Greqia dhe Italia arritën një marrëveshje bashkëpunimi, për të mbështetur projektin e ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit, i njohur si gazsjellësi TAP.
Marrëveshja u arrit nga zëvendësministri italian për Zhvillim Ekonomik, përgjegjës për Energjinë, Claudio de Vintsenti dhe zv.ministri grek për Mjedisin, Energjinë e Ndryshimet klimatike, Makis Papageorgiou, i cili së bashku me Ministrin e Jashtëm grek Dimitris Avramopulos, zhvilluan një vizitë në Romë.
"Greqia dhe Italia janë në procesin e bisedimeve me qeverinë shqiptare për projektin, i cili do të kontribuojë për pavarësinë energjetike të Evropës", thuhet në njoftimin e ministrisë. Bëhet fjalë për diskutimet në lidhje me tubacion TAP, që është nën projektim, dhe që do të transportojë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali.
Në deklaratat e tij zëvendësministri grek shprehu shpresën që "të gjithë të tregojnë vullnet të mirë bashkëpunimi ashtu si Greqia dhe Italia", dhe shtoi se "ajo për të cilën u ra dakort, është një një bashkëpunim i ngushtë me Italinë për korridorin jugor të gazit, që është caktuar nga Komisioni Evropian dhe që ne si Greqi e mbështesim këtu e shumë vjet më parë”.
“Të vazhdojmë në këtë projekt, që të bëhet i mundur diferencimi i burimeve të furnizimit. Në të ardhmen do të diskutohet më me hollësi, sepse në fazën e dytë në bisedimet mes Greqisë dhe Italisë, do të bashkohet edhe Shqipëria”, deklaroi zyrtari.
Burimi
Krijoni Kontakt