Me ekonomitë evropiane në stanjacion, një pikë e ndritshme në marrëdhëniet ekonomike të Serbisë kanë qenë ato me Turqinë, ku rritjes ekonomike gati 8% e një treg i madh vendas ndihmuan që të nxiten eksportet serbe me 95% -- nga 109.5 milionë dollarë më 2010, në 213 milionë dollarë më 2011.
"Marrëdhëniet ekonomike mes Serbisë e Turqisë janë tani në kulmin e tyre," tha për SETimes Aleksandar Medjedoviç, kreu i Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike Turke (DEIK) të këshillit të biznesit Turqi-Serbi.
Ndërkohë, eksportet e Turqisë në Serbi u rritën me 16% -- nga 306.4 milionë dollarë më 2010, në 355 milionë dollarë -- vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Ministria turke e Ekonomisë.
"Duke parë shifrat, mund të themi se marrëveshja e tregtisë së lirë mes Turqisë e Serbisë, që hyri në fuqi më 1 shtator 2010, ka funksionuar në favor të Serbisë," tha për SETimes Erhan Turbedar, një analist i politikës së jashtme tregtare në Fondacionin Ekonomik të Turqisë për Studimin e Politikave (TEPAV).
Sipas statistikave nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë, eksportet e vendit në Turqi janë rritur kryesisht në sektorët e tekstilit, metalurgjisë, ushqimeve, automotive e të bujqësisë, shtoi Turbedari.
Tregu turk, me përmasat e fuqinë e madhe blerëse të tij, është një partner i fortë me mundësi të mëdha shitjesh, sipas Medjedoviçit. "Në të njëjtën kohë, ndërmarrjet serbe shohin se mund të arrijnë tregje të treta si Irani, Iraku e Republikat Turke më lehtë nëpërmjet partnerëve turq," tha ai.
"Përveç fushave tradicionale të mallrave e shërbimeve që janë duke u eksportuar e importuar, shohim një interes të konsiderueshëm të ndërmarrjeve të ndërtimit turke për t'u angazhuar në projektet e infrastrukturës në Serbi," tha Medjedoviçi.
Meqë një nga forcat më të mëdha të Turqisë është në bizneset kontraktuese, ndërtimi i rrugëve e zhvillimi i projekteve të aeroporteve janë me interes të dukshëm, tha ai. Ka gjithashtu një rritje të ndjeshme në planet e biznesit turk për të vendosur struktura prodhimi në Serbi.
"Duket se industrialitët turq e kanë zbuluar Serbinë si një vend tërheqës prodhimi," tha Medjedoviçi.
Burimi
Krijoni Kontakt