Close
Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 35
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Miku: Politikanët s’e vlerësuan sa duhet, e shihnin si plaku i lodhur

    FATMIRA NIKOLLI

    TETOVE-Ka ndërruar jetë dje pasdite në moshën 64-vjeçare, Arbën Xhaferri. Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Maqedoni u shua pas një qëndrimi 7-ditor në Klinikën Neurokirurgjike në Shkup, si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Mjeku i tij, Sllobodan Damjanoski në një prononcim për mediat ka bërë me dije se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta shëruar, por nuk ka qenë e mundur të mbahej më në jetë. I njohur për idealin e tij mbi bashkimin kombëtar, i ndjeri Xhaferi javën e kaluar është gjetur në shtëpinë e tij në gjendje kome. Më poshtë do të vijnë, kujtimet e mbrame, fjalët e fundme, përmes rrëfimeve të miqve të tij më të afërt, siç është gazetari Xhabir Ahmeti me të cilin njihet që prej kohës së gjimnazit, ish-ministri Vehbi Bexheti me të cilin ka bashkëpunuar gjatë në krye të PDSH-së, si edhe një rrëfim i Muzafer Korkutit, nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që tregon bisedat e kohëve të fundit me të. Ish-kryetari i PDSH-së, disa vite me radhë ka vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore pas 12 vitesh që kishte udhëhequr PDSH-së, në vitin 2007 u largua nga posti i liderit të partisë.
    Në kujtimet e miqve
    Në kujtimet e miqve, Xhaferri ka mbetur si ai “patrioti” i pandreqshëm, që para së gjithash vë atdheun. Për të, problemi shqiptar, nuk ishte vetëm ai i shqiptarëve të Maqedonisë, por ai i të gjithë shqiptarëve. Nuk i shihte kufijtë si pengesa, për aq kohë sa në të dyja anët e tyre, frymonin shqiptarë. “Gazeta Shqiptare” u është drejtuar dje, disa prej miqve të tij, për të mësuar më shumë, mbi ditët e fundit të jetës, mbi ato që la përgjysmë, mbi gjysmë të thënat, apo mbi të thënat e harruara, për shkak të vorbullës ku shpesh rrëmbehemi.

    Një ndër miqtë e tij më të afërt ka qenë gazetari e shkrimtari shqiptar në Maqedoni, Xhabir Ahmeti. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” ai thotë se kohët e fundit Xhaferri, me të cilin është njohur që në kohën e gjimnazit, ka qenë i pakënaqur edhe për shkak të sëmundjes së rëndë. “Bashkëpunëtorët politikë i qenë larguar disi. E shihnin si një plak të lodhur e të sëmurë, por ai në fakt nuk qe i tillë. Ai qe në një moshë që mund të jepte shumë”, - u shpreh Ahmeti. I pyetur për pengun që Xhaferri mund të ketë pasur, miku i tij prej një jete, tha se “shqiptarët e ndarë ishin pengu që ka pasur Arbëni. Megjithatë, ai nuk i ka parë si të ndarë, ai fliste për shqiptarët pa i ndarë nga njëri-tjetri. Ka qenë ithtar i Shqipërisë etnike, të bashkuar e të integruar”. Sipas Ahmetit, humbja e Sabri Godos dhe ajo e Arbën Xhaferrit, kanë lënë boshllëqe të mëdha në mendimin politik shqiptar. Ai shtoi se nuk ka dijeni për ndonjë vepër me të cilën ai po merrej kohët e fundit, përveç përmbledhjes së shkrimeve të shpërndara.

    Miku tjetër i tij, ish-ministri Vehbi Bexheti thotë se ndarja nga jeta e Xhaferrit, ka qenë për të një lajm shokues. “Ai ishte një ndër politikanët më të mëdhenj shqiptarë. Dinte se si duhej bërë politika dhe shkenca, diplomacia dhe universiteti”. I pyetur se “ç’do të thotë kjo humbje për shqiptarët e Maqedonisë”, Bexheti u shpreh se, me ikjen e Xhaferrit, do të duhet kohë që të gjendet një tjetër Arbën Xhaferri që të punojë e t’i mbrojë shqiptarët. Por, si kanë qenë marrëdhëniet e këtij mbrojtësi të bashkimit kombëtar shqiptar, me maqedonasit, të cilëve kurrsesi nuk iu intereson një bashkim i shqiptarëve? Për Bexhetin, Xhaferri gëzonte respektin e të gjithëve, edhe të vetë maqedonasve, sepse dinte se si fliste dhe se si i argumentonte idetë e tij. Qe e pamundur që ndokush të replikonte me të, apo t’i dilte kundër. “Atij nuk i kundërviheshin sepse nuk i irritonte. S’iu jepte mundësi që ta kundërshtonin, sepse ofronte argumente të forta. Dje kanë ngushëlluar të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe atë që është në pushtet, VMRO-DPMNE”, tha dje për “Gazeta Shqiptare”, Bexheti.

    Një tjetër emër i njohur për publikun shqiptar që ka pasur kontakte së fundmi me Xhaferrin ka qenë edhe Muzafer Korkuti, nënkryetari i Akademisë sonë të Shkencave. Si një prej organizatorëve të konferencës shkencore për 100-vjetorin e Pavarësisë, ai ka pasur me Xhaferrin kontakte të vazhdueshme, sepse ky i fundit qe ftuar të merrte pjesë. “Në dhjetor të 2011-ës, kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë udhëtoi drejt Maqedonisë për të takuar Arbën Xhaferrin. Ne e kishim përzgjedhur si pjesëmarrës në konferencë dhe udhëtimi bëhej për të biseduar me të. Na priti në zyrën e tij dhe e vumë re se qe tejet i kënaqur nga ftesa. Na bëri shumë përshtypje gatishmëria e tij. U vendos që në konferencë, ai do të fliste për rolin e shqiptarëve të Maqedonisë në Pavarësinë e Shqipërisë”, -tregon Korkuti. Sipas tij, Xhaferri e quajti nder pjesëmarrjen në akademi. Më tej, Xhaferri e Korkuti kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme (pa rëndësi për t’u botuar), mbi detajet e aktivitetit të nëntorit, në të cilin fatkeqësisht përkundër dëshirës së madhe, ai nuk do të mund të marrë pjesë. Megjithatë, Korkuti beson se ai do ta ketë mbaruar referatin e tij dhe uron që dikush ta sjellë në konferencë. Nga ana tjetër, akademiku na tregon edhe një tjetër bisedë me Xhaferrin, që i takon pikërisht datës 17 korrik, plot 1 muaj më parë. “Pas intervistës së tij të fundit, ku foli për gjuhën standarde dhe mosftesën e Rexhep Qosjes në aktivitetin tonë, i dërgova një mesazh, ku e urova për qartësinë dhe largpamësinë e mendimit. E kam admiruar gjithnjë, sepse ka qenë i shqetësuar për kulturën e trashëgiminë shqiptare, çka qe e qartë në bisedat me të”,- thotë Korkuti. Por mesazhi i akademikut shqiptar, mori një përgjigje (me mesazh telefonik) të cilën po e botojmë të plotë më poshtë: “Të jem i sinqertë, jam shumë në dilemë të shkruaj për disa tema që nuk më takojnë, por mendoj nga aspekti profesional, kam marrë disa herë guximin që të shkruaj për këto çështje, ngaqë mendoj se gjuha nuk mund të jetë vetëm ‘çështje profesionale’. Ajo për shqiptarët ka rëndësi primordiale. Po të mos kishim arritur deri këtu, druaj se populli shqiptar, do të tretej në valët e kohëve”, - përfundon mesazhi, që është njëherësh edhe porosia e mbrame e ‘avokatit’ të shqiptarëve.

