Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 25
  1. #1
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670

    Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Çamëri

    18 Maj 2012 - 15:01 | Shqiperi



    Zeqije Nuri: Ju rrëfej tmerret e Napolon Zervës në Çamëri

    Nga: FATOS VELIU


    TIRANË- Zeqije Nuri sot është rreth të 85-ve dhe jeton në një hyrje modeste të një pallati në qendër të Tiranës. Mësojmë se ajo është një nga dëshmitaret e masakrës së përgjakshme të forcave greke, të komanduara nga Napoleon Zerva, mbi popullsinë e pambrojtur çame. Bëhet e ditur gjithashtu se, nënë Zeqija ka njohur personalisht kryekriminelin e asaj masakre aq të përgjakshme, që do të ngelej e freskët në çdo kohë në histori, Napoleon Zervën. Ajo ka guxuar madje ta sfidojë atë. Atëherë ishte vetëm 18 vjeçe, kishte tre vjet e martuar, madje kishte dhe një vajzë dy vjeçe. Por si e përjetoi ajo momentin e sulmit grek mbi Çamërinë. Torturat dhe grabitjet e grave të pambrojtura. Si donin ta pushkatonin me foshnjën e vogël. Djegia e kunatës së gjallë dhe burgosja e saj. Gjithçka bëhet e qartë tashmë, në rrëfimin e vetë nënë Zeqijes.

    Zonja Zeqije, ku jetonit në ditët që filloi masakra gjaka tare mbi banorët e Çamërisë?
    Deri në qershorin e vitit 1944, kur do të na shpërngulte me dhunë kasta gjakatare e Napoleon Zervës, ne kemi jetuar në qytetin e Paramithisë në Çamëri. Mendoj se e dini që Paramithia dhe Parga ishin pikërisht qytetet ku filloi së pari dhe u ushtrua terrori më i përgjakshëm, që dhe sot kur e kujtoj më dridhet trupi. (fillon përlotet). Ç'të të them o bir. Nuk e di ata njerëz ku e gjetën atë kurajë dhe atë zemër që prenë dhe koka fëmijësh. Nuk e di o bir se si mundën ata njerëz me të cilët kishim banuar derë më derë, me të cilët kishim dhënë dhe kishim marrë, të mund të bënin atë që bënë. A kishin ata fëmijë vetë?! A kishin prindër, a kishin familjarë?! A i kishte bërë një nënë?! Nuk e di, por dhe ujkonja kur ka gjetur fëmijën e ka mbajtur pa e ngrënë. Më kanë thënë se dhe gjarpri nuk e ha fëmijën, ndërsa ata u morën edhe me një e dyvjeçarët. Mos o zot, se më bëre të kujtoj atë maskarallëk. (lotët që i rrjedhin çurkë nuk i mban dot pavarësisht se mundohet shumë me shami)
    Pas nesh e pësoi dhe Filati që iu pushkatuan, masakruan dhe barbarizuan plot 80 burra.
    Si ndodhi që u pushkatuan 80 djemtë e Filatit?
    Them se te ne, në Paramithi dhe në Pargë, ishte masakra më e madhe se në zonat e tjera të Çamërisë sepse aty filloi kasaphana. Ndërsa në zonat e tjera, njerëzit, kryesisht burrat, patën kohë të merrnin masa dhe të largoheshin kur panë dhe mësuan se çfarë po ndodhte në qytetin tonë. Megjithëse nga kjo masakër nuk shpëtoi as Filati, ku çamët e atjeshëm fillimisht patën kohë për të ikur në Shqipëri.
    Po dhe në Filat ndodhi gjakderdhje e madhe, pavarësisht se ata patën kohë të largohen nga shtëpitë e tyre, kryesisht burrat se mesa di. Ata nuk kanë pasur asnjë mundësi jetese, madje copëtoheshin me thika që në momentin që kapeshin, apo jo?
    Është e vërtetë se ata, ndërsa mësuan për viktimat dhe makabritetin e fëmijëve dhe njerëzve tanë të Paramithisë që u erdhi e papritur, morën masa dhe ikën në Shqipëri. Por ata si ndenjën disa kohë në Shqipëri, kujtuan se i shpëtuan valës së përgjakshme. Pas kësaj, duke mos ditur se ç'bëhej me fëmijët e tyre dhe duke menduar se kishte kaluar vala e terrorit, filluan dalëngadalë të riktheheshin në shtëpitë dhe trojet e tyre. Por dhe atëherë pavarësisht se kishte kaluar një farë kohe nga ditët e Paramithisë, ndodhi e papritura. Sa u kthyen, ata e pësuan, siç të thashë më lart, me 80 djem, midis tyre edhe të vegjël e shumë të vegjël, të pushkatuar dhe masakruar deri aty sa i kanë bërë copa-copa në mes të rrugës. Pra, po ta përsëris mirë që të më kuptosh o bir, që kishte djem të mitur fare, që i vunë në rresht në mes të Filatit dhe pa iu dridhur dora fare grekut, i qëllonin kë me një plumb në kokë e kë me breshëri e kë duke e goditur me bajoneta apo me thika, ndërkohë që disa i vranë njëherësh. Atje e pësuan dhe dy dajat e mi të shkretë, që u therën në mes të sheshit të Filatit.
    Ju lutem nënë Zeqije, si filloi dhe si u arrit deri në atë pikë sa të pritej koka e njeriut si të ishte e bagëtisë? Është e vërtetë që ju si Çamëri keni bashkëpunuar me Gjermanin siç ju kanë akuzuar forcat e Zervës?
    E ç'gjerman do të shikonim dhe bashkëpunonim ne. Ku na pyeste gjermani dhe çfarë i duheshim neve gjermanit. I kanë llafe kot, se duan të justifikojnë tragjedinë më të madhe që mund të jetë bërë mbi njerëzit. E mësova dhe atë që ndodhi në Kosovë me njerëzit e Millosheviçit, por të jesh i bindur që ata nuk e arrijnë kurrë atë që shkaktoi greku te ne. Pastaj, ata filluan të na vrisnin shumë më parë se të fillonte ajo që njihet tani nga e gjithë bota si masakër. Sepse mua më kanë vrarë vëllain, ndërsa edhe burrit tim i vranë dy vëllezërit. Dhe kjo ka ndodhur jo afër, por plot një vit më parë se të fillonte masakra për të cilën po flasim me kaq hollësi.
    Si ndodhi?
    Ja, atë po të tregoj, ndërkohë që po të tregoj edhe atë që e quanin marrëdhënie tonën me gjermanin. Sepse në kishte gjerman të afruar me familjarët ishte shtëpia jonë, që banonin në të plot shtatë gjermanë.
    Pse?
    Ata ishin në shtëpinë tonë plot një vit më parë se të ndodhte masakra. Sepse që ta dish edhe një herë, masakra ndodhi kur ikën gjermanët. Por ata as na pyetën që do të vinin në shtëpi dhe as na respektuan, por na dhunuan aq sa rrinim si të huaj në shtëpinë tonë. Por ndodhi edhe ajo që, në atë kohë greku na vrau vëllezërit si mua ashtu dhe burrit tim Tahirit.
    Mund të ma shpjegoni ju lutem, për faktin se duhet të dimë hollësisht atë që ka ndodhur. Së pari, si përfunduan gjermanët në shtëpinë tuaj?
    Një vit më parë, ia behën në shtëpinë tonë 7 gjermanë dhe pa pyetur dhe pa u ndalur as për të salutuar hynë në oborr dhe që andej brenda në shtëpi. Panë dhomat me vëmendje të madhe duke kaluar sa në një derë në tjetrën. Në këtë kohë që ata po qarkonin në shtëpi ne nuk e dinim se çfarë donin dhe ku e kishin qëllimin. Më mbrapa, kur ikën, lanë njërin në shtëpi dhe thanë se do të rrinin në shtëpinë tonë. Ata kishin pikasur dhomën time dhe menduan të rrinin aty. Që nga ai moment nuk hymë më në dhomë. Ata duhet të kenë qenë të mëdhenj në detyrë, se kishin vendosur roje natën dhe ditën rreth shtëpisë.
    Flinin të shtatë aty?
    Po, të shtatë. Ditën rrinte një oficer dhe një kapter ndërsa në darkë vinin dhe të tjerët dhe kishin rregulluar krevatet që flinin.
    Më falni nëse ju pyes disi në intimitet. Ju keni qenë 18 vjeçe, si nuse e re në atë shtëpi. Nga sa kam mësuar, keni qenë shumë e bukur, aq sa Napoleon Zerva ka kërkuar të martohej me ju. Ndërkohë që jo pak, por shtatë gjermanë kanë jetuar për një vit në shtëpinë tuaj, madje në dhomën tënde, ndërsa ti ishe shtëpiake duke bërë punët brenda shtëpisë gjithë ditën. Ka pasur rast të ndonjë ngacmimi ndaj teje?
    Absolutisht jo. Asnjë fjalë. Asnjë shikim dhe asnjë provokim. Ishin tepër të rregullt në këtë drejtim. Nuk mendohej fare diçka e tillë.
    Po ju në një farë mënyre paskeni bashkëjetuar me gjermanin, gjë që për të qenë i sinqertë më bën të dyshoj te propaganda zerviste se ju paskeni bashkëpunuar, ndërkohë që forcat e tij luftonin kundër tyre që kishin ardhur në atë vend si pushtues. Keni shpjegim të kundërt për sa po paragjykoj?
    Nuk është fare e vërtetë, se të dish mirë ti, ata gjermanët nuk u vunë në të gjitha shtëpitë e paramithjotëve. Atëherë, përse masakra përfshiu mbarë Çamërinë? Ata erdhën vetëm në shtëpinë tonë, që me sa duket e pëlqyen për komandën, që të flinte aty. Por ushtarët gjermanë nuk kanë shkuar në shtëpitë e tjera, por kanë ndenjur në kazermat e tyre. Te ne bëhej shërbim nga ata natë e ditë, gjë që më bën të mendoj se ata kanë qenë me përgjegjësi. Neve nuk na pyetën fare dhe as donin të dinin. Por që të dal te sqarimi që të nisa që në fillim, ata jo që nuk donin të dinin për neve por na binin në qafë.
    Si ju binin?
    Së pari, nuk donin të dinin përse e kishim ndezur zjarrin por vinin kur ne kishim vënë për të ngrënë dhe hiqnin tenxheren tonë për të gatuar për vete. Pas kësaj ne rrinim pa ngrënë se nuk kishim ç'të hanim. Pra rrinim pa bukë. Por më e keqja ishte kur na vdiqën vëllezërit mua dhe burrit. Na i vranë grekët dhe kur ne qanim në oborr s'i sollën trupat e tyre të masakruar. Gjermanët këndonin dhe i binin fizarmonikës. Jo vetëm kaq, por ata na bërtisnin të mos qanim se nuk donin zhurmë. Madje, burrin tim Tahirin, që kishte dalë në bahçe dhe po qante dy vëllezërit që ia kishin masakruar kriminelët grekë, gjermanët shkuan dhe desh e vranë me pistoletë pas koke. Vetëm se u tha disa herë se ishte i zoti i shtëpisë që e lanë.
    Si jua vranë vëllezërit?
    Dy vëllezër të burrit dhe vëllain tim. Kishte vetëm pak ditë që gjermanët na kishin zaptuar shtëpinë, një dhomë të saj. Të thashë që as të pyesnin dhe as të përfillnin, madje të hiqnin tenxheren nga zjarri. Dy vëllezërit e burrit, të quajtur Sulejman dhe Hamit, së bashku me vëllain tim të quajtur Eqerem kishin një kope me bagëti, dele. Ishin rreth 700 krerë. Sulejmani ishte 39 vjeç i shkreti dhe tani para sysh e kam. Kishte dy fëmijë. Hamiti ishte vetëm 22 vjeç, ndërsa vëllai im Eqeremi ishte 25 vjeç. Atë ditë që i vranë kishin zbritur në shtëpi dhe si ndenjën ca u larguan për në stan ku i kishin përqendruar bagëtitë.
    Sa larg ishte vendi ku i mbanin me shtëpinë?
    Në dimër i çonin larg, në vende me kullota dimërore, ndërsa në verë i mbanin afër. Pra, sipas stinëve. Atë periudhë që po të tregoj, ishte qershori i '44-ës, ato i kishin rreth 2 orë larg shtëpisë, në një vend që e mbaj mend si tani që quhej Seleni. Si kishin shkuar në stan ia kishin behur një grup i madh me grekë. Ushtarë apo partizanë grekë quaji si të duash, por ata ishin vetëm kriminelë dhe të pabesë dhe asgjë më shumë. Kur shkuan aty, ata njiheshin me vëllezërit tanë dhe u pritën mirë. Sulejmani që ishte më i madhi u tha që mirë se shkuan dhe të uleshin se do t'u bënin për të ngrënë. Therën bagëti dhe shtruan drekë, ku veç mishit vunë mjaltë, gjalpë, djathë të njomë e plot gjëra. Sulejmani i priti si vëllezër.
    Sa grekë ishin?
    Po duhet të kenë qenë 30 apo 40 veta. Kaq kemi mësuar se ishin. Pastaj si hëngrën mirë e mirë, u thanë se do të merrnin bagëtinë se iu duheshin. Sulejmani u tha se mund të hanin aty sa të donin madje të thernin edhe bagëti plot, por të gjithë tufën nuk mund ta lejonte. Pas kësaj, ai është ndjekur dhe është ekzekutuar. Kësaj i thonë që të të ekzekutojnë ata që u ke dhënë bukë. E këtë të bën greku mor bir. Nuk morëm vesh se ç'e bënë; edhe të vdekur nuk e gjetëm më asnjëherë Sulejmanin. E qamë ashtu, pa e pasur para as të vdekur.
    Thatë se në stan ishin edhe vëllai tjetër i Sulejmanit, Hamiti dhe vëllai juaj Eqeremi?
    Eh, të dy i vranë të pabesët. Vëllain tim e kishin ndjekur me vrap derisa e vranë mbi një ferrë (fillon të lotojë nga ndjeshmëria e tepërt, prej vuajtjeve që i kujtohen). E kishin hedhur mor bir mbi ferrë të mbuluar prej gjembave, aq sa i kishte mbetur lëkura e duarve nëpër gjemba. Nëna ia mblodhi lëkurën dhe e vendosi në një kuti shkrepëseje dhe e mori me vete edhe në Shqipëri. E mbajti derisa vdiq. Ajo derisa vdiq e mbante me vete dhe hapte herë pas here kutinë dhe qante mbi lëkurën e vëllait. Ndërsa Hamitin e gjetëm jo vetëm të vdekur, por ia kishin hapur kafkën e kokës dhe i kishin dalë trutë përjashta. Ishte një llahtari e vërtetë. Kur na thanë u lëshuam me vrap për të marrë kufomat. Ç'të të them. I vendosëm në oborr të dy kufomat, pra të Eqeremit dhe të Hamitit, se siç të thashë Sulejmanin nuk e gjetëm fare, as të vdekur.
    Edhe ata që i vranë, nga Paramithia ishin?
    Po, po, nga Paramithia. Ishin të njohur dhe me shumë prej tyre dikur kishin qenë shokë.
    Nga i mësuat juve?
    Po na treguan menjëherë se kush kishin qenë më kryesorët. Sepse ashtu siç kishte njerëz të këqij kishte dhe njerëz të mirë. Vetë paramithjotët na folën dhe na treguan edhe se si kishte ndodhur ngjarja, sepse shumë prej atyre djemve që kishin qenë në vendngjarje e treguan menjëherë.
    Mund t'i kujtoni me emra për sa mësuat se kanë qenë në vrasjen e vëllezërve tuaj, meqenëse flitet për njerëz të Paramithisë. I mbani mend sot?
    Ne i mësuam që në atë moment. Ishte Koço Dako, i cili u vra më mbrapa në provokacionet e gushtit në Gjirokastër; Dhimo Kasari; një djalë nga fisi Bollshi të cilit s'ia mbaj mend emrin se kanë kaluar vite, por që atëherë i mësuam më të shumtit menjëherë.
    Por këtu në këtë subjekt ishte tragjedia tjetër, se në shtëpi ishte gjermani që nuk na linte të bënim nderet e vëllezërve pa jetë.
    Pse, si vepronin?
    Ata nuk na linin as të qanim dhe aq më shumë të merreshim me kufomat. Madje vinin në dhomën tonë ku ishim mbledhur për të vajtuar dhe na çonin nga vendi dhe na thonin se iu prishëm qetësinë dhe duhej të pushonim. E pra, ai gjermani që na akuzonin se bashkëpunonim, nuk na linte as të qanim të vdekurit e familjes që ishin tre djem azganë. Ju thatë se i kishim lënë në shtëpi kur ata e kishin zaptuar atë, por që nuk kishin hyrë kudo. Ata duhet të kenë qenë siç të thashë komandantët, sepse vetëm aty rrinin.
    Si nuk ju linin? A e dinin ata se cilët ju kishin vdekur?
    Trupat e pajetë ishin në oborr, ndërsa ata i binin fizarmonikës pa ua bërë syri tërr fare. Ata kërcenin me fizarmonikë ndërsa neve na dridhej trupi.
    Dhe sa ndenjën aty?
    Jua thashë që gjermanët ndenjën rreth një vit, deri në ditën që hynë kriminelët e rinj të kryekriminelit Napoleon Zerva. Ishte fillimi i qershorit 1944. Data duhet të ketë qenë 27 qershor në s'jam e gabuar, për shkak të më shumë se 65 vjetëve që kanë kaluar nga ajo kohë dhe saktësitë e mëdha sikur më bezdisin moshën e thyer që kam. E mbaj mend mirë që ishte ditë e martë ashtu siç mbaj që ishte fillim qershori, këtë për faktin se sa kishim korrë grurin dhe kishim hedhur bukën e re në hambar. Nuk e kishim provuar akoma kur erdhën të zinjtë të nxinin shpirtrat tanë. Se atëherë buka e re fillonte me ceremoni, madje edhe me festa familjare. Nuk prekej gruri i ri po s'u pagëzua në mënyrë festive. Ishte një farë mënyre respekti për djersën dhe për zotin që na mundësoi të mbushnim hambarët.
    Si nisi saktësisht?
    Natën kur do të hynin njerëzit e Zervës ikën gjermanët. Ata ikën që në pasdite dhe na thanë që do të na thernin grekët që do të vinin po të merrnim masa. Të iknim fare. Ne në të vërtetë nuk i morëm shumë seriozisht ato që na thanë. Nuk e di, por nuk më zinte gjumi dhe kisha dalë në ballkon. Ka qenë ora aty te 01 e natës kur ç'të të them, ç'më shikonin sytë. Shtëpia jonë ka qenë në të dalë të Paramithisë ku më tutje vjen shpati me ullinj apo ullishtja e Karakojit që i thonë. Ishte nxirë vendi nga ushtarët. Ata ishin ulur dhe ecnin ashtu të ulur për të mos u kuptuar. Afroheshin këmbadoras si pulat. Por nuk ishin një e dy, por mizëri. Të paktën kështu mu dukën mua. I ke parasysh ato milingonat që mbulojnë trungun e një lisi të prerë që nxin çdo gjë? Ashtu dukeshin dhe ata.
    Vepruan menjëherë?
    Zotëruan qytetin. Mëngjesi shikoheshin kudo ushtarët e Zervës që nuk linin mëdyshje se diçka e rëndë do të ndodhte. Gjithsesi ditën e parë nuk vepruan. Të gjithë ishim të terrorizuar. Nuk kishim bërë asnjë gabim dhe të vetmin mëkat që kishim se ishim myslimanë. Pra nuk ishim kaurë. Ndërsa më mbrapa u dëgjua shumë se bashkëpunuam me gjermanin. Edhe të donim të bashkëpunonim nuk na donte gjermani ne, por ajo që ndodhi mbi ne ishte një pastrim i pastër ndaj atyre që nuk ishin kaurë. Pasi ata nuk pyetën të theksova as foshnjat dhe jo më të mendonin për të mëdhenjtë. Pse foshnjat ishin bashkuar me gjermanin? E që ta kisha fjalën te mëngjesi i asaj dite të 27 qershorit menduam të gjithë se çfarë mund të bënim. Im shoq Tahiri atë ditë u nis në Janinë për ti shpëtuar asaj që pritej.
    Po ju thoni se kuptonim, por nuk ishim të saktë se çfarë do të ndodhte?
    Nuk kishte dyshim që ata do të fillonin terrorin. Nuk kishte dyshim se do të vrisnin burrat, por nuk e mendonim se do të merreshin dhe me gratë dhe fëmijët. Prandaj rendën burrat të shpëtonin me këmbë. Mirëpo Tahiri ndërsa do të niseshin u pendua që po na linte vetëm dhe desh u kthye. Më mirë që s'u kthye se nuk do të ishte i gjallë më.
    E thoni me garanci këtë?
    Po, po me bindje të plotë. Nuk ngeli i gjallë as një burrë duke filluar me hoxhën e priftin e deri te burri më i largët, madje dhe te ata që kishin qenë pari e qytetit. Jo vetëm i ekzekutuan, por i masakruan të gjallë derisa jepnin shpirt. Kështu që Tahiri nuk do të jetonte po të kishte ndenjur siç bëri planin më mbrapa. Por ishin dy miqtë e tij të quajtur Musa Breberi dhe Muharrem Prrenjasi ata që e detyruan.
    Si e detyruan?
    Në fillim ai e vendosi me ta që do të iknin së bashku në Janinë. Pastaj nga dreka kur e ktheu planin ata i thanë që pa ty ne nuk kemi ku shkojmë, por hajde me ne se para se të të vras kauri do të të vrasim ne se e dimë që nuk do të shpëtosh. Dhe kështu iku. Ndërsa unë që në mëngjes, që zbarkuan forcat e Zervës siç të thashë në fillim që ditën e parë nuk vepruan, por verifikuan edhe vunë shtetrrethim duke kontrolluar gjithçka. Unë me porosi të vjehrrës për ti shpëtuar ndëshkimit që në mëngjes u nisa për te shtëpia e kushëririt tim, i cili kishte pasur marrëdhënie të mira me grekët. Pra, jepte e merrte me ta dhe menduam se aty nuk do të na ndodhte gjë.
    Nënë Zeqije, kemi thënë që duhet të flasim me emra dhe mbiemra me qëllim që të kuptohet se ngjarjet që po tregohen janë saktësisht të vërteta. Pra, si quhej kushëriri yt ku shkuat?
    Quhej Qazim Rexhepi. Unë aty vajta me gocën time vetëm dy vjeçe mbase kushedi se nuk e preknin shtëpinë e tij. Unë isha siç të thashë vetëm 18 vjeçe. Atje gjeta dhe nënën time. Për çudi në drekë erdhën paria, apo drejtuesit e ushtarakëve që kishin zbarkuar për gjakun çam në qytet. E më e madhja ishte se bashkë me ta ishte dhe vrasësi i vëllait tim dhe i vëllezërve të burrit që të shpjegova që i vranë një vit para masakrës forcat e Zervës kur donin tu grabisnin bagëtinë.
    Kush ishte ky?
    Ky ishte Vasillaq Kokori. Ne e dinim emrin, por si fytyrë nuk e njihnim. Madje në një rast kur hyri te porta ai i tha të zotit të shtëpisë për nënën time se kush është kjo zonja. Qazimi i tregoi që është filania. Ajo i tha që jam nëna e Eqerem Katit që ma vrau Vasillaq Kokori. Por ai ishte vetë Vasillaq Kokori. Ai si e dëgjoi që tha kështu iu përgjigj se nuk ta kam vrarë unë djalin. Dhe iku. Kjo u trondit kur pa vrasësin e të birit që do drekonte me kushëririn tonë. Por nuk ishte thënë që të mbroheshim aty. Sepse kjo ishte veç një utopi. Gjaku i dalë nga tehu i thikës së grekut o bir, mbushi rrugë dhe rrugica. Kudo ku shkoje shikoje kufoma fëmijësh dhe burrash. Grash dhe vajzash. Si kam shpëtuar nuk e di. Kanë dashur të më vrasin disa herë. Më kanë çuar mbi varrin e hapur shokët e klasës sime dhe më kanë ulur kokën mbi të për të më goditur me pistoletë pas koke, ndërkohë që vajza dyvjeçare ishte lebetitur. Ata vetëm njerëz nuk ishin por çdo gjë mund tju thoje. Unë ula kokën dhe prisja të më qëllonin, por ishte vetëm kujtesa e vjehrrës që u tha se kishte fshehur dhe diku ca flori që na lanë.
    (Vijon nesër)

    (el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

  2. #2
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    19 Maj 2012 - 08:54 | Shqiperi

    Zeqije Nuri: Kriminelët e Zervës më futën në varr të gjallë me vajzën dy vjeçe

    Nga: FATOS VELIU


    TIRANË- Zeqije Nuri tregon historinë e jetës së vet, në kohën kur filloi masakra e madhe e forcave greke, të drejtuara nga Napoleon Zerva mbi Çamërinë e pambrojtur. Ajo dëshmoi se atëherë kur filloi masakra, jetonte në qytetin e Paramithisë në Çamëri, ku nisi pikërisht historia e përgjakshme. Atëherë ishte vetëm 18 vjeçe dhe kishte një foshnjë dy vjeçe. Në këto kushte dhe në këtë gjendje, asaj i duhej të përballonte turmat e elektrizuara të Zervës, të cilat plaçkitnin, torturonin dhe vrisnin si pa gjë të keq, sa që e kthyen qytetin në "kënetë" gjaku dhe kufomash, pa përjashtuar jo vetëm gratë, por as plakat dhe fëmijët. Kështu dhe Zeqija me foshnjën e vogël dhe vjehrrën e saj, u shpëtuan pothuajse kot vdekjes së sigurt. Një grup kriminelësh i çuan dhe ato te një varr i parapërgatitur dhe desh i vranë, sikur të mos i ishin gjendur vjehrrës disa monedha ari të fshehura diku. Por më e tmerrshmja për Zeqijen ishte se ajo përjetoi djegien tragjike të kunatës së saj, të cilën, si e lyen me benzinë, i vunë flakën para fëmijëve. Ata shikonin mes asaj llahtarie nënën e tyre teksa digjej me shpejtësi, pa mundur të bënin gjë se ishin të mitur. Në mes këtij terrori dhe gjakderdhjeje, Zeqija përfundoi në burg. Ishte fati i saj, që njëri nga grupet greke që i shkoi për kontroll, pikërisht në momentet kur ajo s'kishte asgjë më për të paguar, nuk i kërkoi fillimisht të holla për ta grabitur, se ndryshe do të përfundonte si kunata e vet. Ata e morën për në burg. Aty ajo u përball me tmerre edhe më të mëdha. Sa shkoi, pa se si grekët vranë një shokun e tyre, po grek, vetëm për faktin se simpatizonte Shqipërinë. Si burgje ishin sajuar shtëpitë e çamëve, të cilët i kishin vrarë apo i kishin izoluar. Në gjithë Paramithinë bëheshin me dhjetëra shtëpi të kthyera në burgje, të cilat ishin mbipopulluar në mënyrë të jashtëzakonshme nga gratë çame. Edhe në burgun që u vendos Zeqija, gratë rrinin shumë të ngjeshura. Ato vdisnin përditë nga të pangrënët, nga pisllëku dhe nga sëmundjet. Po si ndodhi që 18-vjeçarja Zeqije Nuri të priste para varrit të hapur me foshnjën dy vjeçe në duar, që të ekzekutohej nga kaçakët e Zervës që ë kishin vënë pistoletën pas koke. Historia e kunatës së Zeqije Nurit, e cila u dogj e gjallë e lyer me benzinë, në oborrin e shtëpisë, para dy fëmijëve dy dhe tre-vjeçare, që e shikonin të lebetitur teksa shkrumbohej. Vendet e posaçme, si shkolla e qytetit, që u caktuan për të masakruar dhe vrarë njerëzit e pafajshëm të Paramithisë.
    (Intervista e plotë dhe fakte interesante sot në Gazeta Shqiptare)
    (el.me/BalkanWeb)

  3. #3
    Eshte fatkeqesi kombetare qe nje krim kaq mizor ne mes te Evropes mbahet ende i pazgjidhur. Turpi me i madh sigurisht qe tek Greqia mbetet, por nje turp thuajse aq te madh ka dhe Shqiperia qe e mban te ngrire kete ceshtje. Besoj se shume came te fillim shekullit te kaluar do te ishin penduar 1000 here qe pranuan te ruanin identitetin shqiptar po ta dinin se si do te kujdesej shteti ame per ta. Nuk i bej me faj nje pjese te Himarjoteve qe e kane me permbare te deklarohen greke sesa shqiptare. Me kete komb te pazote qe ka Shqiperia per te zgjidhur hallet e veta gjithkush do te ndihej i turperuar ne nje pike per identitetin e tij kombetar.
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  4. #4
    i/e larguar Maska e ionian
    Anëtarësuar
    27-12-2002
    Vendndodhja
    *
    Postime
    200
    Kur degjon histori te tilla me e pakta eshte te thuash qe te vjen keq. Une kam nje tjeter shqetesim ne lidhje me kete ceshtjen came.I kam degjuar te dya versionet si nga ana greke dhe nga ajo shqiptare. Greket i akuzojne si bashkpunetore te pushtuesve italiane dhe me pas gjermane. Sa e vertete eshte? I akuzojne gjithashtu se ajo qe u be kunder cameve ishte nje kunderpergjigje nga ana e Zerves per krimet ishin bere kunder popullsise greke? Ku qendron e verteta? Edhe ne shkrimet e mesiperme historia fillon kur forcat greke hyne ne cameri. Nese ka ndonje qe vertete e ka lexuar dhe e njeh mire kete ceshtje do isha kureshtar ta mesoja.

  5. #5
    Citim Postuar më parë nga ionian Lexo Postimin
    Kur degjon histori te tilla me e pakta eshte te thuash qe te vjen keq. Une kam nje tjeter shqetesim ne lidhje me kete ceshtjen came.I kam degjuar te dya versionet si nga ana greke dhe nga ajo shqiptare. Greket i akuzojne si bashkpunetore te pushtuesve italiane dhe me pas gjermane. Sa e vertete eshte? I akuzojne gjithashtu se ajo qe u be kunder cameve ishte nje kunderpergjigje nga ana e Zerves per krimet ishin bere kunder popullsise greke? Ku qendron e verteta? Edhe ne shkrimet e mesiperme historia fillon kur forcat greke hyne ne cameri. Nese ka ndonje qe vertete e ka lexuar dhe e njeh mire kete ceshtje do isha kureshtar ta mesoja.
    Krimet ndaj popullsise came kane filluar qe para se te egzistonin nazistet dhe fashistet, qe ne vitet 20. Poashtu menyra sesi ti e nderlidh krimin me faktet ne kete ceshtje duke shtruar pyetje rreth krimeve te cameve ndaj grekeve, do te ishte njelloj sikur te pyesnim "A ka bere krime UCK-ja ne Kosove ndaj serbeve qe u be spatrim etnik tek shqiptaret?". Po UCK me siguri do te kete bere krime (elemente te saj jk gjithe UCK-ja), por a meritonte nje popull i tere te ndeshkohej? Kjo eshte e vetmja pyetje e llogjikshme qe mund te behet edhe ne rastin e cameve.
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  6. #6
    i/e larguar Maska e ionian
    Anëtarësuar
    27-12-2002
    Vendndodhja
    *
    Postime
    200
    Citim Postuar më parë nga brooklyn2007 Lexo Postimin
    Krimet ndaj popullsise came kane filluar qe para se te egzistonin nazistet dhe fashistet, qe ne vitet 20. Poashtu menyra sesi ti e nderlidh krimin me faktet ne kete ceshtje duke shtruar pyetje rreth krimeve te cameve ndaj grekeve, do te ishte njelloj sikur te pyesnim "A ka bere krime UCK-ja ne Kosove ndaj serbeve qe u be spatrim etnik tek shqiptaret?". Po UCK me siguri do te kete bere krime (elemente te saj jk gjithe UCK-ja), por a meritonte nje popull i tere te ndeshkohej? Kjo eshte e vetmja pyetje e llogjikshme qe mund te behet edhe ne rastin e cameve.
    Po ne lidhje me bashkpunimin qe bene me pushtuesit italiane dhe ata gjermane?
    Mesa di edhe partizanet shqiptare kane ekzekutuar came qe kishin dale hapur pro gjermaneve ne fuften e dyte boterore. Sido qe te jete besoj se ishte tjeter kohe tjeter mentalitet dhe te tjera kushte. Perpjekja per te shpjeguar ngjarje (te dhimbshme) te ndodhura para 60 vjetesh me logjiken e sotme te gjerave me duket e pakuptimte dhe e nxitur nga qendra te caktuara me interesa te caktuara.
    Nuk mund te kuptosh logjiken e kohes se luftes me ate te kohes se paqes

  7. #7
    Citim Postuar më parë nga ionian Lexo Postimin
    Po ne lidhje me bashkpunimin qe bene me pushtuesit italiane dhe ata gjermane?
    Mesa di edhe partizanet shqiptare kane ekzekutuar came qe kishin dale hapur pro gjermaneve ne fuften e dyte boterore. Sido qe te jete besoj se ishte tjeter kohe tjeter mentalitet dhe te tjera kushte. Perpjekja per te shpjeguar ngjarje (te dhimbshme) te ndodhura para 60 vjetesh me logjiken e sotme te gjerave me duket e pakuptimte dhe e nxitur nga qendra te caktuara me interesa te caktuara.
    Nuk mund te kuptosh logjiken e kohes se luftes me ate te kohes se paqes
    Ceshtjet e luftes zgjidhen me llogjiken e paqes, si fillim. Tjetra, nese ti je ne dijeni te fakteve te bashkepunimit te cameve me gjermanet bujrum, silli ne forum. Heren e fundit qe dikush solli "fakte" mbaj mend qe fakte quante foto te montuara qellimisht. E treta, te thashe dhe me pare qe me siguri do te kete pasur edhe nder came bashkepunetore te Gjermanit dhe Italianit, ashtu sikurse ka pasur dhe Greke, Shqiptar Shqiperie e Kosove, Serb, Bullgar etj. Me thuaj nje rast kur nje popullsi e tere eshte konsideruar bashkepunetore. Kur kryhet nje krim ne mase dhe kerkohet drejtesi nuk parashtrohen te tilla pyetje "A ka bashkepunuar camet me pushtuesit?". Te tilla pyetje e gjejne zgjidhjen nga historianet. Drejtesine e vene njerezit qe udheheqin shtete dhe institucionet e drejtesise.
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  8. #8
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Citim Postuar më parë nga ionian Lexo Postimin
    Po ne lidhje me bashkpunimin qe bene me pushtuesit italiane dhe ata gjermane?
    Mesa di edhe partizanet shqiptare kane ekzekutuar came qe kishin dale hapur pro gjermaneve ne fuften e dyte boterore. Sido qe te jete besoj se ishte tjeter kohe tjeter mentalitet dhe te tjera kushte. Perpjekja per te shpjeguar ngjarje (te dhimbshme) te ndodhura para 60 vjetesh me logjiken e sotme te gjerave me duket e pakuptimte dhe e nxitur nga qendra te caktuara me interesa te caktuara.
    Nuk mund te kuptosh logjiken e kohes se luftes me ate te kohes se paqes
    Sipas logjikes tende i bie qe tani te fillojme te therim nga i pari te i fundit, te gjithe greket, pasi ka pasur shume bashkepunetore greke me gjermanet, dhe gjithashtu shume greke kane bashkepunuar dhe me Stalinin qe ishte i njejte, ne mos me shume, kriminel se Hitleri.

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-01-2011
    Postime
    713
    Duhet bërë dallimin mes kriminelit dhe banorit të rëndomë të një shteti.Nuk duhet trajtuar njësoj ato,sepse veprat janë ato që argumentojnë dënimin.

  10. #10
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    19 Maj 2012 - 15:54 | Shqiperi



    Zeqije Nuri: Kriminelët e Zervës më futën në varr të gjallë me vajzën 2-vjeçe

    Nga: FATOS VELIU


    TIRANË- Zeqije Nuri tregon historinë e jetës së vet, në kohën kur filloi masakra e madhe e forcave greke, të drejtuara nga Napoleon Zerva mbi Çamërinë e pambrojtur. Ajo dëshmoi se atëherë kur filloi masakra, jetonte në qytetin e Paramithisë në Çamëri, ku nisi pikërisht historia e përgjakshme. Atëherë ishte vetëm 18 vjeçe dhe kishte një foshnjë dy vjeçe. Në këto kushte dhe në këtë gjendje, asaj i duhej të përballonte turmat e elektrizuara të Zervës, të cilat plaçkitnin, torturonin dhe vrisnin si pa gjë të keq, sa që e kthyen qytetin në "kënetë" gjaku dhe kufomash, pa përjashtuar jo vetëm gratë, por as plakat dhe fëmijët. Kështu dhe Zeqija me foshnjën e vogël dhe vjehrrën e saj, u shpëtuan pothuajse kot vdekjes së sigurt. Një grup kriminelësh i çuan dhe ato te një varr i parapërgatitur dhe desh i vranë, sikur të mos i ishin gjendur vjehrrës disa monedha ari të fshehura diku. Por më e tmerrshmja për Zeqijen ishte se ajo përjetoi djegien tragjike të kunatës së saj, të cilën, si e lyen me benzinë, i vunë flakën para fëmijëve. Ata shikonin mes asaj llahtarie nënën e tyre teksa digjej me shpejtësi, pa mundur të bënin gjë se ishin të mitur. Në mes këtij terrori dhe gjakderdhjeje, Zeqija përfundoi në burg. Ishte fati i saj, që njëri nga grupet greke që i shkoi për kontroll, pikërisht në momentet kur ajo s'kishte asgjë më për të paguar, nuk i kërkoi fillimisht të holla për ta grabitur, se ndryshe do të përfundonte si kunata e vet. Ata e morën për në burg. Aty ajo u përball me tmerre edhe më të mëdha. Sa shkoi, pa se si grekët vranë një shokun e tyre, po grek, vetëm për faktin se simpatizonte Shqipërinë. Si burgje ishin sajuar shtëpitë e çamëve, të cilët i kishin vrarë apo i kishin izoluar. Në gjithë Paramithinë bëheshin me dhjetëra shtëpi të kthyera në burgje, të cilat ishin mbipopulluar në mënyrë të jashtëzakonshme nga gratë çame. Edhe në burgun që u vendos Zeqija, gratë rrinin shumë të ngjeshura. Ato vdisnin përditë nga të pangrënët, nga pisllëku dhe nga sëmundjet.
    Po si ndodhi që 18-vjeçarja Zeqije Nuri të priste para varrit të hapur me foshnjën dy vjeçe në duar, që të ekzekutohej nga kaçakët e Zervës që ë kishin vënë pistoletën pas koke.
    Historia e kunatës së Zeqije Nurit, e cila u dogj e gjallë e lyer me benzinë, në oborrin e shtëpisë, para dy fëmijëve dy dhe tre-vjeçare, që e shikonin të lebetitur teksa shkrumbohej.
    Vendet e posaçme, si shkolla e qytetit, që u caktuan për të masakruar dhe vrarë njerëzit e pafajshëm të Paramithisë.
    Burgosja e Zeqije Nurit në ambientet e policisë dhe torturat që i bëheshin grekut që bërtiste "Rroftë Shqipëria", deri sa e therën si të ishte bagëti.

    (Vijon nga numri i kaluar)

    Zonja Zeqije, thatë se në ditët e masakrës së përgjakshme çame keni qenë vetëm 18 vjeçe, apo jo?
    Siç edhe t'u shpreha në intervistën e kaluar, gjithçka rreth asaj llahtarie filloi në 27 qershor të vitit 1944 dhe vazhdoi jo pak kohë, por deri në disa muaj, ku mori mes torturash jetët e shumë e shumë njerëzve, jo vetëm të burrave por edhe të grave dhe fëmijëve. Unë nuk mund të flas dot tamam more djalë, se më dridhet trupi për ato që më panë sytë dhe më dëgjuan veshët, sa dhe tani them me vete për grekët, se si mund të arrijë njeriu në atë lloj feje sa të barbarizojë dhe foshnjat. Këtë desh e pësova dhe unë me vajzën time, kur më çuan mbi varr dhe kot më kthyen prapë në jetë. Unë, siç ta kam thënë, është e vërtetë se isha vetëm 18 vjeçe dhe kisha një vajzë vetëm dy vjeçe. Mes gjithë asaj barbarie që na kish kthyer në njerëz të mpirë, duke mbajtur hijen e vdekjes çdo çast mbi kokë, mësova vetëm kaq, se gjithçka që ndodhte përreth e organizonte vetëm një njeri me emrin Napoleon. Ai, siç thoshin, ishte shprehur shumë herët se "myslimanëve nuk do t'ju lë as macet të marrin frymë". Dhe vërtet, ashtu siç tha, ashtu edhe e bëri. Arriti të merret dhe me gratë dhe fëmijët e pambrojtur të Çamërisë.
    E lamë intervistën e numrit të kaluar, në momentin e ditës së parë që hynë forcat e Zervës në Paramithi, - e cila ishte dhe sinisja e masakrës së madhe gjakatare që mund të bënte raca njerëzore, - kur ju shkuat për t'u mbrojtur te kushëriri juaj që kishte marrëdhënie shumë të mira me njerëzit e origjinës greke. Si vijoi më tej ngjarja?
    Ata hynë gjatë natës; unë i pashë aty rreth orës 01.00 pas mesnate teksa ecnin këmba-doras duke u afruar në shpatin e kodrës me ullishte që e quanim Karakoj. Në mëngjes e vunë situatën në kontroll dhe dukej që po përgatiteshin për "dasmë" të madhe, se kërkonin tërë njerëzit t'i bënin kurban. Unë siç e thatë, shkova së bashku me vajzën time vetëm dy vjeçe në duar në shtëpinë e kushëririt tim të quajtur Qazim Rexhepi, me idenë se shtëpinë e tij nuk mund ta preknin njerëzit e Zervës, se ai kishte pasur marrëdhënie shumë të mira me ta. Por ajo miqësi me të pabesët do të ishte vetëm ditën e parë, se pastaj ata nuk do të kishin mëshirë as për mizat. Të kujtosh ata grekë në ato momente të kujtohet ajo shprehja e vjetër që thotë: "Kur njoha njeriun desha me shumë kafshët", sepse ata njerëz qelbën racën njerëzore. Aty te shtëpia e kushëririt gjeta dhe nënën time, por për çudi atë drekë te ai kishin ardhur paria e grekëve. Ishte dhe kryekrimineli i familjes sonë, që një vit më parë më kishte vrarë vëllain tim, Eqeremin. Ai quhej Vasillaq Kokori. Madje aty pa dhe nënën time, dhe i tha se s'ia kishte vrarë ai djalin, por ai donte të vriste atë, pra Vasillaqin. Unë isha atje dhe ata nuk më njihnin, ndërkohë që po më kërkonin. Burri im në këtë kohë kishte mbërritur me dy miqtë e tij, Muahrrem Prronjon dhe Musa Berberin në Janinë, se e mësoi se ata nuk do të linin këmbë mashkulli pa copëtuar dhe pa e bërë thela- thela në tepsi, ashtu siç dhe bënë.
    Ndenjët shumë në shtëpinë e kushëririt?
    Nuk ndenja shumë, deri pasdreke. Kisha merak për vjehrrën dhe për vajzën e vogël, Serin. U nisa për në shtëpi. Kalova rrugicave dhe bah-çeve dhe përfundova deri te shtëpia. Nuk dinim ç'të bënim. Kishte rënë një erë e rëndë vdekjeje. Ishim ve-tëm. Në shtëpi kishin ardhur dhe dy komshijet tona të quajtura Vasfija dhe Zubideja, si dhe kunata ime që të nesërmen u dogj e gjallë me benzinë, ndaj u mblodhëm bashkë në darkë.
    Si quhej kunata?
    Kunata ime, që ishte ndërkohë edhe kushërirë e parë imja, vajza e hallës, quhej Sanija. U mblodhëm pra, bashkë, të gjitha atë natë. Por nuk vonoi dhe filloi ulërima. Ç'të dëgjoje, ulërima grash që vazhduan tërë natën. Llahtari. Në darkë erdhën disa ushtarë grekë edhe në shtëpinë tonë dhe na thanë se donin flori me patjetër, se ndryshe do ta pësonim. Ne sigurisht i dhamë ato që kishim. Ç'na ndodheshin, bizhuteri, byzylykë, unaza e çdo gjë që na ndodhej.
    Por u thamë atyre se si do të bënim nëse do të vinin të tjerë. Ai na u përgjigj se atë natë do të ishin ata në atë zonë dhe nuk na prekte njeri, se kishim paguar. Kështu, atë natë ndërsa nuk na preku njeri, dëgjonim llahtarinë në të gjithë qytetin.
    Çfarë u bënin?
    I grabisnin, kush nuk jepte flori e vrisnin, i vrisnin fëmijën në sy apo e përdhunonin. Nuk e di as vetë se si kam shpëtuar në një situatë të tillë. Ndoshta nga interesi që kishte treguar Zerva, duke u shprehur se do të martohej me mua apo ku ta di unë, se atë ma ka thënë kur isha në spital. Por ku ta di unë, në atë çast s'e mendoj se erdhi rastësisht te unë dhe më kërkoi të martoheshim. Por unë i tregova vendin, ndërkohë që njerëzit e tij po më çanin fytin aq sa filloi të më rridhte gjaku, (tregon me dorë mjekrën me shenjë të bërë dikur ndërsa kundërshtonte Zervën). Por të kujtoj atë natë të parë që e gdhimë nën britma dhe llahtari, ulërima dhe klithma. Erdhi mëngjesi dhe dola në rrugë të shikoja se çfarë bëhej. Pashë priftin e hedhur në ferrë, të masakruar dhe të zhveshur. Më tutje, anë një kthese ku ishte çezma e lagjes, ishte një grua rreth të 30-tave e vrarë dhe krahë saj vajza 9-vjeçare po ashtu e vdekur. Dukej që u ishte marrë jeta barbarisht. Dridhesha dhe një panik më kishte mbërthyer. Ika për te qendra kur ç'të shikoj o djalë. Vetëm therje. Burrat që kishin guxuar të rrinin si rezultat i marrëdhënieve të mira që kishin pasur me grekët, madje dhe për shkak të detyrave që kishin kryer në qytet, jo vetëm që i kishin vrarë por dhe i kishin bërë copash të gjallë. Isha dhe me vjehrrën dhe vajzën. Në një vend na del një grup ushtarakësh, por ata ishin xhahilë. Na kërkuan flori dhe këta, se ndryshe do të na vrisnin. Por ne nuk kishim asgjë dhe nuk dinim se çfarë t'u jepnim. Ata na morën përpara për të na vrarë.
    I njihnit?
    Po ore. Jo vetëm që ishin nga Paramithia, por do të çuditeni më shumë tani që do t'ju them se njëri ishte shoku im i klasës i quajtur Vasili Rafti dhe tjetri ishte mësuesi im dhe i Vasilit, i quajtur Kosta Zhango. Ata që mund ta lexojnë shkrimin besoj se i kanë njohur apo i njohin.
    Mësuesi dhe shoku yt i klasës?
    Po, po. Kërkonin florinj. Nuk donin të dinin dhe nuk të njihnin fare. Më morën mua dhe vjehrrën time të shkretën e cila deri në fund, pra për pak ditë dha shpirt nga këto vuajtje dhe strese. Madje u çmend para se të mbyllte sytë, se nuk e përballoi dot llahtarinë që i panë sytë. Kështu, ata na çuan te varrezat dhe na vunë para varrit të hapur dhe na shtrinë në tokë me fytyrë drejt gropës. Vajza dy vjeçe u lebetit dhe me zor e shtrëngoja te krahu. Por shoku i klasës dhe mësuesi im nuk donin t'ia dinin. Me ta ishin dhe nja dy-tre maskarenj të tjerë.
    Dhe me fëmijën?
    Po, po, me fëmijën tim, vajzën dy vjeçe. Vjehrra e shkretë u thoshte: "Amani more, në keni perëndi më vrisni mua dhe lini nusen se ka vajzën, çfarë ju ka bërë ajo". Por donte t'ia dinte kush thua?! O florinj ose të tre me fëmijën jeni të futur në fund të kësaj grope. Në këtë kohë ndjeva armën e shokut tim të klasës, Vasil Rafti, që më ishte vënë pas koke gati për të shkrepur. Më dridhej zemra për të shkretën vajzë. (Qan me ngashërim ndërsa kujton qartazi momentin që përshkruan.) Isha bërë si e dehur. Ku ishte fshehur gjithë ai shpirt bishe.
    Po si shpëtuat?
    Në çastin që ai mbushi armën për të qëlluar, vjehrra se si u kujtua dhe i tha se kishte fshehur në një ferrë në një bahçe disa florinj. Në këtë çast ata na çuan dhe e shoqëruan vjehrrën për t'i gjetur. Shkoi e shkreta dhe i gjeti disa vathë, rruaza, monedha e zbukurime grash të florinjta të mbështjella në një leckë dhe jua dha. Pas kësaj ata u ulën si të çmendur dhe bënin ndarjen e tyre me njëri-tjetrin. Kështu na lanë të iknim. Unë i thashë mësuesit tim Kosta Zhango që, "si të bënim tani kur të na kapnin të tjerët, se ne nuk na mbeti më asgjë". Atëherë ai më tha se do të shkoja te shtëpia e një greku të Paramithisë i quajtur Jani Roshaqi dhe atje do të kalonte ai, pra mësuesi të më merrte. Fjalën e kishte të më shpëtonte tani që kisha paguar. Jani Roshaqi e kishte shtëpinë në periferi të qytetit, në dalje të tij. Për të mos më kapur njeri tjetër ai më dha një letër ku shkruante që këtë person të mos e preki njeri, se është nën mbrojtjen time. "Ti do të jesh atje, - më tha ai, - dhe do të kaloj unë të të marr e të të çoj te shtëpia ime". Se ai shtëpinë e kishte në një fshat afër Paramithisë.
    Shkuat?
    Në këtë kohë vjehrra me vajzën kishin ikur për të shtëpia. Vjehrra e gëzuar që shpëtoi Seri dy-vjeçare iku me të, duke e mbështjellë në duar dhe duke nxituar si të ishte vajzë dhe drejt e në shtëpi. Në këtë kohë kisha marrë edhe unë letrën e mësues Kostës që më nxori nga varri vetëm si u pagua dhe mora rrugën drejt nga ishte dhe shtëpia time. Aty thashë të kthehesha te shtëpia ime dhe të shihja se çfarë bëhej me vajzën dhe vjehrrën.
    Të lutem, më përsërit më hollësisht aktin kur donin t'ju vrisnin me vajzën dy vjeçe. Mos po ma ekzagjeroni disi atë histori? Në ç'rrethana ndodhi, edhe një herë? Më falni nëse ju kërkoj sqarime për hollësi, besoj se më kuptoni?
    Pra, si ndodhi që grekët deshën të të pushkatonin me foshnjën dy vjeçe?
    Nuk e kam harruar atë që kam provuar vetë me foshnjën time dy vjeçe, Serin. Jo një herë të më pyesni, por natë e ditë, do ta kujtoj me hollësitë më të vogla dhe më duket sikur më ka ndodhur para një ore.
    (Tregon me dorë të bijën e vet 60-vjeçare të ulur krah saj). Desh ma pushkatuan katilët për hiç gjë.
    Akoma kur e kujtoj dhe sot nuk mundem ta kuptoj se si ata njerëz nuk mundej t'i prekte aspak paniku i një foshnjeje apo ta mendosh se çfarë njeriu mund të jesh që të guxosh t'i drejtosh armën e mbushur foshnjës.
    Ishte dita e dytë si kish filluar terrori dhe plaçkitja. Në të shumtën e rasteve komitët e Zervës na vinin në shtëpi e na vinin tytat e armëve te goja dhe na kërkonin monedhat e florinjta. Në momentin kur unë nuk kisha më asgjë, pasi për 24 orë s'më kishin lënë në shtëpi as çarçafë (pak orë para se të më fusnin në burg), ia behu sërish grupi i kaçakëve mjekroshë të frikshëm, për të cilët të thashë se ishin të njohurit e hershëm tanët, madje mes tyre dhe shoku i klasës dhe mësuesi im. Ata kur panë se s'kisha t'u jepja gjë më morën së bashku me vjehrrën dhe foshnjën time dhe na çuan para një varri të hapur që ndodhej në anë të varrezave. Mbushën armët dhe na i drejtuan për të na pushkatuar dhe as që donin t'ia dinin për të qarat me dënesje të Serit të vogël, e cila dukej sikur po kuptonte ç'po ndodhte rreth saj. Vetëm kujtesa e vjehrrës, se kishte fshehur dhe disa monedha e bizhuteri në një kaçube për një rast të vështirë, na shpëtoi jetën. Në të kundërt nuk do na kishin kursyer.
    Po, dhe pastaj u nisët, siç thatë, me letrën e mësuesit që kishit paguar për në shtëpinë që ai ju rekomandoi, pra të Jani Roshaqit, ku ai do t'ju merrte e t'ju çonte në shtëpinë e tij në një fshat afër Paramithisë. Kështu thatë, apo jo?
    E ç'shtëpi mor djalë, po ç'të bënim. Dihej që ata talleshin dhe të vrisnin por ç'të bënim neve, ku të mbyteshim. Në çdo çast kishte vjedhje, lebetitje, prerje kokash, therje nga fyti, djegie, qëllim pas koke me pistoletë e ç'të të them. Por unë sigurisht, do ta merrja letrën, se kushedi mbase pinte ujë dhe u nisa, por jo për te Jani ku tha Kosta, por për te shtëpia ime. Se siç të thashë, ishte nisur vjehrra me vajzën para.
    Rrugës kur ecja për te shtëpia u ktheva te oborri i kunatës, e cila një natë më parë kishte qenë në shtëpinë tonë. Po ç'të të them o bir. Ajo digjej e gjallë para fëmijëve në oborr të shtëpisë. (Qan me ngashërim teksa kujton episodin në fjalë).
    Pse, si është ngjarja që dogjën kunatën tuaj të gjallë para fëmijëve të saj të mitur?
    Ajo quhej Sanije Nuri. Kishte dy fëmijë të vegjël dhe rrinte si e tmerruar dy ditët që kishte filluar masakra. Më kishte thënë se nuk i dhimbsej fare vetja, por kishte hallin e fëmijëve. Mendimi se në një çast ata mund t'i shihte të vdekur e shkatërronte tërësisht dhe nuk gjente vend ku të futej. Mes kësaj zallahie, në mëngjesin e asaj dite kur desh më vranë dhe mua me foshnjën, (data 27, pra dita e dytë e masakrës), ajo kaloi nga kopshti i komshiut për të arritur në oborrin e tij, se po shikonte që në portën e saj po afrohej një grup kaçakësh. Por ç'të shikonte, edhe atje u gjend mes një grupi tjetër të tillë, të cilët si në çdo rast tjetër i kërkuan monedha floriri, por si nuk morën gjë e lyen të shkretën Sanije me benzinë dhe i vunë flakën të gjallë përpara fëmijëve. Ata ishin lebetitur nga ajo që po shikonin. Banditët shpirtzinj si e panë që shpërtheu në flakë trupi i Sanijes u larguan ngadalë, duke mos e prishur shumë terezinë. Në ato momente kur i kishte mbetur dhe pak jetë, dikush e kishte shuar. Por gjithsesi ajo ishte kthyer në një trung të zi si korbi, ku nuk kishte mbetur asgjë veç shkrumbit. Rrinte e shtrirë duke dhënë frymën e fundit. Fëmijët i rrinin pranë të hutuar. Sanija ua kishte ngulur sytë e përhumbur dhe i shikonte në ato minuta jete që i kishin ngelur, pa mundur të bënte gjë për ta. Në këtë gjendje e gjeta dhe unë. Kur e pashë nuk u besoja syve dhe gati sa s'më ra të fikët. Iu afrova dhe si u ula te veshi i saj i fola me ngadalë: "Sano, kush të bëri kështu? Ma thuaj vetëm mua se s'i them njeriu". Por ajo duke më ngulur sytë me dhimbje më foli shumë ngadalë, duke belbëzuar: "Nuk e di", dhe sërish shikonte fëmijët, të cilët vazhdonin t'i rrinin pranë pa kuptuar ç'do t'i ndodhte nënës së tyre në pak minuta. Megjithëse unë ngulja këmbë me tepër delikatesë për të më treguar atë që e bëri në atë gjendje, pasi e dija se i kishte njohur, ajo vazhdonte të mohonte. E kuptoja që kishte frikë për fëmijët, se mos u ndodhte gjë nga ata katilët po të tregonte. Ajo dhimbjen më të madhe e kishte te fëmijët që po i linte vetëm, se sa te dhimbja që i kishte shkaktuar djegia, që e kishte kthyer në atë lloj trungu të shkrumbosur. Dhe ashtu vdiq, me sytë nga ata të cilët deshi perëndia e i ruajti dhe tani jetojnë mirë, me shtëpi në qendër të Tiranës. Mua ajo skenë nuk më ka dalë dhe as do të më dalë ndonjëherë nga mendja derisa të vdes. Kështu që, dhe në burgun që më çuan, ku muret dhe dyshemeja e dhomave ishin larë në gjak të freskët dhe të bërtiturat e burrave të kapur që po torturoheshin në bodrum po çanin tavanin, asgjë s'më bënte më përshtypje, por rrija ashtu e kruspullosur në rrëzë të murit vetëm duke menduar.
    Thatë se fëmijët e kunatës suaj që u shkrumbua nga grekët duke u djegur e gjallë janë tashmë në Tiranë, madje jetojnë shumë mirë. Ku janë dhe me se merren?
    Ata deshi zoti dhe fati që shpëtuan gjallë. Arritën gjallë në Shqipëri dhe tashmë jetojnë me nder dhe me sakrificë, por që jetojnë mirë. Quhen Fadil Nuri dhe Rako Nuri. Janë biznesmenë, madje kanë ndërtuar pallatin e ri që është bërë së fundmi te tregu i njohur çam.
    Dhe pas kësaj përfunduat në shtëpi, apo në shtëpinë e Jani Roshaqit ku ju kishte rekomanduar mësuesi juaj, i cili ishte kthyer në bandit, hajdut florinjsh dhe kriminel?
    Menjëherë u ktheva në shtëpinë time, ku gjeta në oborrin e saj një tjetër grup kaçakësh, se siç të thashë ata atë punë bënin, bridhnin me armë të mbushura në çdo shtëpi e çdo rrugë, pasi kishin urdhër nga komandanti i tyre, Zerva, që të bënin ç'të donin dhe mbi këdo që të donin, mjaftonte të ishte mysliman. Kështu që dhe në shpëtoje nga njëri grup, përfundoje te tjetri. Nuk dinim ç'të bënim dhe nga të kalonim. Por këtë herë në oborr gjeta jo dokëdo, por një nga komitët e rrezikshëm, që një vit më parë na kishte vrarë në stan vëllain tim dhe dy vëllezërit e burrit dhe pastaj kishte grabitur 700 krerë bagëti për t'i çuar te komitët e Zervës, ai që një ditë më parë kishte qenë te kushëriri im Qazimi Rexhepi për drekë, pra Vasillaq Kokori.
    Të tjerët i njohe, se ka rëndësi kjo dëshmia juaj në këtë çast kur flisni konkretisht me njerëz të veçantë?
    Patjetër që i mbaj mend. Çdo gjë mund të harroj, por ata emra dhe ato fytyra do t'i kujtoj derisa të mbyll sytë. Ishte Vasillaq Kokori, gjeta gjithashtu ustain që kishim pajtuar sa herë kishim probleme të rregullimit të shtëpisë dhe i treti ishte Ilia Mandi, po nga Paramithia.
    Vasillaqi, sa na pa që hyra në oborr, foli me qesëndi dhe me një kapadaillëk të pështirë: "O, o, … ja na erdhi dhe madama e Taho Nures. Pa hajde këtu, se nuk kam lënë vend pa të kërkuar… . Po atë trimin ku e ke, apo të ka lënë vetëm?( E kishte fjalën për burrin tim). Hajde nisu para për në komandë", dhe pas kësaj nuk ma bënë të gjatë por më vunë përpara. Shyqyr që s'më vunë dhe këta kusht që të kisha flori, se e kisha vdekjen e sigurtë pastaj. "Hajde me ne", - tha Vasillaqi, megjithëse e pa letrën e Kostës. Në këtë çast i thashë se kisha vajzën brenda me vjehrrën, por ai m'u përgjigj se do të më shpëtonte dhe se vajza nuk ishte imja por e Nures. Nuk kisha ç'të bëja, e ndoqa nga mbrapa ndërkohë që më kishin rrethuar të tjerët. Kur kalova te çezma i thashë që të pija pak ujë se isha tharë. Më lejoi, por mua nuk më shkonte uji në grykë. Nuk e di, doja ta kaloja dhe nuk më kalonte poshtë. Pas kësaj, më thanë që të vazhdoja rrugën se s'kishin ç'të më bënin, por gjithnjë duke më thënë se do të më mbronte. Rrugës kur ecte ndeshej me komitë mjekroshë dhe i thonin "Ta gëzosh", ndërkohë që ai ua kthente me "faleminderit". Mua më thoshte që mos ta vrisja mendjen se thonin ashtu, se ushtarë të ardhur nga lufta ishin. Në fund më çoi në Polici, ku kati i dytë ishte kthyer në burg për çamet. Kështu, pas dy ditëve me ankth, kur kisha parë dhjetëra vdekje dhe tortura dhe kur në shtëpi nuk më ngeli më asnjë leckë, përfundova në burg.
    Pra, ju hëngri në besë Vasillaqi, apo jo?
    Po pra. Atje bëri një akuzë, se ne kishim dashur t'i vrisnim ata, se burri im kishte dashur të vriste gruan e tij etj. etj., ku i mbaj mend maskarallëqet e atij njeriu. Më la aty dhe iku. Aty, ndërsa rrinim në katin e dytë, dëgjonim torturat dhe tmerret e burrave që i vrisnin në katin e parë apo bodrume të policisë. Vetëm thirrje dhe ulërima dëgjoje "Ooooooo". Në qeli ishte dhe një grek, që e kishin futur vetëm se simpatizonte shqiptarët dhe Shqipërinë. Por atë vetëm për këtë gjë e copëtuan. Pra e vranë fare.

    (Vijon nesër)

    (el.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •