Austria dhe Turqia parakalojnë Italinë dhe Greqinë për investime
Investimet e huaja në Shqipëri kanë ardhur duke u rritur por pavarësisht kësaj numri i të papunëve nuk ka rënë. Statistikat tregojnë se kompanitë e huaja që investojnë në Shqipëri punësojnë shumë pak shqiptarë, të cilët zënë vetëm 18 % të numrit total të të punësuarve.
Greqia dhe Italia
Nga ana tjetër kriza ekonomike po ndryshon edhe ritmin e investimeve në Shqipëri. Nëse më parë Greqia dhe Italia zinin vendet e para për investime në vendin tonë, aktualisht janë Austria dhe Turqia ato që pak nga pak po zënë peshën më të madhe. Një raport i hollësishëm i Bankës së Shqipërisë tregon se krahasuar me vitin 2005, pesha e investimeve greke në ekonominë shqiptare është përgjysmuar nga 55 në 27 për qind të totalit. Por edhe me 27 për qind Greqia mbetet sërish, investitori më i madh në Shqipëri, i ndjekur në vendin e dytë nga Italia, e cila zotëron 15 për qind të investimeve të huaja në Shqipëri po aq sa edhe Kanadaja.
Austria dhe Turqia
Sipas Bankës, dy vendet që po rrisin me shpejtësi, prezencën e tyre në ekonominë shqiptare janë Austria dhe Turqia, të cilat kanë kompensuar tkurrjen e Greqisë. Krahasuar me vitin 2005, pesha e investimeve austriake gati është trefishuar duke u rritur nga 5 për qind në 14 për qind të totalit, ndërsa ato turke nga 6 në 11 për qind. Por cilët janë sektorët që thithin më shumë kapitalet e huaja. Po sipas të dhënave të bankës, industria mbetet sektori me fluksin më të madh duke përfituar rreth 47.3 për qind të totalit të investimeve. Në vend të dytë vijnë shërbimet dhe më pas sektori bankar dhe energjia.
Punësimi
Në vitin 2011 stoku i investimeve të huaja direkte, i grumbulluar në vite, arriti sipas Bankës së Shqipërisë në 2.6 miliardë euro, ose 37 për qind e Prodhimit Kombëtar. Shifrat tregojnë se ky është niveli më i ulët në rajon, kur në vendet fqinje ky tregues luhatet nga 43 në 138 për qind. Sipas Bankës, shkaku për këtë lidhet me pikënisjen e ulët, pasi në vitin 2004 investimet ndaj Prodhimit Kombëtar ishin vetëm 11 për qind, ndërkohë që në vendet e tjera shifra ishte dy deri në tre herë më e lartë.
Rritja e investimeve
Të dhënat tregojnë se investimet e huaja direkte në Shqipëri filluan të rriten me ritme të shpejta pas vitit 2006 duke u rritur me më shumë se dy herë nga 15 për qind në 37 për qind. Aktualisht ndërmarrjet e huaja në Shqipëri qarkullojnë rreth 29 për qind të totalit të xhiros. Por për shkak se pjesa dërrmuese e tyre janë kanalizuar në sektorët me përdorim intensiv kapitali dhe produktivitet të lartë të punës, ndikimi i tyre në punësim është dukshëm më i ulët. Sipas Bankës Qendrore, ndërmarrjet e krijuara nga investimet e huaja edhe pse zotërojnë 29 për qind të totalit të xhiros punësojnë vetëm 18 për qind të numrit të punësuarve në vend.http://www.tiranaobserver.al/
Krijoni Kontakt