    Xhaferi është lindur në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Ka mbaruar Fakultetin e Filozofisë. Deri në vitin 1990 ka punuar në radiostacionet televizive në Prishtinë, Kosovë, si kryeredaktor i programit kulturor. Ka qenë kryetar i PPD-së në Maqedoni nga 18 prilli i vitit 1995, e më pas lider i Partisë Demokratike Shqiptare deri në vitin 2007. Në zgjedhjet e dyta parlamentare në Maqedoni është zgjedhur si deputet i pavarur (1994), e më pas si deputet i PDSH-së dhe gjatë luftës në Maqedoni, ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit.

    (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Arbën Xhaferri: Gjuha të mos preket, shqiptarët të bashkohen

    TIRANE-Arbën Xhaferri, intervistën e fundit për një media shqiptare e dha pothuaj një muaj më parë. Në të ai foli për debatin mbi gjuhën standarde shqipe dhe mbi mosftesën e Rexhep Qosjes në akademinë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Sa i takon pikës së fundit, ai pat thënë se “Profesor Qosja gjithsesi nuk është i rehatshëm. Ai është polemist i lindur dhe nuk i duron situatat ku ai duhet ta luajë rolin që dikush tjetër ia cakton. “Ndjenja e tij për dinjitet dhe integritet është shumë e zhvilluar, kështu që ai nuk përton që të polemizojë me ata që sipas tij kanë qëndrime të gabueshme. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndaj kulturës dhe kauzës shqiptare, mendoj se duhet të tolerohet, të pranohet ashtu si është ai dhe jo si e parapëlqejnë të tjerët”, pat theksuar Xhaferri.
    Zoti Xhaferi, pak kohë më parë, është folur për një përçarje gjuhësore(Shqipëri e Kosovë), e ushqyer nga akademitë përkatëse të shkencave. A konstatoni të njëjtin problem?
    Standardi gjuhësor që luan rolin e indit ndërlidhës kombëtar, do të ketë më shumë përkrahës te shqiptarët jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Ata thonë se vendimi për njësim të të folmeve, të dialekteve dhe krijim të një gjuhe të njësuar(unike) paska prapavijë politike?! Gjithkund në botë këto vendime merren në institucione politike. Kritikuesit e ndërlidhin idenë e standardizimit me politikën, ngaqë për ta nocioni “politikë” ka konotacion negativ. Mirëpo, vendimmarrja për standardizim të një gjuhe gjithmonë ka qenë politike, të paktën derisa nuk zgjidhet kodi i njësimit. Pra, krijimi i gjuhës standarde është vendim “par excellence” politik, i domosdoshëm në zhvillimin kombëtar, i pazëvendësueshëm në procesin e shndërrimit të një populli në komb. Një fjalë e urtë latine thotë: “Quius lingua eius regio” (E kujt gjuha, atij territori). Këto shprehje të urta popullore zbulojnë mekanizmin, vetëdijen e formuar të një populli për rolin e gjuhës standarde në krijimin e ndjesisë për përkatësinë e individëve ndaj një kodi të përbashkët. Ndërhyrja e politikës në këto çështje është vetëm iniciues, ndërkaq punët e tjera i kryejnë specialistët. Argumenti që përdoret nga kontestuesit që e ndërlidhin gjuhën standarde me politikë, me komunizmin ose Enver Hoxhën nuk janë të vetëdijshëm se çfarë lavdërimi i bëjnë komunizmit dhe Enver Hoxhës.
    Akuzat mes gjuhëtarëve, por edhe ndaj Akademive të Shkencave përkatëse sa vijnë e shtohen. Pas 20 vitesh tranzicion, a është një stad normal ky i mendimit shkencor?
    Një gjuhë mund të mbrohet nëse formalizohet, merr statusin e gjuhës zyrtare, nëse kodifikohet, grafizohet, pastrohet nga brenda dhe jashtë, lirohet nga neologjizmat, kalket, frazeologjitë shterpe, ndërhyrjet në sintaksën e gjuhës shqipe, etj. Gjuha shqipe luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e kombformimit. Shqiptarët, të ndarë me besime fetare, me krahina që ushtrojnë presion të madh në krijimin e një spektri identitetesh antagoniste, të ndarë, madje edhe kulturalisht, janë të ekspozuar ndaj një trysnie, gati të papërballueshme që identitetin e tyre ta ndërtojnë mbi premisa, që vetvetiu prodhojnë antagonizma, konfrontime. Militantët e ndryshimit të standardit gjuhësor nuk marrin parasysh pasojat që mund të shkaktojë një ide e tillë.
    Sipas jush, a duhet të ketë një diskutim mbi standardin dhe a po bëhet në kahun e duhur?
    Diskutimet duhet të jenë të vazhdueshme, por vetëm në qarqet e specialistëve. Gjuha, si shtrat i formimit të identitetit kombëtar, meriton një kujdes më të madh se sa një deklaratë në mediumet masive të komunikimit. Si çdo popull i qytetëruar edhe ai shqiptar duhet ta institucionalizojë kujdesin për ruajtje dhe zhvillim të gjuhës shqipe, pa të cilën nuk mund të ruhet identiteti jonë kombëtar. Mbi këtë veçori është formuar vetëdija jonë kombëtare dhe shtetet shqiptare.
    Çfarë do duhet ta merrte më shumë vëmendjen e politikanëve, gjuhëtarëve, intelektualëve, por edhe mbarë shoqërisë shqiptare në këtë vit jubilar?
    Të zgjidhin problemet që varen prej tyre, duke filluar prej higjienës së ambienteve ku jetojmë, veprojmë dhe argëtohemi, deri te mbikëqyrja e pastërtisë së gjuhës. Jam i vetëdijshëm se është një propozim prozaik, romantik, mirëpo shumë më pak i athët sesa realiteti ynë.

