Pew Research është një emër me famë ndërkombëtare në fushën e kërkimeve dhe sondazheve. Ata kanë realizuar një sondazh për botën myslimane, duke përfshirë Shqipërinë.
Në total në Shqipëri janë pyetur 1032 persona, nga këta 788 janë besimtarë myslimanë. Ndoshta është synuar të ruhet përqindja 70 për myslimanët.
Të bien në sy përfundimet e këtij sondazhi.
Kështu, pyetjes se sa rëndësi ka feja në jetën tuaj, vetëm 15 përqind e shqiptarëve thonë se ka shumë rëndësi. Praktikisht jemi vendi me përqindjen me të ulët. Në Kosovë 44 përqind thonë se feja ka shumë rëndësi në jetën e tyre.
Po kështu, në Shqipëri janë 41 përqind e myslimanëve që thonë se Islami ka vetëm një interpretim, një shifër më e ulët se në shumë vende të tjera.
Në Shqipëri vetëm 10 përqind thonë se janë myslimanë suni, kurse 65 përqind thonë se janë thjesht myslimanë. Askush nuk thotë se është shia.
Në Shqipëri është edhe numri më i ulët i atyre që falen, vetëm katër përqind. Po ashtu vetëm dy përqind thonë se shkojnë në xhami, duke shënuar sërish përqindjen më të ulët në vendet myslimane.
Shqiptarët mbajnë rekordin edhe për numrin më të pakët të atyre që lexojnë kuranin. Por për çudi, 43 përqind e shqiptarëve thonë se japin zekat, që është një lloj bamirësie. Në Kosovë janë 69 përqind që japin zekat.
44 përqind thonë se mbajnë ramazan, kurse në Kosovë kjo shifër shkon në 76 përqind.
Vetëm 42 përqind e shqiptarëve thonë se engjëjt ekzistojnë, shifra më e ulët ndër të gjitha vendet.
53 përqind e shqiptarëve besojnë në përjetësi. 23 përqind e shqiptarëve besojnë se do rikthehet Jezusi.
23 përqind e shqiptarëve thonë se besojnë tek xhindet. Por vini re: plot 43 përqind e shqiptarëve besojnë tek shtrigat, duke shënuar shifrën më të lartë ndër myslimanët e Europës. Në Kosovë janë 33 përqind që besojnë tek shtrigat.
Edhe për syrin e keq jemi shumë lart. 54 përqind e shqiptarëve besojnë tek syri i keq.
Po ashtu jemi vendi me më shumë banorë që mbajnë hajmali, plot 39 përqind.
38 përqind e njerëzve thonë se përdorin shëruesit fetarë.
Burimi http://www.gazetatema.net/web/2012/0...er-myslimanet/
Krijoni Kontakt