju si keni vepruar?
    Fatmirësisht ky fenomen në këtë zonë nuk është i përhapur. Vrasjet kanë qenë thjesht vrasje dhe jo marrje gjaku. Por siç thashë edhe më parë, për shkak të kësaj popullate heterogjene, sigurisht nuk ka qenë e lehtë, por famullitari vendit ka bërë çmos me disa njerëz të tjerë që të shkojnë tek personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto vrasje për t'i bindur ata që vrasjet të mos vijojnë.
    Nuk ka qenë në traditën e shqiptarit, që përveç një vrasje e thjeshtë të shoqërohet edhe me makabritet. Shteti tashmë e ka, se përveç rritjes së krimit, ai ka fituar edhe një cilësi të re, siç është makabriteti. A ka ndikim mungesa e fesë për 50 vitet e komunizmit?
    Për sa i përket fesë, apo më mirë dekalogut, thuhet mos vrit dhe vrasja është mëkati më i madh. Dikush që vendos t'i marrë jetën dikujt tjetër sigurisht që nuk ka më lidhje me fenë. Ai mund të shkojë edhe në kishë edhe në xhami, por feja nuk ka kurrfarë ndikimi në mentalitetin dhe kulturën e tij. Ajo mund të jetë një stil jete, por jo që të ketë një efekt brenda për brenda që të krijojë një mentalitet tjetër më të butë, gjithmonë në raport me atë që Zoti është ai që na ka dhënë jetën dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të na e marrë atë. Kjo nuk është vetëm mungesë feje, por edhe kulture, por njerëzit që vendosin të bëjnë një krim, ku shpërthen e gjithë egërsia e një njeriu, këtu mendoj që nuk kanë lidhje me fenë. Feja është një lloj timoni që jep përgjigjen e saktë që në këto momente urrejtjeje ai të ekuilibrohet që të mos përfundojë në këto veprime makabre.
    Shqipëria ka 22 vite që ka rikthyer besimin fetar. Ju keni një kontribut të jashtëzakonshëm në ringritjen e kishës katolike. Por ajo ç'ka pyetet sot është sa besojnë shqiptarët?
    Së pari, duhet thënë që është e pamundur të japësh statistika se sa besojnë njerëzit. Me fitimin e lirisë, feja nuk u rikthye, por ajo ishte këtu, në zemrat e njerëzve. Kur kam ardhur në '91, më shoqëronte një koleg që të mbanim një meshë, por kurrë nuk e kuptova se si njerëzit u informuan për meshën dhe erdhën në një kishë krejtësisht të shkatërruar për të marrë pjesë aty, ndërkohë që nuk ishte votuar ende qeveria demokratike. Meshën e mbajta në një altar të improvizuar dhe i pushtuar nga emocionet i thashë "unë nuk kam ardhur këtu që t'ju predikoj fenë, por të për të forcuar fenë time, edhe pse jam një prift". Kur e pashë të gjithë atë popull që ishte duke ardhur, edhe pse ishte një ditë jave, u emocionova. Ndaj them që feja ishte këtu, pavarësisht se kjo fe nuk mund të praktikohej. Liria dhe demokracia nuk e solli fenë, ajo thjesht bëri të mundur që njerëzit ta shfaqin atë publikisht, atë çka kanë në brendësi të shpirtit të tyre ta praktikojnë dhe këtë fe ta konfirmojnë me pjesëmarrjen e tyre në ritet fetare. Pra, fenë nuk e sollëm as unë, as kolegët e mi, por e gjetëm këtu. Ne kemi krijuar kushtet që kjo fe të praktikohet, që njerëzit të kryejnë detyrat e tyre fetare dhe ajo çka është e vërtetë, është që ne t'ia fillonim nga zero.
    Është shumë interesante kjo që thatë, por ai lumë i njerëzve që ju patë në '91 a janë edhe sot, a vijnë në grupe aq të mëdha në ritet fetare?