    Intervista e realizuar nga Oliverta Lila, u botua më 17 korrik në gazeta “Shqip”.

  3. #23
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Lista për Shqipërinë Natyrale

    Qekur kam qene i vogel e deri tani, me ka munduar nje mendim qe nuk i kam dhene dot pergjigje: Pse kur vdes nje njeri, edhe ata qe nuk e kane dashur per se gjalli ate apo idete e tij, thone vetem fjale te mira, bile nganjehere me te mira se ata qe kane qene miq me te ndjerin. Mu kujtua ky mendim teksa po lexoja dhjetra ngushellimet e politikaneve shqiptare nga Tirana, Prishtina, shkupi ne adrese te te madhit Arber Xhaferri. Shume prej tyre, duke qene se e kam pasur mik qysh nga viti 2001 Arberin, kane qene kunder tij dhe tezave e ideve te tij. Sot i pashe telegramet e tyre plot dashamiresi, glorifikim etj etj. Perse valle ndodh kjo dukuri? Kemi te bejme me "vrasje" te ndergjegjes? kemi te bejme me hipokrizi? Kemi te bejme me shfrytezimin e vdekjes se dikujt per perfitime politike personale? Kemi te bejme me ndonje rit fetar qe per te vdekurin nuk flitet kurre keq? Apo ndoshta pak nga te gjitha, apo ndoshta kjo eshte natyra njerezore? Ndoshta. Por gjithsesi, me duhet te them se personalisht Arber Xhaferrit dhe mendjes se tij te ndritur , i kam thene me shume se nje telegram ne librin tim "Kryengritja e Pambaruar" qe i kushtohet kryengritjes se shqiptareve ne vitin 2001. E tani qe nuk eshte me gjalle dhe nuk me degjon, po i dergoj nje pershendetje: Mirupafshim miku im i diteve te veshtira.

    Koço Danaj, 16 gusht 2012!
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  4. #24
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Qëllimet e përbashkëta të BDI-së dhe PDSH-së

    Fitim Dika

    Zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë nxjerrin 123 deputetë, ku 3 fitohen nga diaspora dhe 120 të tjerë ndahen në gjashtë njësi, ku çdo njësi ka nga 20 deputetë. Prej këtyre 6 njësive, 2 njësi janë tërësisht pa deputetë shqiptarë, një me shumicë shqiptare, dhe tre tjera të përziera, por ku shqiptarët nuk nxjerrin më shumë se 5 deputetë. E bëra këtë sqarim për të treguar se matematikisht është thuajse e pamundur që në Maqedoni të ketë më shumë se dy parti shqiptare dhe këtë e kemi provuar edhe në praktikë, pasi asnjëherë tri ose më shumë parti shqiptare nuk mund të nxjerrin që të gjitha deputetë në zonat me popullsi shqiptare, me ç’rast gjithë partitë e tjera përveç dy më të mëdhatë çdoherë janë të predispozuar të jenë forca rajonale dhe përçarëse të votave shqiptare. Jo pa arsye edhe vizitat protokollare të Edi Ramës, Sali Berishës dhe Erdoganit, kanë injoruar partitë e vogla shqiptare duke u takuar vetëm me Mendu Thaçin dhe Ali Ahmetin. Kjo sqaron edhe titullin, se në të ardhmen shqiptarët duhet të kenë dy parti ose së paku dy blloqe koalicionesh, njëra nën udhëheqjen e BDI-së dhe tjetra nën PDSH-në, për të mos shtuar problemet edhe më shumë të shqiptarëve; dhe tani le të sqarojmë se cilat do duhej të ishin bashkëpunimet mes këtyre dy partive më të mëdha. Zonat administrative në Maqedoni janë të ndara në 83 komuna, së bashku me ato të Shkupit, ku vetëm 16 janë me shumicë shqiptare. Në përqindje kjo i bie 19%, ndërsa shqiptarët në Maqedoni zyrtarisht janë 25%. Nga ana territoriale, territori i Maqedonisë ku udhëheqin shqiptarët është edhe më i vogël, diku 15%, duke pas parasysh krijimin e komunave false me shumicë maqedone si ajo e Mavrovë-Rostushës, që ka vetëm 8000 banorë, por është komuna më e madhe me territor në Pollog me 856 km katrorë. Do ishte në të mirën e të gjithë shqiptarëve me ç’rast edhe një platformë e përbashkët mes PDSH-së dhe BDI-së që në këtë komunë të afrojnë turqit, goranët dhe romët dhe kjo komunë të rikthehet në komunë shqiptare ose të zhbëhet duke përfituar Gostivari dhe Dibra. Shembull të njëjtë kemi edhe në komunën “Qendër Zhupa”, ku partitë shqiptare duhet t’i tërheqin për vete partitë turke, që të ketë më shumë votues për partitë ose blloqet shqiptare. Pra edhepse BDI-ja ka bërë punën e vetë duke afruar popullsinë jo-shqiptare në Maqedoni, në të ardhmen do duhej të bënte më shumë në këtë drejtim, ndërsa të njëjtën monedhë duhet të ndjekë edhe PDSH-ja, që elektorati shqiptar të udhëheq në sa më shumë komuna. Dihet që projektet nacionaliste maqedonase, si Shkupi 2014, karnavalet e Vevçanit, ngjarjet ne Kalanë e Shkupit, i kanë afruar më shumë pakicat e Maqedonisë me shqiptarët dhe kjo duhet të shfrytëzohet mjaft mirë nga ata.

    Rasti ku dy partitë më të mëdha shqiptare do duhej të bashkëpunonin është në fitimin e komunave ose deputetë shqiptarë edhe aty ku shqiptarët nuk janë shumicë dërrmuese si në Kërcovë për të fituar si kryetar komune shqiptar apo në rastin e zgjedhjeve parlamentare për të fituar në zonat maqedonase, si në zonën 3 ose 4. Ndryshimi territorial i zgjedhjeve është një tjetër politikë e përbashkët mes BDI-së dhe PDSH-së.

    Poashtu të dyja partitë duhet të inkurajojnë që të çpolitizojnë shoqatat joqeveritare, arsimin, intelektualët dhe të punësuarit. Nga kjo lloj politike, historikisht përfitojnë dy partitë si nxitje në përparimin e mentalitetit ndër-shqiptar.

