E djathta duhet të mësojë të dashurojë shtetin përsëri
1
Opinione Mërkurë, Gusht 1st, 2012
FRANCIS FUKUYAMA
Ndërsa më kërkuan të jepja kontributin tim në këtë seri shkrimesh për të ardhmen e së djathtës konservatore, hezitova sepse për mendimin tim, ajo për të cilën ka më shumë nevojë, qoftë në Europë apo në SHBA, nuk është një formë e re konservatorizmi, por një rikrijim apo rikonceptim i së majtës.
Për më shumë se një gjeneratë kemi qenë nën ndikimin e ideve konservatore, kundrejt të cilave, për hir të së vërtetës, ka pasur shumë pak konkurrencë serioze ideologjike. Me shpalosjen e krizës financiare dhe rritjen masive të pabarazisë shoqërore, normalisht do të duhej të kishte një rritje të ndikimit të ideve të majta në opinionin publik, e përsëri sot, ata politikanë që kanë mbi këtë opinion ndikimin më të madh, i takojnë së djathtës!
Ka shume arsye për këtë gjë, por një nder to është se opinioni publik thuajse kudo ka shfaqur shumë pak besim në mundësitë që ka e majta për të ofruar zgjidhje të besueshme të problemeve të sotme. Fuqizimi i socialistëve francezë apo fenomeni “Syriza” në Greqi, nuk e kundërshton aspak këtë fakt: në të dyja rastet kemi një rikthim mbrapa te një e majtë e vjetër dhe e tejlodhur, e cila, herët apo vonë duhet të përballet me situatën shumë të vështirë të financave publike.
Ajo për të cilën kemi nevojë është një e majtë që mund të ndalojë efektin e rritjes së papunësisë dhe të uljes së të ardhurave te klasa e mesme, nëpërmjet politikave të rishpërndarjes, të cilat nuk vënë në rrezik rritjen ekonomike apo konsolidimin fiskal në periudha afatgjata.
Por, nëse e majta nuk ofron dot zgjidhje, ndoshta e djathta mund të ofrojë një të tillë? Një model i mundshëm i ardhshëm i konservatorizmit amerikan ka kohë që debatohet: rilindja e traditës së Aleksadër Hamiltonit dhe Teodor Ruzveltit, e cila shpreh nevojën për një shtet të fortë, por “të vogël”, si dhe përdorimit të pushtetit të tij për rigjallërimin kombëtar. Principet ku bazohet ky model i së ardhmes janë prona private dhe një ekonomi tregu konkurruese, përgjegjshmëria fiskale, identitet dhe politikë e jashtme bazuar në interesin kombëtar, dhe jo në idealin global kozmopolitan. Për më tej, ky model e shikon shtetin jo si një kundërshtar, por mundësues të këtyre objektivave.
Mosbesimi në autoritetin shtetëror ka qenë, sigurisht, një veçori tipike e ideve të majta e të djathta politike amerikane. E djathta e sotme këtë veçori e zhvilloi deri në absurd, duke synuar të kthejë orën mbrapsht jo vetëm deri përpara marrëveshjeve të “New Deal”, por edhe përpara periudhës progresiste në fillimet e shekullit XX. Në atë kohë, Partia Republikane nuk arrinte të shquante dhe nuk bënte dot dallim ndërmjet konceptit të “një shteti të vogël” dhe të “një shteti të dobët”, duke kufizuar mbështetjen buxhetore për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të agjencive rregullatore dhe atyre tatimore, duke refuzuar në totalitet konceptin e taksimit dhe duke mos kuptuar që kërcënimi i lirisë mund të vijë edhe nga aktorë dhe faktorë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë, përveçse nga vetë shteti!
Një “Konservatorizëm i ri” ka çfarë të marrë dhe të frymëzohet nga principet e presidencës së Teodor Ruzveltit. Ashtu si edhe sot, kapitalizmi amerikan i shekullit XIX-të gjeneroi interesa të fuqishme ekonomike, veçanërisht në transportin hekurudhor dhe industrinë e naftës, por, nga ana tjetër, prodhoi konflikte të ashpra me fermerët, tregtarët dhe punonjësit e tyre. Ruzvelti besonte se asnjë interes privat nuk mund dhe nuk duhej të ishte më i fuqishëm se shteti, dhe e provoi këtë me aplikimin e politikës së tij antitrust, si p.sh. kundër Northen Securities.
Kështu, dikush me të drejtë mund të mendojë se në qoftë se Ruzvelti do të ishte President gjatë krizës financiare 2008-2009, ai nuk do të ishte i kënaqur me ndërhyrjen rregullatore të rrëmujshme “Dodd-Frank”, por do të kishte “copëtuar” Goldman Sachs dhe JPMorgan Chase në pjesë më të vogla, duke mundësuar kështu një falimentim të tyre nëse këto kompani do të kishin ndërmarrë risqe të tepërta e të panevojshme.
Nëse një formë e re e “Konservatorizmit” mund t’i japë Wall Street-it vendin që ai meriton, atëherë ai do të kishte shumë më tepër besueshmëri te sindikatat e sektorit publik apo grupet e tjera të interesit nën ndikimin e së majtës, ashtu siç edhe Ruzvelti në të vërtetë bëri.
Nëse konservatorët e sotëm do të mund të kapërcejnë kundërshtinë e tyre ideologjike ndaj shtetit, ata do të kuptonin se qeveria amerikane është e nevojshme, ajo ka nevojë të reformohet dhe jo të mënjanohet. Kompanitë që veprojnë në sektorin privat kanë reformuar thellë vetveten përgjatë dekadave të fundit, duke eliminuar burokracinë dhe hierarkinë e tepërt menaxheriale, duke trajnuar dhe riaftësuar forcën punëtore dhe duke eksperimentuar pa ndërpreje forma të reja organizative.
Qeveria amerikane, në dallim nga sa më sipër, duket sikur është zënë në grackën e modelit burokratik të shekullit XIX, të rregullave dhe hierarkisë së tij. Ajo, qeveria, duhet të jetë më e vogël dhe në të njëjtën kohë më e fortë dhe efektive. Por, kjo gjë nuk mund dhe nuk do të ndodhë për sa kohë publiku e percepton sektorin publik si një mënyrë punësimi për të paaftët, për ata që nuk arrijnë të jenë të suksesshëm në sektorin privat. Nën këtë këndvështrim, konservatorët kanë një përparësi sepse ata mund të tërheqin profesionistë në sektorin publik, bazuar në thirrjen për interes kombëtar, dhe jo në ideale abstrakte.
Ringjallja e një shteti të fortë konservator do të kishte në të njëjtën kohë pasoja të rëndësishme për politikën e jashtme. Kjo do të sillte natyrshëm financimin në vazhdimësi të fuqisë ushtarake amerikane dhe angazhimin e saj në botë për të ruajtur një balancë të favorshme për interesat amerikane. Sigurisht që e gjitha kjo do të duhej të bashkëjetonte me idenë e ekonomizimit të kujdesshëm të fuqisë së shtetit: në vend që të rrezikonte konsolidimin fiskal të vendit nëpërmjet përfshirjes amerikane në luftëra të kushtueshme, do të synonte ringritjen ekonomike si një parakusht për rivendosjen e dominimit ushtarak në një periudhë afatgjatë.
Ringjallja e konservatorizmit Hamiltonian-Ruzveltian do të kërkonte në të njëjtën kohë “braktisjen” e një sërë ideve që morën jetë gjatë presidencës së Ronald Reganit, si p.sh. tolerimi i deficitit buxhetor për hir të taksave të ulëta. Kjo filozofi thellësisht amerikane gjendet në të njëjtën kohë edhe në disa rryma të konservatorizmit europian.
Të dy, Hamiltoni dhe Ruzvelti, besonin me forcë në idenë e progresit dhe tipologjinë e veçantë të kontekstit shoqëror amerikan. Hamiltoni parashikoi me sukses se për të pasur një treg të përbashkët, do të nevojitej një ekonomi që bazohet te prodhimi, si dhe një qeverisje e centralizuar. Ruzvelti, nga ana e tij, kuptoi se industrializimi i ekonomisë kishte krijuar energji të tilla që duheshin mbajtur nën kontroll. Të dy, Hamiltoni dhe Ruzvelti, e shikonin fuqizimin e shtetit si një mjet për të arritur qëllimet e tyre, si një diçka që duhej ushqyer dhe kanalizuar, në vend që të demonizohej dhe të konsiderohej e pavlefshme.
Përgatiti: Eno Bozdo
panorama
.
Krijoni Kontakt