Dossier/Teme Sejko: Marrëveshja, Çamëria autonome brenda shtetit grek
(Vijon nga numri i djeshëm)
Gjyqi i Çamëve" apo gjykimi i grupit të Teme Sejkos, nisi më 15 maj 1961 dhe zgjati vetëm 5 ditë. Këto ditë jemi njohur me dëshmitë e dy njerëzve më të rëndësishëm të këtij grupi, Tahir Demit, ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit dhe Teme Sejkos, kundëradmiralit të flotës detare. Edhe 8 të pandehurit e tjerë kanë referuar të njëjtat argumente ndaj ne u fokusuam në drejtimin e këtij grupi antikomunist. Sigurisht vlen të theksohet se gjyqi u zhvillua pas rreth një vit hetuesi ku presioni dhe dhuna, bënë që dëshmitë e grupit të çamëve të jenë të zbutura e të manipuluara. Këtë e pohon në këtë pjesë të fundit të dëshmisë, Teme Sejko, i cili thotë se në fillim të hetuesisë mendoja ndryshe, ndërsa më pas ndryshova mendje, çka nënkupton ushtrimin e dhunës. Një gjyq, prokuror ishte Aranit Çelën ndërsa kryetar i trupit gjykues, Shuaip Panariti. Në këtë pjesë të fundit të deponimit të Teme Sejkos, zbërthehen situata të ngjarjeve të atyre kohërave, ku ishin të shumtë ata që përfshiheshin në grupe agjenturore siç i quanin, por askush s'ja doli të realizojë detyrën kryesore, përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës.
KRYETARI: - Në kohën e takimit tuaj me Panajot Plakun dhe Haki Rushitin, biseduat ju i pandehur për Rexho Plakun? Çfarë biseduat për të?
I PANDEHURI: - Puna me Rexho Plakun qëndron kështu: në takim ne na u tha që të shpejtojmë arratisjen e Rexho Plakut. Gjatë kohës së takimeve dhe bisedave të mëparshme, që u bënë në gusht të vitit 1958, ne biseduam për përgatitjen e kryengritjes së armatosur, ndërsa në takimin që u bë në vit in 1959, u tha se plani i kryengritjes së armatosur parashikonte kapjen e qendrave të banimit nga grupet e diversantëve. Në këto qendra banimi mendohej të vendoseshin radiostacione, të cilët do t'i bënin thirrje shteteve të huaja për ndërhyrje. Me thirrje në radio duhej të dilnin sa më shumë njerëz me influencë. Një nga këta njerëz ishte dhe Rexho Plaku. Për këtë ishte përpunuar një kombinacion i tërë me Rexho Plakun. Ai duhej të arratisej, por u kap.
KRYETARI: - Çfarë kishit ndërmend të bënit ju pas kryengritjes, i pandehur? Çfarë pushteti donit të vendosnit ju?
I PANDEHURI: - Kjo ka një prejardhje më të largët se çështja për kryengritjen e armatosur. Unë këtë e di nga bisedat me Haki Rushitin, Panajot Plakun si dhe nga bisedat që më ka qëlluar të kem në të kaluarën. Qëllimi kryesor i monarkofashistëve grekë, i jugosllavëve dhe amerikanëve ishte përmbysja e pushtetit ekzistues në Shqipëri dhe vendosja e rendit kapitalist. Mua këtë ma thanë dhe Haki Rushiti dhe Panajot Plaku, por kjo përbënte më kryesoren e të gjithë punës sonë.
PROKURORI: - Po pushtetin kush do ta merrte?
I PANDEHURI: - Armiqtë e vendit.
PROKURORI: - Çfarë do të ndodhte në fushën e ekonomisë, me vendosjen e kapitalizmit? Për shembull, pushteti popullor likuidoi në Shqipëri shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, secili punon dhe gëzon të mirat e pronës shoqërore. Çfarë do të ndodhte?
