Emërimi i përfaqësuesit të një partie politike si imam i xhamisë së Cërrikut ka shkaktuar "tërmet" tek besimtarët myslimanë të këtij qyteti. Ata kanë deklaruar se vendimi i marrë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar është absurd. Një grup i madh besimtarësh të indinjuar pohuan se: "Politika ka 'pushtuar' xhaminë e Cërrikut. Emërimi i një partiaku nuk lejohet as me Kushtetutë. Shteti të premten ka emëruar përfaqësuesit e tij politikë në xhaminë tonë, ende pa mbaruar muaji i Madhëru-eshëm i Ramazanit". Shkarkimi i imamit Kreshnik Çili dhe emërimi në vend të tij i imamit të ri, Eduard Sulaj u bë shkak që besimtarët e xhamisë së Cërrikut të ndahen në dy kampe kundërshtare. Jo vetëm kaq, por ata gati sa nuk përfunduan në konfrontime fizike mes njëri-tjetrit. Është dashur ndërhyrja e policisë që të shmanget përplasja mes palëve. Prezantimi i Sulajt u bë mesditën e djeshme nga myftiu i Elbasanit, Agim Duka. Ky i fundit ka shfrytëzuar momentin kur besimtarët myslimanë të Cërrikut bënin faljen e të xhumasë, për të prezantuar imamin e ri.
IMAMËT
Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, gjatë një pauze të shkurtër të faljes, u ka komunikuar besimtarëve shkarkimin e imamit Kreshnik Çili dhe emërimin në vend të tij të Eduart Sulaj, që nga gjysma e besimtarëve myslimanë të këtij qyteti thirret me emrin e ndryshuar "Harun". Emërimi i Sulajt, përfaqësues i PDIU-së rebeloi një pjesë të besimtarëve myslimanë. Kjo dhe për faktin se se nuk është dhënë asnjë motiv për shkarkimin e imamit Kreshnik Çili, por vetëm ai i shkollimit. Në fakt, të dy imamët kanë të njëjtën shkollë 2-vjeçare fetare, atë të Bulqizës. Ndërsa, i sapo emëruari i Myftinisë, Eduard Sulaj ka mbaruar për Punë Sociale me part-time në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit. Ndërkohë, besimtarët e irrituar u shprehën se përflitet që imami i ri, dëftesën e shkollës së mesme e ka të falsifikuar, dhe se për këtë fakt ata do kërkojnë që të hetohet. "Kreshnik Çili është dëbuar nga besimtarët e xhamisë së Gostimës, pasi e akuzojnë për abuzime me fondet e xhamisë së fshatit. I mbrojtur nga PDIU, ai mundi që të marrë këtë emërim, të cilin ne do e denoncojmë jo vetëm si abuziv, por edhe provokues", - pohuan disa besimtarë myslimanë nga Cërriku. Sipas tyre, imami i ri përveçse është anëtar i PDIU-së, ka bërë fushatë derë më derë për të mbledhur sa më shumë vota për këtë parti, duke shkelur parimet e fesë, e cila është ndarë nga politika.
PËRPLASJA
Rritja e tensionit mes dy grupeve kundërshtare ka bërë që kreu i degës së PDIU për Cërrikun, Ervis Xhelo të gjendet mes besimtarëve. Në një moment tensioni mes grupeve kundërshtare të besimtarëve, mësohet se Xhelo ka thirrur me urgjencë policinë. Blutë nuk kanë ndërhyre brenda territorit të xhamisë, por kanë qëndruar thjesht si vëzhgues jashtë territorit të këtij objekti kulti. Vetë Myftinia e Elbasanit pretendon se vendimin për shkarkimin e imamit Kreshnik Çili dhe emërimin e imamit të ri, Eduard Sulaj e ka marrë Komuniteti Mysliman Shqiptar. Ndërsa, besimtarët myslimanë cërrikas kërkojnë që t'a propozojnë vetë imamin e tyre, dhe se ai kurrsesi të mos jetë nga radhët e politikës.
REAGIMI
Kreshnik Çili dje deklaroi se vendimi për shkarkimin e tij është pabesi. "Vendimi është i padrejtë, ndaj do ta kontestoj dhe do të kërkoj shpjegime të hollësishme nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Në shkresën e KMSH me nr. 320 të datës 24 korrik të këtij viti nuk jepet asnjë motiv shkarkimi, por thjeshtë në të shkruhet se: "Ju Kreshnik Çili liroheni menjëherë nga detyra". Ky fakt flet qartë për një problem të madh që ka të bëjë me lëvizjet, emërimet dhe shkarkimet e paargumentuara nga ana e KMSH", - sqaroi Çili. Nga ana tjetër, myftiu i Elbasanit, Agim Duka deklaroi se: "Jam i autorizuar që në emër të KMSH të bëj prezantimin e imamit të ri, konform të gjitha rregullave, dhe sipas një vendimi të marrë në mënyrë institucionale, për të cilin nuk ka asnjë lloj hapësire për t'u interpretuar"./bw
burimi këtu
Krijoni Kontakt