E vendosur rrëzë maleve dhe një gjysëm ore larg fshatit më të afërt serb,
Izbica konsiderohej një strehë e sigurt për të shpërngulurit shqiptarë të
zonave fqinje, pjesërisht për shkak të pranisë së UÇK-së brenda e në rrethinat
e fshatit. Më 27 mars, qindra shqiptarë të kësaj zone u grumbulluan në
Izbicë. Shumica ishin të ardhur pas fillimit të bombardimeve nga ana e
NATO-s, kur forcat qeveritare filluan të bombardonin aty rrotull.
Sipas të gjitha dëshmive, bombardimi i Izbicës filloi në natën e 27 marsit,
ndërkohë që një grup prej të paktën pesëdhjetë ushtarësh, policësh e
paraushtarakësh kish hyrë në fshat në mbrëmje. Pothuaj të gjithë të
rriturit morën malet më 28 mars, duke lënë në fshat gratë, fëmijët e të
moshuarit. H.D., një dyzet vjeçar nga Broja, pranë Izbicës, tha:
Ishin të paktën 30,000 vetë atë ditë në Izbicë. Ne besonim se gratë e të
moshuarit do të liheshin në paqe, por për fat të keq nuk ndodhi kështu.
Bombardimi me artileri erdhi nga të gjitha anët. Në mëngjes, të rinjtë,
edhe unë bashkë me ta, shkuan në male. Unë u nisa rreth orës 10.00
paradite me djalin tim trembëdhjetë vjeçar. Një ditë më parë kishim sjellë
familjen në Izbicë, dhe qëndruam gjatë gjithë natës jashtë. Isha aq i lodhur
sa as bombardimi nuk më nxorri gjumin, dhe ish gruaja që më ngriti rreth
orës 9.00. Kështu u larguam për në male. Bombat na binin pranë, ndërsa
serbët po afroheshin. Isha rreth 200 metra larg, dhe përpiqesha të shihja
atë që ndodhte. Serbët u afruan pranë grumbullit të njerëzve, ndërsa
familja jonë u nguc mes zetorëve e makinave, të cilave më pas iu vu zjarri
nga serbët. Unë nuk mund ta shihja më skenën, por mund të dëgjoja
gratë e fëmijët që qanin. Ne nuk guxuam të ktheheshim e të shihnim
çfarë po ndodhte; e dinim që mund të vriteshim nga snaiperat.
Fshatarët braktisën shtëpitë e tyre për t’u grumbulluar jashtë në orët e
para të mëngjesit të 28 marsit, ndërsa bombardimi me artileri vazhdonte.
S.E., një njëzet vjeçare nga Izbica, babai, ungji e një kushuri i së cilës u
vranë, i tha Human Rights Watch:
Kur pamë serbët që po afroheshin, ne patëm frikë të qëndronim në
shtëpitë tona. Ne – unë, nëna e babai, vëllai, motra, familja e motrës
dhe vjehrra, gjithsej dhjetë vetë – u larguam me zetor në drejtim të një
fushe aty afër (rreth 500 metra nga fshati). U bashkuam tek fusha me
pjesën tjetër të familjeve të fshatit, të cilat kishin filluar t’i braktisnin
shtëpitë e tyre rreth orës 4.00 të mëngjesit. Në orën 10.00, gjithkush
ishte në fushë. Ishin mijra vetë, pothuaj të gjithë gra, fëmijë e të moshuar.
Midis nesh ishin vetëm nja 150 burra.
Me të mbërritur në fushë, secili zbriste nga zetori e bëhej grup me të
tjerët. Ne kishim zgjedhur fushën, sepse donim të ishim së bashku;
kishim frikë të qëndronim secili në shtëpinë e vet. Kështu, do të ishte e
lehtë për serbët të na masakronin. Që nga fusha, ne mundëm të shihnim
serbët që i vinin zjarrin shtëpive. Ata gjuanin në ajër dhe çirreshin me
zë të lartë: na shanin neve e trembnin fëmijët.
Dy gra, të cilat u ndeshën atë ditë me forcat serbe thanë që ata kishin
vënë maska, kishin veshur uniforma në ngjyrë të zezë apo blu, dhe
mbanin thika të mëdha. Të dyja gratë kujtuan se disa syresh mbanin
maska të zeza skiatorësh, ndërsa të tjerët i kishin fytyrat të nxira me
kalem grimi. 10 Një grua tjetër tregoi se tek një pjesë paraushtarakësh
arriti të identifikojë zyrtarë të policisë lokale.
Rreth orës 10.00, grupi i serbëve nisën t’i bien fshatit kryq e tërthor,
duke shtrënguar të iknin ata pak banorë që kishin mbetur në shtëpi.
Kush nuk mund të lëvizte, u vra. Motra e S.E.,-së, e cila u kthye në Izbicë
tri ditë pas masakrës, tregoi:
Më 28 mars, ditën e masakrës, serbët vranë një nëntëdhjetë vjeçar,
Shaban Rexhepin. Ai ishte ulur mbi një rrogoz pranë shtëpisë së vet, e
nuk mund të lëvizte; Serbët i vunë flakën rrogozit. Pashë kockat e tij;
nuk kish mbetur asgjë prej mishit të tij.
Familja e një gruaje të paralizuar e vendosi këtë të fundit në rimorkion
e një zetori, e cila ishte e mbushur me shtroja. Serbët e gjetën atë, dhe
i vunë zjarrin rimorkios. Gruaja ishte brenda. Emri i saj ishte Zyka
Bajrami. Ishte rreth të shtatëdhjetave. Kjo ndodhi gjithashtu më 28
mars.
Kur forcat e sigurimit serb arritën tek fusha, në orën 10.00, ata kërcënuan
se do të vrisnin fshatarët e do t’u vinin flakën zetorëve. Përveç kësaj,
kërkuan pará. S.E., babai i së cilës u vra më vonë, i tregoi Human Rights
Watch:
Ata na thanë ne “t’u jepnim pará, nëse donim të jetonim”. Ata na thanë
se mund ta kursenim jetën e e një familjeje duke u dhënë 1000 marka
gjermane, ndërsa për një traktor 100 marka. Paguam të gjithë. Çdo
burrë pagoi për familjen e vet. Babai im pagoi 1,100 marka gjermane.
Pasi serbët morën paratë, ata qëlluan mbi gomat e të gjithë zetorëve, e
dogjën gjithçka ishte ngarkuar në ta.
Të gjithë dëshmitarët thanë se më tej, forcat e sigurimit serb ndanë
mënjanë burrat nga gratë e fëmijët, i larguan gratë nga fshati, dhe
ekzekutuan burrat me armët e tyre automatike. Ishte mesnatë. S.E., nëna
e vëllai i saj i paralizuar, ishin pjesë e një karvani, që u largua forcërisht
nga fshati. Ajo përshkroi se si forcat e sigurimit serb i shtrëngonin djemtë
e rinj të ktheheshin tek fusha:
Rreth orës 11.00, ata veçuan gratë nga burrat. Ne i pyetëm pse po e
bënin këtë gjë. Me një ton që të kallte frikën na thanë: “qepeni gojën,
mos bëni pyetje, ndryshe do t’ju vrasim juve.” Fëmijët ishin të terrorizuar.
Serbët vazhduan të çirreshin: “do t’ju vrasim juve, dhe Shtetet e
Bashkuara nuk janë që t’ju shpëtojnë.” Të gjitha gratë, nga frika, kishin
mbuluar kokat me shami, kishin fshehur flokët e ballin. Serbët na flisnin
me fjalë të fëlliqura, na thoshin “do t’i qimë të gjitha nënat shqiptare”,
dhe “të gjitha gratë shqiptare janë kurva.”
Ata morën burrat mënjanë, dhe i vunë në radhë nja njëzet metra larg
nesh. Pastaj, na urdhëruan të merrnim rrugën për në Shqipëri. Ata
thanë: “Ju keni kërkuar një Shqipëri të Madhe, dhe tani mund të shkoni
atje.” Ata qëllonin me armë mbi kokat tona. Zbatuam urdhërat e tyre
dhe u vumë në lëvizje në drejtimin që na thanë, duke u larguar kështu
nga burrat.
Kur nuk ishim larguar as njëqind metra nga vendi i nisjes, serbët
vendosën të ndanin nga grupi ynë djemtë më të rinj. Djemtë mbi
katërmbëdhjetë vjeç i kishin mbajtur tashmë me burrat; tani ish radha
e djemve mbi dhjetë vjeç. Me ne lanë vetëm fëmijët e vegjël, një të
moshuar, i cili i kish humbur të dy këmbët, dhe vëllain tim sakat, i cili
nuk mund të ecte për shkak të një meningjiti kurrizor.
Kështu, ata morën edhe djemtë e moshës 10-14 vjeç për t’i çuar tek
burrat. Nënat e këtyre djemve zunë të qanin; një pjesë u përpoqën të
flisnin me serbët, por këta të fundit u dhanë nga një të shtyrë. Filluam
të ecnim shumë ngadalë, pasi ishim të shqetësuar mbi atë që mund t’u
ndodhte burrave tanë.
Ndaluam kur dëgjuam armë që u shkrehën. Kthyem kokat të shihnim
çfarë po ndodhte, por nuk ishte e mundur të dalloje burrat. Pamë vetëm
djemtë e moshës 10-14 vjeç që po vraponin drejt nesh; kur i patëm mes
nesh, i pyetëm çfarë po ndodhte. Ata ishin të tronditur; askush nuk
mundi të fliste. Më në fund, njëri syresh arriti të thosh: “ata na lëshuan,
por të tjerët i vranë.”
Në qëndruam atje ku ishim edhe për nja njëzet minuta. Po qanim të
gjithë. Armët automatike vollën zjarr pa pushim për disa minuta; pas
kësaj, ne dëgjuam të shtëna të shkurtëra, të çrregullta, edhe për nja
dhjetë minuta të tjera.
Pastaj, nja dhjetë serbë e zunë me ne. Ata thanë fjalë të ndyra, dhe na
përsëritën atë që na i kishin thënë njëherë, “tani duhet t’ia mbathni
për në Shqipëri – shpejt, ikni!” S’kishim zgjedhje tjetër, duhej të iknim.14
Dëshmia e saj u përforcua nga një grua tridhjetëvjeçare, e intervistuar
veç, burri e djali i së cilës i shpëtuan vdekjes duke u fshehur në male:
Tek fusha ne bëmë një grup të ngjeshur duke u ngucur tek njëri-tjetri.
Burrat u ndanë nga gratë, dhe u morën prej aty. Pastaj u drejtuan
nga ne, duke na thënë të shkonim tek rruga e asfaltuar. Ne dëgjuam
krismat e të shtënave, por unë personalisht nuk mund të shihja asgjë.
E gjitha ndodhi kur karvani arriti tek rruga kryesore, nja njëzet minuta
pasi na ndanë nga burrat. Ishin gratë në fund të karvanit që na treguan
se burrat tanë ishin vrarë; fjala u përhap tek të gjithë.
Në ditët në vazhdim, burrat nisën të zbrisnin nga malet dhe disa prej
grave, që ishin nxjerrë forcërisht prej fshatit, u kthyen të kërkonin të
afërmit. Tek fusha, ku ndodhi masakra, sipas të gjitha dëshmive, ata
gjetën katër pirgje burrash të vrarë. Tre ishin tek fusha, dhe një pirg më
i vogël ishte ca më tutje, rrëzë malit. Burrat që varrosën viktimat thanë se
shumica e kufomave kishin shenjën e plumbit në njërën anë të kokës.
Disa kufoma ishin të sakatuara rëndë.
H.D., e cila u fsheh në mal së bashku me djalin gjatë masakrës, ishte
ndër të parat që zbuloi kufomat:
Në ditën e katërt, për fat të keq, u ktheva në Izbicë. Them për fat të
keq, sepse do të ishte më mirë të mos kisha parë atë që pashë. Ishte një
masakër e tmerrshme. Pashë tim ungj, i cili u ekzekutua nga serbët.
Pashë një prej hallave; ajo u dogj në kopësht. Pashë shumë viktima të
tjera. Gjithsej, numri i të vrarëve ish 150. Shumica ishin të moshuar.
Një kushuri i imi ishte rreth të nëntëdhjetave.
Isha ndër të parat që zbulova kufomat. Kur zbritëm nga mali, ne gjetëm
pirgun e parë të kufomave në një kullotë rrëzë malit. Ishin tre grupe të
ndara kufomash tek fusha, burrat që ishin ndarë nga gratë, dhe disa
kufoma nëpër shpatin e malit. Grupi i dytë i kufomave ishte përtej një
përroi. Personalisht kisha dëgjuar krismat e automatikëve, që qëlluan
mbi trupat e tyre. Kur dëgjova krismat, unë thashë me vete, “O Zot, po
i vrasin të gjithë.” Ishte mesditë.
Një burrë tjetër nga Izbica, pesëdhjetë e dy vjeç, u fsheh gjithashtu në
male, dhe u kthye për të kërkuar vëllain e vet. Përshkrimi i tij është
pothuaj i njëjtë me atë të dëshmitarëve të tjerë, që ishin ndodhur atje:
Pirgu i parë i kufomave ishte nja 200 metra larg nga zetorët, pranë shtëpive
që ishin rrëzë malit. Pamë një grup tjetër pranë një rrëkeje me ujë, nja 20-25
metra larg nga grupi i mëparshëm; në këtë grup ishte kufoma e tim vëllai.
Ishin njëzet e tre vetë në këtë grup.
Grupi, ku gjendej vëllai im, kishte kufoma të katandisura si mos më keq.
Disa prej tyre nuk mund të identifikoheshin. Ti duhej të identifikoje veshët
e një burri: pjesa e sipërme e kokës nuk gjendej më. Shumica ishin qëlluar
në kokë. Disa kishin vrima të vogla në njërën anë të kokës, ndërsa pjesa
tjetër ishin krejt të shkatërruara.
Dëshmia e dikujt që mbeti gjallë nga masakra, e publikuar nga Amnesty
International, konfirmonte përshkrimet e vendndodhjes, të cilat u
grumbulluan nga Human Rights Watch. I mbeturi gjallë rrëfeu, që burrat
u ndanë në grupe, u çuan në vende të ndryshme, dhe u rreshtuan me
shpinën të kthyer nga ushtarët. Forcat serbe qëlluan nga prapa me armë
automatike, dhe burri në fjalë i shpëtoi vdekjes duke u shtirur si i vdekur.18
Dëshmitarët e intervistuar nga Human Rights Watch mëtuan se njohin
6-16 vetë, të cilët i kishin shpëtuar pushkatimit në mënyrë të ngjashme.
Fshatarët, të cilët u kthyen në Izbicë, iu vunë punës për të varrosur
viktimat. Sipas pjesëmarrësve të intervistuar nga Human Rights Watch,
ishin 60-80 vetë ata që varrosën kufomat tek fusha në tre radhë. Varret
ishin të cekët, afërsisht 60-90 centimetra të thellë, sepse fshatarët ishin të
rraskapitur e punonin me nxitim. Emri i secilës viktimë që identifikohej
shënohej mbi gurin pranë varrit dhe në një listë të përgjithshme.
Një burrë varrosi vëllain e vet, një viktimë të masakrës, dhe gruan e
vajzën e vëllait, të cilat u vranë në incidentin e zetorit, ndërsa familjet po
drejtoheshin tek fusha më 28 mars.
… Ne organizuam një këshill burrash për të vendosur kohën e mënyrën
për të varrosur kufomat. Gjashtëdhjetë deri në tetëdhjetë vetë nga ne
filluam të hapnim varret të nesërmen. Të gjithë ne kishim qënë të
fshehur nëpër male. Na u desh një ditë e tërë për të hapur varret.
Katër-pesë kufoma mbetën pa u varrosur atë ditë, sepse koha nuk
mjaftoi. Gjithë ditën kërkuam të gjenim pllaka gurësh, mbi të cilat donim
të shkruanim emrat e të vdekurve. I varrosëm në një thellësi prej
nëntëdhjetë centimetrash.
I pashë të gjithë kufomat, kur ato i sollën. Ishin
gjithsej 156 ose 157. Këshilli bëri një listë të të
vdekurve. Çdo i vdekur kish një numër, që i
korrespondonte numrit të varrit.
Një grua nga Izbica, e cila u kthye në fshat më 31 mars dhe asistoi në
varrim, i tha Human Rights Watch:Pashë tim’atë të vdekur. Familjet kishin sjellë kufomat në fshat prej
malit ku ishin vrarë, nga një distancë më e vogël se një kilometër. Burri e nipi mbanin trupin e babait.
“Kur dëgjova krismat, unë thashë me vete, ‘O Zot, po i vrasin të gjithë.’”
I pashë të gjitha kufomat. I numëruam. Ishte e tmerrshme. Ishin çuar
tek fusha dhe ishin vënë në tri rreshta. Ata u varrosën në tri rreshta.
Të afërmit e të vdekurve, shumica burra, ishin atje. Secila familje varrosi
të vdekurin e vet. Çdo familje hapi vetë varret. Ishte kallaballëk i madh
atje. Varret ishin të cekët. Ne duhej ta kryenim me nxitim atë punë.
Në maj 1999, CNN transmetoi një film, dhe një kosovare, Dr. Liri Loshi,
pretendoi se kish parë në këtë film skena të masakrës së Izbicës. Filmi
tregon një numër të madh kufomash të përgjakura të veshur me rroba
civile. Sipas doktoreshës, këta ishin shqiptarët e vrarë në masakrën e
Izbicës. Dy dëshmitarë, të cilët ndihmuan të varroseshin të vdekurit i
thanë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri Human Rights Watch, që dy
fshatarë të zonës e kishin filmuar gjithçka, dhe të dy identifikuan personin,
që më vonë i dha filmin Dr. Loshit.
Imazhet satelitorë të NATO-s të marra më 15 prill 1999 dhe të
transmetuara dy ditë më vonë, konfirmuan tre radhët e varreve
në fushën e Izbicës, të cilat përmbanin – sipas NATO-s – “më shumë se
150 varre.” NATO krahasoi fotografinë e marrë në 9 mars 1999 – imazhi
satelitor i së njëjtës fushë – që nuk tregon shenja të një toke të gërmuar.
Dëshmitari i cituar më sipër, H.D., i intervistuar nga Human Rights Watch
më 9 qershor 1999, mëtoi që forcat serbe u kthyen në Izbicë në ditët e para të
qershorit për të nxjerrë trupat, megjithëse ai nuk e pa këtë personalisht. Gjykata
e Krimeve të Luftës hetoi ngjarjen në korrik 1999, u bind për ekzistencën e
142 varreve, por nuk ishte në gjendje të gjente ndonjërën prej kufomave,pasi ato ishin zhdukur nga serbet.
TRUPAT MUND TE JENE DJEGUR NE NJE KONVEJER FABRIKE
Nje hetim i kryer nga Kandiq ka arritur ne perfundimin se ndermjet 24 Mars dhe 12 Qershor, 1999, trupat e te pakten 800 Shqiptareve te vrare, perfshire pleq, gra dhe femije, jane transportuar nga vendet ku ishin varrosur fillimisht per ne disa vende sekrete ne Kosove dhe Serbi. Kufomat me pas jane djegur ose rivarrosur.
Naten e 17 Maj, 1999, trupat e 87 Shqiptareve te Kosoves jane zhvarrosur nga nje varr masiv ne Gjakove. Per me teper, Kandiq ka thene se trupat e rreth 130 burrave te ekzekutuar ne Izbice jane transportuar nga varri i tyre masiv ne nje vend te panjohur.
Deklarime te ngjashme jane permendur ne nje dokumentar te transmetuar ne stacionin e radios publike Amerikane, ARW me 25 Janar, 2001. Sipas ketij dokumentari, forcat speciale Serbe, duke vepruar me urdher te "nje bashkepunetori te afert te Millosheviqit", kane djegur trupat e rreth 1,500 civileve Shqiptare te Kosoves ne furrat e kompleksit te minierave te Trepces ne pranveren e vitit 1999. "Qellimi ka qene shkaterrimi i kufomave te njerezve te vrare," ka thene nje ish anetar i forcave speciale Serbe, i cili eshte prezantuar vetem me emrin Dusko, gjate ketij emisioni. "Fshatra te tera jane shkaterruar dhe banoret e tyre jane vrare".
Sipas deshmise se nje shoferi te nje prej kamioneve te cilet kane transportuar trupat per ne Trepce, i quajtur Branko, rreth 120 trupa te grave dhe femijeve kane ardhur nga Izbica. Ai ka thene se trupat, fillimisht jane derguar ne mullinjte te cilet perdoreshin per te therrmuar mineralin dhe pastaj jane ngarkuar ne konvejeret te cilet furnizojne furrat. "Ishte nje skene e tmerrshme," ka thene Branko. "Konvejeri ishte si ne te gjitha fabrikat e tjera, por me ndryshimin se ai transportonte pjese trupash njerezore".
Dy te intervistuarit nuk jane te pergatitur te deshmojne ne gjykaten e Hages. Nje zyrtar Perendimor, i cili kerkon te mbetet anonim, ka thene per IWPR se gjykata kishte prova qe Serbet kane larguar te gjitha provat e djegieve masive nga miniera e Prepces, por ka shtuar se "Ata te cilet kane dijeni per kete ngjarje nuk deshirojne te deshmojne".
Punë e mbulimit dhe zhdukjes se krimit ishin te angazhuar edhe anetar te policisë sekrete si Branko. "Unë mendoj se populli ynë e kuptoi se herët a vonë disa prej këtyre organizatave perëndimore si Tribunali i Hagës mund të vijnë në Kosovë," tha ai. "Ishte e nevojshme qe ne një mënyrë ose tjetren ti shkaterrojme provat ne teresi."
Një veteran trupmadh i luftës së Bosnjes me flokë të shkurtër-qethur shkurt, Branko kishte shërbyer në një njësi elite te shërbimit të sigurimit shtetëror serb dhe gjithashtu ishte nder njerezit kryesor qe kishte koordinuar heqjen dhe shkatërrimin e kufomave shqiptare në Kosovë. Kjo ishte një punë qe u quajt "asgjësimi i mbeturinave." "Nuk ishte puna qe keto kufoma te fshihen neper varre masive diku, por për të shkatërruar totalisht ato. Kjo do të ishte sikur këta njerëz nuk ka ekzistuar," tha Branko.
Ne vazhdim do ti shihni disa foto qe i kam nxerr nga filmimet e Liri Loshit i cili e regjistroj kete masaker ne me shume se 2 ore xhirime.Nuk do i postoj fotot qe jane teper grafike.
Keto foto ekskluzivisht per here te pare ne Forumin Shqiptar.
Krijoni Kontakt