    Sigurisht që jo. Ai ishte edhe një moment i rrallë. Ishte një popull që më në fund ndjente një çast frymëmarrje. Në atë moment kur unë isha në Shkrel dhe dhashë atë meshë, ishte edhe më shumë një kuriozitet, por ama nuk u mblodhën për një miting, por u mblodhën për fenë.
    A vijon të mbetet ardhja e Papa Gjon Palit të Dytë, ngjarja më e rëndësishme e kishës katolike në Shqipëri, por edhe më gjerë?
    Sigurisht që po, jo vetëm për kishën katolike në ato rrethana aq të veçanta, por edhe për Shqipërinë në përgjithësi. Ishte vizita e parë e një pape në vendin tonë, por ishte edhe vizita e parë e një pape në vendet e rajonit pas rënies së komunizmit. Papa në aspektin fizik, nëpërmjet shugurimit të katër ipeshkëve, rindërtoi hierarkinë kishtare e cila ishte shkatërruar. Ardhja e tij për ta bërë këtë nuk do të thoshte se ishte arsyeja e vetme, por Papa Gjon Pali këtë e kishte një dëshirë të thellë në zemrën e tij vetëm për Shqipërinë. Ardhja e tij i dha një shtytje ringjalljes së kishës në këtë vend dhe kjo pati një efekt të papërsëritur. Ende ne sot kujtojmë porositë që ai na dha dhe fjalën që mbajti në Shqipëri.
    Si ka mundësi që Italia, një shtet aq afër me ne, nuk fliste për Shqipërinë dhe sidomos për klerikët që gjatë kohës së komunizmit u pushkatuan, arrestuan dhe internuan?
    Përderisa ka ndodhur do të thotë që ka mundësi. Është diçka e dhimbshme dhe unë e kam bërë këtë pyetje jo vetëm për Italinë, por edhe për SHBA. Kurrë nuk kam qenë dakord me mendimin që "përse duhet të përzihesh me një popull i cili e ka zgjedhur vetë regjimin e vet, përndryshe ata do ta përmbysnin" dhe ky ka qenë qëndrimi i tyre, i cili mua shpesh me irritonte, duke hyrë edhe në debate shumë të thella e të forta. Atyre nuk i interesonte me tepër për Shqipërinë, sepse nuk kishin interesat e tyre gjeopolitikë.
    Po Vatikani?
    Vatikani kishte një qëndrim në të cilin Papa mendonte se një fjalim i tij mund ta bënte edhe më hakmarrës ndaj fesë regjimin. Një shprehje thotë "Të heshtësh do të thotë të filozofosh" në kuptimin që, nga frika se atë fjalim mund ta paguanin edhe më shtrenjtë këtu. Menjëherë pas fjalimit të Papa Gjon Palit në Bari, i drejtuar nga bregu i shqiptar, në kishën ku unë shërbeja në New York ishin disa persona që kishin marrë pjesë në misionin e OKB kishin ardhur tek kisha jonë për të bërë propagandë, jo brenda saj por jashtë. Pas meshës dal në oborrin e kishës dhe pashë që njerëzit ishin frustruar, pasi ata kishin shpërndarë një artikull në "Zërin e Popullit", në të cilin flitej zi e më zi për Atin e Shenjtë.
    Janë 120 klerikë që janë burgosur apo pushkatuar pas '44 në Shqipëri. A kanë marrë ata, atë që duhet pas '90 për kontributin që dhanë për politikën, kulturën e dijen shqiptare?
    Për sa i përket kishës katolike, ne kemi bërë hapa të mëdha. Ka disa vite që është bërë një analizë e gjithanshme për këta personalitete. Disa vite më parë në një konferencë ipeshkëve kemi bërë një ndarje në kategori, duke pasur parasysh rregullat e kishës dhe kemi bërë një listë, të cilën ia kemi propozuar Selisë së Shenjtë, që 40 veta të shpallën martirë. Këta nuk janë vetëm priftërinj, por edhe laikë. Ky proces është i njohur tashmë dhe pas tij bëhet një analizë e materialeve në lidhje me personat, për të gjetur nëse ka kontradikta. Kam besimin se në një të ardhme të afërt Kongregata do të marrë një vendimin, sepse Vatikani ende po shqyrton emrat.
