Parimi i patjetersueshem i Presidentit
Nga Bujar Nishani
President i Republikes, kryetar i Keshillit te Larte te Drejtesise
Ne kemi shume sfida per t'u perballur, por une do ta nis me ate cka eshte trajtuar jo shume, e qe mendoj se sjell me pas probleme te tjera - besimin dhe respektin e vet gjyqtareve tek vete sistemi. Per kete, se pari, Presidenti i Republikes dhe Keshilli i Larte i Drejtesise, duhet te tregojne se qendrojne fort pas cdo gjyqtari te Republikes, qe permbush me korrektesi dhe dinjitet detyren e tij. Presidenti i Republikes dhe Keshilli i Larte i Drejtesise, duhet te garantojne ruajtjen e integritetit profesional dhe njerezor te cdo gjykatesi te vendit. Shfrytezoj rastin te siguroj nga kjo mbledhje cdo gjykates te vendit, qendrimin tim ne krah te tyre, ne mbrojtje te personalitetit, dinjitetit, pavaresise dhe sigurise profesionale, gjate gjithe kohes se ushtrimit se detyres prej tyre. Presidenti i Republikes dhe Keshilli i Larte i Drejtesise, kane detyrimin kushtetues dhe pergjegjesine institucionale, te garantojne besimin e gjykatesve te Shkalles se Pare dhe te Apelit, ne sistemin e vleresimit dhe promovimit te karrieres se tyre. Merita profesionale dhe morale e gjykatesve, dhe jo subjektivizmi i anetareve te Keshillit te Larte te Drejtesise, kriteret e gjithe diskutuara dhe te shpallura publikisht, e jo ndjeshmerite personale te anetareve te Keshillit te Larte te Drejtesise, procedurat transparente dhe nje sistem i listuar vleresimi, e jo praktikat lotuese, do te jene parimet me te cilat do te zhvillojme praktiken e administrimit te karrieres se gjykatesve. Nga kjo mbledhje dua t'u dergoj kete mesazh te gjithe gjykatesve te vendit, se ky do te jete nje parim i patjetersueshem i Presidentit te Republikes.
Kam bindjen me te palekundur, se ne sistemin tone gjyqesor ka nje shumice gjykatesish profesioniste dhe me integritet, gjykates, qe e kane lidhur tere jeten e tyre profesionale me kete sistem, qytetare te ndershem te ketij vendi, qe e duan emrin e mire dhe besojne ne vlerat e trashegimise. Ne kemi nje detyre, por edhe nje mundesi ta bejme kete model dominues te sistemit. Ne cdo dite flasim per rendesine jetike qe ka sistemi i gjyqesorit. Asnjehere nuk duhet te harrojme, qe ne themel te sistemit jane vete njerezit, jane gjykatesit qe i kthejne ligjet, parimet, procedurat ne nje mekanizem qe vepron. Dua te kujtoj ketu, mes te tjerash, nje shembull pozitiv, qe kemi ne sistemin tone gjyqesor, Gjykaten e Krimeve te Renda, ate te Shkalles se Pare dhe te Apelit, nje trupe gjyqesore, qe ka aplikuar me profesionalizem nje politike penale kurajoze, ndaj individeve dhe grupeve me veprimtari te rende kriminale. Keta gjykates, por edhe te gjithe te tjeret, duhet te jene te sigurt ne parimin e vijueshmerise se detyres, si nje nga parimet baze te pushtetit gjyqesor. Vleresimi i kontributit te gjykatesve tane, por edhe nje forme e investimit ne integritetin e tyre, kerkon nje politike pagash, me te permiresuar per ta. Personalisht, do te jem ne komunikim intensiv me Qeverine dhe Kuvendin e Shqiperise, per te realizuar nje nivel pagash me te larte per gjyqtaret e Shkalles se Pare dhe te Apelit.
Ana tjeter e medaljes, po aq e rendesishme, eshte besimi i qytetareve tek sistemi. Nje numer jo i vogel praktikash te ceshtjeve gjyqesore, ne shkelje te hapur te parimeve te dhenies se drejtesise, ne injorim te hapur te procedurave te parashikuara ne ligj, te neperkembjes se solemnitetit dhe dinjitetit, qe kerkon sistemi gjyqesor, apo edhe perfshirjes se drejtperdrejte ne afera korrupsioni, kane krijuar nje klime mosbesimi tek qytetaret ndaj sistemit te drejtesise, por edhe nje balte te pamerituar ndaj figures se gjykatesit. Ky eshte modeli dhe shembulli, qe duhet ta kapsulojme dhe te nxirret jashte sistemit.
