Gazeta Shqiptare, 29/06/2012
Qarkullimi ciklik i gënjeshtrës
Nga Kiço Blushi
Ka njerëz që gënjejnë pa e kuptuar që po gënjejnë. Kam njohur të tjerë që e përdorin gënjeshtrën si armë vetëmbrojtëse ose përfi tonjëse me një guxim kinse të dëlirësuar si prej shenjtori të paqënë, teksa të shohin në sy për të verifikuar: Mos vallë ti, teksa po i dëgjon, dyshon në sinqeritetin e tyre? Ndërkohë që gënjejnë, ngjan sikur tërë qënia e tyre është gati të hidhet në sulm: I ziu ti po nuk më besove! Vitet e fundit kjo sërë rrenacakësh profesionistë është pjelloruar më së shumti mes krerëve të politikës. Gënjeshtra dhe mashtrimi quhen politikë e suksesit. Nëpër parti e nëpër qeveritë lokale, e sidomos n’atë qendrore, ata që dalin e gënjejnë publikisht pa iu dridhur buza e syri, bëjnë hajër e prokopi. Tani kemi edhe institucione e krerë institucionesh të varura e të pavarura, TV-ra, KQZ-ra, OJF-ra e gjykata që provojnë dhe mbrojnë si të vërtetë të kulluar gënjeshtrën me “argumente, shifra dhe fakte”.
Gënjeshtra publike është bërë institucioni më qënësor dhe më funksional i shoqërisë.
Nëse në rastin e parë kemi të bëjmë me mitomanë, me të sëmurë, të cilët nuk ka pse të bëhen me faj për shkak të sëmundjes, të dytët janë mashtrues profesionistë e të vetëdijshëm, shoqërisht të rrezikshëm sepse këta besojnë dhe përpiqen, sa u jepet rasti, që me ndihmesën e gënjeshtrës jo vetëm të bishtnojnë e të shtrembërojnë të vërtetën, por me mashtrim e hilera të sjellin një realitet që nuk ekziston. Nuk ka asnjë rast tek ne që një zyrtar, politikan, aq më pak një kryetar partie të jetë ndëshkuar apo të ketë dhënë dorëheqje se ka gënjyer. Është tepër e vështirë sot të dallosh, të kërkosh, të gjesh e mbrosh publikisht të vërtetën. Nuk ka veprimtari publike më të rrezikshme se lufta për të vërtetën. Kjo vihet jo vetëm nëpër blogje të internetit ku injorantët dhe skllevërit e lindur, të fshehur pas anonimatit, përbaltin e poshtërojnë këdo që ka respekt për Fjalën e lirë, por sidomos nëpër gjyqe kur dëshmitarët, ngaqë janë lënë të pambrojtur e të pasigurt, jo vetëm që nuk e thonë dot të vërtetën, edhe nëse e kanë parë vrasësin e familjarit të tyre, e kanë më kollaj të bëjnë vetëgjyqësi, se të pohojnë krimin.
***
Klima sunduese e gënjeshtrës i bën qeveritarët e të gjitha niveleve të besojnë se ata mund ta hedhin më kollaj lumin, mund të mbeten përjetësisht në pushtet, madje edhe mund të përfitojnë, duke i bërë të tjerët syleshë, duke u hedhur hi syve sepse këtë lloj droge e gëlltit kollaj populli dhe e preferon Doktori, “ai lart”. Ndonëse thuhet se “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”, në shoqërinë njerëzore, sidomos tek ato të varfëra e në tranzicion, si kjo e jona, ku ligji, morali dhe opinioni publik nuk ushtrojnë trysni, se nuk kanë fuqi, as ndonjë vlerë, gënjeshtarët jo vetëm që nuk janë pakësuar, por habitërisht ata cilësohen si mjaft të dobishëm për qeverisjen e, rrjedhimisht, edhe të suksesshëm. Piramidat p.sh ishin shembulli më i keq dhe më tragjik i një infeksioni masiv të gënjeshtrës, epidemi që nuk erdhi nga hiçi, po nga gënjeshtra e pushtetit e sidomos nga tundimi i krerëve për të mbetur sa më gjatë e me çdo kusht në pushtet, qoftë edhe me mashtrime e gënjeshtra zyrtare.
E pra, nëse njeriu mund të gënjejë njeriun, pavarësisht nga sistemet politike dhe fuqia e organeve të Drejtësisë, si, pse dhe për ç’arsye një vetje me pushtet mund të gënjejë një shoqëri të tërë? Si mund të mashtrohet një popull, jo për një ditë, as për një muaj, por për disa dhjetëvjeçarë? Qenka e mundur, pra! Fatkeqësisht ne jemi shembull për këtë lloj trushpëlarje jo vetëm në kohën e diktaturës, kur propaganda e partisë na mëkonte me “lugën e florinjtë”, ndonëse bosh, por edhe nj’i tash, në këtë të ashtuquajtur demokraci, makina zyrtare e propagandës dhe krerët më të lartë po na thonë ditë për ditë, zëplotë e me shifra marramendëse se …se ne jemi më të lumturit në rajon e më gjerë, se “Shqipëria është vend-suksesi!”.
Para disa ditësh Berisha shkoi në Strasburg, në Këshillin e Evropës dhe foli edhe një herë për sukseset e padëgjuara të “qeverisë time”. Që andej shkoi në Turqi të takohej me sivëllanë Azer Aliev për projektin e “rrugës së mëndafshit” që do të na lidhë me Kinën. Pastaj erdhi në atdhe dhe mori pjesë në një takim ndërkombëtar “Një OKB”, në Tiranë, ku bëri një paradë suksesesh të njëpasnjëshme, që nga ulja e vdekjes së foshnjave dhe rritja e jetëgjatësisë, deri te hapësirat e banimit që na qenkan zgjeruar e që ne paskemi kaluar disa vende të BE-së! Përmendi ujërat e bardha, ujërat e zeza, arrorët (nga mbjellja e arrorëve qenkemi bërë “një Kaliforni e vogël!”), ullinjtë, turizmin (Binduni: Ne jemi një Zvicër me det! ), uljen marramendëse të varfërisë e të papunësisë, me një fjalë mrekullinë e pashembullt shqiptare! Për të disatën herë, jo vetëm ne, po edhe tribunat e nderuara të botës dëgjojnë të habitur kryeministrin e një vendi të vogël të mburret kësisoj: Ne zëmë vend të parë në botë për rritje ekonomike, për zhvillim të qëndrueshëm për prokurimet, ndërsa krizën botërore jo vetëm që nuk e njohim, por po i rritim pagat dhe pensionet, kurse për sa i përket dixhitalizimit zor të na afrohet kush. Ne do të bëhemi shumë shpejt superfuqi energjetike! Sa më sipër, me që “lajmi është i pari”, na vijnë brenda ditës nga jashtë në Shqipëri, nëpërmjet kronikave të hollësishme, që ne të bindemi e të themi: Kur këto shifra e rezultate kaq të shkëlqyera i pranojnë të huajt, organizmat ndërkombëtare, specialistët e botës, përse të mos i hamë edhe ne qytetarët e këtueshëm, të urtë e të bindur? Ky pra është qarkullimi ciklik i gënjeshtrës.
Gënjeshtra publike prodhohet më pari nga kabineti e nga goja e kryeministrit, në mbledhje të qeverisë, në grup parlamentar, në ndonjë përurim periferik, “provohet” më pas nga INSTAT-i, Banka Kombëtare, përthithet sakaq nga të gjitha mediat qeveritare ose jo, përcillet më pas jashtë, nëpër forume e takime ndërkombëtare, që të na kthehet sërish këtu si një ushqim i gatshëm, si silazh, si provë e përforcuar e një suksesi të padiskutueshëm, të cilin kurrkush nuk mund të guxojë ta kundërshtojë, sigurisht “nëse nuk është antishqiptar”.
Edhe pse duket e habitshme, qenka më kollaj dhe, pse jo, edhe më dobiprurëse të gënjesh të huajt, ndërkombëtarët, të cilët, ca për hir të kortezisë diplomatike, ca se nuk mund të përfytyrojnë se si një udhëheqës, qoftë edhe i një vendi të vogël, mund të hipë në podium e të gënjejë kaq hapur, kaq serbes e kaq lirshëm. Ndaj ata ose braktisin sallën, ose buzëqeshin me dashamirësi, ose bëjnë sikur e hanë edhe ata sapunin për djathë. Se, në fund të fund të fundit, kur këtë ushqim e hanë votuesit e vendit të tij, përse të kërkojnë qimen e bërë tra në pjatat ku ata nuk hanë?
"Vendetta është në të gjitha kodet e kombit"?!?
Shumë rrallë, por ndodh ndonjëherë që ndonjë gazetar i huaj të bëjë pyetje me zarar, të cilat synojnë t’i afrohen sadopak të vërtetës. Kështu ndodhi edhe në Strasburg, kur një gazetar e pyeti Berishën për miqësinë me vëllanë e një gjaku, me Turqinë e kur një tjetër e pyeti për rritjen dramatike të dukurisë së gjakmarrjes. Vini re si u përgjigj, pa iu dridhur as zëri dhe as qerpiku, kryeministri ynë:
“Vendetta, - kështu e quajti Berisha, meqë ndodhej në Strasburg,- është në të gjitha kodet e kombit tim”. -Si qenka pra gjakmarrja në të gjitha kodet e kombit tonë? Çfarë jemi ne, që duam të hyjmë në Evropë, shoqëri barbarësh që paskemi në kodin gjenetik gjakmarrjen? - ...”Por unë ju siguroj juve që gjakmarrja është në zhdukje. Nuk po them është zero, por aty afër. Është zvogëluar shumë si fenomen”… - Doli pra suksesi tjetër i qeverisë, paçka se disa ditë më parë u vra Marija, 17 vjeçe, kurse parmbrëmë, për gjakmarrje e me vetëgjyqësi u vra një tjetër, në mes të Tiranës, te “Petro Nini”. - “Unë mund t’ju jap ju një statistikë. Kur kam ardhur në pushtet ne kishim nëpër burgje rreth 1800 persona, sot kemi 5 mijë. Kjo tregon forcën e zbatimit të ligjit”.
A ka njeri që mund të shpjegojë se ç’lidhje ka ulja e numrit të të burgosurve me forcën e zbatimin e ligjit? Por e ka një lidhje: Berishës, si kryedemagog i hyn në punë fraza: “Kjo tregon forcën e zbatimit të ligjit”. Kjo frazë nuk është hedhur për të mbrojtur argumentin, as për të bindur gazetarin, por për t’i bishtnuar përgjigjes si dhe, - kjo është më kryesorja -, që të vijë tek ne si një tjetër “provë” e saktë: Ja, e shikoni, edhe të huajt janë të bindur që Shqipëria është vend i sukseseve dhe i vendeve të para, se kjo qeveri nuk të fal po nuk e zbatove ligjin, gjë që do të thotë se ne jemi shtet ligjor!
E pra, kush mund ta vërë në dyshim këtë “të vërtetë” kaq kokëfortë që tregon edhe njëherë “forcën e zbatimit të ligjit”? Por nëse ka një gjë që nuk qëndron, që nuk lipsen as sy, as veshë dhe as tru për ta kuptuar është pikërisht kjo: Tek ne sundon moszbatimi i ligjit, prepotenca e pakufizuar dhe e pakontrolluar e Maliqit kryeministër.
Krijoni Kontakt