    Përse 40 dhe jo 120 persona?
    Kisha është shumë e kujdesshme kur bëhet fjalë për të shpallur dikë të shenjtë. Janë 40, sepse këta njerëz është konstatuar se janë pushkatuar apo persekutuar vetëm për shkak të fesë. Nuk do të thotë se të tjerët nuk janë pushkatuar edhe për shkak të fesë, por ne kemi konstatuar që vetëm këta persona janë pushkatuar dhe persekutuar vetëm dhe vetëm për shkak të fesë.
    A është Anton Arapi?
    Jo, nuk është pjesë e asaj liste. Jo vetëm ai, por edhe klerikë të tjerë mund të kenë pasur edhe angazhime të tjera, mbase edhe politike dhe kur nuk mund të vërtetohet se ai mund të jetë ekzekutuar vetëm për fenë, sjell edhe përjashtimin. Janë disa kritere kanonike të fesë, të cilat duhet të zbatohen. Shumë figura mund të jenë heronj, por që të jesh shenjt është diçka tjetër. Është krijuar një komision i posaçëm, i cili ka udhëtuar edhe jashtë shtetit, që të mbledhë të dhënat dhe gjithçka që ka pasur të bëjë me këta kandidatë. Kjo nuk do të thotë se të tjerët janë të përjashtuar në këtë proces, thjesht për ta mbase procesi mund të jetë më i ngadaltë.
    Është folur shumë për harmoninë fetare në Shqipëri, por një antropologe sociale angleze e njohur, Klarisa Deval, në një studim të saj ka thënë se shqiptarët nuk janë tolerantë fetarë, por indiferentë ndaj fesë. Sa mendoni se ky konstatim i saj është i vërtetë?
    Unë nuk pajtohem me këtë mendim dhe mendoj se është vetëm një përshtypje e saj dhe kjo nuk do të thotë se është e saktë. Nga rrethanat që ne dimë, askush nuk duhet ta mohojë që ka injorancë fetare, e cila është armikja më e madhe e fesë. Dikush që ka një injorancë fetare është më i rrezikshëm sesa dikush që nuk ka injorancë fetare.
    Ajo thotë indiferencë fetare dhe jo injorancë fetare...
    Injoranca fetare sjell edhe indiferencën fetare. Nëse feja kthehet vetëm në një traditë ose në ideologji, siç ka ndodhur në rajonin tonë, si në p.sh në Bosnje. Harmonia fetare e ka karakterizuar këtë rajon, jo sepse të tjerët janë më besimtarë se ne. Unë mendoj se shqiptarët kanë diçka që nuk e kanë të tjerët, pasi ne bashkohemi në një trung dhe fetë tona nuk identifikohen me identitetin kombëtar. Pra nuk je më shumë ose më pak fetar nëse i përket apo nuk përket kësaj feje. Kjo na bën që ne ta shohim në një tjetër optikë tjetrin dhe ta njohim më mirë atë dhe me këtë u japim shembull të tjerëve.
    Monsinjor Rrok Mirdita, a është marrë miratimi i Papës për shkishërimin e personave që vrasin për gjakmarrje?
    Jo, sepse dekretet janë në kompetencën e atij ipeshkvi që administron zonën e tij. Gjithashtu, nëse do ta kishte vendosur Papa, kjo do të thoshte se duhet ta zbatoja edhe unë.
    Pak ditë më parë u mbyll një grevë urie e ish-të përndjekurve politikë, të cilët bënë edhe një thirrje për mosprezencën tuaj atje, madje duke hedhur akuza të rënda ndaj jush? Ju si e komentoni dhe përse nuk shkuat tek ta?
