Lufta diplomatike mbi planin e Marti Ahtisaarit për Kosovën ka zbehur specifikat aktuale, shkruan Robert Ostin i Universitetit të Torontos. Po të shihnin detajet, shqiptarët e Kosovës do të realizonin se kanë detyrime serioze për të marrë mbi vete, ndërsa serbët e Kosovës do të shihnin përfitime potenciale për komunitetin e tyre.
Nga Robert C. Austin për Southeast European Times – 21/05/07
Plani i ish presidentit finlandez Marti Ahtisaari për Kosovën është ndërtuar për ta bërë krahinën një shoqëri shumëetnike. [Getty Images]
Ndërsa ndeshja diplomatike e tërheqjes së litarit rreth propozimit të ish presidentit finlandez Marti Ahtisaari për Kosovën vazhdon, relativisht vëmendje e pakët i është kushtuar përmbajtjes aktuale të dokumentit. Në Kosovë e gjëkundi tjetër, fokusi priret të jetë në fundin e përparmë të propozimit, pjesa ku Kosovës i jepet e drejta për një flamur, hymn, më e rëndësishmja, e drejta për të përfunduar marrëveshje ndërkombëtare dhe e drejta për të kërkuar anëtarësim në institucione ndërkombëtare.
Më pak është thënë rreth detyrave me të vërtet monumentale që përfshihen në bërjen e paketës së Ahtisarit një realitet në terren. Nuk është e sigurtë që shumica e njerëzve në rrugë, qoftë në Prishtinë apo në Mitrovicën e Veriut, të kenë një ide të qartë se çfarë do të vijë pas "ditës së pavarësisë".
Propozimi i Ahtisaarit është para së gjithash është një dokument i ndërtuar për ta bërë Kosovën një shoqëri shumëetnike. Kjo do të thotë se komuniteteve jo-shqiptare u është dhënë pushtet vendimtar. Me mbi 90% të Kosovës të përbërë nga shqiptarë, pakicave serbe, rome, ashkali, goranë, egjiptianë, turq e boshnjakë u janë dhënë pushtet i madh në të gjithë sektorët. Për t'i rënë shkurt, Ahtisaari ka modeluar një shtet asimetrik.
Mund të imagjinohet padyshim se në Kosovën e re partitë e pakicës do të jenë në gjendje të luajnë role kritike në formimin si të qeverive dhe të politkës qeveritare. Ja vlen gjithashtu të thuhet se propozimet e Ahtisarit për të drejtat e komunitetit nuk dolën nga hiçi. Ato qenë ndërkaq në paketën negociuese të palës shqiptare të Kosovës për bisedimet e drejtpërdrejta të Vienës.
Si një hap i parë, Kosovës do t'i duhet të miratojë një kushtetutë që do të përfshijë shumë aspekte të paketës së Ahtisaarit. Një komision kushtetues duhet të formohet që do të përfshijë 21 anëtarë, tre nga të cilët do të vijnë nga komuniteti serb dhe tre nga komunitetet e tjera jo-shqiptare të krahinës. Me miratimin e kushtetutës nga asambleja ekszistuese në Kosovë, do të mbahen zgjedhjet e reja brenda nëntë muajsh.
Shqiptarët e Kosovës e kanë angazhuar veten ndaj detyrimeve të rëndësishme sipas planit të propozuar. [Getty Images]
Sistemi i ri zgjedhor huazon shumë nga çka qenë por ka disa ndryshime të rëndësishme. Janë ende 120 vende bazuar në përfaqësimin proporcional. Ndryshimi i madh këtu është se listat e partive do të jenë të hapura ( deri tani ato kanë qenë të mbyllura, për pakënaqësinë e shumë shtetasve). Njëzet vende do të lihen mënjanë për komunitetet jo-shqiptare, dhjetë për serbët dhe dhjetë për komunitetet e tjera. Për dy mandatet e para zgjedhore këto janë minimume të kërkuara. Çdo vend i fituar në zgjedhje do të jetë shtesë ndaj vendeve të rezervuara.
Rregullat e asamblesë së re përfshijnë gjithashtu rregulla të ndryshme të votimit të shumicës së kualifikuar. Disa ndryshime ligjore do të kërkonin jo vetëm një shumicë në asamble por gjithashtu një shumicë të anëtarëve të asamblesë që përfaqësojnë komunitetet e jo-shumicës. Në thelb, çdo tjetërsim i madh kërkon pëlqimin e gjithkujt. Kabineti i ri duhet të përfshijë një ministër serb dhe një prej komunitetit të jo-shumicës. I njëjti rregull është gjithashtu për zëvendësministrat. Në qoftë se kabineti ka më tepër se 12 anëtarë, atëhere komunitetet e jo-shumicës kanë një ministër dhe një zëvendësministër shtesë.