I PANDEHURI: - Siç e kuptoja unë, do të ndodhte diçka në formën e asaj që ndodhi në Jugosllavi. Faktikisht atje është kapitalizëm, por ata përpiqen ta heqin veten për socializëm.
PROKURORI: - I pandehuri Teme Sejko, pushteti popullor u mori kapitalistëve fabrikat, bankat dhe i ktheu ato në pronë të përbashkët. Çfarë do të ndodhte me to, me vendosjen këtu të kapitalizmit?
I PANDEHURI: - Ato do të ktheheshin përsëri në duart e atyre që i kishin pasur.
PROKURORI: - Po me koncesionet e huaja çfarë do të ndodhte?
I PANDEHURI: - Do të rivendosej plotësisht situata që ekzistonte para kësaj. Koncesionet do t'u ktheheshin atyre që i kishin zotëruar.
PROKURORI: - Si duhet t'ju konsiderojë ju populli pas kësaj?
I PANDEHURI: - Si armiq, ashtu si dhe jemi.
PROKURORI: - Shokë qytetarë! Paraqitje më të mirë dhe më të qartë të qëllimeve të kësaj organizate kriminale dhe pjesëmarrësve të këtij komploti, imperialistëve amerikanë, revizionistëve jugosllavë dhe monarko-fashistëve grekë, se sa e bëri i pandehuri Teme Sejko, nuk mund të ketë. I pandehuri Jonuz Purizo gjatë pyetjes së tij në gjyq, ndër të tjera deponoi se Haki Rushiti i ka thënë atij se qëllimi i tyre është që ta kthejnë Shqipërinë në një Amerikë të vogël. I pandehuri Teme Sejko shpjegoi se si do të ishte kjo Amerikë e vogël, që kishin ndërmend të krijonin armiqtë e betuar të popullit tonë: imperialistët amerikanë, revizionistët jugosllavë, monarko-fashistët grekë dhe armiqtë e brendshëm. Populli ynë e di mirë se çdo të thotë një pushtet i tillë në duart e zotërinjve, bejlerëve, agallarëve dhe feudalëve. Ai i njeh mirë Shefqet Vërlacin, Ali Këlcyrën, Gjon Markagjonin, Kol Bib Mirakën, Hasan Dostin dhe të tjerë si ata. Të gjithë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre vendosën në Shqipëri regjimin e paditurisë dhe varfërisë, regjimin mesjetar të dajakut dhe litarit. Ata me shumicë dhe pakicë ia shitën Shqipërinë kapitalit të huaj; ata në kohën e luftës nacionalçlirimtare u bashkuan me okupatorët dhe bashkë me ta shkatërruan atdheun tonë; 28.000 të vrarë, pa llogaritur dëmet e tjera të mëdha shkaktuar vendit tonë - ja rezultatet e punës së tyre të mallkuar dhe punës së padronëve të tyre - pushtuesve të huaj. Ata dhe sot janë vegla të imperialistëve. Klasa jonë punëtore e di shumë mirë se çdo të thotë kur fabrikat ndodhen në duart e kapitalistëve. Punëtorët tanë të vjetër dhe sot i kujtojnë papunësinë, skamjen, në të cilat ata jetuan nën sundimin e kapitalit, poshtërimin dhe shpesh edhe kërbaçin e afendikonjëve kapriçiozë.
Ju, Teme Sejko dhe padronët tuaj, i bëtë hesapet gabim. Populli ynë i ka dhënë fund me kapitalizmin, të cilin bile dhe atje ku ai ende ekziston, do t'i vijë fundi.
Populli ynë, i udhëhequr nga partia, çdo ditë e më shumë arrin suksese në ndërtimin e shoqërisë së re socialiste, shoqërisë pa klasa, pa shfrytëzim të njeriut prej njeriut, atë shoqëri që e bën jetën e tij çdo ditë e më të bukur. Populli ynë është plotësisht i vendosur ta mbrojë këtë shoqëri dhe le ta dinë zotërinjtë tuaj se ata asnjëherë nuk do arrijnë të zhdukin shoqërinë tonë, populli ynë kurrë nuk do të bjerë në gjunjë dhe ai që shpreson ta nënshtrojë atë, ai do të bëjë një gabim të madh. Në adresën tuaj, shokë gjyqtarë, kanë ardhur qindra letra dhe telegrame nga mbledhjet e punonjësve të qyteteve dhe fshatrave, si dhe nga qytetarë të veçantë. Të gjithë ata mallkojnë këta të pandehur dhe veprimet e tyre kriminale, të gjithë ata kërkojnë për këta dënimin më të rëndë, të gjithë ata betohen se nën udhëheqjen e partisë do ta mbrojnë Republikën Popullore të Shqipërisë dhe do ta bëjnë atdheun tonë socialist edhe më të bukur. (Prokurori lexon tekstet e telegrameve të veçantë, adresuar Gjykatës së Lartë). Ju, shokë gjyqtarë, padyshim do ta merrni parasysh këtë zë të masave tona punonjëse.
KRYETARI: - Ju i pandehur, folët për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Mendohej ndonjë ndarje e re 204 205 administrative e Shqipërisë, pas përmbysjes së pushtetit popullor?
I PANDEHURI: - Mendohej që Shqipëria veriore do të kalonte në sferën e ndikimit material dhe moral të jugosllavëve, atëherë kur Shqipëria jugore do të kalonte në sferën e ndikimit material dhe moral të grekëve, rajonit të Çamërisë do t'i jepej autonomia brenda kufijve të shtetit grek.
KRYETARI: - Ju i pandehur, thatë se puna juaj ishte spiunazhi. Më vonë, nga spiunazhi ju kaluat në një fazë tjetër. Si kaluat ju në këtë fazë dhe, në fund të fundit, cila është veprimtaria juaj?
I PANDEHURI: - Unë thashë se kur u krijua grupi ynë, ai do të kryente funksionet e agjenturës zbuluese. Më vonë, me zgjerimin e punës, në veçanti pas vendosjes së lidhjeve me Panajot Plakun, ne kaluam në një fazë tjetër. Në këtë fazë ne do të kryenim atë që ishte qëllimi kryesor: kryengritjen e armatosur për përmbysjen me dhunë të pushtetit. Shokët tanë të organizatës në Konispol do të vinin në dispozicion të diversantëve shtëpitë e tyre. Në këto shtëpi diversantët do të futeshin ilegalisht. Në momentin e përshtatshëm mendohej që me forcë të pushtonin rajonin e Konispolit, vetë Konispolin, ndërsa nga Greqia do të sillej aty radiostacioni, me anë të të cilit ne kishim ndërmend që të bënim të gjithë propagandën tonë, duke iu drejtuar shteteve të huaja me thirrje për të bërë ndërhyrje në Shqipëri dhe për të vendosur rendin.
KRYETARI: - Çfarë thatë ju, për financimin e organizatës tuaj?
I PANDEHURI: - Po, që në fillim u shtrua problemi për financimin e punës sonë nga ana e drejtorisë së zbulimit grek. Mbaj mend njëherë, në vitin 1954, me marrjen e postës, Taho Sejko më pyeti mua: kisha marrë ndonjë gjë tjetër përveç postës? Unë iu përgjigja se asgjë tjetër dhe e pyeta nga ana ime se çfarë pret ai. Atëherë ai më tha se presin të holla. Unë di se pas kësaj, gjatë vitit 1956 dhe '57, por ndoshta dhe më vonë, Izet Osmani solli të holla. Këto të holla u shpenzuan për blerjen e shtëpive për përdorimin e tyre si baza, për shpërblime dhe për nevoja të tjera të organizatës. Duke dashur të komprometonim ata njerëz që ne kishim ndërmend të rekrutonim në organizatë, ne u jepnim atyre të holla.
KRYETARI: - Çfarë dini ju konkretisht për të pandehurin Avdul Resuli?
I PANDEHURI: - Në ambientin tonë Avdul Resuli është marrë më shumë me problemin e të hollave.
KRYETARI: - I pandehur, ju folët për udhëzimet që morët nga Haki Rushiti dhe Panajot Plaku dhe për bisedat që bëtë me ta. Tani na shpjegoni në lidhje me planin i kryengritjes. 206 207
I PANDEHURI: - Në të vërtetë, plani i kryengritjes së armatosur dilte jashtë kuadrit të organizatës sonë, detyrë fillestare e të cilit ishte veprimtaria zbuluese. Ky plan bënte pjesë në kuadrin e veprimtarisë armiqësore të përgjithshme, të të gjithë grupeve të tjera të organizatës që vepronin në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe kryesisht hynte në planet e amerikanëve, grekëve dhe jugosllavëve, që kishin qëllim përmbysjen me forcë të rendit ekzistues në Shqipëri. Ky problem ka të bëjë me vitin 1956, por mundet dhe më parë, që në fillim të punës së organizatës sonë, por jo në përmasa të tilla. Në vitin 1956, ky u shfaq në atë veprimtari armiqësore që u bë me rastin e konferencës së Tiranës, si punë përgatitore për aksionin tonë në kongresin III të partisë. Dhe unë mendoj se atëherë puna jonë mund të ishte më frutdhënëse, sepse atëherë situata në Shqipëri ishte më e favorshme për këtë, se sa në vitin 1959, në kuptimin se atëherë gjendja e aftësisë mbrojtëse, ekonomike dhe politike e Shqipërisë nuk ishin të tilla siç janë sot ose siç do të jenë në të ardhmen. Por plani jonë atëherë dështoi dhe ne këtë çështje e shtruam me forcë në vitet 1958 - 1959 dhe në vitin 1960. Ne biseduam për këtë, gjatë kohës së bisedave tona me Panajot Plakun dhe Haki Rushitin, si dhe me shokët e tjerë - me Tahon, me Tahirin, me Avdulin dhe me të tjerët. Ky plan ishte përpunuar që më parë. Për këtë, më konkretisht biseduam gjatë kohës së takimit tim me Panajot Plakun dhe Haki Rushitin në vitin 1959 dhe në veçanti, gjatë kohës së takimit tim dhe Tahir Demit me Haki Rushitin në Vërvë. Si do të vepronim ne? Ideja e planit parashikonte në radhë të parë futjen në territorin shqiptar të grupeve të diversantëve nga toka dhe nga deti. Unë e theksoj, nga toka dhe nga deti, por jo nga ajri, sepse lidhur me këtë Panajoti dhe Hakiu, e bashkë me ta dhe padronët e tyre, tashmë kishin një eksperiencë të hidhur dhe ata kishin dijeni për punën e bërë nga organet tona të Sigurimit të shtetit për ndërprerjen e çdo veprimtarie armiqësore në vend. Ata do të futeshin nga toka dhe nga deti dhe do të vendoseshin në bazat tona dhe përgjithësisht ku të mundeshin, duke u marrë pastaj me terror, diversion, propagandë, represione, pushtimin e qendrave të banimit, vrasje dhe të tjera si këto, duke krijuar në vend sa më shumë trazira. Këto trazira do të interpretoheshin jashtë vendit si fillimi i luftës vëllavrasëse në Shqipëri. Menjëherë pas këtyre grupeve ose pas përgatitjes së truallit prej tyre, do të bëhej futja e grupeve të tjera, detyrë e të cilëve ishte që të gozhdonin forcat kufitare në vend dhe të pengonin forcat e rregullta të këmbësorisë që të hapeshin në vijat e mbrojtjes.
KRYETARI: - Nga do të futeshin këto forca?
I PANDEHURI: - Së pari, në përbërje të këtyre forcave do të bënin pjesë të gjithë kriminelët e arratisur nga Republika Popullore e Shqipërisë, emigrantë të ndryshëm, tradhtarët që kishin ikur në kohën e luftës, ata që ishin me "Ballin Kombëtar", "Legalitetin", përkrahësit e të gjithë grupeve armiqësore të tjera, si dhe mercenarët e rekrutuar ose që do rekrutoheshin. Këta njerëz do të bënin dhe përgatitjen në Greqi, Jugosllavi dhe vende të tjera. Siç më kujtohet nga bisedat me Hakiun, në Greqi qendra të tilla ishin krijuar në Mecovë, Prevezë dhe Grebene. Këtu, këta njerëz do të stërviteshin nga ana ushtarake. Për këto lloj veprimesh natyrisht përgatiteshin diversantët. Mendohej gjithashtu përpunimi ideologjik i këtyre njerëzve. Këta njerëz atje do të mbanin uniformën e atij shteti në të cilin bënin stërvitjen, domethënë uniformën ushtarake greke ose jugosllave, ndërsa me futjen në territorin tonë, ata do të visheshin civilë. Ata do të armatoseshin dhe do të vepronin civilë që t'u jepnin veprimeve të tyre me të vërtetë formën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri. Armët këta njerëz do t'i merrnin në depot e njësive ushtarake të vendosura pranë kufirit shqiptaro-grek ose shqiptaro - jugosllav. Këto do të ishin fillimisht veprimet e këtyre grupeve. Rezultatet e veprimeve të këtyre grupeve 208 209 të para, natyrisht do të ishin kapja e qendrave banuese të veçanta. Unë di nga Hakiu dhe Panajoti, se të parat qendra të tilla do të ishin Konispoli ose Leskoviku dhe se atje do të vendosej radiostacioni, i cili do të bënte thirrje për ndërhyrje dhe me këtë do të justifikonte futjen e forcave të rregullta të armatosura të Greqisë, Jugosllavisë dhe SHBA për pushtimin e territorit të RPSH. Njëkohësisht me futjen e këtyre forcave, nga deti do të vepronte flota e gjashtë amerikane. Për këtë ishte parashikuar organizimi i provokacioneve. Natyrisht, ky provokacion do të organizohej nga anijet e flotës shqiptare, domethënë krahas provokacioneve nga toka, do të ndërmerreshin provokacione dhe nga deti. Gjatë situatës mjaft të tensionuar, së krijuar në kohën e këtyre provokacioneve, ndonjë nga këto anije të huaja mund të qëllohej dhe në këtë mënyrë do të krijohej preteksti për veprime luftarake. Por kjo nuk është e gjitha. Përveç kësaj, do të shfrytëzohej marrëveshja shqiptaro-greke për pastrimin nga minat detare të kanalit të Korfuzit, si dhe gjithë bregdetit, i shpallur zonë e lirë për lundrim. Këtu prej tyre do të vendoseshin një ose disa mina, e pas kësaj në to do të ndeshte ndonjë anije e flotës së gjashtë amerikane dhe kjo do të shërbente pretekst për ndërhyrjen e flotës së gjashtë amerikane. Me një fjalë, do të përsëritej historia e provokacionit të vitit 1946 në kanalin e Kor fuzit.
KRYETARI: - Kush do ta drejtonte kryengritjen, i pandehur?
I PANDEHURI: - Kryengritjen do ta drejtonin shtabet. Por këtu duhet të ndajmë kryengritjen nga ndërhyrja. Kryengritjen brenda vendit do ta udhëhiqte shtabi special, i formuar para së gjithash nga emisarët e ardhur nga jashtë, domethënë këtu bëhet fjalë për Panajot Plakun, si për specialistin kryesor që e njihte mirë teatrin e veprimeve luftarake në Shqipëri. Në përbërje të këtij shtabi do të ishin dhe Haki Rushiti, por mundet dhe persona të tjerë nga emigrantët , dhe detyrimisht do të kishte specialistë nga Greqia, Jugosllavia, SHBA, dhe ne nga brenda.
KRYETARI: - Po ndërhyrjen kush do ta drejtonte?
I PANDEHURI: - Siç shpjegova, ndërhyrja ishte rakorduar ndërmjet jugosllavëve dhe grekëve, nën drejtimin e amerikanëve. Ky bashkëveprim do të ruhej dhe gjatë realizimit të ndërhyrjes ushtarake. Siç mësova unë nga bisedat me Hakiun, por më vonë dhe me Panajotin, shtabet kryesore mendohej të vendoseshin: për Greqinë - në Athinë, për Jugosllavinë - në Beograd ose Nish, atëherë kur shtabet operative, domethënë shtabet për udhëheqjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të frontit do të ndodheshin në Janinë dhe Kostur, përkatësisht në divizionin e 8-të dhe të 15-të, ndërsa shtabet jugosllave do të vendoseshin në Maqedoni, në Kosovë dhe Malin e Zi - në Shkup, Prishtinë dhe Nikshiq ose Podgoricë. Pikërisht këto shtabe do të udhëhiqnin.
KRYETARI: -Çfarë roli i ishte caktuar për këtë Panajot Plakut dhe Haki Rushitit? Mund të na thoni ndonjë gjë i pandehur?
I PANDEHURI: - Para së gjithash, unë dua të vë në dukje se Panajot Plaku, siç kam thënë, konsiderohej specialisti kryesor që ndodhej në shërbim të imperialistëve amerikanë, grekëve dhe jugosllavëve dhe që nga pikëpamja ushtarake e njihte territorin ku do të zhvilloheshin veprimet luftarake. Panajot Plaku, në radhë të parë, ka luajtur rolin e ndërmjetësit në mes të grupeve armiqësore në Shqipëri dhe atyre që udhëhiqnin këtë veprimtari nga jashtë shtetit, domethënë ndërmjet nesh dhe grekëve, jugosllavëve dhe amerikanëve. Për vërtetimin e kësaj, unë do të them se gjatë kohës së bisedave me të, ai shpesh më thoshte se nuk ka kohë, sepse ai do të udhëtojë në Greqi, Jugosllavi dhe vende të tjera. Po këtë rol luante dhe Haki Rushiti, por natyrisht në një shkallë më të vogël se Panajoti.
KRYETARI: - Ju i pandehur thatë se kishit ndërmend ta mbanit flotën tonë në gjirin e Vlorës dhe me fillimin e trazirave në Shqipëri, ju do urdhëronit flotën të priste sqarimin e situatës. Na e shpjegoni më konkretisht. Si komandant i flotës, ju donit të shkonit në Sazan dhe të kapnit flotën. Si mendoni ju, do iu bindeshin oficerët dhe ushtarët urdhrave tuaja?
I PANDEHURI: - Ky është problem tjetër, do ia arrija unë kësaj apo jo. Por duke bërë këtë, unë do të kryeja detyrën që më ishte ngarkuar dhe do merrja përgjegjësinë.
KRYETARI: - Si mendoni ju, do iu bindeshin ata apo jo?
I PANDEHURI: - Mirë që nuk ndodhi asgjë nga e gjithë kjo, sepse me siguri askush nuk do më dëgjonte mua! Me siguri askush nuk do më dëgjonte mua!
AVOKAT KOÇO DILO: - Si jeni sjellë gjatë hetuesisë?
I PANDEHURI TEME SEJKO: - Në fillim të hetuesisë unë nuk u solla mirë, ndërsa më vonë reflektova.
AVOKAT KOÇO DILO: - Çfarë doni t'i thoni gjyqit lidhur me veprimtarinë tuaj të zhvilluar?
I PANDEHURI: - Në qoftë se unë do të them se u pendova, atëherë kjo mund të duket si hipokrizi. Unë i tregova gjyqit gjithçka për veprimtarinë time.
KRYETARI: - Ka ndonjë pyetje nga të pandehurit e tjerë? (Pyetje nuk kishte). I pandehur Teme Sejko, jeni ju dakord me procesverbalet e hetuesisë?
I PANDEHURI TEME SEJKO: - Dakord. (Me këtë përfundoi pyetja e të pandehurit Teme Sejko).
Përgatiti Rezarta Delisula
Gazeta Shqiptare
31/08/2012
Krijoni Kontakt