    Së pari, unë do të thosha që përse më kërkonin të isha atje, nëse ajo akuzë qëndron sipas tyre. Jam i njohur për grevën e tyre dhe e kam përcjellë me dhimbje, por kisha katolike në mënyrë të prerë ndalon çdo veprimtari që dëmton jetën e dikujt, qoftë të tjetrit apo edhe të vetes. Ky ishte motivi kryesor dhe kur dikush përpiqet t'i bëjë keq vetes, duhet që ai të shkojë tek prifti për ndihmë dhe jo e kundërta. Unë do t'i ndihmoj për gjithçka që nuk ka të bëjë me dëmtimin e jetës.
    Mbushim 100 vjet të shtetit shqiptar dhe një kontribut të madh ka dhënë edhe kleri shqiptar. Nuk dua të përmend shumë emra, por i pari ka qenë Don Nikoll Kaçori. Kur keni parë kthimin e eshtrave të tij në një thes në Rinas, pa atë ceremoni që kjo figurë meritonte, si jeni ndjerë?
    Ka qenë befasimi më i madh në këto vite që unë kam qenë në Shqipëri. Nuk ishte aspak dinjitoze dhe nuk dua të gjej fajin, sepse thonë se faji është jetim. Unë jam gjetur para një fakti të kryer në këtë rast, dhe jam njoftuar vetëm në momentin e fundit. Jam informuar për ardhjen e eshtrave të tij vetëm një ditë më parë. Kisha menduar se do të kishte një ceremoni të madhe, ashtu siç ndodhi dhe kisha parë në përcjelljen e At Zef Pllumit. Nuk dua të hyj në detaj, por kjo ka qenë një befasi e madhe për mua.
    Si i konsideroni këto 100 vjet të shtetit shqiptar?
    Së pari, dua të falënderoj Zotin për atë që na ka dhënë, sepse 100 vjet nuk janë pak. Sado që ka kaluar në faza të dhimbshme, identiteti shqiptar ka mbetur i pastër si kristal dhe nëse nuk do të ishte kjo pavarësi, kjo nuk do të ndodhte. Personalisht falënderoj Zotin që kam mundur të përjetoj 2000-vjetorin e krishtërimit dhe 100-vjetorin e pavarësisë dhe këto janë privilegje. 100-vjetori i parë ka kaluar duke u munduar të gjejmë vetveten dhe 100-vjetori i dytë le të jetë me një perspektivë të shkëlqyer, me më shumë atdhedashuri dhe besim.
    Çfarë do t'u thoshe shqiptarëve për këtë 100-vjetor?
    Prej të gjitha problemeve të bëra nga të tjerët ne jemi sot këtu. Në 25 nëntor do të ketë një meshë për të falënderuar Zotin dhe ata që na sollën deri këtu. Shqiptarëve do të thosha që tashmë me këtë bagazh 100-vjeçar, le të ndërtojmë një shtet që mos përmendet më për negativitet, por le të bëhemi shembull sepse nuk na mungon asgjë. Do të përmend këtu një psalm, pavarësisht besimeve fetare, "Kot mundohen ta ndërtojnë shtëpinë ata që nuk e ndërtojnë mendimin e Zotit". Le t'i shtrijmë krahët, pavarësisht besimeve fetare dhe të ndërtojmë në 100-vjetorin e ardhshëm një shtet që ta kenë lakmi edhe të tjerët.


    (Marre nga Balkanweb)

  2. #82
    i/e regjistruar Maska e Diella1
    Anëtarësuar
    07-03-2011
    Postime
    1,162
    Te jap edhe mendimin tim ketu. Edhe une besoj ne te njejtin mendim si Imzot Rrok Mirdita - ai qe ka vrare, automatikisht ka shkelur rregullat e Zotit dhe eshte larg hirit te Tij. Por nga ana tjeter, edhe i kuptoj ata qe kane marre nje vendim aq drastik, se gjendja ne zonat e Veriut eshte me te vertete alarmante, e s'kane ditur c'te bejne e kane marre kete mase qe t'i japin nje mesazh paralajmerues atyre qe e praktikojne kete dukuri. Te shohim c'ndodh me tej ne te ardhmen.

Faqja 9 prej 9 FillimFillim ... 789

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •