Nga BESNIK DIZDARI
Nëse në këto dy vitet e fundit mjedisi futbollistik shqiptar ka pasur një ngjarje të madhe, kjo ka qenë rikthimi në majë të lavdisë kombëtare të skuadrës së Skënderbeut të Korçës. Siç e kemi përjetuar të gjithë, ajo që ndodhi ishte sensacioni i rikthimit të Skënderbeut mbas bukur 78 vjetëve te titulli i Kampionit të Shqipërisë, duke i blatuar kështu qytetit nobël të Korçës gëzimin e pamasë sportiv, çka çoi te një gjallërim përtëritës shpirtëror, kulturor e qytetar së bashku, nëse vërtet e kuptojmë qëllimin fisnik që ka sporti për një qytet.
Skuadra synoi të rindërtohej kryesisht falë ligjeve të tregut. Një njeri i shquar i biznesit me emrin Agim Zeqo, i nxitur nga zëri i ndërgjegjes së “kushtrimit të të parëve”, nëse mund të përcaktonim kësisoj, nxitoi të shkonte në qytetin e tij dhe me personalitetet e jetës së atjeshme, të pushtetit, të biznesit, të sportit, të vetë mendimit intelektual korçar, të riniste rithemelimin e Skënderbeut-kampion të Shqipërisë. Gjithçka u bë thuajse në mënyrë të rrufeshme. Afrimi i futbollistëve më të mirë të Shqipërisë, shkrirja e një mozaiku në një unitet të vetëm, aftësi trajnerësh kjo, dhe mbas 78 vjetëve skuadra e Korçës në krye të Shqipërisë!
Edhe pse përballë një skepticizmi, shpesh edhe të një mjedisi kundërshtar qarqesh lokaliste e xheloze jashtëkorçare, gati “armiqësore” (për fat edhe televizivogazetareske) që nuk njeh bujarinë dhe respektin për punën e tjetrit, presidenti i ri Zeqo dhe bashkëpunëtorët e tij vazhduan punën. Ndonëse fole të ndryshme, tejet primitive të sportit shqiptar, e sulmuan deri aty sa që deshën që, bie fjala, një ministër të mos kishte as të drejtën që të ulej në tribunën e stadiumit “Skënderbeu” për “konfliktin e interesave” më artificial në botë, teksa ranë mbi të edhe akuza të ndikimit shtetëror mbi skuadrën! Një lloj primitivizmi “sui generis” që çuditërisht kërkonte të ndalonte ministrin korçar të ishte tifoz me skuadrën e qytetit të tij. A thua se ai nuk ishte njeri si gjithë të tjerët.
Skënderbeu ndërkaq, nuk foli, vetëm punoi. Rezultati? Dy tituj radhazi, madje spektakolarë, të kampionit të Shqipërisë, çka në futbollin shqiptar për herë të fundit kishte ndodhur shtatë vjet më parë (SK Tirana 2004, 2005). Dhe pa harruar ndërkaq modernizimin e menjëhershëm të stadiumit të drobitur të Korçës, duke i sjellë në të blertën e tij më të përsosur se kurrë, për herë të parë në histori edhe Kombëtaren e Shqipërisë. E gjithë kjo edhe me rikthimin e një publiku fantastik – i vetmi që mbushte tribunat e boshatisura shqiptare! Mandej “fundi i lumtur” me perden që bie me një fitore të pashlyeshme në Ligën e Kampioneve të Europës kundër kampiones së Hungarisë, dikur superfuqia e futbollit botëror. Kaq. Dhe mbërrin rrufeja në qiell të kthjelltë: presidenti Zeqo që jep dorëheqjen!
E jashtëzakonshme? Befasuese? E papritur? Dëmtuese? Goditëse sidomos për fatin e mandejshëm të skuadrës korçare? Agim Zeqo u dorëhoq dhe kjo është punë e tij. Po përse duhet shkatërruar skuadra e Korçës, saqë brenda 24 orëve, gati të gjithë kampionët e saj kërkokan të largohen? Ku është Bashkia e Korçës? Pse jo, ku është shteti, qeveria, ministria? Mos po kërkojmë pak si tepër? Mirëpo, a nuk është sikur papritmas të rrezikohet shkatërrimi i një Teatri Kombëtar? Se dihet që skuadra e Korçës, një prej themelueseve më të shkëlqyeshme të futbollit dhe kampionatit të Shqipërisë, është një teatër i madh i dramës jo vetëm të futbollit, por të krejt sportit shqiptar. E pra, është mëkat që të prishet kaq rrufeshëm kur sapo e ka ngritur skenën e tij të madhe. Por në të vërtetë edhe bashkia, edhe shteti, edhe qeveria, edhe ministria nuk kanë çka të bëjnë, të paktën tash për tash, sepse ndërtimi i sotëm klubeve shqiptare nuk u mundëson që ata të mund të bëjnë diçka. Ajo që mund të bëjë diçka është vetëm Federata Shqiptare e Futbollit, Asambleja e saj, njerëzit e sporteve e të futbollit shqiptar. Kësisoj, them se Agim Zeqo i shërbeu futbollit shqiptar edhe me dorëheqjen e tij. Nuk kemi të drejtë t’i ndërhyjmë në vendimin e tij. Kështu siç janë ndërtuar tash për tash klubet shqiptare, çdo president mund të japë dorëheqjen menjëherë. Presidenti i skuadrës korçare në dy vjet është lodhë tejet me Skënderbeun. Ka blatuar mund, kohë, djersë, pasion, atdhetari qytetare. E me sa duket, ka blatuar jo pak dhe shpenzime monetare. Tash thotë: “mjaft me kaq”!
Mendoni për një çast, nëse klubi Skënderbeu do të kishte qenë mirëfilli pronë e një Agim Zeqo, sipërmarrjes së tij tregtare, bashkëpunëtorëve të tij. Natyrisht ai përsëri mund të kishte dhënë dorëheqjen. Veçse në një formë krejt tjetër. Ai do ta kishte shitur klubin, do ta kishte nxjerrë në tregun e madh të futbollit, do të kishte marrë përfitimin e merituar prej të ardhurave të shitjes, dhe mandej një tjetër, ndoshta edhe më i zoti se Zeqo, do të kishte vazhduar rrugën e tij. Duke hyrë kështu, edhe futbolli shqiptar i klubeve në rrjedhën juridiko-organizativo- ekonomike të kohës moderne. Kështu ngjet në të gjithë klubet e botës.
Për fat, presidenti Zeqo nuk e ka klubin të tijin, nuk e ka privatizuar, nuk e ka blerë, ai vetëm i ka dhuruar ato që thamë klubit të qytetit tij, siç po shihet pa fituar, e madje ndoshta edhe duke humbur. Dhe “lamtumirë”! Ndonëse moralisht ai është një fitimtar i madh: e çoi klubin përfaqësues të qytetit të tij në majë, duke lënë në librin e tij historik “të artë” firmën e tij të suksesit.
E megjithatë, ai largohet me një lamtumirë që i shërben fort stadit të tashëm të ecurisë së futbollit shqiptar. Sepse me dorëheqjen e tij i thotë: “Përderisa nuk i ke privatizuar klubet, nuk i ke shitur, nuk i ke bërë pronë të njerëzve të fuqishëm të tregut, siç ngjet me të gjithë klubet e sotme të botës (a nuk dëgjojmë gati çdo muaj për shitjen dhe blerjen e klubeve të futbollit kudo?), presidentët e klubeve shqiptare, të cilët përveç të tjerave, janë dhe sponsorizues, kështu do të tërhiqen, duke ndërprerë vetë fuqizimin e sportit e të futbollit kombëtar.
Agim Zeqo i shërbeu futbollit shqiptar edhe me dorëheqjen e tij, sepse gjesti i tij po aq spektakolar, sa edhe ai i ardhjes së tij në krye të Skënderbeut, i kujton Federatës Shqiptare të Futbollit që urgjentisht (po, po, urgjentisht) të privatizojë klubet e futbollit, drejtpërsëdrejti, pa ligje të butë që na çuakan deri te pronari aq artificial që quhet “bashki”, por me ligjet moderne që mund t’i gjesh madje edhe në klubet e futbollit të Podogoricës apo Follorinës fqinjë, e jo më në Barcelonë apo Milano.
Kanë kaluar mbi 20 vjet dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka qenë paraprijësja e këtij ndryshimi. Madje, deri aty saqë nuk ka treguar as dëshirën të formojë atë që e kanë të gjitha shtetet e Europës: Ligën Kombëtare të Futbollit, çka do ta kishte ndihmuar fort për ta shndërruar me kohë veten e saj në ruajtëse të zbatimit të ligjeve, në një lloj “pallati presidencial futbollistik”, që krijon, sheh dhe zbaton politikat e futbollit, organizimet bazë, i kushtohet fort ecurisë së ekipeve kombëtare, merret pra me drejtimin sa konceptual, juridik, organizativo- teknik e gjeopolitik të futbollit në vend dhe që i lëshon organizimet e kampionateve kombëtare në duart e asaj që thamë, Ligës Kombëtare të pavarur të Futbollit.
Në thelb, problemi ynë kritik në këtë rast nuk mbërrin drejtpërsëdrejti te bashkia, te shteti, te qeveria, te ministria, por te Federata Shqiptare e Futbollit, mû ajo së cilës i takon të parës që të bindet për privatizimin urgjent të klubeve të futbollit në Shqipëri, duke qenë ajo nxitësja e parë e palodhshme te shteti, te qeveria, te ministria për këtë themelim privat, pronësor të klubeve të futbollit. Nuk e ka bërë dhe shêjat janë të zbehta. Praktikisht është humbur koha e madhe. Janë lënë vendnumëro zhvillimet moderne dhe vetë forcimi i klubeve shqiptare; në të vërtetë, është lënë vendnumëro vetë zhvillimi modern i futbollit kombëtar brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Nëse Agim Zeqo (ndërmarrja e tij dhe bashkëpunëtorët e tij) do ta kishte të tijin Skënderbeun e Korçës, ai kurrë nuk do të ishte larguar kësisoj. E nëse vërtet do të donte të largohej, me ligjet sipërmarrëse të biznesit modern ai do ta nxirrte në shitje klubin, duke themeluar traditën e re, të rregullave të lojës së shoqërisë kapitaliste edhe në futbollin shqiptar.
Kështu pra, siç u përpoqëm që ta shpjegonim, Agim Zeqo i shërbeu futbollit shqiptar edhe me dorëheqjen e tij, duke u kujtuar të gjithëve se çka duhet bërë.
PanoramaSport
Krijoni Kontakt