ELBASAN - “E vrava se më thanë xhindët ta bëj një gjë të tillë”. Kështu ka deklaruar 73-vjeçarja Fatmire Poka, e cila mesditën e së dielës vrau me armë gjahu bashkëshortin 66-vjeçar, Faik Poka.
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të moshuarën, e cila gjatë të gjithë seancës gjyqësore thuajse ka folur përçart, duke deklaruar se asnjëherë nuk kishte mbajtur armë, ndërsa pyetjes së trupit gjykues, të kryesuar nga Ramazan Avdiu, i është përgjigjur se nuk e mban mend ditën dhe datën e lindjes.
Sipas prokurorit Alfred Shehu, 73-vjeçarja e ka kryer vrasjen me paramendim, dhe se ka pritur bashkëshortin të kthehej nga qyteti i Librazhdit. Në momentin kur burri ka hyrë në kuzhinë, ajo e ka qëlluar pas shpine me armën e gjahut teke në shpatull. Më pas ka tentuar që t’i ndërrojë rrobat viktimës, si edhe të fshehë armën e gjahut në divanin te dhoma tjetër brenda banesës. Por disa orë më vonë, e moshuara i ka dorëzuar armën Policisë, duke pranuar se e kishte kryer ajo vrasjen për motive xhelozie. Për këtë qëllim akuza ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “vrasje me paramendim”, si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut”.
Gjithashtu, po sipas prokurorit të çështjes, 73-vjeçarja nuk mund të qëndrojë në ambiente shoqërore apo publike, pasi ajo përbën rrezikshmëri për shoqërinë dhe ndaj saj nuk mund të merret asnjë masë më e lehtë si ajo e arrestit, pasi ekziston mundësia që ajo mund të kryejë sërish krim. Gjithsesi, brenda 15 ditësh duhet t’i nënshtrohet një ekspertize neuropsikike. Ky argumentim u hodh poshtë nga avokati i zgjedhur nga shteti, sipas të cilit 73-vjeçarja Fatmira Poka e ka kryer vrasjen në kushte depresive dhe ka ndodhur pa dashje. Këto fjalë të cituara nga avokati mbrojtës janë miratuar nga e pandehura, e cila, e pyetur nga gjykatësi, ka deklaruar se “nëse ka ardhur gjendja deri këtu, në daç më vrisni në daç më prisni”, ndërsa është ankuar se ka dhimbje të forta në mushkëri.
Ndërkaq, avokati mbrojtës ka hedhur gjithashtu poshtë akuzën se 73-vjeçarja përbën rrezik për shoqërinë, duke kërkuar një masë më të lehtë dënimi, atë të “arrestit shtëpiak”. Trupi gjykues është tërhequr dhjetë minuta për të marrë vendimin, duke lënë në sallë, nën mbikëqyrjen e uniformave blu, të moshuarën si edhe në prani të mediave. “Më shtynë xhindët që ta vras burrin tim, madje më thanë që të mos e vras të shtunën, por të dielën, dhe unë e vrava. Më kanë bërë magji që ta kryej një krim të tillë”, u shpreh e moshuara, e cila ishte braktisur dhe në sallën e gjyqit nga fëmijët. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke e lënë në burg nënën e gjashtë fëmijëve.
panorama
Krijoni Kontakt