Deshiroj ta shfrytezoj gjithashtu kete mbledhje, per t'iu adresuar te gjithe atyre gjykatesve, qe e konsiderojne sistemin e drejtesise se shqiptareve, si burimin ku mund te mbledhin pasuri, qe e konsiderojne pushtetin e madh e te rendesishem gjyqesor si mrekulline e perfitimit te tyre personal, qe Keshillin e Larte te Drejtesise dhe Presidentin e Republikes do t'i kene pas si kundershtaret e tyre me te ashper! Tashme eshte koha, qe praktikat ne shkelje te hapur te ligjit te behen publike, dhe te gjithe ata gjykates, qe ia mohojne drejtesine qytetarit, te identifikohen nominalisht. Ne do te bejme te gjitha perpjekjet per te vendosur nje sistem te drejtperdrejte dhe transparent te komunikimit me qytetarin, per te gjitha rastet e ankesave, shqetesimeve dhe pretendimeve te tyre. Keshillit te Larte te Drejtesise i takon te ndjeke me seriozitet maksimal cdo adresim, qe vjen nga qytetaret, e pas verifikimeve ligjore dhe transparente, t'u jape atyre pergjigjet per cfare eshte konkluduar.
Ne sistemin e gjykatave tona, jane realizuar nje sere investimesh te rendesishme nga buxheti i shtetit, por dhe nga partneret dhe miqte tane si USAID-i dhe Bashkimi Europian. Keshilli i Larte i Drejtesise duhet te identifikoje, perceptoje dhe implementoje, ne bashkepunim me donatore te ndryshem, sa me shume te jete e mundur, projekte te sistemeve dixhitale, ne sherbim te transparences dhe standardizimit te procedurave ligjore. Bashkepunimi me Misionin EURALIUS duhet te jete nje aset i perfitimit te ekspertizes dhe adaptimit te modeleve me te mira evropiane, per te gjitha ceshtjet qe lidhen me funksionin e Gjyqesorit.
Do te kerkoja gjithashtu, nje komunikim te vazhdueshem te Keshillit te Larte te Drejtesise me trupen gjyqesore, me kryetaret e gjykatave, per te konsultuar me ta angazhime te ketij Keshilli ne mirefunksionim te sistemit.
Te nderuar anetare te Keshillit te Larte te Drejtesise!
Duke vleresuar profesionalizmin e secilit prej jush, integritetin dhe vullnetin tuaj per te kontribuar ne te mire te ketij sistemi, besoj plotesisht ne gatishmerine qe keni, por edhe kerkoj bashkepunimin tuaj, per te dhene se bashku disa kontribute reale ne kete sistem, qe eshte i lidhur me jeten, te drejten dhe dinjitetin e qytetarit shqiptar. Besoj se mund t'ia dalim, duke respektuar me fanatizem, nga njera ane, vlerat e profesionalizmit dhe moralit te trupes gjyqesore dhe, nga ana tjeter, te drejtat e patjetersueshme te shtetasve tane. Sa i rendesishem dhe i pacenueshem eshte personaliteti dhe integriteti i gjykatesit te Republikes, po aq jetike dhe e panegociueshme eshte drejtesia per qytetarin.
Une, edhe nje here jam shpreseplote dhe i bindur, qe ky Keshill i Larte i Drejtesise me kapacitetet qe ka, me angazhimet, me eksperiencen pozitive qe ka, me pjekurine profesionale qe ka, do te dije qe t'u adresoje qytetareve shqiptare ato pritshmeri, qe ne fakt sot, opinioni publik ka ne teresi nga sistemi i drejtesise dhe, ne vecanti, nga institucione te tilla, qe kane pergjegjesi te drejtperdrejte per te nxitur, konsoliduar modelet pozitive dhe per te denoncuar, pse jo, penalizuar ashper, te gjitha rastet negative dhe te papranueshme, qe cenojne parimet e se drejtes. Shpresoj ne tere bashkepunimin tuaj, ne te gjitha eksperiencat individuale tuajat, ne bashkepunimin e institucioneve, qe shume prej jush perfaqesojne ne Keshillin e Larte te Drejtesise, pasi ne menyre komplekse, ne mund ta bejme tere mekanizmin te funksionoje ne interes te objektivave. Fatmiresisht, kemi te njejtat objektiva. Fatmiresisht, kemi te njejtat qellime. Fatmiresisht, kemi te njejtat deshira dhe ambicie ne sherbim te ketij sistemi.
* Nga fjala e mbajtur dje, ne mbledhjen e Keshillit te Larte te Drejtesise
Krijoni Kontakt