Këshilltari politik i kryeministrit Thaçi, Lirim Greiçevci, pritet t’i hyjë karrierës diplomatike.
Burime brenda Qeverisë kanë paralajmëruar se ai do të emërohet ambasador i Kosovës në Londër, në pozitën të cilën aktualisht e mban Muhamet Hamiti, shkruan gazeta Koha Ditore.
Vitin e kaluar, ai është angazhuar edhe në ekipin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, për të zhvilluar bisedime për çështje teknike me Beogradin, në Bruksel. Kryeministri Thaçi kishte planifikuar që ta ngarkonte edhe si zëdhënës të Qeverisë, mirëpo asnjëherë nuk janë sqaruar arsyet pse ai nuk e ushtroi këtë funksion asnjë ditë.
Se ku do të dërgohet ambasadori Muhamet Hamiti, ende nuk është vendosur, mirëpo e sigurt, sipas burimeve në Qeveri, është se ai do ta ushtrojë të njëjtin funksion në një shtet tjetër.
Greiçevci ka diplomuar në shkenca politike dhe në gjuhë dhe letërsi angleze në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në London School of Economics në fushën e politikës krahasuese, si bursist i Ministrisë së Jashtme të Qeverisë Britanike.
Është këshilltar politik i kryeministrit Thaçi që nga viti 2008. Para dhe gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, ka shërbyer si koordinator për tranzicion të pushtetit nga misionet ndërkombëtare tek institucionet vendore të Kosovës së pavarur.
Nga marsi i vitit 2011, ai ka shërbyer si anëtar i delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ka punuar gjithashtu edhe në themelimin dhe funksionalizmin e strukturave për planifikim strategjik dhe të politikave në kuadër të Qeverisë.
Gjatë procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës nën udhëheqjen e ish presidentit Martti Ahtisaari, ka marrë pjesë në disa seanca negociatore në Vjenë në cilësinë e këshilltarit.
Ai gjithashtu ka ligjëruar në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe ka shërbyer edhe në kabinetin e kryetarit të PDK-së dhe në misionin e OKB-së në Kosovë.
burimi këtu
Krijoni Kontakt