PROMOVIM VLERASH KULTURORE BALLKANIKE DHE EVROPIANE
* Shoqata Kulturore “Ahmet Zogu” e Matit mori pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar, organizuar në Serres të Selanikut nga Shoqata Kulturore e Gefirudit, Greqi.
*Artistët matjanë ngritën peshë artdashësit e shumtë grekë e turq, të moshave e profesioneve të ndryshme,
* Mbresë lanë sidomos artistët matjanë: Ikli Punavija, Fran Ceka, Augustin Ceka, Gjin Cara e Ali Reçi; vallëtarët: Prengë e Augustin Ceka; Leze Rrika, Fatmira Aliu, Klodiana Laska…, pa mohuar rolin kryesor të udhëheqësit artistik, Sabri Alia.
Nga, Hamdi Hysuka
Nga shumë shqiptarë rruga për në Selanik të Greqisë është kthyer në një rutinë. Nuk është më tepër se tetë orë larg Tiranës, por vonesat në Kapshticë ndonjëherë e zgjasin më shumë, deri dhe në 12 orë.
8 gusht 2012. Udhëtojmë me grupin folklorik të Shoqatës Kulturore “Ahmet Zogu” të Matit për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar, organizuar në Serres të Selanikut nga Shoqata Kulturore e Gefirudit, Greqi. Në Kapshticë, në traun e kufirit, përballemi hollësisht me procedurat, por kur u mësua se jemi artistë të melosit popullor, kompjuterat nuk u “prishën”. Madje njeri nga doganierët e teproi duke na thënë se “duhet të pini hashash që të këndoni mirë. Daksi”?
Punë e tij. Mbase vetë ai mund të kishte pirë drogë. Kështu na e dha përshtypjen…
Prapa lamë Shqipërinë, “‘hallemadhen tonë shekullore” dhe për pak ditë u bëmë banorë të qytetit grek, Serres, 74 km larg Selanikut të zhurmshëm, shumë afër Maqedonisë greke dhe kufirit me Bullgarinë. Edhe në këtë cep të largët grek shohim me sy pamje krejt të tjera, ndryshe nga ato të vendit tonë, duke u prekur në ndjenja se ç’është në të vërtetë Europa, ku prej më shumë se 20 vjetësh përpiqemi të integrohemi. Dhe bindemi me sy e zemër se sa larg jemi ne prej saj. Dallimi është i thjeshtë, por i çuditshëm. Që në hapin e parë u ballafaquam me pastërti, trafik të qetë, ara të mbjella cep më cep me misër të shumtë, fasule të mbara e perime të tjera të shumta, pazar i mbarë në Iraklia, me tregëtim tërësisht ligjor.
* * *
Serres, me mbi 76 mijë banorë, njihet si një fortesë e madhe e ndërtuar nga Perandoria Bizantine për të ruajtur kufirin verior të saj. Ka institucione arsimore me më shumë se 12.000 studentë universitarë dhe pasuniversitarë. Në mjediset e tyre njihesh me figura të ndritura ndër vite të këtij komuniteti, si psh Emanuel Papas, udhëheqës i luftës greke për pavarësi në Maqedoni; Konstantin Karamanlis, themelues i partisë “Nea Demokratia” katër herë kryeministër dhe president i Republikës së Greqisë, Efstathios Tavlaridis e Angelos Charisteas, futbollistë të njohur; Giorgos Kaputzidis, aktor; Glykeria, këngëtare; Gazi Husrev, bej në Perandorinë Osmane; Halil Rifat Pasha, vezir i madh i shekullit XIX; Metin Serezli, aktor turk me prejardhje nga Serres, hoxhë Ibrahim Pasha, vezir i madh i Perandorisë Osmane etj. Portetet e tyre i gjeje në fotografi, buste e shtatore.
Udhëkryq gjuhësh e kulturash, takime me grekë të zakonshëm. Frymë miqësie mes artistësh grekë, shqiptarë e turq. Takime të tilla folklorike, në nivele festivalesh, i afrojnë më shumë kulturat, gjuhët dhe njerëzit. Askush nuk foli për krizë greke, as për ëndrrën e emigrantëve, shumica e të cilëve nuk mund të rrinë gjatë në vendin fqinj. Madje njeri prej tyre, emigranti lushnjar, Sokol Greca, që ka ndërtuar jetën në këtë qytet, ishte mikpritësi ynë. Ai rrëfeu për ne histori suksesi dhe të tjera histori emigrantësh, që pas dy dekadash ndihen pjesë e të dy vendeve. Por, vendi i origjinës, kuzhina shqiptare, këngët dhe atmosfera miqësore, u bënë shoqëruese të ditëve të qëndrimit tonë në Serres.
* * *
Programi folklorik i Shoqatës sonë, e cila në këtë festival përfaqësonte Shqipërinë, kishte më shumë vlera, sepse u shfaq në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së atdheut. Pas interpretimit mjeshtëror të grupeve greke e turke, ku veçohej grupi Anadolian Folklor Vakfi i Edirnesë, grupi folklorik i Shoqatës “Ahmet Zogu” të Matit ngriti peshë artdashësit e shumë grekë, të moshave e profesioneve të ndryshme. Te të pranishmit atmosferë dhe emocion përcolli interpretimi i melodive orkestrale, solot me çifteli, lauri e bilbil nga instrumentistët Ikli Punavia e Fran Ceka, kënga “Mos ta lëshojmë flamurin” kënduar nga Agustin Ceka dhe grupi, rapsoditë e interpretuar nga Gjin Cara dhe Ali Reçi etj. Shfaqja kulmoi me kërcimin e valleve popullore dyshe burrash nga Prengë dhe Agustin Ceka, valle grash matjane nga Leze Rrika, Fatmira Aliu e Klodiana Laska, si dhe vallja karakteristike tropojane, interpretuar nga grupi miks i valltarëve.
* * *
Programi ynë ishte kulturor, me vlera dhe elementë tradicionalë, ku nën ritmin e këngëve, melodisë dhe valleve popullore tradicionale të Matit e krahinave të tjera të Shqipërisë, shpalosëm për publikun grek vlera të folklorit burimor matjan në veçanti e atij shqiptar në përgjithësi. Për orë të tëra artdashës të shumtë grekë u argëtuan, mes të cilëve presidentja e festivalit, së bashku me drejtorin, Jorgos Solakis, kirurg i njohur grek, si dhe udheheqesi i grupit turk të Edirnesë, Cengiz Veznikli.
Edhe ky festival folklorik ndërkombëtar i përvitshëm, organizuar nga Shoqata Kulturore e Gefirudit me qendër në Serres të Selanikut, rëndësi të madhe i kushtoi promovimit të vlerave kulturore ballkanike dhe europiane. Për artistët e Matit ishte një përvojë e re, edhe pse Shqipërinë e kemi përfaqësuar dhe herë të tjera, si në Prirzen, Klinë, Skënderaj e Pejë të Kosovës dhe Sindirgi e Çinarçik të Turqisë.
* * *
Në fund të shfaqes për grupet pjesmarrëse u shpërndanë dhurata me emblemën e festivalit dhe certefikata. Instrumentisti i njohur matjan, Ikli Punavia, drejtues i Shoqatës, u shpreh në skenën e festivalit, se gjithëçka u bë e mundur nga dashuria dhe vullneti i artistëve matjanë për të qënë përherë bashkë. Ai vlerësoi kontributin e udhëheqësit artistik të Shoqatës, kompozitorit Sabri Aliaj, vlerën e cilitdo artisti matjan, dhe të atyre që janë larguar nga Mati në drejtim të metropolit dhe qendrave më të mëdha urbane. Gjithashtu theksoi se ngjarje të tilla kulturore-artistike do të vijojnë dhe në të ardhmen.
burimi këtu
Krijoni Kontakt