-
Policia e Shtetit: Ngelen në klasë 300 policë, lirohen nga detyra
Urdhri, pushohen nga puna 300 policë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka urdhëruar largimin nga puna për rreth 300 punonjës policie, duke iu ndërprerë menjëherë marrëdhëniet financiare. Urdhri për largimin e tyre nga puna është firmosur para pak ditësh dhe aktualisht është shpërndarë në strukturat bazë të policisë, ku uniformat blu janë njoftuar për largim nga Policia e Shtetit, për shkak të ngeljes në testimet e kryera për kursin bazë policor. Ata mësohet se i përkasin rolit bazë të policisë, ndërkohë që shpërndarja gjeografike nuk ka lënë jashtë as punonjësit e policisë në Drejtorinë e Tiranës.
Urdhri për largimet
Nga të dhëna të besueshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se urdhri vjen në zbatim të rregullores së vendosur për kursin bazë të policisë, i cili ishte me detyrim të kryhej nga çdo punonjës policie i rolit bazë, duke iu përshtatur kushteve të sugjeruara nga programi amerikan ICITAP. Sipas të dhënave, që në fillim të vitit 2008, kur është vendosur që çdo punonjës i rolit bazë, pra ata policë që kanë mbaruar shkollën 1-vjeçare, do t’i nënshtrohen kursit 11-javor, ishte deklaruar se personat që do të merrnin maksimumin e pikëve negative do të largoheshin nga Policia e Shtetit. Në këto kushte, kursi për rolin bazë të policisë është në përfundim të programit, kështu që janë përpiluar listat e të gjithë punonjësve që kanë ngelur gjatë këtyre viteve dhe para pak ditësh, shumicës së tyre u është komunikuar largimi nga puna. Aktualisht, lista mendohet se shkon tek 300 punonjës policie, por ende nuk janë njoftuar të gjithë, ndërkohë që pritet që persona të tjerë të jenë ngelës në kursin aktual, që përfundon pas pak ditësh dhe në kursin e fundit, që pritet të fillojë në tetor.
Kursi i trajnimit
Me ndryshimin e ligjit të policisë, në vitin 2007 u vendos që të shkrihet Akademia e Policisë dhe të bëhet Shkolla Bazë e Policisë. Por, me këtë ndryshim, në ligj, ashtu siç u përcaktua edhe në Rregulloren e Personelit dhe atë të Disiplinës, u vendos që punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin mbaruar Akademinë 3-vjeçare të Policisë, por vetëm shkollimin njëvjeçar, që ka qenë më parë, pra punonjësit bazë dhe jo oficerët, duhej të përfundonin me detyrim këtë kurs policor, me qëllim për të mbajtur vendin e punës. Kështu, të gjithë punonjësit e policisë të rolit bazë, që afërsisht janë 5 mijë veta, i janë nënshtruar këtij kursi nga viti 2008 deri sivjet, i cili ka afatin e përfundimit në fund të këtij viti. Madje, ata i kanë ndjekur studimet, pikërisht 11 javë teori dhe 11 javë praktikë, me shkëputje nga puna, pavarësisht se rroga vazhdonte t’u jepej.
Kriteret
Por, për të përfunduar këtë kurs me sukses ishin vendosur disa kritere, ku kërkohej që në total të testimeve, punonjësi i policisë të mblidhte 70 për qind të krediteve, ose ndryshe përjashtohej nga kursi, rrjedhimisht largohet nga policia. Sipas të dhënave, gjatë 11 javëve ata kanë pasur 11 teste gjithsej për të mbledhur 70 për qind të krediteve. Kështu, ata i janë nënshtruar gjashtë testeve javore, një testi për ndihmën e shpejtë, një testi për armët e zjarrit, dy testeve mujore dhe testit përmbledhës. Por, një nga këto teste ka qenë i detyrueshëm për të kaluar në fazën tjetër të kursit, i cili është ai për armët e zjarrit. Punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë kaluar këtë test janë përjashtuar nga kursi dhe do t’u jepet mundësia për ritestim dhe mbarimin e pjesës tjetër të kursit pas muajit tetor.
Pikët negative
Nga ana tjetër, testet kishin edhe grumbullim pikësh negative, të cilat kanë djegur punonjësit, që kanë marrë urdhrin për largim nga puna. Specialistët shpjegojnë se në çdo test 100 pikësh, polici duhej të mblidhte minimumi 70 pikë për t’u cilësuar “kalues”. Nëse ai merrte më pak pikë, atij i shënoheshin pikë negative, pavarësisht se nuk shkëputej nga kursi dhe vazhdonte me testimet e tjera. Edhe nëse në testimet e tjera, ai vazhdonte të merrte pikë negative, sërish nuk largohej nga kursi. Por, edhe pikët negative kanë një kufi. Nëse arriheshin 36 pikë negative, pra të mblidheshin të gjitha pikët e tilla të çdo testi, atëherë punonjësi i policisë përjashtohej nga kursi. Janë pikërisht këta punonjës policie, të cilët kanë arritur nivelin maksimal të pikëve negative, të cilët do të shkëpusin marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit.
Mungesat
Ndërkaq ka edhe një kategori tjetër punonjësish policie, të cilët mund të largohen nga puna, por që ende kanë edhe një shans. Ata janë policët, të cilët kanë munguar në 24 orë mësimi. Sipas rregullores, nëse ata plotësojnë 24 orë mungesa, pavarësisht se mund të jenë me arsye, ata ndërpresin kursin, për ta rifilluar pikërisht në fazën që e kanë lënë, kur të gjithë punonjësit e policisë të kenë mbaruar kursin për shkollimin bazë.
Pasojat
Urdhrat për ndërprerje të marrëdhënieve financiare të rreth 300 punonjësve policie kanë sjellë menjëherë reagimin, pasi sipas tyre, familjet u mbeten në mes të katër rrugëve, pasi janë të vetmit që sjellin të ardhura. Ata kanë kërkuar një mundësi të dytë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim përfundimin me sukses të kursit bazë të policisë, megjithëse një vendim i tillë nuk është ndërmarrë. Sipas të dhënave, shumë prej “policëve ngelës” u përkasin zonave të thella, por nuk përjashtohen edhe ata që punojnë në kryeqytet. Nga pedagogët mësohet se me nivelin më të dobët janë shfaqur punonjësit e Policisë së Dibrës dhe ata të Komisariatit të Laçit.
Apeli
Urdhrat për ndërprerje të marrëdhënieve financiare të rreth 300 punonjësve policie kanë sjellë menjëherë reagimin, pasi sipas tyre, familjet u mbeten në mes të katër rrugëve
Shqip
-
-
i/e regjistruar
keta duan te punojne police vetem per te mbajtur familjen?
po kerkojne meshire. shteti nuk funksionon me meshire po me pune dhe zbatim ligji
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt