Fanatizmi ndaj një personi apo dijetari është një shkelje e shehadetit (dëshmisë) se Muhamedi është i Dërguari i Allahut
Fetâwâ Râbigh, 5
shaikhalbaani.wordpress.com
Pyetësi: Ka disa persona që janë fanatikë ndaj disa dijetarëve. Çfarë thoni në lidhje me këtë?
Shejh Albani: Padyshim që nuk është e lejueshme për një musliman që shfaqë fanatizëm për cilindo person në botë, përveç pejgamberit sal-Allahu we alejhi we selam, meqë ai qe dërguar si mëshirë dhe udhëzim për botët dhe ai është i vetmi për të cilin jemi urdhëruar ta marrim si shembull për pasim.
Dhe të gjithë dijetarët nga dituria e të cilëve ne përfitojmë - ne e bëjmë këtë jo për shkak të vetë atyre apo personaliteteve të tyre, por vetëm e vetëm sepse ata janë udhëzues që na tregojnë dritën dhe udhëzimin në të cilin ishte pejgamberi jonë.
Kështu, kur një musliman bëhet fanatik ndaj ndonjërit nga dijetarët, qoftë ai i gjallë apo i vdekur, kjo nënkupton se ai ka harruar porosinë e pejgamberit sal-Allahu we alejhi we selam dhe është kapur për këtë person, për të cilin nuk lejohet të çiftëzohet me të Dërguarin sal-Allahu we alejhi we selam, në dije, sjellje dhe plotni. Pra, s’ka kurrgjë për t’u çuditur, kur them se, vërtet, fanatizmi i një muslimani ndaj një personi apo dijetari është shkelje nga ana e tij e shehadetit se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.
Nga ky shkak, kur unë shpjegoj shehadetin se Allahu është një, i pashoq, dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Atij, them se vërtet pjesa e parë e shehadetit e bën të domosdoshme që muslimani të mos adhurojë gjë tjetër veç Allahut, meqë, sikur ta bënte këtë, kjo do të ishte shirk i pastër. Dhe, po ashtu, lidhur me dëshminë e dytë, që Muhamedi është i Dërguari i Allahut, rob i Tij, (them që) kushdo që në këtë jetë merr për shembull pasimi dikë tjetër veç të Dërguarit të Allahut sal-Allahu we alejhi we selam, siç bëjnë disa fanatikë sot, (atëherë kjo përbën shkelje të kësaj pjese të shehadetit).
Si në medhhebin e Sufive, të cilët i marrin shehat e tyre si shembuj, dhe disa prej tyre kanë shkuar në ekstrem dhe e kanë parashtruar këtë devijim të madh për pasuesit e tyre: ata nuk marrin shembull tjetër për pasim veç shehut të tyre dhe pa kurrfarë turpi thonë:”Shembulli i pasuesit (murîd) që ka dy sheha, është si i një gruaje që ka dy burra”. Kështu, ata i robëruan pasuesit e tyre duke i bërë të atillë që dëgjonim nga disa prej tyre se ata nuk kryenin asnjë nga çështjet e dunjasë, përveç pasi konsultoheshin më shehun e tyre.
Ata i morën shehat e tyre si shembuj për t’u pasur më shumë sesa Sahabët e të Dërguarit sal-Allahu we alejhi we selam. A e pyetnin Sahabët të Dërguarin sal-Allahu we alejhi we selam, rreth gjërave që kishin të bënin me fenë e tyre sa i përket shitjes, blerjes e transaksioneve tjera, se a të shkonin (këtu apo atje), të udhëtonin apo të mos udhëtonin? Jo, ata ishin të lirë, sepse nga plotnia e thirrjes së pejgamberit sal-Allahu we alejhi we selam dhe përcjelljes së tij të Sheriatit të Zotit ishte që ai u tha atyre:
”Çfarëdo që ju kam urdhëruar lidhur me fenë tuaj, bëjeni aq sa të mundeni; çfarëdo që ju kam urdhëruar për çështjet e dunjasë, atëherë ju i dini më mirë çështjet tuaja të dunjasë”.
Pejgamberi sal-Allahu we alejhi we selam, ua sqaroi Sahabëve të tij se ai nuk kishte ardhur t’i mësonte për çështjet e tyre të dunjasë apo rreth mundit e
udhëtimit të tyre nëpër vende në kërkim të furnizimit, por ai kishte ardhur t’ua mësonte aktet e bindjes dhe të adhurimit si dhe shmangien nga gjërat e ndaluara me të cilat ata do të mund t’i frikoheshin Allahut Subhanehu Te'ala.
Kurse, sa u përket shehave të Sufive, ata i kanë robëruar pasuesit e tyre plotësisht dhe i kanë bërë të besojnë se ata duhet të konsultohen me shehat në çdo çështje që ka të bëjë me çështjet e tyre të dunjasë, e të mos flasim për ato fetare.
Ka pasur njerëz që i njihnim me emër e të cilët nuk martoheshin veçse sipas opinionit të shehut, dhe nuk udhëtonin veçse me këshillimin e tij. Nëse shehu i thoshte të udhëtonte, ai e bënte këtë; nëse i thoshte të mos udhëtonte, ai nuk udhëtonte. Ky është një robërim që tejkalon çfarëdo robërimi nga mosbesimtarët, sado i madh që të jetë. Sepse mosbesimtarët i robërojnë njerëzit nga këndi monetar, kurse, sa u përket këtyre njerëzve, ata e bëjnë këtë nga një kënd psikologjik, dhe kështu ata janë më të nënshtruar sesa robërit (e zakonshëm) ndaj padronëve të tyre.
Dhe unë do t’ju tregoj një ngjarje në të cilën ka një mësim për këdo që do të marrë mësim. Njëri nga shehat në një xhami, në një nga pazaret në Damask, në Siri, dhe tash nuk po më kujtohet emri i xhamisë që ishte në mes të pazarit.
Ndoshta, më vonë më kujtohet. Pra, një sheh i një tarikati Sufi i tha pasuesit të tij një ditë prej ditësh:”Shko dhe sillma kokën e babait tënd”. Kështu dhe bëri ai duke i ardhur shehut i gëzuar pasi kishte zbatuar urdhrin e tij. Pastaj shehu i buzëqeshi atij dhe i tha:”Vërtet mendon se ke vrarë babanë tënd?” Ai tha:”Natyrisht”, në çka shehu u përgjigj:”Mendon se do të urdhëroja të vrisje babanë tënd? Unë vetëm të urdhërova të vrasësh atë njeri, sepse ai ishte dashnori i nënës tënde. Sa i përket babait tënd, ai nuk është i pranishëm, është në udhëtim”.
Ai e tregoi këtë ngjarje njerëzve dhe njerëzit, të hipnotizuar, po rrinin ulur duke e dëgjuar atë, sikur të ishin magjepsur. Kurrkush nuk tha (diçka si):”Si ka mundësi të thuhet kjo? Shehu i thotë pasuesit të vet të shkojë e të vrasë babanë e tij dhe ai e zbaton urdhrin ...” Dhe asnjëri nuk tha ndonjë fjalë.
Nga këtu mësojmë se, kur një sheh urdhëron pasuesin e tij me një vendim që qartazi kundërshton Ligjin, bindja ndaj tij është obligim. Pse? Sepse shehu (kinse) e sheh atë që pasuesi nuk e sheh. A nuk shihni që, bazuar në ngjarjen sesi ai urdhëroi pasuesin e vet të vriste babanë e tij, por më vonë iu bë e qartë se ai ishte dashnori i nënës së tij, nëse ndonjëri prej jush do të shihte një kryq të varur në qafën e shehut, nuk do të ishte e lejuar që ai të qortohej për këtë. Sepse shehu (kinse) e sheh atë që pasuesi nuk e sheh.
Mësimi u përmbyll dhe asokohe ne i falnim teravite në një xhami që ishte në Sunet. Ne mblidheshim në një dyqan ku unë riparoja sahate. Ne mblidheshim aty për çdo natë. Një i ri nga vëllezërit tanë erdhi dhe më tregoi ngjarjen (me shehun) dhe ai kishte qenë i pransihëm në atë mexhlis. Pastaj, për një urtësi që Allahu deshi, pranë dyqanit kaloi një person i cili ishte i afërm i këtij mikut tim. Kështu, ai (djaloshi i parë që ishte mik me shejh Albanin) shkoi pas tij dhe e thirri:”O Ebu Jusuf, eja këtu!” Ai erdhi dhe ai (djaloshi i parë) çeli temën rreth shehut dhe pasuesve të tij, duke thënë:”Çfarë mendon, o Ebu Jusuf, për ligjëratën e sotme?” (Sufitë janë) Të mjerë, dhe u përgjigj:”Mâ shâ Allah!...” duke thënë se gjërat e këtilla janë normale atje (midis atyre njerëzve).
Kështu, ai (djaloshi i parë) nisi të debatonte me të:”Si mund ta urdhërojë shehu që ta vrasë babanë e tij?” Ai u përgjigj:”Ju po i refuzoni mrekullitë (kerametet)e Evlijave të Allahut”. Dhe ai i tha disa gjëra, derisa unë hyra në diskutim me të ... dhe ky është tregim i gjatë ... Sikur t’i shpjegoje një ajet apo një hadith një muri dhe ai të kuptonte, atëherë edhe ky person do të kuptonte; ai nuk kuptonte asgjë nga ajo çfarë ne thoshim.
Në fund, i thashë vetes: le të trajtoj një pikë të ndjeshme me këtë person, i cili s’është i vetëdijshëm për të Folmen e Allahut e as për Hadithin e të Dërguarit të Tij. Pra, të trajtojmë një pikë të ndjeshme, siç po thonë sot, kështu që thashë – dhe ky është qëllimi i kësaj ngjarjeje -:”O Ebu Jusuf, të jemi të sinqertë ndaj njëri-tjetrit. Sikur të urdhëronte shehu yt për të vrarë babanë tënd, a do ta bëjë këtë?” Çka mendoni se do të duhej të thoshte një person që ka intelekt apo besim sa thërrmija veç: ”Kërkoj shpëtim tek Allahu! Jo!” Por, ai nuk e tha këtë; ai tha:”Unë hala nuk e kam arritur këtë nivel”.
Shihni se çfarë u kanë bërë këtyre njerëzve. Ata, vërtet, i kanë bërë intelektet e tyre të treten. Ata kanë ndikuar në mendjet e tyre në atë mënyrë saqë ata më s’mund të dallojnë mes haramit dhe hallallit, apo mes asaj që është e lejuar dhe asaj që s’është.
Në fakt, ata kanë arritur nivelin ku ... apo ai pranoi se shpresonte të arrinte atë nivel, ku, po t’i thoshte shehu ”Vrite babanë tënd!”, ai do ta bënte këtë. Kur ai (Ebu Jusuf) më tha: ”Unë hala nuk e kam arritur këtë nivel”, i thashë në gjuhën Siriane:”Inshâ Allah ti s’do ta bësh këtë kurrë! S’do ta arrish këtë nivel”.
Pra, shikoni sesi shkelja e shehadetit se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, (shkelja) e sinqeritetit në pasimin e tij dhe (shkelja) e mosvënies së ortakëve në pasimin ndaj tij i çoi njerëzit në shirk dhe paudhësi, sepse ata bënë shirk në pasimin e pejgamberit të Allahut sal-Allahu we alejhi we selam duke pasuar dikë tjetër krahas tij.
Për këtë arsye, nuk është e lejuar për dikë në këtë botë që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit të marrë një dijetar (si të pagabuar), pavarësisht sa fisnik dhe i lartë është ai, pavarësisht sa shumë i dijshëm është ai apo sa i drejtë personi mendon të jetë ai. Por, ai duhet të jetë si bleta, e cila i viziton të gjitha pemët dhe lulet, duke marrë nga barku i saj mjaltin që është dëshmuar të jetë ilaç për njerëzimin.
Kështu i ka hije një muslimani të jetë; ai merr dijen nga çdo dijetar, ashtu siç bënin dijetarët e Selefëve. Në biografitë e shumë dijetarëve, ata shkruan se kishin pasur më qindra shujuh (mësues/dijetarë). Për shembull, ata përmendin se Ebu Hanife (Allahu e pastë mëshiruar) kishte njëmijë mësues, dhe mua tani nuk më intereson se a është ky transmetim i saktë në zinxhir dhe në riwâjeh, por kjo (që dikush të kishte shumë mësues) ishte e pranishme.
Në librin er-Rewden-Nedhir fî Tertîb we Tekhrîxh Mu’xhem et-Teberâni es-Saghîr ... metoda e tij në të ... dhe kjo metodë përmban mjeshtri ... në zgjuarsinë e tij ... Për të mbajtur mend emrat e mësuesve të tij, ai i renditi emrat e tyre sipas rendit alfabetik, elif, bâ, ... dhe përcolli një hadith nga secili prej këtyre mësuesve. Dhe sa ishte numri i mësuesve të Tij? Më shumë se njëmijë. Kjo është shënuar në librin e tij të titulluar Mu’xhem et-Taberâni es-Saghîr. Pra, më shumë së njëmijë mësues dhe nga secili mësues/dijetar të përmendur në këtë libër ai përcolli vetëm një hadith, meqë deshi të tubonte dhe të mbante mend emrat e mësuesve të tij.
Ai ka tri libra: Muxhem et-Taberâni es-Saghîr, Mu’xhem et-Taberâni el-Eusat dhe Mu’xhem et-Taberâni el-Kebîr. I pari dhe i dyti përdorin metodën e njëjtë, ku ai renditi emrat e mësuesve (në rend alfabetik), por i dyti dallon nga i pari në atë se përmend më shumë se një hadith për një mësues, kurse në të parin ai përmend vetëm një hadith ... Pra, ai kishte më shumë se njëmijë mësues.
Kështu ishin dijetarët e së kaluarës, sepse, në fakt, secili dijetar dallohet nga dijetari tjetër në aspektin e dijes, sjelljeve, fesë, drejtësisë, etj.
Sa i përket el-Mu’xhem el-Kebir, librit të tretë, metoda e tij dallon krejtësisht nga libri i parë dhe i dytë, dhe një përmbledhje e kësaj do të ishte se ai është punuar sipas metodës së koleksioneve Musned. Ata prej jush që dinë për Musnedin e Imam Ahmedit dhe atë të et-Tejâlisit si dhe Musnedet tjera si këto, të cilat tash kanë nisur të shfaqen, (e dinë se çfarë po mendoj me metodën e përdorur këtu)...
... Kjo mjafton, dhe i tërë falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve.
Krijoni Kontakt