    Këto ishin disa raste të përbashkëta që BDI-ja dhe PDSH-ja do të duhej të bënin dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin në të ardhmen, ku fitimi i territoreve me shumicë shqiptare në Maqedoni duhet të mbetet prioritet, bashkangjitur edhe me afirmimin e pakicave tjera jo-shqiptare në Maqedoni si goranët, romët dhe turqit. Nga bashkimi i dy partive shqiptare në çështjet bazë të problemeve shqiptare, kurrkush nuk fiton më shumë se populli shqiptar, populli që legjitimon pikërisht këto dy parti.


    MAPO

  5. #25
    Betimi i Hipokratit
    Anëtarësuar
    05-06-2004
    Postime
    1,081
    Ngushellime familjareve dhe gjithe shqiptareve per humbjen e ketije njeriu te mire.Me ngjante shume em Godon kur fliste.Sishte gjithmone efikas sepse Thaci se lente te jete i lire.Sidoqofte humbja e tije eshte shume e madhe per shqiptaret e Maqedonise.Menduhi do ta kete edhe me te lehte tani.
    The good you do today;people will often forget tomorrow;do good anyway

  6. #26
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Brari po e tepron me këta gomarllëqe që po shkruan, të kishim të gjithë nga një përqindje të vogël të vizionit që posedonte Arbër Xhaferi do të ishim shumë më para se sa jemi tani.
    Sui generis

  7. #27
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ka sjell dikush aty lart nje thenje te z xhaferi per qosen..
    e ha meraku te ndjerin se pse nuk eshte ftuar qosja.. ne fest..
    pse nuk e di arberi se cfar pa vlora dhe shkiperia nga qosiszma e 97-tes..
    e di mire po sic duket paska qen ne nje mendje me qose caushet e 97-tes..
    si shpjegonet kjo dashuri e madhe e edvin kryekapobandes se 21 janarit per te ndjerin xhaferi..
    patjater qe shpjegonet me ate se nga zoteria i ndjere xhaferi nuku ka ardhur ndonje vrejtje a kritike qoft e lehte ndaj menxyres se 21 janarit qe organizoj edvin khmer ruzhi..
    tjater.. cfar vizionari mund te jesh kur ske guxuar kurre ti thuash ndal (qofte dhe me dy fjale) fushates kriminale qe shpertheu ne kosove nga bandat qosiste lpk-iste envero m.utaviste kunder rugoves e bashkpuntoreve te tij.. gjat e pas lufte..
    u vra luftetarja sabahete..
    si nuk foli arberi..
    si shpjegohet delegimi i nje bashkpuntori e antari te shtabit vrases zotit bardhil mahmutaj pran birose se partise se xhaferit..
    nuku shpjegonet ndryshe vec si pajtushmeri me llojin e ketyre banditve..

    pra or rrap sul.. ne vizionaret e atdhetaret nuku marrosemi mbas fallcove e portreteve te pa verifikuara..
    ju nderojeni.. por roli i tij mua sme ka bere kurr ta adhuroj..
    pra tek ai nuk shoh kurfar vizionari..
    tjeter..
    a eshte e vertet se ka vile luksoze ne golem te durresit zoti xhaferi?
    se atje kan dhe shum mafioz tjer vila..

    un vleresoj me shum ca forumiste ketu qe gjithmon e kan treguar shpirtin e tyre atdhetar.. se sa ca politikan ekranesh te perkedhelur..

    per mua hero eshte gazetari bardhyl..




    '

  8. #28
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Brare kako si?
    Respekto opinionet e shumices qe shprehen me nderime ndaj Arber Xhaferit.
    Shprehe mendimin tend negativ pa e shk..dhyer temen. Qfaredo figure publike i ka kundershtaret dhe nese te gjithe keta perdorin ligesisht e qyqarisht lirine e shprehjes ne forum siç po ben ti me kete rast, ateher nuk mbetet teme ne kembe.
    As une nuk e respektoja Ali Podrimen dhe e kam shprehur kete vetem me nje koment ne temen me rastin e vdekjes se tij, nuk abuzova. Mos mendo se vetem ti di te shkarravisesh.
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  9. #29
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kako si-ut asnji tugum sja kam provue or hallmin enveruci.. qe villen dy kat baba yt e ka pi rankos se vicit..e 3 kat pi titos e kardelit.. e tash i ke 4 pi ktyne fahrudinave..

    leni por.dhat se nuk te shkojn..

    ja shife titon ..

    ---------

    mapo

    --

    Lavd për Arbënin

    Shkëlzen Maliqi

    Me Arbën Xhaferin njihesha që nga viti 1967. Kemi studiuar filozofinë në Beograd në të njëjtën kohë, vetëm se ai ishte një vit pas meje. Që nga kontaktet e para, ato në fillim nuk kanë qenë aq të shpeshta, Arbëni dhe unë kishim një respekt të veçantë për njëri-tjetrin. Nuk kemi qenë shokë të ngushtë gjatë studimeve, por sa herë që na kryqëzoheshin rrugët, disi na forcohej respekti i ndërsjellë. Ne kishim disa tema të përbashkëta të bisedave, që në ato vite pothuajse fare nuk kanë qenë politike. Llafosnim për kulturën, filmat, filozofinë. Ai e adhuronte Niçen, e unë i kisha dro Niçes, sepse më dukej tepër influencues, sikur ta merrte frymën.

    Në vitin 1968 kur Arbënin e patën burgosur në Tetovë me akuzën se ka qenë ndër organizatorët e demonstratave për Ditën e flamurit, një grup studentësh të filozofisë pat bërë peticionin për lirimin e tij. Unë nuk kisha informata për burgosjen dhe peticionin, por kur më njoftuan kolegët e nënshkrova atë. Nuk di nëse ai peticion ka pas efekt, por Arbëni u lirua pas ca kohe, ndoshta edhe për faktin se ai dhe vëllai i tij Agimi për mbrojtës kishin avokatin e njohur “disident” Jovan Baroviçin. Por, as pas këtij lirimi, në kontaktet tona nuk pat hyrë politika. Ne kishim konsiderata intelektuale edhe kur ishin totalisht në margjina e të panjohur.

    Gjatë viteve ’70 kur Arbëni ndërpreu studimet (i kishte mbetur vetëm diploma) dhe u punësua në RTP si redaktor, e unë pata mbetur në Beograd, Arbëni ka qenë i vetmi person që çdo herë që takoheshim më bënte “presion” të butë që të kthehem në Kosovë. Ne vazhdonim të bisedonim për kulturë dhe filozofi, aspak për politikë, por unë besoj se në insistimet e tij kishte një çik tendence kur më thoshte se “Kosovës i duheshin njerëzit me vizione të hapura”.

    Po e theksoj këtë aspekt të kontakteve kryekëput intelektuale me Arbënin, sepse besoj thellë se as ai e as unë nuk kemi qenë të prerë dhe të gatuar për politikë. Vetëm pas vitit 1981 politika u bë fatum i përgjithshëm, dhe diku nga mesi i ’80 na trokiti edhe neve në derë duke na detyruar që të ndryshojmë jetët tona. Unë mëkatova me politikën para Arbënit, duke u bërë publicist dhe analist politik. Dhe për koincidencë, kam qenë unë ai që e ka bindur Arbënin që në vitin 1987 ta botojë një shkrim kozeri në revistën “Fjala”. Mbase ka qenë shkrimi i parë që e ka botuar në jetë, ku në pak rreshta shpalosi një talent deri atëherë të fshehur letrar si dhe të mendimtarit të hollë.

    Nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i ’90-ve të shekullit të kaluar, ka qenë një periudhë kur u patëm bërë shumë të afërt. Kur e patëm nisur revistën javore Koha, me Veton Surroin (seria e parë e viteve 1990-1991) Arbëni ishte ndër themeluesit e revistës dhe me rekomandimin tim filloi të shkruante kolumne të rregullta politike me një zë e stil brilant dhe argumentim reflektues që e shquante nga zërat tjerë. Njëkohësisht, kemi bashkëpunuar ngushtë edhe në themelimin e Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe në udhëheqësinë e saj kemi mbetur nga viti 1990 deri në vitin 1993.

    Nuk po i shkruaj këto rreshta biografike të bashkëpunimit tonë për ta “përvetësuar” Arbënin me një kut timin, nga koha kur ai nuk ka qenë aq i njohur dhe me ndikimin që e ka arrit më vonë jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rrafshin gjithëkombëtar. Në ditën që më lajmëruan se ka vdekur, po mundona që në këtë përkujtim ta jap një kontekst që mund ta shpjegojë katapultimin e tij të shpejtë në politikën e lartë pas viti 1993, kur vendosi që të kthehet në Tetovë, duke e marrë drejtimin e Partisë Demokratike Shqiptare.

    Qysh në vitin 1992 Ylber Hysa, Veton Surroi, unë dhe disa shok të tij nga Prishtina, kemi provuar ta bindim Arbënin që të transferohet në Tetovë dhe ta marrë drejtimin e Partisë së Prosperitetit Demokratik, që në atë kohë ishte në krizë dhe manipulohej lehtë nga lidershipi maqedonas që drejtohej nga ish-komunistët me përvojë dhe tejet dinakë, siç ishte Kiro Gligorovi. Arbëni, i cili e kishte në Tetovë një rreth të njerëzve të brezit të tij me shumë ndikim, por që nuk e kishin talentin dhe reflektimin e tij politik, në vitin 1992 e rezistoi këtë sfidë, ngase edhe vetë nuk i besonte yllit të tij prej lideri. I mësuar prej vitesh që të reflektojë në hije, nuk e imagjinonte se mund të bëhej drejtues i shkathtë i një partie me përgjegjësi të mëdha historike.

    Por në vitin vijues, 1993, e kuptoi edhe vetë se politika e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund t’i lihej në duar liderëve aksidentalë që nuk ishin në nivelin e kërkesave historike dhe manipuloheshin dhe mashtroheshin lehtë. Arbëni ishte nisur një ditë pa shumë zhurmë në Tetovë, ku brilanca e tij intelektuale do të dallohej menjëherë duke sjellë efekte këndellëse edhe te faktori shqiptar, edhe tek ai maqedonas. Zhytja në politikë e një intelektuali gjithnjë e bën atë me ca njolla, por Arbëni e dinte masën. Nuk ishte pa gabime, por edhe nuk pretendonte pagabueshmëri.

    Si intelektual që ishte, Arbëni pati sukses të jashtëzakonshëm në politikë. Mund të krahasohet vetëm më Ibrahim Rugovën, që po ashtu në politikë hyri si meteor, me një begraund paraprak akademik dhe intelektual. Por dallimi mes Rugovës dhe Xhaferit është se i pari, me të hyrë në politikë e la krejtësisht punën intelektuale, kurse i dyti duke hyrë në ujërat e politikës së lartë, e ngriti atë në një mjeshtri të rrallë intelektuale. Nuk bënte vetëm fjalime dhe reagime ditore, por krijoi një sërë studimesh dhe esesh tejet domethënëse, ku trajtonte tema të ndryshme, prej atyre të çështjes kombëtare, deri të reflektimet për vendin e shqiptarëve në politikën dhe kulturën bashkëkohore.

    Arbën Xhaferi ishte ndër politikanët e rrallë në botën shqiptare, por edhe në rajon, që politikën e bëri njerëzore, të dinjitetshme dhe të lavdishme.

    --

    pra kako si-ne e ke ti o hallmin..
    ti me krejt qosistat e beligradit..
    e me albina e mutsihana tjer..

    kte shkelzun maluqin.. e pash se sa me servilizem e perulje i gjindej edvin rucit kur erdh edvini me shit pallavren kurban..

    berllog jini krejt..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 17-08-2012 më 06:35

  10. #30
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Skica për shqiptarë
    64 pikëpamje e këndvështrime me rastin e vdekjes së Arbën Xhaferit në moshën 64-vjeçare

    20.08.2012 - Enver Robelli


    1.

    Zotin K. e pyetën:
    - "Çfarë bëni, kur e doni një njeri?"
    - "E bëj një skicë të tij", tha zoti K., "dhe kujdesem që ai t’i përngjaj asaj".
    - "Kush? Skica?"
    - "Jo", tha zoti K. "Njeriu".



    2.

    Njëjtë si shkrimtari gjerman Bertolt Brechti në rrëfimet e tij të vogla mbi dhe me zotin Keuner edhe Arbën Xhaferi gjatë angazhimit të tij publik bënte skica. Skica shqiptarësh. Ai i vizatonte ata përmes mendimeve. I idealizonte. Besonte se nga thellësia e shoqërisë shqiptare do të burojë e mira dhe ajo një ditë do të ngadhënjejë mbi të keqen. Arbën Xhaferi dëshironte që skicat e tij mbi shqiptarët idealë t’u përngjajnë sa më shumë shqiptarëve realë.



    3.

    Skica e Arbën Xhaferit mbeti e papërfunduar.



    4.

    Njeriu vdes dy herë. Njëherë kur ndahet nga kjo botë. Dhe së dyti kur e harrojnë ata që mbesim pas tij.



    5.

    Arbën Xhaferi ka lënë disa gjurmë, të cilat e bëjnë të paharrueshëm në shoqëritë shqiptare kudo në Ballkan dhe te çdo shqiptar kudo tjetër nëpër botë.



    6.

    Në “annus mirabalis”, në vitin e mrekullive, më 1999, kur bota e civilizuar perëndimore çliroi Kosovën, Arbën Xhaferi ishte politikan me ndikim të madh në Maqedoni. Partia e tij ishte pjesë e koalicionit qeveritar. Nga kjo pozitë Xhaferi dha kontribut vendimtar që sa më shumë shqiptarë të Kosovës të gjenin strehim e shpëtim në Maqedoni. Një valë e madhe solidariteti e shqiptarëve të atjeshëm mbetet kapitull i ndritur i historisë bashkëkohore të shqiptarëve në Ballkan.



    7.

    Ai ishte mbështetës i madh i lëvizjes çlirimtare në Kosovë, jo vetëm në frontin politik. Për këtë shumë politikanë të Kosovës nuk janë më të vetëdijshëm.



    8.

    Me angazhimin e tij politik në Maqedoni ai u përpoq që vokabularin e debatit publik ta avancojë në aspektin cilësor, përmbajtësor dhe artikulues.



    9.

    Tetova, qyteti ku u lind, sipas dëshirës së tij, duhej të bëhej qendër e arsimimit dhe e europianizimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Deri në shpërbërjen e Jugosllavisë këtë rol e kishte luajtur Prishtina. Me heqjen e autonomisë së Kosovës nga Beogradi, me përzënien e shqiptarëve nga shkollat fillore, gjimnazet dhe Universiteti i Prishtinës kryeqyteti i Kosovës e humbi edhe funksionin e qendrës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë.



    10.

    Arbën Xhaferi përmes koalicionit me konservativët maqedonas të VMRO-së krijoi disa mundësi për depërtimin e shqiptarëve në sektorin publik, në zyra qeveritare dhe ndërmarrje publike.



    11.

    Ashtu si shumë grupe të tjera politike të shqiptarëve në Ballkan edhe partia e Xhaferit, rrjedhimisht, nuk mbeti e paprekur nga fenomeni i korrupsionit. I manipulimit të votave. I kurtheve politike.



    12.

    Si shumica e liderëve politikë shqiptarë në Ballkan as Arbën Xhaferi nuk arriti që në kuadër të partisë së tij - derisa ishte gjallë - t’i përkrahë politikanët shteghapës, ata që i përkushtohen zhvillimit, demokratizimit, përparimit.



    13.

    Megjithëkëtë, Xhaferi tregoi pjekuri politike kur në vitin 2001, pas shpërthimit të kryengritjes shqiptare në Maqedoni, luftëtarët shqiptarë i futi nën ombrellën politike, ua hoqi atyre imazhin e halabakëve dhe, në një mënyrë, u bë zëdhënës i tyre në tavolinën e bisedimeve në Ohër.



    14.

    Ndoshta është legjendë, por edhe si e tillë e shpjegon mirë mentalitetin e disa shqiptarëve për aventura politike pa program, siç ishte kryengritja e vitit 2001. Pasi kishte shpërthyer lufta në Maqedoni disa luftëtarë shqiptarë marrin nën kontroll katundin e madh të Haraçinës. Dikush nga qeveria e Athinës i telefonon Arbën Xhaferit dhe i lutet të ndikojë te “rebelët e Ali Ahmetit” që të kenë kujdes dhe mos ta sulmojnë rafinerinë e naftës afër Shkupit. Xhaferi thuhet se ishte përgjigjur kështu: “Dyshoj nëse ata e dinë se ç’është rafineria”.



    15.

    Pas uljes së shtizave gjatë luftës së vitit 2001, raportet mes partisë së Xhaferit (PDSH) dhe asaj të Ali Ahmetit (BDI) u ashpërsuan. Eksponentë të PDSH-së akuzuan Ahmetin dhe politikanë të rrethit të tij për bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav. U krijua një mjegull e helmët politike, u publikuan e shpërndanë dokumente që gjoja provonin spiunllëkun, por, në fakt, ato letra nuk dëshmuan asgjë. Humbi besimi edhe ashtu minimal mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Nuk dihet tash se ç’është e vërteta dhe ç’është gënjeshtra. Duket se disa bajraktarë të atjeshëm shqiptarë janë vetëm instrumente të shërbimeve maqedonase në luftën me dosje.



    16.

    Në këtë atmosferë mosbesimi, në varrimin e Arbën Xhaferit, mungoi edhe Ali Ahmeti. Kjo mungesë e Ahmetit flet shumë për klimën politike mes shqiptarëve në Maqedoni.



    17.

    Kacafytja e vazhdueshme mes partive shqiptare në Maqedoni bëri që disa analistë të huaj të deklarojnë se lufta e vitit 2001 nuk ishte kryengritje për liri e të drejta kombëtare, por për resurse e tenderë.



    18.

    I lodhur nga sëmundja, Arbën Xhaferi, nuk pati forcë (ndoshta as vullnet) të luajë rolin e qetësuesit dhe udhërrëfyesit aktiv.



    19.

    Ai faktikisht u tërhoq nga politika; mbeti vetëm deputet. Dergjej, lexonte, mendonte, shkruante nga kulla e tij virtuale.



    20.

    Tekstet e tij nisi t’i botonte në Tiranë e Prishtinë (kryesisht te “Koha Ditore” dhe te “Shekulli”). Obsesioni i tij ishte bashkimi i shqiptarëve. Nuk besonte më në shoqërinë shumetnike. Ndonëse në koalicion me nacional-konservativët maqedonas partia e tij në gjysmën e dytë të viteve ’90 predikonte për bashkëjetesën.



    21.

    Shpejt u bë i njohur dhe i popullarizuar. I pëlqente të merrte pjesë në debate e takime, madje edhe atëherë kur çdo aktivitet ia vështirësonte sëmundja dhe kur as publiku nuk ndihej mirë përballë lëngatës së tij.



    22.

    Dëshira e tij për komunikim, kultivimi i rregullt i kontakteve e dallonin Arbën Xhaferin nga politikanët dhe të ashtuquajturit intelektualë shqiptarë. Me vullnetin e një çuni që prek horizontet e bukura të jetës ai përgjigjej në çdo mesazh telefonik dhe email. Kur vonohej, kërkonte falje. Sëmundja...



    23.

    Në mesin e rrënojave dhe kaosit shqiptar, Arbën Xhaferi përpiqej të ishte normal. Të jesh normal sot në mesin e shoqërisë shqiptare nuk është pak.



    24.

    Për këtë arsye ai çmohej edhe nga gazetarët e huaj.



    25.

    Pas Ibrahim Rugovës Xhaferi është i vetmi politikan shqiptar që me rastin e vdekjes kujtohet me fjalë të zgjedhura në arenën ndërkombëtare.



    26.

    Javier Solana, tani pensionist mjaft aktiv në debate publike, shkroi në twitter se Xhaferi i ka bërë një shërbim të madh vendit të tij. “Shpresoj se njerëzit do ta kujtojnë atë”.



    27.

    Ministri i jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Mlladenov, shkroi po ashtu në twitter: “Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë Xhaferi do të mungojë. Një lider vizionar në Ballkan, i cili besonte në paqe dhe integrim të rajonit”.



    28.

    Nëse i krahasojmë këto fjalë të personaliteteve të huaja me ceremoninë shkel e shko të varrimit të Arbën Xhaferit, atëherë pikëllimi në opinionin shqiptar duhet të jetë i shumëfishtë. Ai meritonte një ceremoni mortore dinjitoze. Si njërit prej politikanëve kryesorë të Maqedonisë në dy dekadat e fundit, atij i takonte një varrim me protokoll shtetëror.



    29.

    Pas vdekjes shqiptarët të çojnë në qiell. Kështu po veprohet edhe me Arbën Xhaferin. Ata që për së gjalli e injoronin, tash e mistifikojnë, duke treguar edhe anekdota gjoja mbresëlënëse mbi miqësinë me të.



    30.

    Një temë që Xhaferi e trajtonte vazhdimisht ishte raporti i shqiptarëve me serbët, dy popuj që kanë kaluar herë faza simbioze, herë periudha të armiqësisë së përgjakshme. Meqë i idealizonte në masë të madhe shqiptarët, Xhaferi jo rrallë problemet e tyre, moçalin e tyre politik e shihte vetëm si pasojë të “pushtimit nga të huajt” (osmanët, sllavët). Për të shqiptarët ishin jetimë të historisë. Në këtë çështje kishte të drejtë pjesërisht, por me çlirimin e Kosovës më 1999, me avancimin e të drejtave të shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit, me pavarësinë e Kosovës, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO shqiptarët patën shans të tregojnë se janë faktor politik në Ballkan dhe nuk janë më jetimë të historisë.



    31.

    Mbase më shumë se çdo politikan shqiptar Xhaferi i përcillte me kujdes zhvillimet politike sidomos në Serbi e Maqedoni. Shpesh analizat e tij mbi mendësinë politike në Beograd dhe Shkup, mbi rolin fatal të intelektualëve serbë e maqedonas në formulimin e politikave agresive ishin të vlefshme për opinionin publik.



    32.

    Si kontrast drastik duhet përmendur një këshilltar të ish-kryeministrit serb Vojislav Koshtunica, i cili gjatë një konference të politikanëve ballkanikë në Luzern të Zvicrës (para disa vitesh) e kishte pyetur Arbën Xhaferin: “A jeni ju katolik apo mysliman?” Aq e gjerë ishte dija e këtij zyrtari serb mbi shqiptarët.



    33.

    Siç shkruan historiani zviceran Oliver Schmitti në njërin nga librat e tij, Serbia gjatë shekullit XX nuk ka synuar t’i integrojë shqiptarët. Ajo e dëshironte territorin pa shqiptarë. Për këtë qëllim Beogradi nisi zbatimin e programeve shfarosëse, dëbuese, diskriminuese. Pothuaj njëjtë veproi edhe Maqedonia, qoftë si republikë jugosllave, qoftë më vonë në fillet e saj si shtet i pavarur.



    34.

    Arbën Xhaferi ishte i vetëdijshëm se politikisht po vepronte mes bashkëkombësve të tij që ende oshilojnë mes identitetit post-otoman dhe retorikës boshe proeuropiane. Kjo vlen veçanërisht për shumicën e trevave të banuara me shqiptarë në Maqedoni, por as Kosova, as Shqipëria nuk janë larg këtij mentaliteti.



    35.

    Xhaferi ishte kritik ndaj ndikimit turk në viset shqiptare në Ballkan. Nuk e kundërshtonte bashkëpunimin ekonomik mbi bazat e interesit të përbashkët. Por çfarë ndodh në Kosovë e Shqipëri, ta zëmë, është një pazarllëk për interesa të politikanëve plaçkitës. Tashmë janë dorëzuar në tabakun e argjendtë aeroporti i Prishtinës, distribucioni i KEK-ut, në radhë janë posta, telekomi, ndoshta edhe ndonjë minierë. Në Shqipëri ndërtimi i së ashtuquajturës “rrugë e kombit” është shoqëruar me akuza të rënda për korrupsion kundër një konzorciumi amerikano-turk dhe disa politikanëve shqiptarë.



    36.

    Për të shpjeguar pak sfondin historik duhet sjellë këtu një shembull: në vitin 1928 në parlamentin e Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene në Beograd u vra Stjepan Radici, një politikan kroat. Vrasës ishte Punisa Racici, malazez, i cili në vitin 1920 kishte kandiduar në Tetovë në një listë të përbashkët të Partisë Radikale dhe Xhemijetit (partisë së myslimanëve shqiptarë). Më vonë Racici kreu punët brutale të Beogradit në Kosovë. Pra, aftësia politike e shqiptarëve historikisht nuk ishte e theksuar sa duhet, madje shpesh vendimet qenë fatale, siç tregon rasti i Racicit, i cili u zgjodh deputet me vota të shqiptarëve.



    37.

    Mbi këtë trashëgimi historike dhe politike Arbën Xhaferi u përpoq të iniciojë diçka si emancipim publik, shtetëror, kulturor, arsimor.



    38.

    Ai ishte i bindur se me këtë trashëgimi të zbehtë historike dhe politike shoqëritë shqiptare jashtë Shqipërisë kanë gjithnjë e më pak gjasa të funksionojnë rregullt brenda shtetit maqedonas dhe në Kosovë si shtet i papërfunduar.



    39.

    Por Xhaferi e kishte bërë edhe përvojën tjetër të hidhur: kur shpërtheu lufta më 2001 dhe kur edhe te disa nacionalistë maqedonas dhe akademikë ekzistonte gatishmëria për ndarje territoriale, as Shqipëria, as Kosova nuk ishin në gjendje të merrnin përgjegjësinë për një territor që eventualisht do te shkëputej nga Maqedonia.



    40.

    Shqipëria ideale e Arbën Xhaferit edhe sot është larg Shqipërisë reale. E njëjta vlen edhe për Kosovën.



    41.

    Në Tiranë e Prishtinë për bashkim kombëtar, për flamur me shkabën “me dy krena” dhe rekuizita të tjera që ndezin epshin nacional flasin e çirren matrapazë me pushtet, të cilët natën bëjnë biznese me oligarkë të Serbisë, ndërsa ditën luajnë rolin e patriotit.



    42.

    Shënimet e Xhaferit për konsolidimin e shqiptarëve në Ballkan ndoshta do t’u shërbejnë gjeneratave të ardhshme si pikënisje drejt projekteve të reja politike. Projekti më i rëndësishëm i të gjitha shoqërive shqiptare në Ballkan duhet të jetë çlirimi nga prangat e politikanëve plaçkitës.



    43.

    Arbën Xhaferi u nda fizikisht nga bashkëkombësit e tij në një vit simbolik: në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur liderët politikë shqiptarë nga sallonet e Europës shikohen si zgjebanikë të rrezikshëm. Por edhe zgjebanikëve diplomatët dinë t’ua rrahin supet. Mjafton t’i kryejnë detyrat e caktuara nën kërcënimin e shantazhit.



    44.

    Arbën Xhaferi nuk do të jetë dëshmitar i marrëzive të ardhshme politike. Të gjallëve u mbetet që të minimizojnë sa më shumë që të jetë e mundshme efektet negative të marrëzive të pritshme.



    45.

    Xhaferi nuk ishte vetëm politikan. Dhe kjo e dallonte nga shumë politikanë të tjerë shqiptarë.



    46.

    Kritikën e filmit e kishte më shumë se pasion.



    47.

    Me zemërim e kishte shikuar parlamentin e mjerë të Kosovës, i cili nuk e nderoi aktorin Bekim Fehmiu me një minutë heshtje, sepse paskësh jetuar në Beograd. Xhaferi thoshte: “Bekim Fehmiu ishte një aktor i madh i përmasave botërore, pinjoll i një familje nacionaliste atdhetare, i cili në çdo rast e ka theksuar identitetin e tij kombëtar. Kur producentët italianë morën përsipër që ta shndërrojnë në yll botëror kërkuan nga ai që të ndryshojë pak a shumë emrin dhe mbiemrin e tij, konform fonetikës moderne. Sa më kujtohet propozimi ishte Backy Feymy, por ai kategorikisht refuzoi edhe ndryshimin e një germe të vetme”.



    48.

    Viteve të fundit, ndonëse vinte shpesh në Kosovë, Xhaferi s’mbante më kontakte me politikanët sundues të Kosovës, të cilëve ua kishte hapur një pjesë të rrugës për t’u bërë të pushtetshëm.



    49.

    Në lidhje me këtë ai thoshe: “Kohët kanë ndryshuar. (...) Rrethanat e reja krijojnë miqësi të reja, ato të vjetrat, pak nga pak, po zvetënohen. Interesat e reja krijojnë ndërveprime dhe relacione të reja”.



    50.

    Për keqpërdoruesit e shumë të lirisë ai kishte këtë mendim: “Liria gjithmonë i zbut kriteret morale të përfaqësuesve të shtetit, krijon lakmi dhe prirje që përmes korrupsionit dhe formave të ndryshme jolegale të përmirësohen pozitat e tyre në sistem”.



    51.

    Arbën Xhaferi me paraqitjet e tij shkrimore në Prishtinë e Tiranë arriti shpesh të bëjë jehonë në mesin e publikut. Ishte ndër publicistët e paktë shqiptarë që lexohej gjithandej.



    52.

    Me kalimin e viteve e kishte konsoliduar autoritetin e tij në hapësirën publike. Kjo i krijonte atij njëfarë lirie të atakonte të gjithë ata që, sipas tij, e kritikonin gjoja pa të drejtë kombin e tij shqiptar.



    53.

    Por Arbën Xhaferi nuk ishte fanatik i papërmirësueshëm i mendimeve të tij. Gjatë bashkëbisedimit disamujor me të – për realizimin e librit “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” – ai u tregua i gatshëm të ndryshojë, të korrigjojë dhe të rishqyrtojë disa mendime, të cilat i kishte thënë në vrull e sipër për ta theksuar dhe për ta spikatur synimin e shpjegimeve të tij.



    54.

    Është shumë herët të bëhet një bilanc përfundimtar i angazhimit të tij politik dhe publicistik.

    Diçka e tillë do të jetë e mundshme pas shumë vitesh.



    55.

    Deri atëherë shoqëritë shqiptare në Ballkan duhet ta gjejnë paqen me vetveten.



    56.

    Duhet ta humanizojnë jetën e tyre shoqërore dhe ambientin politik.



    57.

    Duhet ta bëjnë realitet ëndrrën për europianizim.



    58.

    Europianizimi fillon duke e përndritur shoqërinë, duke e edukuar atë për të bërë dallim mes të mirës dhe të keqes.



    59.

    Kombi i Arbën Xhaferit prej vitesh është në udhëkryq, në kërkim të orientimit.



    60.

    Nëse në njëzet vitet e ardhshme nuk arrihet një transformim rrënjësor dhe pozitiv i shoqërisë, atëherë pak ia ka vlejtur edhe angazhimi i Xhaferit me shkrime.



    61.

    Shoqëria shqiptare do të ruante në mënyrë meritore kujtimin për Xhaferin nëse i merr parasysh disa prej këshillave të tij racionale.



    62.

    Elozhet me fjalë boshe dhe piedestalet prej balte nuk do ta nderonin Xhaferin as tash, as në të ardhmen.



    63.

    Në emailin e tij të fundit, të dërguar para disa javësh, Arbën Xhaferi më shkruante shkurt: “Të falënderoj shumë për bashkëpunimin”. Kështu u mbyll një kapitull i bashkëbisedimit tonë intensiv disamujor, i cili buronte nga sinqeriteti i dyanshëm dhe kureshtja për trajtimin e temave të zakonshme dhe të pazakonshme.



    64.

    “Zoti Keuner tha: ‘Është vështirë t’i mësosh ata, me të cilët je i zemëruar. Por kjo është veçanërisht e domosdoshme, sepse sidomos ata kanë nevojë për këtë më së shumti’”.
    (koha.net)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •