Përmbarimi gjobit Ina Ramën, refuzoi Gjykatën
Tre prokurorë të shkarkuar fituan në të gjitha gjykatat të drejtën e rikthimit në punë.
Letra në Kuvend: Refuzon vendimin e Gjykatës së Lartë.
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama nuk zbaton vendimet e formës së prerë të Gjykatës për kthimin në punë të tre prokurorëve të shkarkuar prej saj në periudhën 2008-2009. Ankesa është paraqitur nga tre ish-prokurorë në Komisionin e Ligjeve. Ky fakt u bë i ditur gjatë mbledhjes së djeshme, ku kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, e pyeti Ina Ramën përse nuk i kthen në punë prokurorët e shkarkuar që kanë fituar të drejtën e tyre në Gjykatë. Sipas letrës që tre prokurorët kanë dërguar në Komision, për njërin prej rasteve, kryeprokurorja Ina Rama është gjobitur sipas ligjit nga përmbarimi privat në masën 50 mijë lekë. Akuza ka qenë për moszbatim të vendimit të dhënë nga Gjykata për kthimin në punë të një prokurori të shkarkuar. Tre prokurorët, të cilët kanë fituar në Gjykatë të drejtën e kthimit në punë, i kanë dërguar letër së fundi Kuvendit të Shqipërisë, pas një serie letrash e njoftimesh të dërguara për çështjen e tyre te Presidenti i Republikës, te ambasadori i SHBA, ai i dhe BE-së në Tiranë dhe gjithë instancave që mund të ndikonin në vënien në zbatim të vendimeve të dhëna nga gjykatat.
Letra e plote e tre prokuroreve, drejtuar Kuvendit per Ina Ramen
Në periudhën 2008-2009, me propozim të prokurores së Përgjithshme dhe dekret të Presidentit të Republikës, për arsye krejt personale dhe në kundërshtim të hapur me ligjin, janë shkarkuar nga detyra tre prokurorë: Rita Gjati, Bardhyl Shehu dhe Tom Dedaj.
Kundër shkarkimit është bërë ankim në Gjykatë, duke paditur prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin e Republikës.
Gjykatat shqiptare, në të gjitha shkallët e tyre – Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, e kanë konsideruar shkarkimin e prokurorëve të kundërligjshëm dhe kanë vendosur: “Shfuqizimin e dekreteve të Presidentit për shkarkim nga detyra dhe kthimin e tyre në detyrën e prokurorit në prokuroritë përkatëse”.
Pas fitimit të kësaj të drejte, i jemi drejtuar disa herë Presidentit të Republikës dhe prokurorit të Përgjithshëm, për kthimin e tyre në detyrë, por megjithëse kanë kaluar mbi dy vjet nga dhënia e këtyre vendimeve, Presidenti i Republikës dhe prokurorja e Përgjithshme refuzojnë pa të drejtë zbatimin e vendimeve të Gjykatës, madje, nga ana e tyre, nuk ka pasur asnjë reagim.
Nga interesimi i bërë në rrugë shoqërore, Ina Rama është shprehur se “nuk dua t’ia di për vendimet e Gjykatës” dhe “sa të jem unë, nuk kam për t’i marrë në punë”, a thua se Prokuroria është çiflig i Ina Ramës dhe vendimet e Gjykatës janë letra që mund të hidhen në kosh.
Ndërsa Presidenti i Republikës nuk ka kthyer asnjë përgjigje, ndonëse tre prokurorët i kanë dërguar atij, respektivisht, 7, 5 dhe 4 kërkesë-ankesa.
Dy nga prokurorët e shkarkuar, Rita Gjati dhe Bardhyl Shehu, i janë drejtuar edhe Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor (shtetëror), por edhe kjo zyrë nuk mundet të zbatojë t’i gjitha procedurat ligjore përmbarimore, në interes të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, për shkak të frikës që kanë, të cilën na e kanë shprehur, pasi palë e paditur është prokurorja e Përgjithshme dhe Presidenti i Republikës. Megjithëse Avokati i Popullit me shkresën e tij nr. K2/B13-6, datë 10.10.2011, ka sugjeruar Zyrën e Përmbarimit “vendosjen e sanksionit të gjobitjes ndaj prokurores së Përgjithshme”, për moszbatim të vendimit të Gjykatës, kryetari i zyrës, Arjan Bylykbashi, përsëri nuk kryen asnjë veprim.
Ndërsa prokurori Tom Dedaj, i është drejtuar përmbarimit privat, ku, përmbaruesja e çështjes ka gjobitur prokuroren e Përgjithshme Ina Rama për moszbatim të vendimit të Gjykatës, por përsëri nuk ka pasur asnjë reagim.
Problemin e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës, tre prokurorët ia kanë bërë prezent edhe kryetares së Parlamentit, ambasadorit amerikan, z. Arvizu, ambasadorit të BE-së dhe ambasadores angleze, por, për çudi, asnjë prej tyre nuk ka reaguar.
Prokurorja e Përgjithshme, vetëm dy vjet pas marrjes së formës së prerë të vendimit të Gjykatës, ka pasur vetëm një reagim, duke gënjyer ditën për diell se është në pamundësi të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, për kthimin e prokurorëve në detyrë, për shkak se organika është e plotësuar.
Këtë gënjeshtër, prokurorja e Përgjithshme, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, e thotë “serbes- serbes” edhe para 8 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes për një proces të parregullt ligjor, pikërisht për mosekzekutim të këtyre vendimeve nga Ina Rama.
Prokurorja e Përgjithshme pretendon se është në pamundësi të ekzekutimit të vendimeve, ndërkohë që nga momenti i dhënies së vendimeve të formës së prerë të Gjykatës për kthimin e prokurorëve në detyrë, prokurorja e Përgjithshme ka propozuar dhe Presidenti i Republikës ka emëruar në vazhdimësi dhe aktualisht, në total, janë emëruar plot 22 prokurorë, 11 nga të cilët oficerë të Policisë Gjyqësore, si më poshtë:
Me dekretin nr. 6655, datë 28.7.2010, është emëruar prokuror, oficeri i Policisë Gjyqësore Artan Shtrungza.
Me dekretin nr. 6765, datë 10.11.2010, është emëruar prokuror, oficeri i Policisë Gjyqësore Adriano Dyrmishi.
Me dekretin nr. 6749, datë 2.11.2011, janë emëruar prokurorë në prokurori të ndryshme të vendit: Elona Alvora, Ervin Beqiri, Sotir Kllapi, Kreshnik Ajazi, Rovena Bozo, Denisa Asko, Marsida Frashëri, Gentian Habazaj, Olger Eminaj dhe Albert Murcaj.
Me dekretin nr. 7504, datë 4.6.2012, janë emëruar prokurorë, oficerët e Policisë Gjyqësore: Erion Imeraj, Erion Shehaj, Aurel Zarka, Edina Kurti, Simon Pashuku, Leonard Filopati, Lorenc Merkuri, Pali Decolli, Elion Mustafaj, si dhe drejtoresha e kabinetit të prokurores së Përgjithshme, Miranda Bushi.
Shikoni deri ku shkon arbitrariteti dhe injorimi i vendimeve të Gjykatës nga Presidenti i Republikës dhe prokurorja e Përgjithshme.
Ndërkohë prokurorët vazhdojnë të enden rrugëve duke trokitur në dyert e institucioneve të ndryshme të këtij shteti, për të kërkuar të drejtën tonë, a thua se vendimet e Gjykatës janë “letra bakalli” e jo vendime të organeve të pushtetit gjyqësor, madje të organeve më të larta të këtij pushteti dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe kur këto vendime nuk zbatohen nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe të Drejtësisë, ky është një problem shumë i madh jo vetëm për tre prokurorë, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare dhe shtetin ligjor.
Dhe në këtë kontekst, kemi të drejtë të themi:
- A ka moral Prokuroria të kërkojë ndjekje penale për subjekte të tjera që nuk ekzekutojnë vendimet e Gjykatës, gjë e cila është detyrë funksionale e saj, në një kohë që vetë ky organ nuk ekzekuton vendimet e Gjykatës duke kryer vetë vepër penale?! (Neni 320 i Kodit Penal “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”)
- Përse Presidenti i Republikës punon me dy standarde?!
Ashtu si prokurorët, janë shkarkuar edhe disa gjyqtarë të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit, siç janë: Arjana Caco, Besnik Qira, Dalip Bushi etj., por këta gjyqtarë, pasi kanë fituar të drejtën për kthim në punë nga Gjykata e Lartë, menjëherë pas fitimit të kësaj të drejte janë kthyer në punë, ndërsa prokurorët jo!?
- A nuk janë të njëjtat ligje dhe rregulla që zbatohen në këtë shtet, apo për prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin e Republikës këto ligje dhe rregulla zbatohen sipas rastit, dëshirës apo sipas mikut?!
- Mirë ata që i gjejnë mik Presidentit të Republikës dhe prokurores së Përgjithshme dhe kthehen në punë, po të tjerët, siç jam edhe unë, që nuk e kanë këtë mundësi, ç’duhet të bëjnë?!
Dhe në përfundim, kemi të drejtë të pyesim: A ka më shpresë në këtë vend se një ditë drejtësia do të bëhet?! Dhe kur kjo nuk bëhet nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe të Drejtësisë, ne, ashtu si dhe shumica e popullit, kemi fare pak shpresë.
Sa keq!
Panorama
Krijoni Kontakt