Çdo ndryshim i ardhshëm i kushtetutës kërkon miratimin me dy të tretat e anëtarëve të asamblesë po ashtu të dy të tretave të anëtarëve që përfaqësojnë komunitetet e jo-shumicës. I njëjti rregull aplikohet për sistemin gjyqësor. Gjykata e Lartë e Kosovës duhet të ketë së paku 15% të gjykatësve që përfaqësojnë komunitetet e jo-shumicës.
Jashtë nivelit të institucioneve kombëtare, komuniteteve u janë dhënë gjithashtu kompetenca të gjera në nivel lokal. Garantohet aksesi i plotë në shkollim në çdo gjuhë zyrtare të Kosovës (shqip dhe serbisht) dhe përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, gjuhës dhe alfabetit. Atje ku komunitetet e jo-shumicës përbëjnë së paku 10% të popullsisë, posti i nënpresidentit të asamblesë bashkiake i shkon një përfaqësuesi të komuniteteve të jo-shumicës. Ashtu si në rastin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shërbimi publik i Kosovës në të gjitha nivelet duhet të pasqyrojë natyrën shumëetnike të shoqërisë së Kosovës.
Fusha më vendimtare megjithatë, është decentralizimi. Kjo është potencialisht vështirësia më e madhe për shumicën shqiptare, pasi paketa e Ahtisaarit krijon një shtet plotësisht të decentralizuar modeluar me një numër të ri komunash për të përshtatur kërkesat serbe. Për shembull, Mitrovica e Veriut merr kontrollin mbi arsimin e lartë dhe kujdesin shëndetësor. E njëjta gjë vlen për komunat e tjera të mbizotëruara nga serbët. Shkollat që mësojnë në gjuhën serbe janë të lira të përdorin librat e zhvilluara nga ministritë përkatëse në Serbi.
Një prani e fortë e komunitetit ndërkombëtar është parashikuar, megjithëse shumë aspekte të kësaj duhet ende të përpunohen. Si në Bosnje dhe Herzegovinë, plani i jep fuqi dërrmuese Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR) i cili vepron gjithashtu si përfqësues i posaçëm i BE. Fuqitë e ICR janë të lehta për t'u interpretuar: ai/ajo është autoriteti final në zbatimin e paketës. Është ICR që bën dallimin midis pavarësisë dhe pavarësisë së mbikqyrur.
Një prani e fortë ndërkombëtare në Kosovë pritet për të ardhmen e afërt. [UNMIK]
Propozimi i Ahtisaarit bën më shumë se sa krijimin e një Kosove gati-të pavarur. Ai ofroi një kuadër për një tjetër stad në evolucionin e Kosovës. Ky stad duket i vendosur të zgjasë për një periudhë të gjatë, me shpresën se deri atë kohë që do të vijë pavarësia e vërtetë, gjërat në rajon mund ta bënin këtë tip zgjidhjeje më tepër të pranueshme.
Nën mbikqyrjen e përtërirë dhe potencialisht më të rreptë, komunitetet e Kosovës duhet tani të provojnë se mund të përballojnë një shtet shumëetnik. Shumë për ç'mbetet, varet nga vullneti politik dhe entuziazmi i shumicës shqiptare lidhur me vizionin e Ahtisaarit. Por varet gjithashtu nga komunitetet jo-shqiptare për t'ja dalë shumicës së fuqive dhënë atyre. Po të dështojnë së bëri kështu, faji nuk mund t'u vihet shqiptarëve.
Reagimet ndaj planit deri tani sugjerojnë se të dy palët duhet të harxhojnë më tepër energji duke vështruar në specifikat se siç thotë shprehja, shejtani fshihet në hollësirat. Media e Kosovës po përqëndrohet tani krejtësisht në fundlojën dhe në mosmarrëveshjen me Serbinë dhe Rusinë. Ka pak zëra se si të shkohet përpara më pas. Në të njëjtën kohë, komuniteti serb në Kosovë ka mundësinë të konsiderojë se si propozimi i Ahtisaarit mund të përdoret në avantazhin e tyre. Gjithkush që sugjeron se Kosova është caktuar të bëhet thjesht një shtet tjetër shqiptar në Ballkan, nuk e ka lexuar mirë.
Një fushatë përfshirëse publike veçanërisht nga autoritetet shqiptare në Kosovë do të ndihmonte publikun të merrte vesh se çfarë pritej kur të vijë puna te faza e zbatimit. Duke pranuar paketën, shumica shqiptare ka marrë një sërë obligimesh të mëdha që do të jenë të kushtueshme, problematike dhe jo krejtësisht të pëlqyeshme. Vullneti politik dhe një popullsi e informuar do të jenë kritike që Kosova të shkojë përpara.
Robert C. Ostin jep mësim mbi historinë dhe politikën e Evropës Juglindore në Qendrën Munk për Studime Ndërkombëtare, Universiteti i Torontos.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Krijoni Kontakt